ËNDËRRIMI I PAVDEKSHMËRISË SË VEPRËS

Ibrahim KADRIU


Shkrimtari në rend të parë i takon kohës në të cilën jeton dhe vjel atë që duhet të vjelët për tërësinë e një vepre apo tjetër. Është e natyrshme që frymëzimi të jetë parakusht, ndryshe veprës do t’i mungojnë efektet kreative për t’u futur në lagjen e të mirave letrare.

Frymëzimi kujdestaron para ndjesive, të shkrimtarit, kur ai gjendet përballë temës të cilën synon ta shtjellojë, me të cilën (them për vete) jeton gjatë dhe në pamundësi që të lirohet nga ajo pa ia kushtuar kohën e duhur, duke e sfiduar atë, siç thoni ju. Më duket interesante mendimi që vepra e krijuesit të çlirohet nga koha për t’u bërë e pavdekshme. Natyrisht, vepra me rastin e formësimit, vetvetiu çlirohet jo vetëm nga koha kur shkruhet, por edhe nga autori, nëse e arrin limitin letrar të bëhet e pavdekshme.

Shkrimtarët e ëndërrojnë pavdekshmërinë e veprës së tyre, që do të ishte mrekulli, por për këtë patronati i takon kohës së ardhshme, të cilën nga ky kënd ku po jetojmë nuk mund ta vlerësojmë. Pavarësisht kësaj situate, obligimi i shkrimtarit është që ta shtyjë angazhimin letrar sipas konditave që ia cakton intuita, por për këtë, kuptohet, frymëzimi e ka, ose duhet ta ketë, një ndër rolet me rëndësi në mënyrë që vepra të jetë e plotë. Për shumicën e veprave të mia frymëzimi ka ardhur nga faktet historike të së kaluarës shqiptare, por edhe nga përditshmëria, nga rrethanat sociale-politike.

Në kundërthëniet në të cilat shpesh gjendemi – temat janë të gatshme nga të cilat, në cilësinë e shkrimtarit, intrigohem dhe merrem me të tilla tema, siç jam marrë në romanet: “Loja e fundit”, “Përtej binarëve”, “Ata dy të burgjeve”, “Shtëpia e fantazmave”, “Vdekja e Anilës”, etj. Momentalisht është në proces romani me titull “Zbritje në dekada”, që tematikisht është në vazhdën e “Misionit rus”…Pajtohem se sot rrethanat aktuale paraqesin pengesë të madhe për krijuesit, por derisa merrem me temën e caktuar jam krejtësisht veç me veten, pa e lodh kokën për pengesat e mundshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.