Marius Dobresku, përkthyesi i autorizuar i veprës së Kadaresë
Mund të them se isha me fat. Mbarova shkollimin e mesëm në një kohë kur marrëdhëniet shqiptaro – rumune ishin të një niveli të mirë. Pra, s’kishte asnjë armiqësi mes Rumanisë dhe Shqipërisë
Fehmi AJVAZI
Marius Dobresku, është një nga njohësit brilant të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. U lind në Braila më 23 prill të vitit 1951, aty ku rreth një shekull e gjysmë më parë, jetoi Naum Veqilharxhi. Mbaroi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 1975. Ka qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë, e më pas është orientuar në sferën e përkthimeve, të gazetarisë etj. Krijuesi, publicisti, studiuesi Marius Dobresku, ka vite që drejton edhe revistën “Prietenul albanezului/ Miku i shqiptarit” që botohet në Bukuresht dhe është autor i shumë shkrimeve dhe librave dedikuar Shqipërisë. Mbi të gjitha, Dobresku është përkthyesi i autorizuar i dhjetëra veprave të Ismail Kadaresë në gjuhën rumune. Përmes prezantimit të Kadaresë, ai është nga emrat më të njohur të krijimtarisë kulturo-letrare në Rumani. E kundërta: Dobresku, për mbi 40 vite ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në prezantimin, njohjen dhe e eksportimin e vazhdueshëm – sistematik të kulturës, letërsisë dhe arteve shqiptare në Rumani dhe te qytetarët rumunofon. Miku i ynë pakontestueshëm, Marius Dobresku, ndonëse njihet shumë më pak në Kosovë dhe në Maqedoni, mund të themi se Shqipërinë e ka shtëpinë e dytë! Prandaj, është nga të rrallët e huaj që meriton respektin dhe nderimin tonë pa limit. Tamam si një ambasador në diplomaci, me punën e tij të palodhshme e sistematike, Dobresku është ambasadori brilant mes ndërlidhjes, njohjes dhe zhvillimit të dy kulturave tona, asaj shqiptare dhe rumune. Prandaj, i njëjti, edhe është vlerësuar me shumë e shumë çmime në Bukuresht, e në Tiranë. Dobresku mori pjesë në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës Shqipe ( edicioni i 41), që tradicionalisht u mbajt gjatë verës në Prishtinë.
HEJZA: Z. Dobresku, faleminderit që gjetët kohë, pavarësisht agjendës suaj të ngjeshur që ua imponon seminari, të jepni këtë intervistë. Prandaj, më lejoni që fillimisht t’ju pyes: s’i ndodhi që u “shqiptarizuat”…?
MARIUS DOBRESKU: Faleminderit. Mund të them se isha me fat. Mbarova shkollimin e mesëm në një kohë kur marrëdhëniet shqiptaro – rumune ishin të një niveli të mirë. Pra, s’kishte asnjë armiqësi mes Rumanisë dhe Shqipërisë. Dy vendet ose dy kombet jetonin në të njëjtin sistem dhe ideologji, prandaj kishte edhe gjëra të njëjta, pse jo edhe të përbashkëta, ndonëse shtetet e bllokut komunist kishin ndarë edhe armiqësi të rrezikshme, sidomos armiqësi historike, territorial dhe ideologjike dhe kështu kishte ndodhur “Hungaria”, “Çekosllovakia”, të cilat në njëfarë mënyre u pushtuan nga Moska. Siç thash në fillim, isha me fat meqë përgjatë studimeve, pas gjimnazit, nuk u ndala të studioj në Rumani, por zgjodha një gjuhë dhe një vend të huaj. Ndodhi çuditshëm: unë isha nxënës i shkëlqyer, dhe shteti favorizonte studimet jashtë vendit. Kam një tregim rreth asaj se si vendosa, por është personal dhe, pavarësisht hezitimeve fillestare, qoftë të familjes dhe qoftë të miat, ndodhi që unë u përcaktova të studioja në Tiranë. Dorën në zemër, nuk kisha njohur të paracaktuara për Shqipërinë, por meqë isha i pasionuar ndaj historisë, mësova konkretisht ato që i kisha dëgjuar më parë se rumunët dhe shqiptarët ndanin gjëra të përbashkëta. Dikur, përgjatë shekujve XIX dhe XX, në qytete të ndryshme, kryesisht në pjesët jugore të territorit të Rumanisë, kishte pasur koloni të mëdha shqiptarësh që kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën dhe në historinë e kombit dhe të shtetit rumun. Madje, deri në vitet e 80-ta kishte mbi 30 mijë shqip folës. Fatkeqësisht, sot nuk është një panoramë e këtillë për shumë arsye…
HEJZA: Si e kujtoni atë kohë si student?
MARIUS DOBRESKU: Siç thashë, në Tiranë u adoptova mirë, ndonëse si çdo fillim që ka “keqkuptimet” e veta në atë moshë, i kisha edhe unë, e ato ishin: largësia nga vendlindja, njerëzit e panjohur, mungesa e familjes, e shokëve etj. Kjo gjendje kishte ndikim se isha i ri në moshë! Por, kjo nuk zgjati shumë, sepse historia mes dy popujve tanë ishte çuditërisht mjaft e përafërt, miqësore. Ne kishim në krye të historisë, politikës, kulturës, letërsisë, figura eminente me prejardhje shqiptare. Në Rumani, kolonia shqiptare e Bukureshtit, Konstancës etj., përgjatë shekullit XIX dhe XX kishte qenë nga më të fuqishmet e shqiptarëve në emigracion. Ata kishin qenë bërthama e “Rilindjes kombëtare shqiptare”! Në Rumani janë nxjerrë gazeta dhe kanë krijuar veprat e tyre më të bukura Lasgushi, Mitrush Kuteli, kurse Naimi ka botuar shumë nga librat e tij. Naum Veqilharxhi e ka hartuar alfabetin e tij të shqipes etj. Mund të konstatoj se Rumania ishte në këtë kohë atdheu i dytë për shqiptarët! Epo, poeti i njohur Asdreni, tekst-shkruesi i himnit nacional shqiptar, jo vetëm që kishte jetuar, por edhe varrin e ka në Rumani. Por, duhet thënë që edhe ne rumunët kishim “Mihail Eminsekun” tonë, “Victor Eftimiun tonë”, që të dy me origjinë shqiptare që janë, të pandashëm nga kultura dhe letërsia rumune. Kështu, mua disa njohuri për vendin e shqipeve nuk më mungonin, prandaj edhe nuk e ndjeja vetën aq të huaj. Por, edhe Tirana aso kohe ishte një qytet në evoluim e sipër, pastaj i qetë për nga siguria, dhe me njerëz të dashur. Mundësonte kushte për studim dhe unë s’pata asnjë problem për t’i mbaruar me sukses studimet. Dua të them se kombi me një të kaluar të varfër e me halle të mëdha historike, në këtë kohë investonte shumë në superstrukturë (arsim, kulturë, arte, letërsi etj.), dhe kjo më pëlqeu shumë. Kështu, për pak kohë, ndoshta për më pak se një vit, ndjeva në thellësi të vetëdijes e shpirtit tim se po filloja të lidhesha ngushtë me gjuhën shqipe, por edhe me historinë e shqiptarëve, me letërsinë, në përgjithësi me kulturën shqiptare etj. Sigurisht, nuk mund të gjykoja aso kohe se do të bëhesha edhe një përkthyes i përkushtuar, gjithsesi i pandashëm me gjuhën – letërsinë shqipe. Madje, ndodhi diçka e papritur për mua: ndërsa unë ende isha në fakultet, pra me studime, në Bukuresht u përkthye romani i parë i Ismail Kadaresë. Cila vepër tjetër pos romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ! Ky roman, i kishte dhënë qysh në fillim, pastaj edhe vazhdonte t’i jepte famë sistematike autorit të tij: Kadaresë. Romani u përkthye më 1973 edhe në rumanisht nga Foqion Miçaços, i cili rridhte nga një familjeje e vjetër me prejardhje shqiptare në Bukuresht. Ishte me të vërtetë një përkthim i bukur, madje shumë i bukur. Pas vdekjes së tij, pasi ishte në moshë të madhe kur e përktheu romanin, e mora unë përsipër veprën e Kadaresë për ta përkthyer në gjuhën rumune.
HEJZA: A mund të na e shpjegoni më detajisht se si u gjendët në vorbullën e letërsisë sonë. Ju nuk dolët kurrë nga ky vorbull.Pra, a kishte një, dy e më shumë shkaqe që filluat me zhanrin e vështirë, me shemrën e letërsisë: përkthimin…?
MARIUS DOBRESKU: E them pa modesti se u përshtata shumë mirë në Tiranë. Jeta studentore për secilin ishte mbresë e veçantë dhe më duket se vitet ikën aq shpejt, sa çelë e mbyllë sytë. Në përfundim të ligjëratave dhe studimeve, unë u përcaktova që për temë të diplomës ta kem veprën e Ismail Kadaresë. Ky shkrimtar me të cilin pastaj do të miqësohem e bashkëpunoj deri më sot e në këto çaste kur po flasim, që me veprat e para dha shenja të pakontestueshme se do t’ishte i veçantë, produktiv, cilësorë. Kështu, kur erdhi momenti i diplomimit, unë zgjodha temën historiko-letrare me titull: ”Rezistenca e popullit shqiptar para pushtuesve të huaj, e pasqyruar në veprën e Kadaresë”. Nuk isha përcaktuar rastësisht për këtë temë. Në vitin e tretë, në fillim të tetorit, shkrimtari i madh erdhi të na ligjëronte. Ai, Kadare na e mbajti lëndën: „Letërsi dekadente botërore”. Ne studentët, ishim të privilegjuar, sepse Kadare ishte njëri prej shkrimtarëve më të arrirë qysh në këtë kohë! Dua të kujtoj këtu diçka, meqë m’u dha rasti: Leksionet e tij nuk qenë aspak në atë frymën partiake – romantike, me të cilën edukoheshim ne të gjithë në atë kohë për shkak të sistemit politik në të cilin jetonim edhe ne në Rumani. Leksionet e Kadaresë ishin thjesht tregime mbi Kafkën, Xhojsin, Prustin, Ioneskon etj. Kështu, e njoha edhe personalisht Ismail Kadarenë dhe veç tjerave, pasioni im pas historisë më afroi me romanet historike të Kadaresë, që do të thotë edhe me letërsinë me motive historike.
Mbasi që u ktheva në atdhe, u punësova në Bibliotekën Kombëtare, por Shqipërinë dhe shqiptarët nuk i harrova. Përkundrazi. Kështu, artdashësit dhe lexuesit rumun “ia solla” ta njihte e shijonte kulturën e lashtë, poezinë shqipe të Agollit, të Fatos Arapit, Natasha Lakos, Xhevahir Spahiut etj. Në përgjithësi, krahas punës në bibliotekë, fillova të shkruaj dhe të bashkëpunoj edhe me gazetat në Bukuresht dhe një ditë u bëra edhe gazetar. Në anën tjetër, iu qasa njohjes dhe studimit të kulturës, të artit, letërsisë e çka jo tjetër që lidhej me shqiptarët dhe Shqipërinë. Në vitin 1983 e përktheva romanin ”Kronikë në gurë” të Ismailit. Lexuesi albanofon, kudo, e mirëpriti këtë roman si nga më të mirët e tij. Romani u prit mirë edhe nga lexuesi ynë. Si të thuash, me kalimin e kohës Kadareja u shndërrua në një ambasador të letërsisë shqipe në botë. Kështu, në vitin 1986 unë e përktheva në rumanisht edhe romanin “Kështjella”, më 1989 përktheva “Nëntorin e një kryeqyteti”, dhe në vitin 1990 romanin “Prilli i thyer”. Pastaj, këtu po përmendi faktin se kam përkthyer me radhë: “Dosja H” dhe “Përbindëshi” (2000), ”Pallati i ëndrrave” (2001), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (ribotim: 2003) etj.
HEJZA: Ju keni përkthyer pothuajse gjithë veprën e Kadaresë në rumanisht. Si e vlerësoni figurën e Kadaresë ?
MARIUS DOBRESKU: Mund të them lirisht se Ismail Kadare është përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe, është ambasadori më i mirë i kulturës, i gjuhës dhe i identitetit popullit shqiptar sot në botë. Ai, është botuar në dhjetëra gjuhët kryesore të botës. Tirazhet e novelave dhe romaneve të Kadaresë, përfshijnë qindra mijëra kopje. E kam thënë shpesh e po e them edhe për lexuesit tuaj: Për shembull, në Rumani vështirë e gjeni një njeri që di ta thotë emrin dhe mbiemrin e ambasadorit shqiptar, kurse për Kadarenë kanë dëgjuar të gjithë rumunët dhe ai ka sot me mijëra lexues në Rumani. Kadare, pa diskutim është shkrimtari më i mirë i letërsisë moderne shqipe, më i pa arritshmi! Por, ai është edhe një shkrimtari i madh i Ballkanit, sepse i përfaqëson në botë ballkanasit kokëfortë, e kështu edhe rumunët e mi.
HEJZA: Z. Dobresku, shekulli i kaluar ishte një shekull i një renesance të madhe globale, pra edhe në kulturë e letërsi. Kjo ka ndikuar në shtimin e konkurrencës dhe me automatizëm edhe në evoluimin e cilësive, vlerave kulturo-letrare. Cili është mendimi juaj për arritjet, cilësitë, vlerat e letërsisë shqipe?
MARIUS DOBRESKU: Arti, letërsia, piktura, muzika etj., janë “ambasadorët” më sublim për secilin komb e shtet, për secilën gjuhë! Këto janë të vjetra sa edhe njerëzimi, kanë ecur paralelisht me civilizimet. Nuk janë zhvilluar e arrirë në mënyrë të njëjtë, por roli dhe rëndësia e tyre përputhet edhe me interesat e njerëzve, pavarësisht nga gjuha e vendi. Edhe letërsia shqipe, arti, kultura etj., kanë histori dhe kudo gjenden gjurmë të lashta të identitetit e trashëgimive të këtilla. Ai që njihet si libri i parë, “Meshari” i Gjon Buzukut, fletë për vjetërsinë dhe origjinalitetin e shkrimit dhe historisë. Letërsia shqipe u zhvillua goxha shumë përgjatë shekullit XIX dhe pati rol vendimtarë në emancipimin kulturorë e nacional, por pavarësisht nga ideologjia, letërsia shqipe në mesin e shqiptarëve u zhvillua me hov të madh gjatë shekullit të kaluar, ashtu si edhe kultura, gjuha etj. Këtu hyn edhe përkthimi. Nuk është diçka që duhet injoruar, por as edhe diçka që duhet ngritur në lartësi qiellore. Ashtu si edhe jeta kombëtare e një populli, edhe sferat e pasurisë intelektuale e arsimore, letrare e kulturore zhvillohen jo vetëm si të pavarura, por i nënshtrohen edhe konkurrencës me të tjerët. Pra, janë në një garë të vazhdueshme. Falë mjeshtërisë krijuese të Kadaresë, letërsia shqipe është bërë shumë më e njohur dhe më cilësore në përmasa botërore, dhe ai e ka merituar që moti shpërblimin “Nobel” për letërsi. Ama, ka edhe krijues të tjerë të respektuar, si për shembull Teodor Laço, Fatos Kongoli, Ramiz Gjini, Fehmi Ajvazi etj.
HEJZA:Këtë verë ju morët pjesë në Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës Shqip ( edicioni i 41), që tradicionalisht mbahet në Prishtinë. Si e vlerësoni rolin e këtij seminari, meqë jeni nga njohësit e rrallë të kulturës dhe hapësirave albanofone?
MARIUS DOBRESKU:Ky seminar bëri që dy javë rresht gjuha shqipe të jetë gjuhë ndërkombëtare. Është një nga mjetet e depërtimit të kësaj gjuhe, të historisë dhe të kulturës shqipe në mjedise dhe shoqëri të ndryshme të disa kontinenteve. Është një moment shumë i vlefshëm për një shtet të ri, si Kosova, i cili promovon identitetin dhe identifikon miqtë e vet. Në të njëjtën kohë, këtu formohen pak a shumë albanologët e ardhshëm. Dhe mund të them, sipas pikëpamjes sime, se vit për vit seminari është më i mirë, më interesant nga ana shkencore, më i plotë.
HEJZA:Ndryshe nga Shqipëria, çfarë ju lidh me Kosovën. Sa e njihni të kaluarën e këtij vendi, kulturën dhe letërsinë, historinë?
MARIUS DOBRESKU: Kam udhëhequr 22 vjet revistën mujore “Drita” të komunitetit shqiptar të Rumanisë si kryeredaktor i saj. Revistëqë publikon artikuj për historinë, kulturën, letërsinë, folklorin dhe spiritualitetin shqiptar, pavarësisht nga trevat ku shqiptarët banojnë. Kam publikuar, pra, materiale të ndryshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, Maqedoninë dhe diasporën shqiptare. Në revistën tonë u botuan proza apo vjersha e poetëve kosovarë, portrete të disa shkencëtarëve dhe albanologëve shqiptarë (si Rexhep Ismajli, p.sh.). Kemi shkruar për historinë e Kosovës dhe në shkurt 2008 kemi pasur disa faqe për evenimentin historik të atëhershëm. Përveç këtyre, kam marrë pjesë në tre seminare të tjera si ky, në vitet 1978, 1990 dhe 2005. E njoh dhe e dua Kosovën njëlloj, siç e njoh dhe e dua Shqipërinë. Fatkeqësisht, komuniteti shqiptar i Rumanisë përfaqësohet sot nga disa qytetarë rumunë, disa mashtrues që jepen si shqiptarë dhe të cilët harxhojnë për interesat e veta paratë që shteti rumun ia ofron këtij komuniteti.
HEJZA:Në kontekst të kësaj, sigurisht ju vazhdoni me ngulm të punoni në shumë fusha të ndryshme informative, kulturore, letrare etj.
MARIUS DOBRESKU:Vazhdoj të punoj me letërsinë shqipe, duke përkthyer vepra të ndryshme të autorëve shqiptarë. Sidomos, veprat e Kadaresë. Sapo kam dorëzuar te shtëpia botuese “Humanitas” romanin “Koncerti” dhe po punoj për një roman tjetër të këtij autori, romanin “Pesha e kryqit”. Por miku im i hershëm, poeti dhe prozatori Eqrem Basha, së fundi më ofroi në itët e seminarit disa nga librat e tij të fundit dhe shpresoj ta njoh publikun rumun me ketë autor kosovar të talentuar. Pastaj, merrem intensivisht me promovimin e vlerave historike dhe antropologjike shqiptare, siç janë kullat e vjetra, p.sh., duke organizuar evenimente shkencore në Bukuresht dhe jashtë tij.