Vetëm injorantët dhe të pamoralshmit mund të tallen me vlerat universale (të sanksionuara madje, qysh në librat e shenjtë) morale të mos zhgënjimit, mos mashtrimit, mungesë së solidaritetit etj.
Bejtush ISUFI
Dogma në vetën e parë
Vendet dhe popujt që jetuan në komunizëm e besonin dogmën apo gjykimin se individi, duhej që t’i nënshtrohej shoqërisë. Ndërsa, pas rënies së komunizmit kjo dogmë u kthye në të kundërtën e saj! Tani, sot, besohet në dogmën tjetër, se: shoqëria duhet t’i nënshtrohet individit, interesit të tij…! Duket goxha mirë se, në ditët e sotme për shkak të arsyeve të shumta (varfëria, papunësia, padrejtësia, korrupsioni, krimi i organizuar etj.), jeta është kthyer në një luftë për ekzistencë. Epo, nga dogma e thjeshtë e deri te marrëdhënia e ndërlikuar, e ndërvarur në mes të individit dhe shoqërisë, është një rrugë e gjatë e cila, duhet të ndërtohet me shumë durim dhe përkushtim. Deri atëherë, deri te ndërtimi i “rrugës”, do të vazhdojmë të besojmë se qenia jonë shoqërore mund të kufizohet në cilësinë tonë themelore: si shtetas në regjistrat e gjendjes civile dhe në prezencën tonë gjithnjë e më të madhe në rrjetet sociale. Pra, “e vërteta” nuk është edhe aq e sofistikuar! Dogma, po.
Megjithatë, individi nuk mund ta zëvendësoj nevojën për tjetrin vetëm nga fotografitë dhe porositë nga interneti. Kjo sepse, nëse e gjithë qenia jonë shoqërore t’kurret në informatë, në letër apo imazh apo mesazh elektronik, kjo në masë të madhe do ta zhdukte përmbajtjen tonë të tanishme – njerëzore. Prandaj, pavarësisht nga zhvillimi i sotshëm teknologjik, njeriu nuk mund të mohojë domosdoshmërinë e tij që ta njohë vetveten si pjesë e integruar e shoqërisë. Individi, edhe mund të provoj të ikë nga shoqëria, ose edhe nga liria, mirëpo kjo ikje e tij nuk do ta shpie atë te shpëtimi, përkundrazi, do ta shpie te vetëmohimi!
P.s. Ende është e largët koha kur nga fotografia mund të ngjallet njeriu (siç, kjo krijohet në fiksionet elektronike), përderisa shumë më afër e kemi të kundërtën e kësaj, pra, që njeriun e gjallë ta transformojmë në një fotografi (letër apo imazh elektronik).
E vërteta dhe gënjeshtra
Sipas të gjitha rregullave morale, religjioze dhe juridike, e kemi të ndaluar ta themi të pavërtetën (gënjeshtrën, mashtrimin), me ndonjë përjashtim të rrallë, si për shembull, kur e gënjejmë armikun, dhe vetveten! Pra, duhet ta themi vetëm të vërtetën…! Pse? E vërteta, është tepër e vlefshme për njeriun, shoqërinë dhe shtetin, prandaj ka aq shumë shkenca që e studiojnë të vërtetën, të vërtetën objektive (të jashtme). Të vërtetën subjektive, ligji na e obligon që ta themi kur ftohemi si dëshmitar, por atë nuk jemi të obliguar t’ia themi secilit, përpos atyre që e meritojnë…
E vërteta, shpesh mund të jetë e hidhur ( fillimisht) por, ajo del në dritë, ndërsa gënjeshtra në fillim duket e bukur (e hijshme) por, gjithmonë përfundon te e shëmtuara. Prandaj, se sa e shëndoshë dhe e lumtur është një shoqëri, besoj shumë që kjo varet edhe prej asaj se, sa një shoqëri është e vërtetë! Për këtë arsye, për të vërtetën sakrifikojmë, sakrifikohemi etj. Po ashtu, e himnizojmë atë (në dritë të së vërtetës).
Të pa vërtetën duhet ta shmangim, ta urrejmë në çdo formë të saj: si lajthim, mashtrimin, përçarje, përfitim, denigrim etj. Forma e saj, saj, na intrigon dhe na shëmton! Na nxjerrë lakuriq…! Dhe krejt në fund, thelbi i saj na shpie ose, na mbanë gjithnjë në errësirë.
E kundërta: vetëm shoqëria njerëzore jeton në bazë të rregullave morale, etike, ligjore përkatësisht, njeriu nuk mund të jetoj jashtë tyre…
Gënjeshtra si mënyrë jetese
A ka mbetur më diçka e moralshme në këtë vend, apo morali na ka braktisur (e kemi braktisur), dhe tani është fushë e lirë ( e shpërlarë), deri atje ku fillon krimi ? Qindra e mijëra ton rrena e mashtrime, veprime nepotiste e korruptive (veprime të ndryshme të pamoralshme) prodhojmë ditë e natë. Pra, si mund të ecet përpara në këtë “fushë” të kontaminuar? Është e çuditshme se si veprimet tona të këtilla, nuk përfundojnë në gjykatë! Në çdo komb/shoqëri të shëndoshë, ka qëndrim të rrept ndaj sjelljeve të pamoralshme, ka sanksione sepse, po t’i lihet që gjykata ta mbroj moralin shoqërorë, herët a vonë gjykata do të bankrotoj!
Ky fenomen i rrenës si mënyrë jetese që na shtynë drejt shthurjes totale, në vende me parametra të një demokracie funksionale, parandalohet e dënohet: fillimisht nga shoqëria civile, e pastaj nga institucionet edukative, fetare, nga familja, mediumet, gjykatat e nderit etj. Pra, a është e mundur që skuqja është zhdukur si “ngjyrë” nga fytyra jonë, dhe njeriu ynë të gënjen pesë herë në ditë ? Dhe sikur të mos mjaftohet, vazhdon me të gjashtën…? Cilën të ardhme e presin gjeneratat që rritën në këtë krizë të rëndë të moralit shoqërorë dhe publik? Kur, do të marrim guximin e të mbrojmë vlerat themelore mbi të cilat bazohet një shoqëri bashkohore?
Vetëm injorantët dhe të pamoralshmit mund të tallen me vlerat universale (të sanksionuara madje, qysh në librat e shenjtë) morale të mos zhgënjimit, mos mashtrimit, mungesë së solidaritetit etj.