EPTIMI I ELEMENTEVE LIRIKE

Koha poetike e Alidës është një frut i pjekur. Është si një portokall që kur çel lulet e bardha dhe duket si “vello” magjike, ku edhe shpirti qetohet nëpërmjet vargjeve

Emrije KROSI

Përsëri me një cikël poetik të ri “Post scriptum”, doktoresha – poete Ailda Mëngjesi, na befason me një poezi ku përditësia herë bardhë/zi, herë me dritë/hije, por me shumë ngjyra, përsëri …përsëri na përpin, me atë fshehtësinë dhe fisnikërinë e saj të ndjenjës së fisme të shkrimit, përmes zhgënjimeve dhe shqetësimeve, jo vetëm si poete, por edhe si njeri. Ajo di si t’i përshkruajë ato ndjesi, duke përplotësuar edhe madhëruar aftësinë e saj krijuese, pas librit të saj të parë “Pothuajse”.

Koha poetike e Alidës është një frut i pjekur. Është si një portokall që kur çel lulet e bardha dhe duket si “vello” magjike, ku edhe shpirti qetohet nëpërmjet vargjeve: kam ëndërruar gjithnjë të shkruaj/një këngë që të mbështjell eshtrat e lodhura/ të planetit/biliona vitet nën lëkurë/shkelur miliona vite me këmbë nga poezia “Homo Sapiens”. Ajo po kërkon pikërisht njeriun. Njeriun e pafajshëm. Njeriun Homo Sapiens. Po kërkon origjinën tonë. Njeriun që akoma beson te parajsa e përjetshme, para se të njohë “pemën e të mirës dhe të keqes”. Ajo noton, rrjedh, valëzohet, rrëshqet si uji në gravitetin e vargjeve që dallgëzohet herë si oqeani herë si deti Adriatik, herë si orteku dhe herë si Ajzbergu, që nga ferr-parajsa, deri te vjeshtat, që nga e enjtja deri te dimri, që nga nokturni deri te ezertikja, që nga mungesa e një telegrami deri te loja boshe e shkurtit, që nga alteregoja deri te përsiatja. Ajo udhëton me interkontinentalin përmes kapriçove të motit, në kërkim të një syri fëmije, sepse për dashurinë do të ndërmarrë udhëtime të trëndafilta deri atje, ku të kërkon për të përkorën. Por, a ekziston e përkora?

Poezia shpërfaq elemente si: a) të kohës si njenjim poetik dhe kohës reale njerëzore, b) të mallit dhe mungesës nëpërmjet elipsave dhe retiçensave, c) të teprisë dhe mungesës nga mbingopja me neverinë dhe absurdin, d)të takimit mes dashurisë dhe lirikës, e) të eptimit të së bukurës dhe dlirësisë femrore, f) të problematikës përditësore në një shoqëri surreale dhe virtuale, dhe g) të elementeve gjuhësore me metafora dhe elemente semantiko-stilistikore.

Përmes leximit, ajo kërkon jo më vetveten, sepse ajo e ka gjetur atë. Por, po kërkon një lexues tjetër: atë lexues që gjen paqen e humbur të vetes, nga rrokopuja absurde e jetëve tona. Ajo e fton njeriun-lexues, të mbledhë copërat e shpërbërjes nga kalbëzimi ynë modern. Për të qenë “uni” ose “unë”, në të gjithë vorbullën miliardëshe të globit, a thua se toka rrotullohet ndaj secilit prej nesh? Apo rrotullohet vetëm rreth vetes tonë (vetvetes)! Në këtë rrafsh horizontal poetja udhëton nëpër kozmosin poetik, me një stil të qetë dhe të shtruar, për ta bërë lexuesin e ri dhe të vjetër, të besojë tek magjia e fjalës së bukur dhe poezisë së mirë, kur ajo dredhet kaq e çlirët.

Ailda vërtetë beson se poezia e mirë ekziston. Lexojeni dhe besojeni edhe ju. Paplotmëri dhe të papërkryer ka, por perfektshmëria nuk ekziston. Të përplotmëruar dhe të përkryer e bëjmë ne: marrëdhënia lexues-poet!

Leave a Reply

Your email address will not be published.