ENDE MBISUNDON MENDËSIA PROVINCIALE DHE LOGJIKA E MËHALLËS

Me Agim Bajramin, poet

Antologjia e përbashkët poetike dhe ajo e prozës së shkurtër nuk ekziston akoma, ndërsa ngjarjet dhe aktivitetet e përbashkëta mes krijuesve të tre shteteve janë me pikatore. Gjithkush shpreson që këtë punë ta bëjë dikush, duke mbetur sot dhe kësaj dite në pritje të Godosë

Shkëlzen HALIMI

Agim Bajrami është poet me origjinë çame. Ka lindur në Cërrik të Elbasanit në mesin e vitit 1959, ndërsa shumë vite më pas u shpërngul në Durrës. Ka ndjekur studimet në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Është autor i shumë librave me poezi, ndër të cilat: “Romancat e muzgut”, “Arratisje pulëbardhe”, “Kohë që s’dashuron”, “Mbrëmje të puthura”, “Ylbere pa lamtumirë”, “Pëshpërimë”, “Sërish”, “Megjithatë” etj. Është fitues i shumë çmimeve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

HEJZA: Pse edhe më tej po i mungon ai identitet i plotë Letërsisë Shqiptare! Fenomenet kulturore (nga lëmi i gjuhës, traditës, folklorit, trashëgimisë materiale e shpirtërore etj.), të cilat zhvillohen përtej standardeve akademike e politike, megjithatë studiohen dhe përfshihen si vlera të padiskutueshme në materiet studiuese antropologjike! Letërsia gojore trajtohet si vlerë e jashtëzakonshme kulturore. Letërsia Shqiptare – kush po përpiqet që “letërsi shqiptare” ta përkufizojë vetëm atë që krijohet në Shqipërinë administrative! Po ajo që krijohet në Kosovë, në Maqedoninë Veriut dhe në viset etnike shqiptare? Në cilën letërsi të përfshihet krijimtaria letrare e shkrimtarëve shqiptarë që jetojnë në diasporë, nëpër botë?

A. BAJRAMI: Me termin letërsi kombëtare, shumë kush nënkupton letërsinë e shkruar nga autorë shqiptarë në gjuhën shqip. Mendoj se ky nuk është specifikimi më i mirë dhe më i gjetur për të. Letërsi kombëtare konsiderohet letërsia që shkruhet në gjuhën amtare dhe që di të trajtojë me thellësi dhe intuitë historinë e kombit që i përket, që nga gjeneza gjer në ditët e sotme, që di të pasqyrojë thellësisht dhe të ngrejë në art shpirtin e pavdekshëm dhe rrugëtimin në kohë të kombit te vet.

Nëse do t’ia përshtatja disa vargje të Podrimjes nga poezia “Jam biri yt Kosovë”, letërsia kombëtare është ajo që ka ditur të trajtojë me gjuhën e saj superiore “dëshirat e heshtura, vuajtjet, gëzimet dhe vdekjet e kombit, lindjet e bardha dhe caqet e kallura”. Për më tepër, është hallka, që di të bëjë lidhjet mes të shkuarës dhe së sotmes, duke parë më qartë se të tjerët me syrin e saj vizionar të ardhmen. Letërsia e një kombi është e tillë, që po ta shtrydhësh, në vend të germave duhet të kullojë etnos i pastër. Homeri, Eskili, Tolstoi, Çehovi, Dostojevski, Balzaku dhe Hygoi ishin dhe vijojnë të mbeten të adhuruar për bashkëkombësit e tyre, pikërisht ngaqë ditën të ngrinin në art dhe pasqyronin me madhështi, disa nga momentet më kulmore të historisë të kombeve të tyre. Letërsia jonë gjithashtu mund të krenohet me Fishtën, Mjeden, Esad Mekulin, Mitrush Kutelin apo Lasgush Poradecin, për të vazhduar më tej me më të rinjtë Kadare, Kongolli, Agolli, Ali Podrimja, Azem Shkrelin, Teki Dervishin, Adem Demaçin etj. Se sa kombëtare është letërsia që shkruhet sot, është çështje që hap diskutime, dhe meriton studime të thelluara nga studiues të fushës. Megjithatë, ajo që vlen te theksohet se e dallon atë nga ajo e vendeve të tjera, është prirja e përhershme për të pasur si lajtmotiv qendror përpjekjet tona mbinjerëzore për mbijetesë dhe identifikimin e kodit të saj. Është kjo arsyeja që në shumicën e veprave të Zija Çelës, Skender Drinit, Agron Tufës, Bashkim Hoxhës, Besnik Mustafajt, Ag Apollonit, Jusuf Buxhovit e gjen të pranishëm këtë kod herë në trajtë reminishencash etnosi dhe herë të tjera në frymë aktuale epiciteti. Janë vepra që tërheqin vëmendjen sa për stilin e tyre të veçantë aq dhe për shënjimet dhe frymën e tyre te thellë kombëtare.

HEJZA: A kemi sot një standard sipas të cilit shkrimtarët shqiptarë dhe krijimtaria e tyre letrare, pavarësisht ku jetojnë dhe ku krijojnë, do të përbënin Letërsinë Shqiptare të periudhave të ndryshme? Bazuar në “antologjitë” e sotme, që po na mbijnë si kërpudhat pas shiut, po dëshmojmë se më tepër gjakojmë kah “krijimtaria letrare e mëhallëve” sesa kah krijimtaria letrare kombëtare!

A. BAJRAMI: Për fat të keq edhe përkundër iniciativave dhe dëshirave të mira, për të pasur një standard të unifikuar letrar, letërsitë që krijohen këtej dhe përtej kufijve shtetërorë, vazhdojnë të zhvillohen dhe promovohen ende sipas modeleve dhe mënyrës së tyre të vjetër, të ndara si gjithmonë nga njëra tjetra si me thikë. Ende dhe sot institucionet përgjegjëse të shteteve përkatëse, nuk kanë asnjë lloj strategjie për këtë çështje. Krijuesit shqiptarë vijojnë të takohen me njëri tjetrin vetëm në ndonjë promovim libri, ose  nëpër panaire në Tirane dhe Prishtinë, në të cilët për hir të së vërtetës, më tepër se anës letrare, i mëshohet biznesit dhe fitimit të botuesve përkatës. Edhe pse krijimtaritë letrare janë punë individuale, nuk do të thotë që ata të mos ndodhen herë pas here në tryeza të përbashkëta diskutimesh dhe rrahje idesh për problematika dhe çështje që lidhën frymën dhe identitetin kombëtar të letërsisë sonë. Edhe pse ka dekada që kufijtë janë hapur dhe barrierat ideologjike kanë rënë, mendësitë provinciale dhe logjika e mëhallës, siç thoni  edhe ju, është ende mbisunduese tek ata që drejtojnë fatet dhe politikat tona kulturore.

Antologjia e përbashkët poetike dhe ajo e prozës së shkurtër nuk ekziston akoma, ndërsa ngjarjet dhe aktivitetet e përbashkëta mes krijuesve të tre shteteve janë me pikatore. Gjithkush shpreson që këtë punë ta bëjë dikush, duke mbetur sot dhe kësaj dite në pritje të Godosë, thua se procesi i unifikimit qenka si dhuratat e vitit të ri, që gjyshi Santa Klaus, do t’ua hedhë fëmijëve nga oxhaku. Kemi të bëjmë kështu me një indiferencë dhe mendjengushtësi vrasëse, që sot e 30 vite po i kushton rëndë gjithë ambientit tonë letrar, pasi është  fiziologjike, që letërsia e një kombi të veprojë e të zhvillohet si një organizëm i vetëm unik, larg shkërmoqjeve dhe ndasive krahinore. Logjika e çalë, ne dhe ata, që mbisundon akoma në mendjet e shumë prej nesh, kaq fyes dhe bullizues, dashje pa dashje, e pengon zhvillimin e kësaj letërsie dhe dashje pa dashje çon ujë në mullirin e atyre që duan të na shohim të vegjël dhe të përçarë. Edhe pse ka kohë që përflitet për zhvillimin e një konkursi kombëtar letrar, që do t’i vinte në lëvizje krijuesit shqiptarë dhe do të evidentonte shumë emra dhe prirje letrare, gjithçka ka mbetur në kufijtë e dëshirave individuale. Po kështu do të ishte e mirëpritur edhe hapja e një gazete osé reviste letrare kombëtare, ku te trajtoheshin problemet aktuale të letërsisë dhe artit siç e kanë gjithë vendet e tjera përreth nesh.

HEJZA: Fatkeqësisht, këtë problem tashmë e kemi të institucionalizuar! Nëpër librat e leximit të niveleve të ndryshme në shkollat e Shqipërisë nuk përfshihen (ose fare simbolikisht) krijues nga Kosova e nga viset e tjera etnike. Janë me dhjetëra krijues të huaj, por jo edhe ata krijues shqiptarë që jetojnë dhe krijojnë jashtë shtetit administrativ shqiptar! Librat e leximit mund të bëhen model i bashkimit kulturor të shqiptarëve që do të mund të kopjohej edhe në teatër, në galeri, në opera, në balet, në ansamble etj.

A. BAJRAMI: Është një pyetje që paradoksi shqiptar as që ka ndërmend t’i kthejë përgjigje. Mungesa e një strategjie unifikuese ka kohë që po jep frytet e saj të hidhura dhe te helmuara edhe ne tekstet shkollore. Lexuesit e vegjël dhe të rinj të Shqipërisë londineze, i njohin pak ose aspak shkrimtarët e Kosovës, ata me kombësi shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe me pak krijuesit e diasporës. Kur isha i vogël më ra në dorë vepra e Hivzi Sulejmanit, “Fëmijët e lumit tim”, të cilin s’më bëhej ta lëshoja nga dora. Ishte një roman me pak fletë, por nëpërmjet tij unë kuptova se përtej gjithë asaj që na mësohej në shkollë, kishte edhe një pjesë tjetër atdheu me emrin Kosovë, që dikush mundohej të na e fshihte. Mjaftoi vetëm ai libër që unë të njoh dhe të dashurohem me Kosovën dhe njerëzit e saj në distancë. Jam shumë i sigurt se ndjesi te tilla, ashtu si unë, kanë provuar me mijëra e mijëra moshatarë të mi te atij brezi. Sepse libri është dhe do të mbetet një magji e lëvizshme, do të thoshte me te drejtë Stephen King. Është ai dhe vetëm ai që di të mbjellë brenda teje farën e kulturës dhe dashurisë. Letërsia e mirë dhe arti lidhin kombet që ndodhen në kontinente të largët, jo më pjesëtarët e një kombi dhe një gjaku si jemi ne. Ndaj është imediate të fillojnë t’i ndryshojmë gjërat dhe t’i fusim në hullitë e duhura.

Futja e letërsisë sonë më të mirë nëpër tekstet mësimore është një domosdoshmëri e kohës, sepse konceptet bazë të dashurisë për familjen dhe shoqërinë mund të krijohen vetë nëpërmjet leximeve. Është e pafalshme që në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë, të gjesh masivisht nxënës me njohuri mjerane për shkrimtarët e kombit të tyre, nxënës që përveç Naim Frashërit, Fishtës ose Kadaresë, të mos kenë lexuar asnjë varg tjetër nga poetët dhe shkrimtarët e tjerë të mëdhenj të kësaj fushe. Nëse në  tekstet e shkollave tona në Shqipëri mungojnë poezitë e Agim Devës, Qerim Ujkanit, Gani Xhafollit etj., në tekstet e shkollave të  Maqedonisë së Veriut dhe në Kosovë emrat e Odise Grillos, Bedri Dedjas, Adelina Mamaqit, Tasim Gjokutajt, janë krejt të panjohur. Në vend të emrave që sapo përmendëm, fëmijët tanë bombardohen me lloj-lloj autori nga letërsitë e huaja, pjesa më e madhe e të cilëve janë anonimë edhe në letërsitë e vendeve të tyre. Më ka rënë rasti të lexoj disa prej tyre, në një nga librat e leximit të klasës së gjashtë dhe kam vënë duart në kokë. Gjuha aspak e përshtatshme për t’u kuptuar dhe asimiluar nga një fëmijë, dhe mbi të gjitha një përmbajtje shumë hermetike, që jo vetëm i largojnë ata nga letërsia, por i bëjnë ata edhe me dhimbje koke. Sot letërsia për fëmijët ka mbetur mes katër rrugëve. Do ishte mirë ngritja e një redaksie të përbashkët me poetë, shkrimtarë dhe kritikë të kësaj fushe dhe themelimi i një reviste për fëmijë.

HEJZA: Historia e letërsisë shqiptare, apo letërsia bashkëkohore shqiptare, që paraqet gjeografinë letrare të mëhallëve e të rajoneve, përimtëson letërsinë shqiptare si vlerë gjithëkombëtare, deri në pjesë të gjymtyrëve të trungut kombëtar, deri në copëza pa përfshirjen e plotë të të cilëve nuk do të na paraqitet mozaiku i identitetit tonë letrar e kulturor!

A. BAJRAMI: Nuk mund të flitet për letërsi kombëtare dhe unifikim, nëse vazhdojmë akoma me parcelizime dhe mure ndarëse. E kam theksuar këtë edhe në një intervistë tjetër diku: Letërsia kombëtare si pjesë përbërëse e kulturës shpirtërore të një kombi, nuk mund të konceptohet si e tillë, pa qenë një trup i vetëm. Ajo krijohet nga letërsitë e mëhallëve, siç thoni ju dhe rajoneve të ndryshme, ku flitet, mendohet, qeshet dhe qahet shqip, ku banojnë dhe krijojnë shqiptarët. Larushitë tematike dhe stilistikore, jo vetëm e zhvillojnë dhe e pasurojnë atë, por e bëjnë më gjithëpërfshirëse dhe më solide njëherësh. Bibliotekat tona do të ndiheshin të varfra nëse pranë “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, nuk do te gjendeshin “Gjarpërinjtë e gjakut”, “Sheshi i unazës”, apo “Koha e dhive”, “Lum Lumi” apo “Poemën e Kosovës”. Janë vepra që krijojnë isopolifoninë e duhur të romanit dhe poezisë sonë, të cilat japin e marrin natyrshme me njeri tjetrin,si pjesë organike të së tërës.

Bima e butë e letërsisë shqipe u zhvillua me vështirësi në një tokë shkëmbore, do të shkruante Robert Elsie, dhe shumë herë ekzistenca e saj u vu në rrezik nga faktorë të jashtëm. Në rastin konkret, ekzistenca e kësaj letërsie po vihet në rrezik, jo nga fajtorë të jashtëm, por nga paaftësia dhe xhelozia jonë karakteristike ndaj njeri tjetrit, nga individualizmi i sëmurë dhe prirja e unit. Nëse do të vazhdojmë me këtë mendësi, askush të mos presë progres, risi dhe aftësi konkurruese me letërsitë e vendeve të tjera.

HEJZA: A guxojmë të lejojmë edhe më tej që gjeografia etnike të na i pengojë themelimet, ngritjet dhe funksionimet e institucioneve kombëtare kulturore! Në rastin konkret, pse na mungon një shoqatë e shkrimtarëve kombëtar, me kritere të qarta e strikte mbi atë se kush do të mund të kyçej në këtë “pararojë” të identitetit tonë letrar?

A. BAJRAMI: Institucionet që drejtojnë kulturën në kuadër të së cilës është edhe letërsia, ngrihen për t’i dhënë më shumë jetë dhe vizion krijimtarisë së autorëve të vendeve të tyre dhe jo për t’iu vënë gurë nën rrota. Fatkeqësisht, përvoja e këtij tridhjetëvjeçari ka qenë tepër e hidhur për njerëzit e letrave. Shkatërrimi i Lidhjes së shkrimtarëve si institucioni i vetëm bazik, që do të udhëhiqte veprimtaritë promovuese dhe do të bëhej një urë lidhëse për bashkimin e të gjithë krijuesve të një gjuhe dhe gjaku, la pasoja të rënda dhe të pariparueshme. Më pas të gjithë e dimë se si përfunduan gjërat. Drejtoria e librit pranë Ministrisë së Kulturës nuk është e aftë të operojë dhe zgjidhë morinë e halleve dhe problematikave të krijuesve tanë, Shumë shumë ajo mund të organizojë ndonjë promovim autorësh ose ndonjë ekspozitë fotografike. Të vetmen gjë që ia vlen të” kujtosh” është ekspozita fotografike e parcelizuar e shkrimtarëve dhe poetëve, e cila ngjalli mjaft kundërshti dhe revolte te krijuesit. Pa projekte afatgjata dhe pa strategji, kontributi i saj as ia vlen të përmendet, ndaj dhe krijuesit nuk besojnë aspak në ekzistencën dhe kontributet e saj.

HEJZA: Shkrimtar i lindur dhe shkrimtar akademik! I pari jep për popullin, për të dytin jep populli! A i kemi ne këta dy tipe shkrimtarësh, apo fërkimet politiko-ideologjike kanë sjellë të kemi shkrimtarë të pushtetit dhe shkrimtarë prej pushtetit! A është kjo dukuri problemi që na mungojnë pasardhës të denjë të linjës krijuese të shkrimtarëve gjenialë që i patëm apo që i kemi akoma?

A. BAJRAMI: Në kushtet ku ndodhen shoqëritë tona të varfra, termi shkrimtar akademik nënkupton përgjithësisht ata shkrimtarë që i jargaviten pushtetit dhe pushtetarëve te ngjyrave te ndryshme, ata shkrimtarë që e ngjyrosin në ngjyrë rozë realitetin tonë të shqetësuar, që mbyllin të dy sytë dhe të dy veshët, përpara plagëve të rënda të shoqërisë sonë, për benefitet dhe interesat e tyre. Nëse dje ishin të përkëdhelurit e pushtetit, sot janë përsëri të preferuarit e shtëpive botuese, të televizioneve dhe organeve letrare më në zë. Janë të përhershmit që marrin çmimet kombëtare dhe ato të panaireve, si dhe çdo honorar tjetër. Individë të tillë edhe përkundrejt talentit dhe vlerave artistike, me konformizmin dhe jargavitjet e tyre i kanë sjellë një dëm të madh letërsisë dhe kulturës sonë, sepse janë mjeshtër të mbytjes se zemrave ndryshe dhe frymës protestuese. Shkrimtari i vërtetë është krejt ndryshe nga ta, ai është një individ i ndjeshëm dhe i pamanipulueshëm, shqetësohet për shoqërinë dhe fatet e kombit, dhe unifikohet me të. Antikonformizmi dhe kontradikta e përjetshme me të gjithë pushtetet është në tiparet e tij.

Shkrimtarët e popullit mbeten vetvetja dhe nuk presin donacione dhe benefite nga shteti. Si skllevër të pasionit dhe dashurisë për letërsinë, angazhimi i tyre intelektual ju ha një pjesë të mirë të kohës, ndonëse janë të ndërgjegjshëm se askush nuk do t’i vlerësojë. E konsiderojnë të shenjtë letërsinë dhe sakrifikojnë edhe lekët e fundit të pensionit, apo edhe lekët që kanë vënë mënjanë për shpenzimet e varrimit të tyre, për botimin e librave. Unë kam njohur shumë prej tyre dhe më ka mahnitur kjo lloj sakrifice. Ata duket se jetojnë vetëm për lexuesit dhe lumturohen kur i dhurojnë atij libra cilësorë. Njerëz të tillë reflektojnë vetëm virtyte dhe meritojnë t’iu ngresh kapelën dhe t’i adhurosh.

HEJZA: Sa njihen shkrimtarët tanë në mes vete dhe sa i njeh opinioni ynë? A mjafton ajo pak njohje që vjen përmes informatave të thata mediale? Pse mungojnë kritika, studimi letrar, takime me krijuesit, çaste dedikuar krijuesve? Si të joshet ai një grusht lexuesish që na ka ngelur!

A. BAJRAMI: Shembja e kufijve shqiptaro – shqiptar solli një klimë të re në drejtim të forcimit te lidhjeve dhe marrëdhënieve mes komunitetit të shkrimtareve dhe poetëve të një gjuhe dhe gjaku, por që jetonin të ndarë në tre shtete të ndryshëm.

Kjo gjë krijoi mundësitë që ata të njiheshin më nga afër me njëri tjetrin, të shkëmbenin mes njeri tjetrin veprat dhe përvojat krijuese, te organizojnë aktivitete promovuese etj. Vetëm se kaq është pak, shumë pak. Ky është vetëm fillimi i fillimit. Ka ende boshllëqe të tmerrshme procesi i njohjes mes nesh mbas një ndarje kaq të gjatë, sidomos lexuesit. Ata i njohin shumë pak shkrimtarët përtej kufijve. Kjo ka sjellë që sa herë organizohen panaire libri, ata rrallë herë kthejnë kokën nga stenda e autorëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Të jeni të sigurt që nuk e bëjnë këtë nga menefregizmi, ose përbuzja, jo. Është thjeshtë nga mungesa e njohjes, pasi ne pak kemi bërë për të fshirë nga mendja e njerëzve muret e vjetër të ndarjeve. Papërgjegjshmëria e politikës shqiptare vazhdon te refuzoje në heshtje dhe mos të institucionalizojë çdo ide dhe platformë bashkimi. Demagogjia e fjalimeve dhe buzëqeshjeve janë investimi i tyre i vetëm në ketë fushë. Edhe organizimi i ndonjë aktiviteti sa për të thënë, ku krijuesit heqin të zezat e ullirit për të marrë pjesë, me shpenzimet dhe përpjekjet e tyre lë për të dëshiruar në çdo drejtim. Në organizimet e rralla akademike, vetëm në raste jubilare të ftuarit janë po ata fytyra që kanë qenë që nga kohët që s’mbahen mend, sot e kaq vjet. Diskutohen po ato gjëra, ku njeri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit dhe mirupafshim. Fenomene të tilla janë fyese dhe poshtëruese për procesin e unifikimit, por edhe një thirrje që krijuesit e rinj ta marrin vete situatën në dorë. Dhe diçka ka nisur te lëvizë. Organizimi këto vitet e fundit me një format te ri i REPUBLIKËS nën dirigjimin e Vlora Ademit apo FESTIVALI POETIK i Prishtinës me moderimin e Donika Dabishevcit, kanë sjellë një fllad të ri në klimën tonë letrare. Shpresojmë të vazhdojnë sa më gjatë në ketë rrugë të bukur dhe të shmangen sa të jetë e munduar përzgjedhjet personale apo ndërhyrjet klanore, duke bërë pjesë të tyre krijues të vërtetë dhe të rinj me perspektivë.

HEJZA: Çka humb Shqipëria apo edhe Kosova, nëse herë pas here do të subvenciononin krijime të krijuesve shqiptar të mirëfilltë nga viset etnike apo edhe nga diaspora. Pse në ministritë gjegjëse të këtyre dy shteteve nuk ka thirrje për subvencionimin e veprave origjinale si prurje nga komuniteti krijues nga hapësirat e tjera etnike, por dhe nga diaspora?

A. BAJRAMI: Asnjë shtet apo shoqëri e përgjegjshme, nuk humbet nga sponsorizimi i librave dhe veprave të  autorëve të tyre më me vlerë. Përkundrazi, ai fiton shumë në disa aspekte. Në vendet e zhvilluara ku libri nderohet dhe lexohet, edhe në sheshe publike dhe metro shkrimtari dhe poeti konsiderohen si asete kombëtare nga shteti dhe shoqëria. Janë ata që me politikat dhe strategjitë e tyre mbështetëse luajnë rolin e protektorit, duke iu gjendur atij në krahë në çdo rast. Në Maqedoni dhe Kosovë, situata, me sa di unë, është pak me ndryshe nga ne të shtetit amë, ku investimet për artet dhe letërsinë janë në kuota qesharake. Edhe kur aprovohet ndonjë fond, atë dihet që do ta marrin miqtë dhe tarafet që ngjisin e zbresin shkallët e Ministrisë së Kulturës. Në Shqipëri përpjekja për të siguruar ndonjë sponsorizim për botime libri apo ngjarje letrare kombëtar është e dështuar që në embrion.

HEJZA: Pa dyshim është nevojë urgjente hartimi i strategjive, i programeve kombëtare që të shtohet interesimi për lexim. Po kaq e domosdoshme është edhe nevoja për përkrahjen e krijimtarisë për fëmijë, për krijimin e redaksive profesionale e mbase edhe të licencuara për përkthim të letërsisë së huaj. Gjithsesi, tërë ky interesim do të ngelte i gjallë vetëm nëse do të ngritnim shkolla të kritikëve të rinj letrar nën mentorimin e atyre pak kritikëve që i kemi akoma gjallë!

A. BAJRAMI: Pikerisht këtu qëndron e keqja. Asnjë nga shtetet tona nuk ka një strategji të qartë për këtë çështje madhore dhe mendoj se do te duhet kohë ta bëjnë këtë. Tranzicionet e stërzgjatur, dashur pa dashur, e kanë penguar zbatimin e kësaj strategjie në terren, kam parasysh këtu shkollat. Edhe përkundet iniciativave personale dhe punës qe bëjnë mësuesit, leximi i librit lë për të dëshiruar. Jam dakord me mendimin e disave që e justifikojnë këtë me epokën digjitale, por jo të shkohet gjer në abandonim.

Kjo është një situatë delikate që mund të agravohet nëse nuk ndërhyhet menjëherë. Duhet të dalim nga rutina e standardeve të dikurshëm për të parë përpara. Institucionet përkatëse duhet t’i shqetësojë një fenomen i tillë dhe duhet të gjejnë mënyra dhe forma sa më efikase për ta vënë këtë punë mbi baza të shëndosha dhe për ta kthyer lexuesin përsëri pranë librit. Ideja për krijimin e shkollës së kritikëve të rinj më duket interesante dhe me vend.

HEJZA: Pse mungon prezantimi i krijimtarisë sonë letrare bashkëkohore për lexues të huaj! Nuk kemi çfarë t’u ofrojmë apo institucionet tona nacionale e shtetërore mendojnë që diplomacia politike është e mjaftueshme në prezantimin tonë para botës?

A. BAJRAMI: Unë mendoj se ne kemi ç’t’u ofrojmë lexuesve dhe shtëpive botuese perëndimore dhe lindore, gjithmonë brenda kufijve të modestisë, Përveç Kadaresë që vazhdon të jetë prezent në shijet e lexuesve dhe nëpër libraritë më të mëdha të Francës, Gjermanisë dhe shumë vendeve te tjera, rrugën për te lexuesi i huaj kanë nisur ta gjejnë suksesshëm edhe romanet e Besnik Mustafajt, Visar Zhitit, Mira Meksit, Zija Çelës, Bashkim Hoxhës, Thanas Medit, Bashkim Shehut, Luan Ramës, pa përfshirë këtu Gëzim Hajdarin, Shpendi Sallakun (Noen) që jetojnë dhe krijojnë prej dekadash në ato vende dhe janë vlerësuar edhe me çmime te rëndësishme atje. Një bum botimesh këto kohët e fundit po njeh edhe krijimtaria e Namik Dokles, me romanet dhe dramat e tij në Spanjë, Bosnje Hercegovinë etj. Kështu po ngjet edhe me poetin e njohur që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjekë Marinaj, me Petraq Riston, Luljeta Lleshanakun, për natyrën dhe vlerat stilistikore të të cilëve është shkruar shumë. Ky është një grup i mirë autorësh, vlerat artistike të të cilëve, në një fare mase po evidentojnë edhe vlerat reale të letërsisë sonë. E, megjithatë, po ta shohim  me kujdes, ngjarje të tilla me përmasa kombëtare, nuk lidhen aspak me përpjekjet e organizmave tona shtetërore që paguhen për këtë, por thjesht me iniciativat dhe përpjekjet individuale të autorëve në fjalë. Përkundër indiferentizmit te institucione shtetërore, mbyllur si gjithmonë në kullat e tyre burokratike, janë ata vetë që janë rropatur për të gjetur përkthyesit, redaktorët dhe shtëpitë e huaja botuese. Janë po ata që shpenzojnë për të promovuar veprën e tyre nëpër panairet e ndryshëm ndërkombëtar. Të kesh në krye pushtete që kulturën e kombit të tyre e konsiderojnë si apendiks, figura e poetit dhe shkrimtarit është shndërruar në vuajtjet e Sizifit që ngjit e zbret malin e torturave me shkëmbinj mbi shpinë.

HEJZA: Me cilët krijues të sotëm do të mburreshim nesër, siç mburremi sot me De Radën, me Naimin, me Samiun, me Mitatin, me Nolin, me Mjedën, Asdrenin, me Fishtën, me Konicën, Kutelin, Poradecin, Pipën, me Koliqin etj.

A. BAJRAMI: Edhe pse dikush  konstaton se letërsia shqiptare nuk po prodhon më emra të niveleve të  Kadaresë, Arapit, Podrimjes, Rreshpjes, Shkrelit, Kongolit apo Agollit, unë vazhdoj të lexoj dhe shijoj poetë dhe poete me një forcë te jashtëzakonshme fjale dhe mendimi. Janë krijues që punojnë në heshtje, larg zhurmave të mediave injorante që promovojnë poetë dhe shkrimtarë mediokër nga Tirana dhe Prishtina, që nuk i ftojnë shpesh nëpër ngjarje dhe  nuk i nominojnë asnjëherë juritë miope të ministrive të kulturës. Ata janë antipod me grupin e pseudopoetëve që i kanë privatizuar çmimet e përvitshëm dhe kurorat e arta të panteonit poetik, por që kur i lexon, të lenë si shije erën e një gjelle të djegur. Personalisht jam adhurues i poezisë lirike të Skender Rusit, tregimeve të shkurtra me elementi epike të Shkëlzen Halimit dhe disa prej romaneve dhe dramave të Bashkim Hoxhës, Dashnor Kokonozit, Agron Tufës dhe Mira Meksit. Emra të tilla mendoj që i bëjnë nder letrave tona dhe do te jenë pasardhësit e denjë të emrave të nderuar që cituat ju.

Leave a Reply

Your email address will not be published.