EKSTRAKTI POLITIK I “MELANKOLISË SË BUKUR”

Qëllimi i sajimit të rezervateve e të getove të para shprehte një diferencim nga e shëmtuara, nga e sëmura, nga e ashpra dhe, në të tilla kushte, shoqëria ndahej në “pushtet i natyrshëm” dhe “të pushtuar të natyrshëm”! Më vonë, kur do të kërkohet Zoti i çdo gjëje, pra edhe ai, Zot i Natyrës, do të nisë revolta, rebelimi e revolucionet kundër sajimit, gënjeshtrës e manipulimit

Avni HALIMI

Dekadave të para të shekullit shtatëmbëdhjetë, krijuesit, artistët dhe shtresat e tjera që e përbënin elitën e një kombi, në disa shtete perëndimore kishin promovuar heqjen dorë nga Zoti, nga ajo qenie e padukshme. Pra, nuk e kishin flakur besimin, por kishin hequr dorë nga të besuarit në mrekullitë e Zotit misterioz. Besimin e vet e kishin orientuar në Natyrë. Koncepti i të besuarit të tyre mbështetej në mrekullitë dhe në fenomenet e ndryshme natyrore. Natyra ishte ajo që krijonte dhe që kishte fuqinë e shkatërrimit të çdo gjëje. Logjikisht, edhe lutjet, përgjërimet e faljet i dedikoheshin vetëm natyrës. Çdo gjë funksiononte në raport me natyrën. Krijonin për natyrën ndërsa në krijimtaritë e tyre zinte vend vetëm natyra. Në tërë atë korpus ndjenjash e shqetësimesh që i posedon njeriu filloi të mbisundojë dhembja. Njerëzit nisën ta kultivojnë dhembshurinë. Kësaj i thanë “Melankolia e bukur”! Të cytur nga kjo ndjenjë u ngrit tradita e përkujdesit ndaj të shenjtës natyrë, përkujdes ky që manifestohej përmes krijimit të pamjeve sa më idilike natyrore, të peizazheve të gjalla. Do të zë fill kultura e ngritjes së parqeve në oborre të shtëpive, në oborre të vilave mbretërore, ndërkohë që, stili barok i arkitekturës do të mëtojë të jetë në harmoni të plotë me këto peizazhe të bukura të kopshteve e të parqeve. Pra, truri dhe dora e njeriut do të vihet në funksion të madhërimit të asaj që fal natyra. “Natyra falë, Natyrës i falemi”, ishte motoja e shtresave elitiste të asokohshme. Këtë ndjenjë natyraliste e hasim si në art, në letërsi, në muzikë, në arkitekturë etj.

Për dy shekuj rresht dominoi “Melankolia e bukur”, derisa nuk u këndellën dhe nuk vërejtën se ky angazhim shpirtëror po krijonte edhe shtresën tjetër të shoqërisë, shtresën neverike, shtresën rebele që po rebelohej jo vetëm kundër natyrës, por edhe kundër pushtetit që po e madheronte natyrën.

Natyra për dikë ishte nënë e për dikë njerkë dhe, në harmoni me këtë ligj natyror, po funksiononte edhe pushteti. Natyra falte molla të shëndosha e të krimbura. Mollët e mira viheshin me kujdes nëpër arka e sëndukë, ndërsa të krimbat hidheshin në pleh, në ndonjë vend të shkretë. Konform këtij ligji natyror, raca e shëndoshë dhe e bukur rehatohej nëpër pallate e oborre, ndërsa të shëmtuarit, të sëmurit e ata të krahut të punës sistemoheshin periferive, në krahun tjetër të bregut, të përroit, të lumit. Pra, po formësohej racizmi ndërkohë që këtu diku zënë rrënjë rezervatet e getot që u trashëguan deri më ditët e sotshme.

Por, ka dallim në qëllime. Qëllimi i sajimit të rezervateve e të getove të para shprehte një diferencim nga e shëmtuara, nga e sëmura, nga e ashpra dhe, në të tilla kushte, shoqëria ndahej në “pushtet i natyrshëm” dhe “të pushtuar të natyrshëm”! Më vonë, kur do të kërkohet Zoti i çdo gjëje, pra edhe ai, Zot i Natyrës, do të nisë revolta, rebelimi e revolucionet kundër sajimit, gënjeshtrës e manipulimit. Atëherë shpëtimi do të kërkohet në atë Zot i cili do të jetë i të gjithëve, në atë Zot para të cilit do të përulen të gjithë, edhe njeriu edhe druri, edhe guri e uji!

Gjurmët e këtij manipulimi, gjurmët e këtij truku politik nuk u çrrënjosën kurrë. Manipulimi në emër të “bukurisë natyrore” nuk pushoi as sot e kësaj dite. Tani, “bukuritë natyrore” përdoren si mjet përkufizues që e definon një realitet. Është fajtor Vardari (si mjet natyror) që në mënyrë kaq të trishtë e ka mundësuar ndarjen e Shkupit. Apo, fajtor janë varrezat e Kajros që janë populluar prej më së paku dy milion njerëzve “problematikë”. Është fajtor mali që lejon të na zhdirgjen në qytet malokë e analfabetë, “njerëz të pagdhendur”. Pra, “elementet natyrore” në këto raste përdoren sa për ta spostuar fajin te një “fajtor” që është pa baba e pa nënë.

Nëse dikur shtresimet e shoqërisë përdoreshin për t’i dhënë formë skemave piramidale që sajoheshin përmes miratimeve të detyrueshëm “të fakteve” se është vullnet i Natyrës që shtresat e poshtme t’i mbajë sa më afër ferrit, ndërsa të lartat më afër Zotit e parajsës, sot, këto shtresime, duke e ruajtur këtë simbolikë, fund e krye përdoren për qëllime politike. Natyrisht, në shtetet komb, këto shtresime krijohen për shkak të problemeve sociale. Dhe atje dallojnë punët në krahasim me shtresimet sociale në shoqëritë multietnike.

Pse njëra anë që shtrihet në të djathtë të Lumit Vardar lulëzon, ndërsa ana e krahut të majtë ka pamje të trishtueshme! Për Shkupin fotografitë e hershme flasin se ky qytet shtrihej në të majtë të Vardarit, ndërsa faktografitë flasin se, deri në vitet tetëdhjeta ky qytet ishte kryeqyteti me më shumë shqiptarë në botë. Tërmeti i vitit 1963, si fatkeqësi natyrore, pa dyshim që e përshpejtoi një projekt që synonte ngritjen e një qyteti të ri, gjithnjë duke u përkujdesur që të ruhen gërmadhat e qytetit të shkatërruar nga tërmeti. Dhembje për qytetin e dërmuar dhembje për popullatën e rraskapitur! Nën politikën e kësaj dhembje do të nis realizimi i projekteve nacionale të strukturave maqedonase komuniste. Dhe ky projekt do të realizohet deri në ditën e sotshme dhe, me gjasë që të vazhdojë deri në kiamet. Të gjitha ndërtimet, të gjitha objektet e rëndësishme shoqërore, të gjitha qendrat rekreative, sportive, shëndetësore e tregtare – të gjitha këto do të ndërtohen në të djathtë të Vardarit.

Shteti shpreh mirësinë edhe për anën e mëngjër të Vardarit! Edhe aty mund të ndërtohet, madje pareshtur. Natyrisht, prapavija politike është shumë e qartë. Sikur të mos ishte projekt nacional maqedonas, a do të kishim sot një lagje si Gazi Baba! A do të kishim një lagje si Serava me pamje të paralagjeve pakistaneze; a do të kishim një lagje Dizhon apo një lagje Viz Beg që me zhargonin përçmues quhen “pyje të pashkelura të xhunglës urbane”! Pra, sot këta “pyje” janë të pashkelura edhe për organet kompetente të rendit e të sigurisë. Nëpër këto lagje mund të shkelin vetëm shqiptarët dhe, meqë organet e rendit, të kontrollit e të sigurisë nuk mund të kenë akces të lehtë aty, kjo apriori do të thotë se aty lulëzon nëntoka kriminele. Pra, ky është synimi i “shpirtngushtësisë” së një populli shumicë që mëton të vë monopol mbi të mirat që dalin nga të pasurit shtet. Në rrethana multietnike gjithnjë zhvillohen garat politike të eliminimeve etnike. Etnia shumicë pos që investon për të mirën e vet, po aq më tepër investon për degradimin, deklasimin dhe në eliminimin e etnisë tjetër konkurrente. Investimet e huaja, kapitali shtetëror dhe pasuria e një shteti duhet të koncentrohen vetëm në anën e sigurtë, në zonën urbane, në krahun “përtej amazonian” që është larg “xhunglës urbane” dhe banorëve të egër të asaj xhungle!

Kjo është një nga më shumë të vërtetat që flasin për atë se pse një krah të Shkupit, atë ku banojnë shqiptarët, sot e kemi si metaforë të mjerimit urban, të primitivizmit klanor e të “padëgjueshmërisë malokiane”. E aty bëhet jetë, e aty jetojnë njerëz fisnik, bujarë e të ndërgjegjshëm për atë se, në këtë krah të Lumit Vardar, është mbledhur aq shumë llum sa vetëm ndonjë tërmet fatal në i shpëtoftë nga ngulfatja e egër urbane. Në këto “zona të errëta” ëndërrohet edhe për këtë lloj tërmeti, veçse ëndërruesit janë të ndarë më dysh: njëra palë ëndërron se si bie tërmeti mbi këto lagje duke ua shkurtuar problemet dhe hallet e përditshme, ndërsa pala tjetër ëndërron se si tërmeti bie në pjesën e urbanizuar  të Shkupit, duke i eliminuar divergjencat sociale e urbane të të njëjtit qytet. Ekziston vetëm një dallim: divergjencat mund të zyrtarizohen, të përkrahen dhe të avancohen, ndërsa ëndrrat duhet të ngulfaten dhe rreptësishtë ndalohet rrëfimi i tyre. Po u rrëfyen, vjen ujku e ta ha gjumin!

Leave a Reply

Your email address will not be published.