DY SHQIPTARË DHE NJË FJALI FARE E THJESHTË!

Ilmi REXHEPI

Po marrim një tekst konkret dhe të freskët që ta analizojmë se si dy shqiptarë, njëri i Shqipërisë e tjetri nga Kosova, e kuptojnë krejt ndryshe nga njëri-tjetri:

“U lajmërua urgjenca, por fëmija humbi jetën rrugës” (teksti është marrë nga një portal i Shqipërisë). Shqiptari i Shqipërisë, qoftë toskë e qoftë gegë, kupton se urgjencën dikush e paska lajmëruar për rastin e atij fëmijës. Kurse shqiptari nga Kosova dhe të tjerët që kanë jetuar në ish-Jugosllavi kuptojnë nga po ky tekst se urgjenca qenka paraqitur. (po përjashtoj leximin me vetëdijen për kuptimet e sakta të kësaj foljeje).

Dallimi në të kuptuar nuk është sipas kundërvënies toskë/gegë, por sipas kundërvënies qytetar i Shqipërisë/qytetar i shteteve, banorët e të cilave kanë jetuar në Jugosllavi. Pra, sipas gjeografisë politike dhe jo sipas asaj dialektore.

Gazetari ka për qëllim vetëm kuptimin që urgjencën e kanë lajmëruar. Pse ndodh kuptimi tjetër?

Folja “lajmërohem” në shqipen ka kuptimin “më jep lajm dikush”. Janë joshqipe për kuptimet për të cilat përdoren fjalitë: nuk po më lajmërohet në telefon, lajmërohu te sporteli, a po të lajmërohen djemtë, pse nuk m’u lajmërove… Duhet: nuk po më thërret, nuk po më paraqitet, paraqitu… Përdorimi i foljes “lajmëroj” në formën joveprore “lajmërohem” me kuptimin e foljes “paraqitem”, është nga ndikimi sllav dhe e përdorin vetëm shqiptarët që kanë jetuar në ish-Jugosllavi.

Dikush do të “arsyetonte” kështu se derisa njerëzit e kuptojnë që “u lajmërua Thaçi” i bie “u bë i gjallë, u paraqit, u duk”, pse të mos llogaritet në rregull, a veç pse jena gegë a e duhet me e duru zullumin e toskëve?!

Jo pse jemi gegë, sepse edhe gegët e Shqipërisë e kuptojnë njëjtë si toskët e jo si ne tash! Madje, edhe tanët, para se të na jugosllavizohet nga pak gjuha, do ta kuptonin vetëm si ata, tjetër pse forma joveprore e foljeve “nuk u ka shkuar për goje” shqiptarëve të mëhershëm.

Por, sepse këtë ndikim nuk mund ta shtrijmë tek të gjitha viset shqiptare, pra i mungojnë aftësitë që të shtrihet e të bëhet i kuptueshëm nga të gjithë, prish njësinë e menduar të kuptimit shqip, aq më tepër që është ndikim (kalk) sllav siç e shpjegojnë gjuhëtarët.

Passhkrim:Shprehja me pretendim terminologjik “dallime gjuhësore brendashqiptare të përftuara sipas gjeografisë politike” është nga unë, mendoj që ka arsye të shërbejë si ide drejtimi për studime të reja gjuhësore

Leave a Reply

Your email address will not be published.