E VËRTETA QË DO LEXUESI

(Rreth librit “Lindur së prapthi” të shkrimtares Rita Petro)

Nga Irida XHURA

Veprat biografike dhe ato autobiografike gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit, sepse është në natyrën njerëzore kureshtja për të rrëmuar në intimen e personazheve publike, veçanërisht kur ato janë jokonvencionalë e antikomformistë, si Rita Petro. Një tjetër arsye është edhe vërtetësia e rrëfimit. Lexuesi e do të vërtetën, edhe kur nuk i pëlqen e do, i do historitë njerëzore sepse aty gjen vetveten dhe çlirohet tek mëson se në përjetime nuk është i vetëm.

Në librin “Lindur së prapthi” shkrimtarja na njeh me jetën e saj nga fëmijëria e hershme deri sot, një grua e maturuar, duke i organizuar rrëfimet në 3 ndarje të mëdha: prolog; intermexo; epilog.

Gjatë prologut rrëfimi vjen nga sytë e çiltër e kureshtarë të një fëmije lindur së prapthi. E pra, fjala ‘prapthi’ është një shënjues që paralajmëron për temperamentin e personazhit. Zgjedhja e rrëfimtarit fëmijë është e qëllimshme, sepse fëmija tregon atë që sheh e atë që dëgjon. Ai ka kureshtjen për zbulimin e botës, është krejt i pafajshëm dhe i paqëllimtë në kërkimet e veta, ndaj lexuesi shtendoset edhe kur rrëfehen episode që një i rritur nuk do të kishte guxim t’i thoshte me zë të lartë.

Rrëfimtari jeton mes botës ireale të përrallave dhe botës reale të Shqipërisë së viteve të diktaturës. (Koha e saktë nuk na bëhet me dije, por ka tregues në tekst për kontekstin historik.) Bota e përrallave dhe bota njerëzore nuk janë aq të largëta. Vesi dhe virtyti, e mira dhe e keqja njësoj përballen, njerëzit herë u ngjajnë personazheve negative herë atyre pozitive. Shpesh “bëmat” e njerëzve eufemizohen duke u futur në botën e përrallave e duke u krahasuar me to. Për shembull, një ngjarje e kobshme si vrasja e një gruaje, rrëfimtarit i kujton personazhin kryesor të përrallës “Mjekërkaltri”;  gjyshi i pajetë në arkëmort për të i përngjan Drakulës, dhe për lexuesin  këto krahasime zbusin tragjicitetin e situatës. Lexuesi kalon në disa gjendje brenda një episodi: habi, frikë, keqardhje, gaz.

Fjala Zot

Në vepër do të shohim se fjala zot përdoret me dy kuptime: zoti si fuqi e epërme dhe Zoti si krijuesi i gjithësisë (me kuptim fetar). Zoti është një burrë, për rrëfimtarin fëmijë zoti i shtëpisë është babai, i cili përshkruhet si autoritar, i rreptë, patriarkal, por edhe i kujdesshëm e mbrojtës për familjen. (Në faqen 124: Kur isha e vogël më kishte shpëtuar sa e sa herë çiçi nga shikimi i tij. Shikimi i babit, me ata sytë e kaltër nën vetullat e trasha, më dilte dhe në ëndërr. Sa për fjalët dhe kritikat e mamit, ato më hynin në një vesh e më dilnin nga tjetri.)

Zoti si krijues i gjithësisë është i ndaluar të përmendet. Përmes veprës zbulohen të dhëna për periudhën e regjimit totalitar,  për mohimin e fesë. Shkrimtarja tregon se si feja u ndalua dhe objektet e kultit u shkatërruan. Megjithëkëtë, në fshehtësi besimtarët luteshin dhe e kishin besimin në Zot në ndërgjegjen e tyre. (Faqe 78: E dëgjoj nënën që e thërret Zotin në gjumë. Edhe mamin e dëgjova një herë, kur ra tërmet, që filloi të bënte diçka me dorë lart e poshtë, majtas e djathtas dhe thoshte “Na ruaj, o Zot”.)

Prania e papranishme

Si fëmijë në bisedat mes të rriturve dëgjon për Udhëheqësin e Madh, i cili parafytyrohet si një tjetër Zot që vepron me pushtetin absolut mbi të gjithë njerëzit. Ai është i bukur, i gjallë dhe fotografitë e tij janë të varura kudo, madje mbulojnë edhe afresket e kishave. Edhe pse personazh i papranishëm, Udhëheqësi i Madh zë një rol kryesor për të kuptuar forcën e indoktrinimit, të zvetënimit të mendimit e gjykimit, të të jetuarit nën frikë e përgjim, në pasiguri e në ankth të përhershëm. Dëshira për ta takuar Udhëheqësin e Madh, admirimi për të, zbehet e tretet si mjegulla me rritjen, kur ajo kupton se asgjë nuk ishte madhështore  tek ai, përkundrazi. (Faqe 107: Sa më shumë rritesha, aq më shumë më zvogëlohej dëshira e takimit me Udhëheqësin e Madh. Kisha dëgjuar që ai lexonte të gjitha mendimet tona, dhe mendimet e mia kishin filluar të helmoheshin nga pak…)

Fjalët e shprehjet që skicojnë kontekstin historik:   përgjim, çimka, loja me trakte,  vdekje fashizmit, të dënohem me pushkatim tradhtarët, libër i ndaluar, fjongoja e kuqe, dekadent, me njolla në biografi, heroi i punës socialiste, ata të kupolës etj. si dhe rrëfimet e historive të dënimeve për agjitacion e propagandë, internimet, spiunimet, shpifjet dhe përndjekjet, ofrojnë për lexuesin e ri në moshë të dhëna për Shqipërinë e viteve ‘45-‘90. Më tej shkrimtarja rrëfen me zërin e adoleshentes. Pas pubertetit, seksualitetit infantil, nis njohja e vetes në një kuptim më të thellë. Rrëfimi i zhveshur nga konvencionet na ofron zhbirimin e ndjesive, të mendimeve, të dyshimeve, të pasioneve që ka çdo i ri. Dashuria platonike dhe ajo fizike, tundimi e lëshimi japin oshilacionet që kalojmë për të shkuar drejt maturimit.

Rrëfimi ndërpritet hera-herës për të na zhvendosur në kohë. Këto teknika rrëfimi, avancimi dhe retrospektiva, jo vetëm zgjojnë kureshtje, të lagin si uji i kripur gjuhën e të japin etje për të vijuar leximin, por edhe ballafaqojnë dy kohë, dy breza, dy mendësi, duke nxjerrë në pah se disa aspekte nuk kanë ndryshuar në brumin njerëzor, e të tjerat koha i ka trandur. Për shembull, vazhdon të jetë në raport të zhdrejtë statusi social me meritokracinë, por tani mund ta luftosh atë, nëse ke vullnet dhe je i vendosur në idealet e tua. E vërtetë është që ndonjëherë mund të të duket sikur po lufton me mullinjtë e erës, por kjo nuk duhet të të bëjë të dorëzohesh.

Ka ndryshuar statusi i gruas në shoqëri, por nuk ka ndryshuar ende mentaliteti i meshkujve për të respektuar vendimet e lirinë e plotë të saj. Shkrimtarja i godet fort në vepër këto mendje anakronike, patriarkale, të dhunshme dhe promovon fort lirinë e dashurinë, si të vetmet rrugë për ta jetuar jetën. Ndihet në vepër dëshira për t’ia thithur lëngun jetës, deri në pikën e fundit. Si? Duke dashuruar. Dashuria asnjëherë nuk është dhunë, as nënshtrim, as mohim. Është e kundërta e këtyre, është përkujdesje, respekt, pranim, liri. Ajo është si një zog i kuq, që e nxjerr nga kraharori dhe pse e di që mund të mos kthehet më.

 Mes episodesh rrëfimi gjejmë edhe vargje, vargje të cilat janë krijime atipike për kohën kur u shkruan. Rita si poete zbulohet herët, kur ndjenjat e para të fuqishme zgjojnë tek ajo muzën e vargut të lirë. Faqe 219 poezia

“Vështromë”

Të dy gjysmat e kraharorit

Si kanate dritaresh me grila

Po i hap për ty.

Një zogth i vogël i kuq

Drithëron atje brenda.

Merre! Ta kam falur.

Mbylli sytë dhe kërkoji ç’të duash,

Ai është zog magjik.

E di, s’do mundesh

Të ma kthesh prapë

Do largohesh i mahnitur me të në dorë

Prapa atyre kodrave që i përskuq dielli,

Në vise të panjohura, në hapësira të papara.

Zogu simbolizon dashurinë që kish lindur rishtas në zemrës e poetes. Ajo i hap kanatet e shpirtit dhe e lë atë të shtegtojë. Zogu i vogël, i kuq (i vogël- i brishtë, i pamësuar të fluturojë/të dashurojë: i kuq-me ngjyrën e zjarrit, të pasionit, të dashurisë; drithëron- drithëron poetja nga pasioni i ethshëm i dashurisë. Ai është zog magjik, sepse e tillë është dashuria, dhe kur dashuron ti jepesh me gjithçka që ke, njeh vise, pjesë të vetes, të panjohura më herët. Vërejmë se gjuha në prozë është e thjeshtë, pranë ligjërimit bisedor, siç u shkon përshtat personazheve në rrëfim, ndërsa në poezi ajo lartësohet dhe prek sferat e figuracionit.

Në pjesën e tretë dhe të fundit, në epilog, paraqitet një skenë mes miqsh, natën vonë, në një bar të kryeqytetit me muzikë rok dhe alkool. Përmes bisedash kujtohen vitet e kaluara, vërehen gjurmët që koha ka lënë te disa, por jo te Rita. Ajo mbetet “e lindur prapthi”, e çlirët, pa komplekse, e hareshme, pasionante, e sinqertë, e vërtetë, e lirë, sepse në botën e saj rregullat i vendos vetë ajo, jo shoqëria.

Leave a Reply

Your email address will not be published.