ETNO MUSEUMI SHQIPTAR QË INJOROHET PREJ SHQIPTARËVE

Etno Museumi në Draginë të Anës së Malit, duhet të konsiderohet si një yçkël që ther ndërgjegjen e çdo faktori shqiptar në Mal të Zi dhe jo vetëm! Prioritet i prioriteteve të liderëve, partive shqiptare, të komunave shqiptare në këtë shtet, duhet të jetë ndihma shtetërore për këtë Muze, madje deri në institucionalizimin e tij

Nga Avni HALIMI

Fill pas vendkalimit kufitar në Muriqan, që lidhë Shkodrën dhe Ulqinin, katundi i parë nëpër të cilën do të kalohet është Sukobina, vendlindja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti! Katundi tjetër me radhë, në vargun e katundeve të Anës së Malit, është Dragina, vendlindja e poetit shqiptar, ndër më të mirët në Mal të Zi, Hajredin Kovaçit – Dini!

Në këtë anë gjendet edhe një prej lokaliteteve më misterioz prej të gjitha atyre që shkenca i njeh si lokalitete ilire – Shasi, me dhjetëra rrënoja të kishave të hershme shqiptare si dhe me liqenin e vet të krijuar pas tërmeteve katastrofale dhjetëra shekuj më parë.

Mjaft i rëndë ishte edhe tërmeti i vitit 1979, nga i cili më së shumti në rajon e pësoi Mali i Zi! Shumë njerëz vdiqën, mijëra u plagosën e u shkatërruan mijëra shtëpi e objekte të ndryshëm. U rrënua edhe shtëpia e familjes së Dinit. Ndihma erdhi nga e tërë bota! Vendbanimet shqiptare u ndihmuan sidomos nga shoqatat shumë të fuqishme shqiptaro-amerikane. Nisi rindërtimi i shtëpive të reja. Rrënojat po pastroheshin, bashkë me to po hidheshin edhe gjësendet e vjetra, të thyera, të dëmtuara, të shkatërruara, pjesë e kulturës, etnografisë shqiptare! Kjo dukuri do ta ngacmojë Dinin, i cili do të lëshojë zë anekënd Anës së Malit dhe do t’i lusë të gjithë që gjërat e vjetra mos t’i hedhin për skrap, por t’ia dorëzojnë atij! Brenda një kohë do të grumbullojë qindra eksponate, ndërsa paralelisht me këtë aksion, do të angazhohet që, pjesën e ngelur në këmbë të shtëpisë së rrënuar nga tërmeti, ta meremetojë dhe ta bëjë si tip maraze, ku do t’i strehojë të gjitha ato eksponate të vjetra që do t’ia dërgojnë bashkë-vendasit.

Së fundmi, Din Kovaçi ka mbledhur edhe gurë nga rrënojat e objekteve të shkatërruara nga tërmeti i 1979-ës dhe ka zgjeruar hapësirën e eksponateve, e cila tashmë mbanë emrin Etno Museumi – Draginë!

Pra, në këtë katund sot gjendet Muzeu Etnologjik i Hajredin Kovaçit, i pasur me qindra eksponate nga ato arkeologjike e deri te etnografike, folklorike, filateliste, bujqësore, artistike, ushtarake etj. Një numër i madh i këtyre eksponateve janë të strehuar edhe nëpër shtëpinë e re të Dinit, sepse jo të gjitha mund të përfshihen në hapësirën e quajtur “Etno Museum-Draginë”.  

Museumi në fjalë edhe më tej është në fazën e tubimit të relikteve të vjetra, kryesisht të viseve të Anës së Malit dhe ka të tilla që datojnë qysh para dy-tri shekujve, madje edhe shumë më të hershme. Pastaj duhet të vije faza e emërtimit të saktë të relikteve, e gjetjes së periudhave dhe viteve që kur datojnë si dhe faza e konservimit dhe e ndreqjes së kutive të qelqta, që do të shërbejnë për mbrojtjen nga pluhuri, nga lagështia, por dhe nga prekja e pakujdesshme e vizitorëve që shpesh herë mundohen t’i mbajnë në duar eksponatet e ndryshme (veglat muzikore, plisat, armët, veglat bujqësore etj.)

Për fatin e muzeut shqiptar vendosë komisionari serb?!

“Etno Museumi” në Draginë ka filluar të vizitohet gjithnjë e më shumë. Ka edhe turistë të huaj që në mënyrë të organizuar e vizitojnë dhe mahniten nga ky “institucion” dhe nga entuziazmi i Hajredin Kovaçit. E vizitojnë edhe shkrimtarë, edhe politikanë, edhe nxënës, edhe mërgimtarë që gjatë stinës së verës gëlojnë në Ana Mal, kryesisht nga Amerika. Si kryetar partie, e ka vizituar edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviqi, por që nuk i është kujtua ky Muze gjatë periudhës sa ishte kryeministër!

Hajredin Kovaçi nuk ndihmohet nga askush, nga asnjë institucion lokal e shtetëror! Dini ka konkurruar disa herë, së fundmi edhe në Ministrinë për Pakica Kombëtare. Komisioni i këtij dikasteri, në përbërje prej një serbi dhe gjashtë myslimanëve-boshnjakë, e kanë refuzuar projektin e Dinit, me arsyetim se aktivitetet e përfshira në projekt nuk janë të evidentuar në statutin e “institucionit”! Do me thënë, botimi i ndonjë katalogu, i ndonjë fletëpalosje, i ndonjë broshure, i fotografive të relikteve e ndonjë ide tjetër lidhur me Muzeun, nuk mund të përkrahet sepse ato nuk janë të përfshira në Statut! Nuk e ndihmon as Ministria e Kulturës. Qendra për Kulturë e Ulqinit e përkrah financiarisht vetëm Muzeun në Kalanë e Ulqinit sa për të tërhequr vizitorë, ndërsa nuk ka paraparë kurrfarë ndihme për Muzeun në Draginë, i cili tashmë me xhelozi ruan një histori të lashtë të shqiptarëve të Anës së Malit!

Në periudhën komuniste, më vitin 1983, Dini për shkak të bindjeve të veta kombëtare dhe idealit shqiptar, u burgos si “nacionalist dhe irredentist”, ndërsa sot, edhe më tej i vuan pasojat e atyre kualifikimeve shoviniste. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet injorimi dhe sjelljet nonshalante të dikastereve përkatëse shtetërore, prej të cilave Dini kërkon ndihmë për t’i shpëtuar dhe për t’i ruajtur sa më profesionalisht reliktet e tubuara kryesisht nga Ana e Malit.

Mjerisht, Dini në aktivitetin e vet etno-muzeal nuk ka gjetur përkrahje financiare as nga diaspora, as nga shoqatat e shumta shqiptare tej-oqeanike. Krejt vonë ka kuptuar se një shoqatë shqiptaro-amerikane ka ndarë fond për Etno Muzeun, por që nuk e ka të qartë se ku kanë përfunduar ato para!

Oborri i Muzeut qendër e aktiviteteve letrare

Ngritja e objektit si dhe zgjerimi i tij kërkon financa dhe ato kanë qenë fund e krye nga buxheti familjar i Dinit! Mirëmbajtja profesionale e relikteve do të kushtojë edhe shumë fish më tepër se sa ngritja e objektit! Reliktet, secila në vete, kanë nga një histori, kanë nga një rrëfim, nga një dëshmi mbi lashtësinë e shqiptarëve të Ana Mali dhe jo vetëm!

Hajredin Kovaçit i ka vajtur mendja që oborrin e shtëpisë dhe të Muzeut ta bëjë si pushimore për turistët, të cilët, natyrisht që kanë nevojë për ndonjë pije të freskët, për ndonjë kafe, për një karrige ku do të pushojnë pak! Numri gjithnjë e në rritje i vizitorëve e kanë detyruar Dinin që të vë në oborr edhe dy-tre tavolina druri, disa karrige dhe të krijojë një ambient të qetë, relaksues dhe frymëzues. Tur-operatorët që sjellin turistë francez, anglez, holandez etj. paraprakisht kërkojnë që për numrin e vizitorëve të vetë të përgatitet drekë ose darkë. Kësisoj, ka filluar tani edhe biznesi i vogël familjar!

Veç kësaj, në oborrin e këtij Muzeumi tash e tri vite radhazi mbahet “Manifestimi botëror i poezisë”! Aktivitetet letrare në këtë oborr janë në rritje e sipër, ndërsa kërkohet edhe shtrimi i ndonjë kokteji! Kohë më parë, në oborrin e “Etno Museum”-it të Draginës, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve shqiptarë të Malit të Zi, “Art Klub”, organizoi “Kalimerën poetike BASTRI ÇAPRIQI”, kushtuar poeteshës nga Maqedonia e Veriut, Nurie Emërllahu!

Shtëpia e një pjese të historisë së Anës së Malit

Etno Museumi në Draginë duhet të konsiderohet si një yçkël që ther ndërgjegjen e çdo faktori shqiptar në Mal të Zi dhe jo vetëm! Prioritet i prioriteteve të liderëve, partive shqiptare, të komunave shqiptare në këtë shtet duhet të jetë ndihma shtetërore për këtë Muze, madje deri në institucionalizimin e tij. Dini tashmë ka hedhur hapat gjigante për ngritjen e një institucioni nacional dhe tash e tutje barra do të bie mbi faktorët shqiptar që veprojnë në këtë shtet! Të mos këmbëngulet në ndihmesat shtetërore që i duhen Muzeut, të mos këmbëngulet në ngritjen e Museumit qoftë edhe si Institucion komunal, është baras me angazhimet shovene për të fshirë çdo gjurmë të lashtësisë shqiptare në Anën e Malit! Në këtë Anë ndihma dhe solidariteti vëllazëror që vije nga Amerika dhe, përgjithësish, nga diaspora, është i paparë në asnjë vend tjetër shqiptar! Mos ndodhtë ndonjë fatkeqësi, sepse, sakaq, përgjigja nga diaspora do të jetë konkrete dhe shumë e madhe.

Deri në ndërgjegjësimin e faktorëve shqiptarë për ta listuar në krye të prioriteteve kombëtare këtë Museum, do të ishte hap shumë i qëlluar që diaspora të formonte një fondacion që do ta ndihmonte “Etno Museum”-in e Dinit deri në institucionalizimin e tij. Është jetike për perspektivën e Anës së Malit!

Leave a Reply

Your email address will not be published.