E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHËKOHSHMJA

Letërsia komerciale bazohet në stilin e thjeshtë dhe të qartë, duke përdorur narrativë të drejtë dhe tërheqëse, e cila synon të mbajë interesin e lexuesit deri në fund të librit, kurse letërsia artistike ka për qëllim të eksplorojë dhe të shprehë ide dhe ndjenja të thella dhe komplekse dhe më shumë është e fokusuar në cilësinë artistike dhe inovacionin e formës dhe përmbajtjes

Neviana SHEHI

Letërsia komerciale dhe letërsia artistike janë dy lloje të ndryshme dhe secila ka karakteristikat e saj të veçanta, por edhe synimet e ndryshme. Letërsia komerciale, siç dihet, është krijuar për të arritur një audiencë të gjerë dhe për të realizuar fitime, ndaj dhe shpesh ndjek tendencat e tregut, duke përdorur formula të njohura tërheqëse për lexuesit.

Jo një herë është thënë se kjo letërsi (komerciale) bazohet në stilin e thjeshtë dhe të qartë, duke përdorur narrativë të drejtë dhe tërheqëse, e cila synon të mbajë interesin e lexuesit deri në fund të librit, kurse tematikat më të njohura dhe më të përdorura janë dashuria, aventura, misteri e të tjera. Kjo letërsi shpesh konsiderohet si letërsi “e shpejtë” ose “e konsumit të shpejtë” dhe zakonisht ka një përqendrim më të madh në argëtim se sa në thellësi artistike.

Letërsia komerciale ka rëndësi të madhe në industrinë e librave për shkak të popullaritetit të saj dhe aftësisë për të kapur interesin e një numri të madh lexuesish. Edhe pse mund të mos ketë gjithmonë thellësinë e letërsisë artistike, ajo luan një rol të rëndësishëm në formimin e kulturës popullore dhe ofron një formë të këndshme dhe të aksesueshme të argëtimit për shumë njerëz. Janë të shumtë autorët, veprat e të cilëve janë shitur në tirazhe marramendëse. Mjafton të përmendim emrat si Dan Brown, J.K. Rowling, Stephenie Meyer, James Patterson, Nora Roberts, John Grisham, Suzanne Collins, Harlan Coben etj., veprat e të cilëve jo vetëm kanë pasur miliona lexues, por edhe janë ekranizuar, duke shënuar shikueshmëri të jashtëzakonshme gjithandej kino-sallave të botës.

Nga ana tjetër, letërsia artistike ka për qëllim të eksplorojë dhe të shprehë ide dhe ndjenja të thella dhe komplekse dhe më shumë është e fokusuar në cilësinë artistike dhe inovacionin e formës dhe përmbajtjes. Natyrisht se letërsia artistike ka një stil më të pasur dhe më të ndërlikuar, shpesh me përdorim të teknikave të ndryshme letrare dhe struktura më të avancuara. Mund të përfshijë romane, poezi dhe vepra të tjera që kërkojnë një angazhim të thellë nga lexuesi. Është më komplekse dhe ndonjëherë e rëndë, ndaj dhe kërkon një interpretim më të thellë, sepse eksploron aspektet më të ndjeshme dhe më të ndërlikuara të natyrës njerëzore. Duke qenë si e tillë, letërsia artistike është më pak e fokusuar në fitim dhe më shumë në krijimin e një veprimi që është i pasur me përmbajtje dhe që e pasuron përvojën estetike të lexuesit.

Letërsia artistike përfshin vepra që synojnë të ofrojnë një përvojë të thellë dhe të pasur estetike, shpesh duke përdorur teknika letrare të avancuara dhe duke eksploruar tema komplekse. Ajo nuk është krijuar vetëm për të argëtuar, por edhe për të sfiduar, ndikuar dhe ndihmuar në reflektimin e thellë mbi jetën dhe natyrën njerëzore.

Kjo letërsi përdor teknika letrare të avancuara, si metaforat, simbolet, ironinë, kurse strukturat narrative mund të jenë më komplekse, duke përfshirë ndryshime të formave, strukturave jo lineare ose teknikave të tjera eksperimentale që krijojnë një përvojë të veçantë letrare. Natyrisht, ka dhe një përdorim të pasur të gjuhës dhe një stil të ndërlikuar që kërkon një angazhim më të madh nga lexuesi.

Letërsia artistike trajton tema dhe probleme që shpesh janë më komplekse dhe më të thella, si ekzistencializmi, identiteti, morali, dhe thellësitë e përvojave njerëzore. Është e njohur se kjo letërsi eksploron edhe realitete dhe aspekte të ndryshme të jetës, duke e bërë atë të rëndësishme për reflektim dhe interpretim. Letërsia artistike shpesh vlerësohet për cilësinë e saj artistike dhe për aftësinë për të ofruar një përvojë më të thellë dhe më komplekse për lexuesin. Prandaj më pak është e fokusuar në fitim dhe më shumë në krijimin e një vepre që ka rëndësi estetike dhe intelektuale.

Letërsia botërore nuk mund të paramendohet pa veprat artistike të Tolstoit, Dostojevskit, Xhojsit, Kafkës, Markezit, Borhesit, Sabatos, Kamysë, Vulfit, Moroavisë, Buxatit e shumë të tjerë. Po kështu, as letërsia shqiptare nuk mund të paramendohet pa veprat e Martin Camajt, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Ismail Kadaresë, Zija Çelës, Rexhep Qosjes, Anton Pashkut e shumë e shumë të tjerë.

Letërsia komerciale, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, është letërsi e përkohshme, ndërkaq ajo artistike e gjithëkohshme. Mbase, këtë e kanë dëshmuar edhe vetë veprat e pavdekshme të shkruar qindra e qindra vjet më parë, por që akoma zgjojnë kërshërinë e lexuesve dhe kritikëve, duke u shndërruar edhe si lëndë studimi në shumë katedra të letërsisë gjithandej meridianëve të botës. Mjafton të përmendim Don Kishotin e Servantesit, Hamletin e Shekspirit, Komedinë hyjnore të Dante Aligerin dhe do ta kemi të qartë se pse letërsia artistike është e gjithëkohshme…

Leave a Reply

Your email address will not be published.