E BUKURA NATYRORE

Ekzistojnë dy paradigma teorike të estetikës pozitive: paradigma teorike individualiste dhe paradigma teorike holistike

Afrim REXHEPI

Sipas disa përcaktimeve teorike, estetika pozitive në esencë e pranon idenë, gjithçka që ekziston në natyrë është e bukur. E shëmtuara në natyrë shfaqet kur natyra është nën ndikimin destruktiv të njeriut. Pra, vlera e estetikës pozitive qëndron në funksionin e përforcimit të vetëdijes ekologjike për natyrën. Themeluesi i estetikës pozitive,AlenKarlson, definon: “Ambienti natyror, deri në atë shkallë sa nuk është i prekur nga njeriu, kryesisht ka kualitet estetik pozitiv. Natyra është e bukur dhe e madhërishme, është delikate dhe sublime, është unitare, intensive, e shumëllojshme, simetrike dhe harmonike, pastaj është edhe ironike, e mërzitshme, kaotike. E gjithë natyra, në esencë, estetikisht është e bukur”. (Carlson, 1984: 5-34.)

Ekzistojnë dy paradigma teorike të estetikës pozitive: paradigma teorike individualiste dhe paradigma teorike holistike. Paradigma teorike individualiste e estetikës pozitive tregon në faktin që kur raporti ynë me realitetin është negativ, gjegjësisht kur format (organizmat) nga natyra janë të deformuara, të shëmtuara dhe groteske, atëherë përmes aktit të perceptimit, tek ne shkaktojnë energji negative estetike. Në fakt, ky është edhe qëndrimi i individualistit i Butit, me të cilin nuk pajtohet Emily Bradly. Bradly mendon në faktin që një përcaktim i tillë teorik është i gabuar pasi është idealist. Duke u bazuar në estetikën e Kantit, konkretisht në dallimin midis gjykimit estetik dhe gjykimit moral, Bradly mendon në faktin që e bukura ndodhet midis unitetit të formave të natyrës dhe se të bukurën, e shijojmë. Pra, e bukura gjeneron efekte pozitive estetike që arrihet përmes rinjohjes së shumëllojshmërisë të situatave dhe vlerave estetike në natyrë. Është e nevojshme që me seriozitetin më të thellë të dallohet e bukura në kuadër të shumëllojshmërisë së formave të natyrës sepse kualitetet estetike të natyrës janë shumë të thella. Në ligjëratat e saj për të bukurën në natyrë, Bradly bën dallim midis të bukurës natyrore dhe të bukurës estetike. Për Bradlyn, e bukura natyrore është nocion më i gjerë në të cilën qëndrojnë të lidhura kualitetet estetike dhe joestetike si: e bukura, harmonia, sublimja, lumturia, gëzimi, tronditjet negative, tmerri i këndshëm, e shëmtuara, disharmonia, shkatërrimi etj. Kualitetet pararendëse estetike dhe joestetike, krijojnë estetikën ekologjike në të cilën nuk eliminohen kualitetet estetike negative, por e kundërta, e gjithë natyra është e bukur dhe mahnitshme bashkë me egërsirën në brendi. Nëse do t’i eliminonim vlerat negative estetike nga përvoja jonë e shijes me natyrën, atëherë përvoja jonë, ndjeshëm do të dobësohet në dobi të estetikës ekologjike. Megjithatë, për Bradlyn, nuk mjafton fakti që të shijohet uniteti i formave të natyrës por e bukura duhet të shfaqet në natyrë. Pragmatizmi i të bukurës, është formula përmes së cilës Bradly e ul të bukurën midis natyrës edhe atë si impuls pozitiv dhe pragmatik në nxitjen e vetëdijes ekologjike gjegjësisht të moralit për natyrën. Tendencën e saj individualiste, Bradly e shpreh përmes definicionit në vijim: “Mendoj që duhet t’i kthehemi percepcionit të gjërave të bukura në natyrë. Lejleku me peshkun në gojë, në fluturim, duket i madhërishëm, por nga pikëvështrimi ekologjik, një akt i tillë është tragjik. Natyra në vete, është e bukur, por edhe tragjike. Përmes shpirtit pozitiv, Estetika duhet ta ngrys moralin për të bukurën në natyrë”. (Bradly, 2015)

Sipas teoricienëve, paradigma teorike individualiste e estetikës pozitive, i rekomandon referencat në vijim: 1. Estetika pozitive duhet ta funksionalizojë mendimin që estetika negative në natyrë, është e mundur; 2. Estetika pozitive nuk duhet të praktikohet në ndonjë pjesë tjetër të botës, inkuadruar këtu edhe botën e artit dhe të mjedisit ku jeton njeriu, sepse natyra është bukuri e veçantë; 3. Estetika pozitive është reale dhe pragmatike në raport me natyrën, e jo konceptuale dhe teorike; 4. Estetika pozitive është doktrinë e cila përmes estetikës ekologjike ose narracionit, bëhet e dobishme në ruajtjen e pastërtisë së natyrës.

Përfaqësuesi tipik i paradigmës holistike të estetikës pozitive është Alen Karlsoni, i cili estetikën pozitive e definon përmes idesë që natyra në plotninë e vet është harmonike dhe e bukur, dhe se vendet e paprekura të natyrës nga njeriu funksionojnë përmes rendit dhe harmonisë, gjegjësisht janë të bukura dhe krejt pozitive. Sipas Karlsonit, gjatë perceptimit dhe vlerësimit të natyrës, është e nevojshme të krijohet “model i përcaktuar i hapësirës natyrore”. Në kontekst, ne duhet ta vlerësojmë apo ta perceptojmë natyrën në ndritësimin e vet përmes kognitivizmit shkencor. Prurjet e reja nga gjeologjia, biologjia dhe ekologjia, vetëm na ndihmojnë në zgjerimin dhe thellimin e njohjeve tona dhe mundësive tona për natyrën. Nëse duam ta vlerësojmë ndonjë balenë, atë duhet ta bëjmë përmes kategorisë së “sisorëve”, e jo përmes kategorisë së “peshqve” apo të “zogjve”. Shembulli i Karlsonit, vetëm e fakton faktin e dallimit të tij në lidhje me funksionalizmin e kognitivizmit shkencor gjegjësisht funksionalizimin e shkencës “si argument estetik”. “Kur natyra gjykohet estetikisht edhe atë përmes shkencave natyrore dhe shoqërore, vlerësimi estetik pozitiv është i patjetërsueshëm, sepse nga njëra anë ndodhet pastërtia e natyrës, natyra në gjendjen e saj natyrore, pra ideali estetik dhe nga ana tjetër impenjimet  shkencore të cilat edhe më shumë vazhdojnë ta ndritësojnë unitetin, rendin dhe harmoninë e natyrës. Natyra duket e bukur kur shijohet dhe ndritësohet përmes shkencës”. (Carlson, 2000: 12) Pra, shkencat natyrore i sqarojnë fenomenet e natyrës edhe atë përmes disa kualiteteve: rendi, harmonia, baraspesha, tensioni dhe zgjidhja. Në bazë të kualiteteve të paracaktuara, estetikisht e shijojmë natyrën. Ekzistojnë teoricienë të cilët mendojnë që koncepti teorik i Karlsonit, mund të funksionon si një gjykim teorik konceptual apo impresiv për natyrën. Sipas tyre, Karlsoni nuk e merr parasysh faktin që në natyrë ekzistojnë edhe gjëra të shëmtuara, por ekzistojnë edhe forma groteske të cilat nxisin estetikë negative. Rolstoni e zgjidh problemin përmes faktit që “secila formë në natyrë, nuk është e izoluar, por është në interaksion me ambientin”. Në këtë mënyrë, Rolstoni tregoi që format e deformuara a të shëmtuara, transformohen në funksionale estetike, në kuadër të ekosistemit. Natyra e ka forcën potenciale ta krijojë të bukurën, duke i transformuar format e shëmtuara në efekt pozitiv. “Nëse bie fjala, turistët duke shëtitur në natyrë, vërejnë drerin e qelbosur, tek ata do të shkaktohet efekt estetik negativ, por nëse e zgjerojmë diapazonin e të menduarit, do t’i njohim kategoritë plotësuese për interpretim. Trupi i qelbur i drerit, riciklohet, shndërrohet në ushqim mizash, e mizat në ushqim për zogjtë. Selektimi natyror, rezulton me drerin e dobishëm për gjeneratat që vijnë. E gërditshmja e momentit, është vetëm një imazh i momentit nga shumë imazhe lëvizëse. Konfrontimi i vlerave, sipas logjikës simbiozë, nuk është e gërditshme, por e bukur. Bota nuk është një botë si Uolt Dizni, por një botë me një bukuri të errët. Në një botë të tillë, vdekja është hija e lindjes”. (Hettinger, 2012:18)

Siç edhe mund të vërehet më lartë, estetika pozitive ka për tendencë të argumentojë tezën që natyra, në thelbin e saj, është e bukur. Tendenca të tilla teorike, konstruksione të tilla, ndodhen në thelbin e themeluesit të estetikës pozitive Alen Karlson. Duke mos e bërë dallimin e duhur midis perceptimit estetik dhe artistik të natyrës, Karlsoni tregoi në faktin që kriteret shkencore, estetikisht e kuptimësojnë natyrën. Jo vetëm që hulumtimet shkencore estetikisht e kuptimësojnë natyrën përmes shkëlqimit të harmonisë, rendit, baraspeshës, por shkenca argumenton faktin që natyra, brenda vetes, i posedon kualitetet estetike. Shkenca nuk i vendos kualitetet estetike në natyrë, por duke e hulumtuar natyrën, i zbulon kualitetet estetike midis natyrës.“Në këtë mënyrë, shkencat tregojnë që natyra, në esencë, estetikisht është e bukur. Pra, shkenca, jo vetëm që bën që natyra estetikisht të duket e bukur, por përmes funksionalitetit të saj preciz, tregon në faktin që natyra, në thelbin e saj, estetikisht është e bukur”. (Carlson, 2000: 97)

Megjithatë, ideja për një estetikë pozitive është më e vjetër, e gjejmë në principet impresive filozofike të Lajbnicit, të quajtura monada. Përmes tezave të tij për monadat, Lajbnici paralajmëroi një version brilant të estetikës pozitive. Sipas tij, “Monada është substancë e thjeshtë që hyn në strukturën e substancave të ndërlikuara; Monada është substancë e thjeshtë, pa elemente përbërëse; Monadat janë atomet e vërteta të natyrës, me një fjalë, elemente përbërëse të gjërave; Monadat nuk kanë dalje përmes të cilave mund të hyhet a dilet; Monadat posedojnë elemente të dalluara, secila dallohet nga tjetra si rezultat i ndryshimeve të brendshme; Shumësia e kuptimeve, është rezultat i perceptimit të substancës së thjeshtë; Zoti është substancë universale, njëshi absolut, i përkryer dhe pozitiv; Në idetë e zotit, ekzistojnë pafundësisht universe që dallojnë nga shkallët e së përkryerës, bota jonë, me gjasë, është bota më e përkryer”. (Lajbnic, 2002: 93 – 123)

Citati pararendës, tregon në faktin që monadat janë substanca të thjeshta dhe të pazbërthyera. Janë jomateriale, sepse nuk janë të përbëra, prandaj nuk mund të zbërthehen në njësi më të imta. Monadat janë substanca shpirtërore, universe të veçanta dhe perfekte në imanencë. Dallohen njëra nga tjetra dhe përmes dallimit funksionojnë sipas logjikës së vazhdimësisë perfekte. Monadat bëhen funksionale sipas ligjit të identitetit, kontinuitetit dhe forcës. Monadat nuk veprojnë njëra ndaj tjetrës, ata janë botëra paralele, të vendosura sipas ndonjë force a inercioni, përmes së cilës krijohet bota. Mbi të gjitha monadat, ekziston monadaabsolute, monada Zoti që krijon harmoninë perfekte si botë më e përsosur nga të gjitha botërat e mundshme. Që do të thotë se ideja e Lajbnicit bazohet në konceptin e botës si botë e monadave, duke e vulosur idenë që bota në plotninë e vet, është sistem i përcaktuar i harmonisë perfekte. Edhe pse Lajbnici dhe Karlsoni, në kuptimin e natyrës, dallohen në faktin që njëri shpjegon përmes procedurës informative matematikore, e tjetri përmes procedurës historike në klasifikimin e kategorive të natyrës, së bashku e definojnë natyrën si kontinum i përsosur, njëri përmes analogjisë së substancave të thjeshta – monadat, e tjetri përmes ligjit të palingenezës, sipas analogjisë “Saturni i han fëmijët e vet”. Që do të thotë se sistemi a struktura e botës empirike, është në funksion të idesë së bukurisë perfekte dhe harmonisë universale.

Pavarësisht nga pozicioni metodologjik, Lajbnici dhe Karlsoni janë të bindur që shkenca i zbulon vlerat objektive të bukurisë natyrore, si rendi dhe harmonia pozitive. Lajbnici shkon më tutje duke pohuar që zbulimet e bukurive natyrore, na japin të drejtën që më shumë ta respektojmë krijuesin e tyre absolut. Sa më shumë që shkenca i zbulon dhe i ndritëson rendin dhe harmoninë pozitive të natyrës, aq më shumë do të besojmë në projeksionet harmonike të natyrës. Sipas disa teoricienëve, estetika pozitive e Lajbnicit, është më e thellë dhe më e përgjithësuar se bindjet e Karlsonit, sepse në raport me fenomenet e shëmtuara të natyrës, Karlsoni pranon faktin që estetika e tij pozitive nuk ka të bëjë me gjërat e shëmtuara apo deformimet e formave (organizmave) në natyrë. Një qëndrim i tillë teorik i Karlsonit, vetëm e përkufizon paradigmën e tij të estetikës pozitive. Nga ana tjetër, përmes teologjisë racionale, Lajbnici ofron zgjidhje më të mirë. Fenomenet e shëmtuara në natyrë, ndodhin derisa ne do të mësohemi që të pozicionohemi drejt. Në natyrë, nuk ekzistojnë fenomene të shëmtuara, e gjithë natyra, në plotninë e vet, është harmonike dhe pozitive, apo nëse ato ekzistojnë, është rezultat i njeriut i cili e deformon harmoninë perfekte. Nëse qëndrojmë në tokë, dhe nga ky pozicion e perceptojmë natyrën, do të vërejmë fenomene negative dhe forma të deformuara, por, nëse pozicionohemi në diell dhe nga ajo pozitë e perceptojmë tokën në lëvizjen e saj të përhershme rreth diellit, atëherë e kemi perceptuar harmoninë universale, ligjin absolut, monadënabsolute – Zoti. Logjika dekonstruktive, do t’i lidhte shkencat e natyrës me teologjinë racionale, në funksion të një estetike pozitive të  natyrës.

Punimi i vlerësoi dy paradigma të estetikës pozitive. Njëra paradigmë i takon Lajbnicit dhe Karlsonit, e tjetra i takon Emily Bradlyt. Ajo që në thelb i dallon paradigmat e estetikës pozitive, është ekzistimi i formave të shëmtuara dhe groteske të natyrës. Derisa paradigma e parë e deformimit, groteskut dhe tragjikes së formave të ndryshme të natyrës, i transformon përmes kategorisë ndryshim – natyra është harmoni absolute, e shëmtuara është kategori kaluese në kuadër të harmonisë absolute, paradigma e dytë, nuk e mohon praninë e formave (organizmave) në deformim, e formave groteske dhe tragjiken e formave të njëjta. Me interes është procedimi analitik i Bradlyt për estetikën pozitive, sepse tragjiken në natyrë e përcakton në favor të funksionalitetit estetik. Sipas Bradlyt, ne nuk mund që pozitivisht ta shijojmë bukurinë natyrore, nëse nuk ekziston kontrasti i saj, e shëmtuara. Pra, në estetikë, kontrasti shkakton përjetime të thella estetike. Ekzistimi i natyrës pa të shëmtuarën dhe fenomenet e shëmtuara, estetikisht është më pak funksionale. Përmes lojës në kontrast e bukur – e shëmtuar, natyra duket më e bukur dhe më interesante, jo vetëm për estetët por edhe për kognitivistët. Në fakt, ky është edhe qëllimi esencial i estetikës pozitive, të zbulohet e bukura natyrore, të shijohet harmonia e saj perfekte, duke e nxitur në vazhdimësi vetëdijen ekologjike për natyrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.