ETËRIT FISHTA, GJEÇOVI DHE PRENUSHI, SIÇ NUK I KEMI NJOHUR KURRË

Një ditë patër Gjeçovi u thirr të shkonte nga Prizreni në Zimb te një njeri që po vdiste. Kur doli nga famullia, disa njerëz e paralajmëruan urgjentisht. Serbët, kështu i pëshpëriti një i besuar, kishin marrë vendim që ai të vdiste. Ai, megjithatë, u nis në mënyrë po aq burrërore dhe të guximshme sikundër edhe ka ecur burrërisht dhe me guxim gjatë tërë jetës së tij shumë të shkurtër. Në rrugë, plumbi vrastar, nga shpina, shpoi tejpërtej zemrën e përshpirtshme baritore, në 14 gusht të vitit 1929, rreth orës 3 pasdite

Marie Amelie FREIN VON GODIN

Të gjithë françeskanët e Shqipërisë, etërit, klerikët dhe murgjit, por edhe stigmatinet e nderuara formojnë një familje të vetme dhe prekëse në përbashkësinë e saj. Është me rrufë patër Gjergj Fishta, u kthye i rraskapitur nga një udhëtim inspektimi në male patër Vinçenc Prenushi, patër Pal Dodaj nuk e fsheh shqetësimin e tij për shëndetin dhe jetën e tyre. Kur vdes një rishtar, plot shpresa, shokët e tij mbushin sytë me lot. Kurrë nuk kam parë më shumë dashuri, dashuri qiellore me një spikamë tronditëse të përzemërsisë së ngrohtë njerëzore. Është ajo që e bën veprimtarinë e këtyre françeskanëve kaq lumturuese.
Nga shumë anëtarë të kësaj bashkësie të shkëlqyeshme françeskanësh gjatë paraqitjes sime, duke përshkruar veprën e tyre, kam përmendur tashmë disa emra të bekuar. Por tre prej tyre dëshiroj t’ia paraqes lexuesve të mi në mënyrë krej të veçantë. Po të më mbetej më shumë hapësirë, do të kisha pasur shumë dëshirë të tregoja gjithashtu hollësisht edhe patër Ambrozin, mirditorin, predikuesin e zjarrtë dhe të mrekullueshëm.
Ai vetë nuk e ka kapërdirë kurrë dhimbjen që me Ahmet Maten në fronin e Shqipërisë hipi një mysliman. Shpesh edhe e ka shprehur pakënaqësinë e tij për këtë gjë. Mirëpo meqenëse mbreti nuk është aspak shpirtvogël dhe madje thellë në shpirt atij i pëlqen ky burrë i drejtë, të cilit nuk i shijon dhe nuk mund ta hajë i qetë bukën e vet, për sa kohë që e di se një shqiptar tjetër vuan për bukë, i cili nuk i druhet edhe rrugës më të gjatë kur është puna për të ngushëlluar një njeri të munduar, por që ama e ka shpirtin dhe mendjen plot, dhe humori e shakaja nuk i ndahet nga goja, ndaj edhe për një kohë të gjatë ai nuk e ka ngacmuar patër Ambriosin. Veçse më në fund, kur ky e teproi, e syrgjynosi për një vit në Elbasanin e bukur, në të vërtetë ishte një dënim fare i butë, sepse ai e dinte mirë që ujërat e nxehtë termalë të atjeshëm, të famshme që në periudhën romake, do të ishin të dobishme për atin që vuante nga cerma.
Patër Ambrozi iku duke sharë e duke buzëqeshur në Elbasan dhe atje, ku deri atëkohë vështirë se kishte një katolik, çdo të dielë predikoi në mënyrë kaq mjeshëtrore dhe tërheqëse, saqë ortodoksët dhe myslimanët mblidheshin përreth dhe kështu në Elbasan lindi një bashkësi e vogël, e zellshme katolikësh. Do të flisja me dëshirë dhe për monsinjor Shllakun, ipeshkvin malësor, për famullitarin e guximshëm dhe energjik të Troshanit, patër Engjëllin, i cili nxit tërë Zadrimën për të mbjellë hardhi të reja, dhe për patër Bonan, kreshnikun e dashur dhe të butë të malësisë dhe për shumë françeskanë të tjerë shqiptarë. Por më së fundi më duhet të vendos: etërit Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta dhe Vinçens Prenushi duhet patjetër që lexuesit e mi t’i njohin më mirë.

Patër Shtjefën Gjeçovi

Përtej kufirit politik të Shqipërisë në Serbi – në Kosovën Perëndimore ka sidomos bashkësi katolikësh të zellshëm, të cilat një vendim mizor i Fuqive të Mëdha i ndau dhunshëm nga atdheu.
Kur ndodhi kjo fatkeqësi, nisi menjëherë lufta shfarosëse e sllavëve kundër shqiptarëve të atjeshëm. Shumë famullitarë shekullarë janë arratisur në Shqipëri për shkak të këtyre përndjekjeve, disa prej tyre janë përpjekur, por më kot, të zgjojnë interesin e Lidhjes së Kombeve për vuajtjet e kosovarëve shqiptarë.
Famullitarët françeskanë qëndruan me grigjën e tyre baritore. Më i njohuri ndër ta ishte patër Shtjefën Gjeçovi. Ky burrë i guximshëm, besnik dhe kreshnik ishte bërë i famshëm që në atë kohë, sepse ishte i pari që kishte mbledhur dhe publikuar nocionet e së drejtës zakonore të fiseve të Shqipërisë Veriore, të përcjella gojë më gojë nëpër shekuj, të njohura më vonë nën emrin përmbledhës “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, sipas studimeve më të fundit, një e drejtë zakonore gjermane e lashtë, gotike, që rregullonte jetën e të gjithë fiseve shqiptare veriore. Tani, që kishte nisur fushata shtypëse e serbëve kundër shqiptarëve të Kosovës, ai nuk mund t’i pengonte bandat serbe që të sulmonin dhe të masakronin shqiptarët në Kosovë, që të rrethonin natën fshatrat e këtyre shqiptarëve të paarmatosur, t’i mbështillnin me kashtë dhe t’i digjnin shtëpitë, kështu që burri, gruaja dhe fëmija të vdisnin mes flakëve. Po ai u kishte siguruar bashkatdhetarëve të vet kurorën qiellore për këtë martirizim, e kishte pajisur grigjën me kungimin e shenjtë për ditën e fundit të vështirë. Ai ishte për të gjithë njëherësh dhe pa iu trembur syri ndihmës, vëlla dhe baba, derisa serbët e piketuan dhe e urryen si armikun për vdekje të qëllimeve të tyre kombëtare dhe kishtare në Kosovë. Sepse synimi i tyre kryesor ishte t’i ndanin shqiptarët nga gjuha e tyre amtare dhe para së gjithash nga kisha katolike..
Një ditë patër Stefan Gjeçovi u thirr të shkonte nga Prizreni në Zimb te një njeri që po vdiste. Kur doli nga famullia disa njerëz e paralajmëruan urgjentisht. Serbët, kështu i pëshpëriti një i besuar, kishin marrë vendim që ai të vdiste. Ai e vuri dorën e tij priftërore te Shën Mëria që mbante në zemër dhe tha se kjo nuk ishte arsye që njeriu, i cili po vdiste duhej të shkonte në udhëtimin e fundit pa bukën e jetës.

Ai ishte zhytur në lutje – tregonte më vonë sakristani – por megjithatë u nis në mënyrë po aq burrërore dhe të guximshme sikundër edhe ka ecur burrërisht dhe me guxim gjatë tërë jetës së tij shumë të shkurtër. Në rrugë, plumbi vrastar, nga shpina, shpoi tejpërtej zemrën e përshpirtshme baritore në 14 gusht të vitit 1929, rreth orës 3 pasdite.

Patër Gjergj Fishta

Patër Gjergj Fishta, poeti i madh kombëtar i Shqipërisë, të cilin pa dyshim, shumë shpejt do ta njohë edhe Evropa si një nga më të mëdhenjtë poetë të gjallë, ka lindur në afërsi të Troshanit si djalë i një fshatari malësor. Me një natyrë të zjarrtë dhe magjepsëse, tepër i talentuar për të gjitha artet, ai hyri te françeskanët që kur ishte fëmijë. Tanimë si klerik i ri ai i dha publikut krijime poetike me një varg me forcë të pakrahasueshme, jetësore dhe entuziaste, të cilat i këndonin nderit dhe luftës së atdheut, thelbit dhe historisë së popullit të vet.
Atë që ai ka bërë për lirinë e Shqipërisë, unë e kam përshkruar tashmë. Për poezitë e tij dhe sidomos për kurorën epike “Lahuta e Malësisë” është thënë që ato janë gjak prej gjakut të Shqipërisë, që ato përshkruajnë bëmat heroike të kreshnikëve shqiptarë nëpërmjet tërë historisë shqiptare, kreshnikë, të hollë dhe shtathedhur, trima dhe besnikë të fjalës dhe të dlirë, shqiptarë nga koka deri te këmbët. Po kështu kurora e tij epike është bërë në masën më të madhe pasuria e tërë popullit. Çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë në Shqipëri e njeh Oso Kukën dhe njerëzit e tij, di të të flasë për të gjithë heronjtë e tjerë të këngës. Në oborrin më të vetmuar malor mund të të jehojnë papritmas vargjet e para të “Lahutës së Malësisë”:
“Zot, ç’ka thanë njaj Avdi Pasha:
paska mbetë Shqipnia n’vasha,
qyshë se s’léka mbrendë nji djalë,
n’atë Vraninë mue sot me m’dalë,
n’atë Vraninë, n’atë t’zezë tërthore…”
Kudo ku do të takohen shqiptarët, në këto vargje ata do të ndjejnë gëzim në zemër.
Sipas planeve të bukura të patër Gjergj Fishtës në Shqipëri janë ndërtuar kuvendet më të reja, po edhe shumë kisha, kuvendi i Lezhës, kisha e dytë e françeskanëve në Shkodër dhe faltorja e Zotit në Theth, me konviktin e saj për seminaristët; ndërkaq krahas jetës së tij shembullore atdhetare dhe trimërore, me siguri që krijimtaria e tij poetike mbetet përherë fama e tij më e madhe.
Populli e do atë me përzemërsi dhe me krenari, i tërë populli shqiptar, jo vetëm katolikët. E kam kuptuar këtë në mënyrë shumë të qartë në vitin 1930, kur u përurua fabrika e çimentos. Edhe patër Gjergj Fishta kishte ardhur së bashku me patër Vinçenc Prenushin në këtë ceremoni të rëndësishme. Por kur kaloi, në krye të vizitorëve, në sallën e makinerisë, zhguni i tij u kap nga një rrotë e pambuluar. Të gjithë të pranishmit mbajtën frymën, të tmerruar. Shqipëria pa patër Gjergj Fishtën! Ne që po qëndronim në anën tjetër të makinerisë, ishim të paaftë për të dhënë ndihmë, por një oficer që iu ndodh në krah, e ngriti lart patër Gjergj Fishtën tashmë të rrëzuar dhe kështu e shpëtoi nga vdekja. Aty për aty një mysliman grisi me dhëmbë fashën nga krahu i vet i thyer, në mënyrë që me atë fashë të mund të pushonte gjaku i patër Fishtës. 36 orë me radhë populli i Shkodrës, myslimanë e katolikë, kaloi pranë shtratit të patër Gjergj Fishtës, duke qarë nga gëzimi dhe duke lëvduar Zotin që patër Gjergj Fishta, babai dhe poeti i tyre kishte shpëtuar.
Kur patër Vinçenc Prenushi sipas rregullores së Urdhrit nuk mund të zgjidhej edhe një herë kryetar, në vend të tij u vu patër Gjergj Fishta.

Patër Vinçenc Prenushi, Ipeshkvi i Sapës

Një fjalë për patër Vinçenc Prenushin, i cili gjashtë vjet ka qenë provincial i Provincës françeskane shqiptare dhe në 27 janar të vitit 1936 u emërua ipeshkv i dioqezës shqiptare të Sapës. Butësia dhe mirësia e tij, zelli i tij i paarritshëm për veprën e Zotit në tokë, për shpëtimin, por edhe për lumturinë tokësore të të gjithë njerëzve, janë kaq të dukshme në rrugën e tij, saqë populli shqiptar – që me gjithë ngrohtësinë e zemrës, është i pakorruptueshëm dhe i kursyer në lëvdata – e quan atë, edhe pse i ka kaluar të pesëdhjetë vjetët, një ndër më të mirët e vet.
Sa të habit lulëzimi që njohu në kohën e tij provinca shqiptare e françeskanëve, sa shumë faltore të Perëndisë dhe kisha, sa shumë kuvende ndërtoi ai, sikundër të habit aq shumë edhe rrethana që me gjithë barrën e madhe të punës, gjeti kohë të lirë për poezitë e tij të bukura lirike, për përkthimet e rëndësishme dhe shkrimet shkencore, në ç’mënyrë sa tërheqëse dhe entuziaste thërret ai nga predikatorja për përkushtimin ndaj Zotit dhe kishës së Tij, sesi me gjithë këto, sa shumë kujdeset ai që të bisedojë edhe me miqtë e tij, t’u japë zemër njerëzve të trishtuar, të vizitojë të burgosurit, se si ai, duke qenë provincial i Urdhrit, në çdo dy vjet, gjente kohë të shkonte në faltoren më të largët të Zotit, qoftë edhe në malësinë më të pakalueshme, se me sa vëmendje i ndiqte dhe ndikonte ai mbi ngjarjet publike në atdheun e tij! E gjithë kjo është një mrekulli e mëshirës dhe dhunti e madhe njerëzore.
Edhe patër Vinçenc Prenushi është një malësor shqiptar i vërtetë, me sy të kaltër, me zemër të fortë, gëzimi i njerëzve të vet. Ai përkujdeset me dashuri vëllazërore edhe për murgun më të thjeshtë të kuvendit më të humbur françeskan. Kur sëmuret një nga grigja e tij, ai mundohet si një nënë për shërimin e tij, i sjell mjekët më të mirë, e dërgon edhe për kujdes dhe çlodhje në Gjermani. Por ai përkujdeset edhe për anëtarët diletantë të bashkësisë së françeskanëve të Shqipërisë. E kush mund t’i numërojë më tej myslimanët që ka ndihmuar ai në hall e në nevojë! Për të fanatizmi është i huaj sa edhe ftohtësia.
A duhet të them edhe sesi mjaft të jetë në prani të tij dhe çdo zemër e turbulluar, e nxitur dhe e zemëruar rreh më e qetë dhe lehtësohet, sesi, kur del para tij cilido synon të përmirësohet, qoftë edhe atëherë kur duhet të japë llogari? Le të përulemi përpara Zotit tonë të dashur dhe t’i lutemi të na plotësojë dëshirën që patër Vinçenc Prenushi, të cilit, për gëzimin më të madh të të gjithë shqiptarëve katolikë, të bijve të tij françeskanë, të popullit të tij dhe të miqve të tij të huaj, iu dha ofiqi i ipeshkvit, të rrojë edhe shumë, shumë vjet për njerëzit e tij, për atdheun e tij dhe për kishën e shenjtë!

Fjala përmbyllëse

Ndarja nga françeskanët shqiptarë është e vështirë për mua, ashtu si ndarja nga miqtë e shumënderuar dhe të dashur. Dëshiroj të ndahem me pendën time me një fjalë falënderimi të ngrohtë për bekimin, shembullin e shenjtë dhe inkurajimin, që ka qenë për mua kjo bashkësi fisnike e kuvendit.

(Marrë nga: “Shtigjeve apostolike përmes Shqipërisë së bukur”)

Përktheu nga gjermanishtja:

Dr. Elda Gjana-BORIÇI

Leave a Reply

Your email address will not be published.