EMRI I VETËDIJES HERMETIKE

Leopardi nuk shkroi asgjë përpara se të kish përfunduar së lexuari, në gjuhën origjinale, madje edhe t’i kish përkthyer shumicën e dërrmuese të klasikëve të antikitetit grek dhe latin

(Hamdi) Erjon MUÇA

Në jetën e çdo krijuesi, shkruesi, apo qoftë edhe të çdo lexuesi të rregullt, ka disa figura të palëvizshme,- si koordinata gjeografike, që ndonëse paradoksalisht ne i quajmë të qëndrueshme, janë tepër të luhatshme, të paqëndrueshme, siç janë, përshembull, Veri, Jug, Lindje dhe Perëndim, që në globizmin e planetit tonë që lundron në një pafundësi të padeshifrueshme gjeografikisht, për ne janë pika ekzakte referimi- por edhe disa figura që nuk e kanë atë qëndrueshmërinë e patundshme, por që gjithsesi, janë aty, dhe pa to as qenësia e palëvizshmërive nuk ka edhe aq kuptim. Personalisht, në prozë, figurë të palëvizshme të gjeografisë time prozaike kam Balzakun, e megjithatë, janë disa figura të tjera, si Joyce, Fulkner apo edhe Vittorini, që më ndihin ta bëj edhe më të patundshëm figurën e tij; nuk e zbehin aspak atë me qenësinë e tyre; i japin dritëhije të tjera, nuanca të tjera. Po kështu më ndodh edhe me poezinë. Përveç dashurisë së natyrshme që kam për Rimbaud-in; e palëkundshme kjo, dhe venerimit si për një perëndi, që kam për Montale-n, janë edhe disa figura si Lafourge, Malarme, Blake apo Prever që përmbushin këtë revolucion përballë të palëvizshmëve. E mes këtyre është figura e Leopardi-t; qëndrueshmërisht e lëvizshme.

As vetë nuk jam në gjendje ta perceptoj ndjenjën që kam për këtë poet, të cilin të gjithë poetët e pas Carducci-t, me të në krye, e quanin poeti. Leopardi për mua mbetet një figurë mëdyshëse, ambigue. Një nga ato lloje figurash ndërmjet kuptimit dhe moskuptimit, humbjes dhe gjetjes, ndërmjet kontaktit real dhe ndjesisë së vagullt. Një figurë kjo e Leopardi-t, që mua më ka ndihmuar mjaft, për të kuptuar udhën të cilën ndoqi poezia, për më tepër italiane e shekullit të XX. Jo vetëm këtë, por tek ky poet gjeta edhe implozionin metaforik, të parin, i cili mbisundonte tek vepra e gjenialit tonë Migjeni. Le të merremi konkretisht me këtë figurë të qëndrueshme.

Leopardi nuk shkroi asgjë përpara se të kish përfunduar së lexuari, në gjuhën origjinale, madje edhe t’i kish përkthyer shumicën e dërrmuese të klasikëve të antikitetit grek dhe latin. Pra, u ul të krijonte, vetëm pasi kish fituar vetëdijen e asaj ç’e kish paraprirë. E kjo për veprën e tij ishte si një thikë me dy presa. Pasi për lexuesin, krijuesin, intelektualin e matur, vepra e tij ishte pa ngërçe, e rrjedhshme dhe medituese, ose meditim-ndjellëse. Ndërsa për lexuesin e thjeshtë, mungesa e hoveve naive rinore, e ngërçeve ndiesore, e bënte një vepër të padepërtueshme, të zymtë,banalisht të quajtur, pesimiste, pra një vepër thellësisht hermetike, me vetëdije dhe të kërkuar me forcë. Edhe titulli i poezisë së mirënjohur të cilën e vendosëm nën lentën e interpretimit, vendos pikërisht këtë hermetizëm, duke e titulluar PAFUNDËSIA, pra e përcaktuar si e tillë, kur edhe mund ta kish titulluar vetëm PAFUNDËSI, si pjellë e një papërcaktueshmërie metafizike. Jo është PAFUNDËSIA, shoqëruesja më e qëndrueshme e krijesës njerëzore; është kahu tjetër i peshores së pyetjeve pa përgjigje, që ne i kemi konvertuar si përgjigje.

Gjithnjë e shtrenjtë më qe kjo askepte kodrinë,

dhe ky gardh, që nga shumë kahe

horizontin e fundit nga vështrimi ndan.

Dhe ja se si e nis këtë poezi, me vargun: Gjithnjë e shtrenjtë më qe kjo askepte kodrinë. Për këdo lexues, këto vargje mund t’i referohen një maje reale, të vetmuar, kodre, por nëse përdor gjuhën e metaforës, kjo majë askeptike, nuk është tjetër veçse shpirti, maja e tij, ku vetëdija përballet me pafundësinë që ndodhet nën të; ku vetëdija askepton larg zhurmës së jashtme për të ndijuar vetveten. Vetëm se për poetin, tashmë kjo përbën veçse një kujtim të largët, pra qe, si diçka që as në kujtesë nuk ka më një vend të rezervuar, ngaqë qe dhe jo ishte. Pra vdiq, i përket një të shkuare të tejskajshme; pa rikthim, kemi vetëdijen se dikur ka qenë; nuk ishte, kështuqë as nuk është në të tashmen dhe as në të ardhmen mund të jetë më. “Dhe ky gardh, që nga shumë kahe”, vijon poeti në vargun e radhës. Mirëpo në italisht poeti nuk përdor fjalën gardh “Recinto”, por “Siepe” që përbën një lloj gardhi, por me bimë dekorative, apo shkurre, gjithsesi, një rrethues natyral të mirëmbajtur, rregulluar artificialisht nga dora dhe dituria njerëzore. A nuk përbën kjo metaforën më hermetike të mundshme të atyre pyetje të natyrshme njerëzore, që dituria jonë e mangët i ka kthyer në përgjigje që na rrethojnë nga shumë kahe, zhbirimin e pafundësisë? “Horizontin e fundit nga vështrimi ndan”. Ja pra, edhe vetë poeti thuajse drejtpërdrejtë pikërisht këtë na thotë; këto pyetje lindura natyrshëm dhe kultivuar përdhunshëm nga ana jonë, nuk na lejojnë të shohim atë çka realisht përbën fundin, madje as edhe në majën më të lartë dhe hermetike të ndërgjegjes tonë.

Por duke u ulur dhe duke soditur, të pafundmet

hapësira përtej saj, dhe mbinjerëzoret

heshtje, dhe të thellësishmen qetësi

unë në një mendime shtirem; ku për pak

zemra nuk frikësohet.

Mirëpo nëse njeriu e harron për një çast kërkimin, zhbirimin, zbërthimin dhe përqendrohet vetëm tek soditja, pa pikësynim tjetër veçse të ftesës së qetësisë, arrin për disa çaste t’i tejkalojë pyetjet, frikat, arrin që mes heshtjes njeriu të rrjedhë si një mendim, por pa frikën e të menduarit; pa ankthin e pyetjeve dhe tulatjen e paspërgjigjeve. Vetëm se duhet një forcë mbinjerëzore për të harruar. Me anë të këtyre vargjeve duket sikur na thotë që jo harresa, por kujtesa është një mallkim. Vetëm duke harruar njeriu ndahet nga makthet. Kujtesa është pjellësja më e madhe e maktheve, e pasigurive, e vuajtjeve njerëzore.

Dhe si era

ndijë të shushurijë mes këtyre bimëve, unë atë

të pafundmen heshtje me këtë zë

e krahasoj: dhe më avitet përjetësia,

dhe stinët e vdekura, dhe e tanishmja

e gjalla, dhe tingëllim i sajë.

Shushurima si prej ere mes gjethesh, janë ato pyetjet e shumta që na rrethojnë, që zukasin papushim si në vetëdije, ashtu edhe në nënvetëdijen tonë; me të cilat me vetëdashje kemi rrethuar veten, si për t’u mbrojtur nga diçka e pamatë që na tmerron, ngaqë as nuk arrijmë ta shohim mirë deri në fund, por as edhe ta kuptojmë. Mirëpo, nëse këtë zukatje marramendëse, të kotë, që as na mbron dhe as na ndih e krahasojmë me qetësinë e tejskajshme universale, me paqen shpirtërore, na qaset përjetësia, kënaqësia e të qenit, si në të shkuarën po ashtu edhe në tashmen; stinët e vdekura dhe muzikaliteti i të tashmes, pa ndërhyrjen e mëdyshjeve të mendimit mbi atë çka do të vijë.

Kështu mes kësaj

pafundësie mbytet i imi mendim:

dhe me u mbytë më është e ëmbël në këtë det.

Në vargjet e fundit duket sikur me fjalën pafundësi poeti, ndoshta, e kishte nënkuptuar fjalën harresë; heshtja, qetësia, a nuk përbëjnë vallë një lloj harrese? A nuk duket sikur kërkon poeti njeriu, që me anë të harresës të përqafojë, ndoshta gjendjen primordiale, ku njeriu ishte i thjeshtë, i pakomplikuar nga pafundësia e pyetjeve ekzistenciale, e për pasojë më i lumtur? Dhe ja, mes kësaj pafundësie, heshtje shpirtërore, mendimi mbytet si një anije dhe për poetin kjo lloj mbytje, nuk përbën asnjë trishtim, ngaqë po mbytet në detin e qetësisë, pasi ka lundruar në oqeanin e supozimeve.

Kjo ishte figura e Giacomo Leopardit, poetit; vetëdijes së atij hermetizmi që nuk do ta shpëtonte kurrë nga kurthi i mëdyshjeve, por që hera-herës do t’i dhuronte stërkala qetësie. Kjo ishte një nga krijesat e atij poeti që kontemporanët e vet nuk e kuptuan dot. Ky ishte guri i parë që u hodh në themelin e hermetizmit. Madje, këtu, do të gjeni edhe shpjegimin e asaj frazës, atij emërtimit që i bëri me emër hermetistët: il mal di vivere: Vuajtaj e të jetuarit. Është pikërisht ai gardhi me bimë natyrore që metaforizin poeti në këtë krijesë.

Montale më shumë së njëqind vjet pas vdekjes së Poetit, në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel, mes të tjerash do të thoshte: Poezia nuk duhet për asgjë, por ama dëm nuk bën.

Ndërsa pas leximit të poezive të tilla, do të thosha: Poezitë e tilla i duhen së tepërmi njeriut, megjithëse ia tronditin thellë atë rrethimin fiktiv me të cilin ndihet luhatësisht i sigurt.

PAFUNDËSIA

Gjithnjë e shtrenjtë me qe kjo askepte kodrinë,

dhe ky gardh, që nga shumë kahe

horizontin e fundit nga vështrimi ndan.

Por duke u ulur dhe duke soditur, të pafundmet

hapësira përtej saj, dhe mbinjerëzoret

heshtje, dhe të thellësishmen qetësi

unë në mendime shtirem; ku për pak

zemra nuk frikësohet. Dhe si era

ndijë të shushurijë mes këtyre bimëve, unë atë

të pafundmen heshtje me këtë zë

e krahasoj: dhe më avitet përjetësia,

dhe stinët e vdekura, dhe e tanishmja

e gjalla, dhe tingëllim i sajë. Kështu mes kësaj

pafundësie mbytet i imi mendim:

dhe me u mbytë më është e ëmbël në këtë det.

Leave a Reply

Your email address will not be published.