ESAD MEKULI DHE LETËRSIA SHQIPE E VITEVE ’70

Figura letrare e Esad Mekulit bëhet emblematike për të gjithë krijuesit shqiptarë të Kosovës së viteve ’70

Nehas SOPAJ

Esad Mekuli dhe letërsia shqipe e viteve ’70, presupozon një shqyrtim figurës letrare të poetit tonë në kontekst të kohës së apostrofuar në titull, ku kryqëzohen dhe kulmojnë vlerat e pakontestueshme të një vargu individualitetesh letrare shqiptare, kur poeti e rrumbullakoi profilin e tij letrar. Krahas tre librave poetikë, Për ty, Brigje dhe Afsha Ada, të botuara para viteve ‘70, gjatë dhe pas atyre viteve, që marrë në përgjithësi, nuk paraqet më tepër se një libër të trashë poetik, Esad Mekuli nuk ka botuar më vonë pothuaj asgjë, pos ndonjë poezie të rrallë. Kjo i bie se poeti ka shkruar pak, diçka si edhe Lasgush Poradeci e Migjeni, por vlerat e poezisë së tij mund të vlerësohen lehtë, ndryshe nga këta poetë, kurse për këta poetë kanë shkruar dhe shkruajnë së reshturi edhe sot. Në të vërtetë, kritika letrare e kohës, që moti e ka thënë mendimin e saj për këtë poezi. Për poezinë e poetit është shkruar më shumë se pothuaj për çdo krijues tjetër të Kosovës. Në kohën kur u botuan poezitë e poetit, kritikët letrarë e shquanin aktualitetin dhe angazhimin e madh të autorit ndaj rrethanave kohore, kështu që mendimi i tyre përherë ishte në kolizion me atë kohë dhe në përgjithësi ishte në superlativ. Arsyeja është, sepse ajo poezi ishte përgjigje rrethanave politike të asaj kohe, të kohës së para Luftës së Dytë Botërore, gjatë dhe pas saj, prandaj ato s’ishin larg vetë ideologjisë së asaj gjuhe dhe të atij verbi poetik.

Në shtypin e kohës, ka shkrime e mendime të ndryshme për poezinë e poetit, dhe kritikë të ndryshëm, shqiptarë, jugosllavë dhe të huaj, flisnin pozitivisht për poezinë e poetit, natyrën teorike të saj, vlerave të saj. Krahas shqip, poezitë e poetit qenë prezantuar dhe përkthyer edhe në gjuhë të ndryshme të hapësirës së ish Jugosllavisë dhe ato sot gjenden të prezantuara nëpër antologjitë më në zë të kohës, me përkthime të mrekullueshme që s’ishin vetëm të arealit sllav, por edhe të gjuhëve tjera të shtetit që s’është më. Me një fjalë, ndryshe nga krijuesit e tjerë, për Esad Mekulin shkruhej shqip dhe në gjuhë të tjera, dukshëm më shumë se sa për të gjithë të tjerët. Tash kjo ngjet sikur janë thënë të gjitha dhe s’ka më çka të thuhet, pos që të përsëritemi, edhe pse diktuar nga aktualiteti, gjërat mund të thuhen edhe ndryshe, me metoda më të reja që shkenca e letërsisë prin me përvoja dhe ekspertiza teorike që ne akoma nuk i njohim. Do të orvatemi të flasim për Esad Mekulin në relacion me disa autorë të tjerë shqiptarë që krijonin në kohën e viteve ’70. Kjo dekadë, pra vitet ’70-ta është pika më neuralgjike e kulmimit të letërsisë shqipe që me shumëçka përkon dhe mund të krahasohet me letërsinë shqipe të viteve ’30, pa marrë parasysh rrethanat fare të ndryshme.

Në atë kohë, pra në vitet ’70-ta, mblidhen dhe gërshetohen shkrime nga më të ndryshmet të disa gjeneratave dhe kjo paraqet një konglomerat stilesh, pothuaj të papërsëritshme, ku mund të shihet e veçanta e atyre krijuesve, që këtu edhe stili dhe diskursi i autorit tonë. Tani kur autori ynë nuk është më dhe kur vepra e tij gjendet në fazën e një “fjetjeje” estetike, mendoj se poeti s’meriton të harrohet, por të vazhdojë të jetë objekt trajtimi ku studiuesit mund t’i matin vlerat e tyre të vërteta, pa emocionet e vlerësimit entuziast, kurtuaz, siç kish ndodhur më parë, por të shquhen vlerat, cilësitë dhe risitë e saj, duke folur edhe për mangësitë eventuale, sidomos kur e marrim parasysh utopinë e kohës, kohën e vëllazërim-bashkimit të rrejshëm etj. Të flitet për poezinë e autorit me vlerat e saj të pakontestueshme, të shpjegohet kontekstit kohor me shpjegim adekuat, shoqëruar me prezantimin gjithnjë dinjitoz të shkrimtarit, i cili rri si refuzues i vërtetë i sfidave të kohës që s’është më, e me këtë opinioni lexues të bindet me zërin e arsyes së shëndoshë.

Realisht, në gjithë historinë e zhvillimit, letërsia shqipe shkëlqimin e vet e arrin dy herë: në vitet ’30 dhe në vitet ’70 të shekullit të kaluar, dhe kjo ndodh në rrethanat e dy krizave më të mëdha botërore, herën e parë mes këtyre dy luftërave botërore dhe dy dekada pas Luftës së Dytë Botërore. Herën e parë, në vitet ’30, është koha e atmosferës më morbide të të dy ideologjive supreme, fashizmit dhe komunizmit, që po luftonin për ngadhënjim, garonin që ta mbisundojnë botën mu atëherë kur populli shqiptar po përjetonte krizën më të thellë sociale dhe kur njerëzit vdisnin rrugëve nga uria. Herën e dytë, në vitet ’70, në kohën kur pas ngadhënjimit të komunizmit kur shqiptarët ranë që ta shijonin “mollën e ndaluar” të diktaturës: dhunën, represionet dhe censurën e fjalës së lirë. Në rrethanat që tashmë dihen, letërsia shqipe zhvillohej e ndarë, me dy formate stilistike: e para, në shtetin ëmë, si letërsi tërësisht e ideologjizuar, që duke dëshiruar ta krijojë prototipin e njeriut të ri, e krijon një të vërtetë të paqenë, objektivisht të pamundshme për kohën, krejt groteske sot, dhe tjetra, në pjesën e dytë të atdheut: një letërsi me pak ngjyra ideologjike, por shumë “e vështirë” për receptim, të menduar e të shkruar nën mengenat e një autocensure, me një të vërtetë të mbyllur hermetikisht për lexuesin, por që ishte e vetmja gjuhë komunikimi në mungesë të lirisë së fjalës. Letërsia e viteve ’30 ka një varg individualitetesh letrare të veçanta, të verifikuar në rrafshin kombëtar. Sikundër dihet, At Gjergj Fishta, Fan Stilian Noli, Lasgush Poradeci, Migjeni, Ernest Koliqi, Et’hem Haxhiademi etj., në veprat e tyre e pasqyrojnë realitetin ashtu siç ishte: një shoqëri me përplasje të thella ekonomike. Ja paradoksi: pikërisht në flakë të kësaj letërsie, për herë të parë ndjehet pluralizmi stilistik letrar shqiptar, në të cilin njëkohësisht krijojnë romantikë, realistë, realistë klasikë, realistë kritikë, pseudoklasicistë, simbolistë etj. që në fakt, varirojnë me stile nga më të ndryshme të shkrimit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, pas shndërrimit të gjithë letërsisë në sociologji, dy dekada më vonë, në vitet ’70, mjeshtërisht dhe me shumë sakrifica të shkrimtarëve, ky trend letrar ringritet duke e rivënë pluralizmin stilistik atje ku kishte qenë që në kohë të midis dy luftërave, tani duke transformuar dhe modifikuar edhe formacionet stilistike të shkrimit. Në veprat letrare të shkrimtarëve Jakov Xoxa, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Anton Pashku, Ali Podrimja, Teki Dervishi, Vath Koreshi, Xhevair Spahiu, Beqir Musliu, Moikom Zeqo, Zejnullah Rrahmani etj. në vitet ’70, krahas realizmit socialist, tipik për shkrimtarët që krijojnë brenda shtetit amë, sërish rivendoset pluralizmi stilistik i letërsisë shqipe, i bartur tani në Kosovë me rrymimet: realizmi klasik, simbolizmi, impresionizmi, ekspresionizmi, surealizmit deri te postmodernizmi, që kritika e kohës i identifikon si hermetizëm, por që në fakt ishte lëvizje avangarde që krijon art të mirëfilltë letrar që gjer sot akoma ka mbetur i pastudiuar. Nismëtar e bard i letërsisë së sotme shqiptare të Kosovës me kuptimin e plotë të fjalës, prej duarve të të cilit parakaluan pothuaj të gjithë krijuesit e të gjitha gjeneratave të shkrimtarëve, Esad Mekuli ka shkruar pak. Megjithatë, nëse heqim një paralele krahasimi të atyre krijuesve që kanë shkruar pak, por që qëndrojnë në fron të vlerave që kanë, siç janë psh. Lasgush Poradeci ose Migjeni, me gjithë respektin, vendi i autorit tonë nuk është i atij niveli. Nëse Lasgush Poradeci e Migjeni në vitet ’30 kishin shkruar shumë pak, por që me meritë paraqesin figurat qendrore të historisë së letërsisë shqiptare, si kulme letrare të pazëvendësueshme, është sepse Lasgush Poradeci është themelues i simbolizmit dhe i poezisë së pastër shqipe, kurse Migjeni themelues i realizmit kritik. Ndërkaq Esad Mekuli, nga ana tjetër, nga poezia që është fahu i tij i angazhimit, me gjithë gjeninë dhe vlerat e pakontestueshme që ka, është e pamjaftueshme të radhitet në mesin e shembujve si më lart, pos nëse ia atribuojmë meritat me të cilat nuk do t’ia nderonin profilin krijues. Fill pas luftës e deri në vitet ’70, nga gjiri i një rrethi të gjerë krijuesish të Kosovës që nisën të shquhen si vlera të pakontestuara letrare e që sot çmohen si simbolistë, ekspresionistë, impresionistë, surealistë deri edhe posmodernistë, Esad Mekuli është nismëtari i gjithë letërsisë së Kosovës dhe vazhdues i shkollës letrare sociale të Migjenit. Ndërkaq, emrat Jakov Xoxa, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Anton Pashku, Ali Podrimja, Teki Dervishi, Vath Koreshi, Xhevair Spahiu, Beqir Musliu, Moikom Zeqo, Zejnullah Rrahmani etj. që në ato vite emblematike e ngjisin letërsinë shqipe drejt majës së piramidës që sot është vlerë mbarëkombëtare, bëjnë që vepra e Esad Mekulit të na duket e minimalizuar dhe të na duket vetëm vlerë nderi e jo vlerë që konkurron me mega veprat e këtyre autorëve.

Duke u nisur nga poezitë e autorit, dhe sidomos nga bagazhi i madh i shkrimeve të shkruara për të në kohë kur ai ishte gjallë, sidomos duke e parë heshtjen e kritikës përpos ndonjë shkrimi të rrallë, mbase për shkak të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur këtyre dekadave të fundit, ngjet sikur Esad Mekuli u harrua. Realisht, emri i autorit s’rresht së lakuari me pietet edhe sot nëpër antologjitë dhe tekstet shkollore dhe universitare ku përpiluesit vazhdojnë së foluri pro figurës së tij letrare sipas plan-programeve, por kritika letrare sikur ka mejtur për të. Me këtë rast, sa për ilustrim do ta kisha përmendur Martin Camajn, krijuesin dhe poetin të cilin Esad Mekuli e kish pasur bashkënismëtar të veprimtarisë kur ai, Martin Camaj pra, në Prishtinë i kish botuar dy librat e tij të parë poetikë. Krahasimi është paradoksal, gjersa sot Marin Camajn e kemi në gojë përditë, dhe pa masë gëzohemi për vlerësimet që i bëhen atij edhepse post-hum, organizohen simpoziume, bëhen studime shkencore, botohen komplete letrare të autorit etj., Esad Mekulin sikur e kemi harruar. Pa një qëllim matjeje të vlerave që kanë këta dy krijues, disproporcioneve që kanë njëri-tjetri, e quajta paradoksal, sepse nga të gjitha librat e Esad Mekulit, po t’i krahasojmë me duzinën e librave të të tri gjinive letrare të Martin Camajt, kuantiteti që flet për epërsinë shumë të madhe të të dytit ndaj të parit, me automatizëm me asgjë nuk garanton për kualitetin e krahasimit. Sepse, as shija e masës së madhe të lexuesve dhe as shkrimet e shumta kritike që shkruhen sot për akëcilin krijues, nuk garantojnë për jetëgjatësinë e veprës së tyre letrare, sepse vetëm sovrani kohë është gjykatësi më i mirë që do ta japë përgjigjen e vërtetë. Meqë Esad Mekuli ishte vetëm poet, jo rastësisht temën time dua ta reduktoj drejt krahasimit të figurës së poetit vetëm me vargun e poetëve të tjerë që lindën falë revistës letrare Jeta e Re, të cilën e drejtoi ai që nga fillimi, për të thënë se veprat e tyre më të mira poetike, prozaike e dramaturgjike, u krijuan pikërisht falë përkrahjes morale të poetit. Kur e krahasojmë diskursin e autorit me ata të Enver Gjerqekut, Murat Isakut, Din Mehmetit, Azem Shkrelit, Adem Gajtanit, Fahredin Gungës, Rrahman Dedjes, Ali Podrimjes, Besim Bokshit, Qerim Ujkanit dhe poetëve të gjeneratës më të re, siç janë poezia e Teki Dërvishit, Beqir Musliut, Musa Ramadanit, Eqrem Bashës, Nexhat Halimit, Sabri Hamitit, Shaip Beqirit etj. pa i numëruar edhe dhjetëra të tjerë, me laryshinë e madhe të stileve të shkollave të ndryshme letrare që ata krijojnë, me oscilime të këtyre diskurseve, ajo që na shkon mendja menjëherë kur e bëjmë krahasimin, është se të gjithë këta krijues, për pikë neuralgjike e kanë vatrën, pra autorin, dmth. mësimet e shkollës së autorin tonë, Esad Mekuli, te poezia e tij e angazhuar. Edhe pse të gjithë vetveten e tyre, pra stilin e tyre të shkrimit, nuk e parallogarisin stilin dhe diskursin e Esad Mekulit, pra edhe pse shumica prej këtyre krijuesve herët e kanë braktisur mësimin e mësuesit, pra duke mos krijuar poezi të angazhuar, por poezi të paangazhuar, kurse disa prej tyre madje edhe duke krijuar shkollë vetanake letrare çfarë i bën krejt të mëvetësishëm që aspak nuk përkojnë me të, me Esad Mekulin pra, megjithatë, në embrion, në zanafillë e kanë autorin. Që këtu, figura letrare e Esad Mekulit bëhet emblematike për të gjithë krijuesit shqiptarë të Kosovës së viteve ’70, sado që ai mund të jetë tejkaluar nga disa krijues dhe filli i nismave të atyre krijuesve mund të mos duket fare, shkrimi i tij do të ndjehet si vlerë letrare konstante estetike. Kështu, distanca e “fjetjes” së gjatë të veprës letrare të Esad Mekulit, nuk na jep të drejtën ta harrojmë atë. Prandaj, nga një fjalë e urtë latine e cila thotë – jepini Cezarit atë që është e Cezarit, më lejoni ta bëj parantezën time: jepni Esad Mekulit atë që është e Esad Mekulit. Edhe atë, jo për hir të karizmës së emrit të tij, por për hir të vlerës që ka ajo vepër, sado e paktë që të jetë ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.