Disidenca e Musinesë natyrisht që kishte një premisë të fuqishme, të cilën ajo ndër qindra e mijëra të tjerë e vlerësoi dhe e shndërroi në pikë mbështetjeje. Vinte nga një përvojë, shkollim, dijesim dhe kulturim prej hapësirës europiane multikulturore
Aleksandër ÇIPA
Shkrimtarja Musine Kokalari mbetet disidentja e vetme shqiptare, e cila parandjeu dhe paratha se totalitarizmi i instaluar në Shqipëri ishte tirani. Në njëkohësi, diçka të tillë e kishte formuluar edhe Millovan Gjilasi, të cilin e citon Giovani Sartori kur i nevojitet një formulim retorik dhe pohon se : ”Totalitarizmi është tirani e lashtë në kushte të reja, apo fenomen i ri?”. Disidentja shqiptare i gjegjej në gjuhën e vet analitike. Sepse ajo disidencën politike e sendërtoi në përditshmërinë e përvujtshme të jetës së vet, qysh pa ardhur dita fizike e totalitarizmit shqiptar. Ajo e lexoi dhe paratha këtë mbërritje, duke u ngjizur me kohën edhe ferri i jetës vetjake. Ndodhte pikërisht në atë kohë, në të cilën, siç e thotë Viktor Hygoi: “Mund të kishte shumë gjuhë, por kishte pak mendje”. Në mendjen e paktë dhe guximin e madh u përfshi Musine Kokalari. Bëhet fjalë për aristokraten e mendjes, e cila e para lexoi plotësisht instruktivizmin politik që po instalohej në përballje me botëkuptimin dhe formimin e saj socialdemokrat. Qëndrestaria e Musine Kokalarit ishte dukuri e brendshme karakteriale dhe sjellje natyrale. Përkonte me shumëçka të virtytshme që trashëgonte, por njëherazi edhe me atë investim formues e edukues që kishte ndjekur në jetën familjare dhe personale. Kjo qëndrueshmëri, në vjetët dhe sidomos kohën politike me të cilën u përball refuzueshëm dhe antagonisht, qysh në ditët e para, përkon me sentencën filozofike gjirokastrite, të cilën unë e huazoj nga profesor Muzafer Xhaxhiu: “As varri nuk ka frikë nga i vdekuri, as i vdekuri nga varri”. Dhe disidenca e Musine Kokalarit i kishte të dyja aspektet: atë të kontestimit të hapur dhe të paepshmërisë, e cila në gjithë jetën e vet mbetet reminishencë me atë të shkrimtarit sivëlla rus, Aleksandër Sollzhenicin.
Disidenca e Musinesë natyrisht që kishte një premisë të fuqishme, të cilën ajo ndër qindra e mijëra të tjerë e vlerësoi dhe e shndërroi në pikë mbështetjeje. Vinte nga një përvojë, shkollim, dijesim dhe kulturim prej hapësirës europiane multikulturore. E kishte të natyrshëm formimin e vet filozofik të pluri-ideve dhe mbartte njëkohësisht ndërgjegjen e formuar nga shkolla e aq iluminuar e atëkohëshme. Ajo kishte për idhull të filozofisë dhe mbrothësisë kombëtare Sami Frashërin. Jo më kot, ndodhte kjo, pasi përfshihej ndër ato intelektuale që lehtësisht depërtonte në thelbe dhe substancë të filozofisë. Në qëndrestarinë e vet disidente, Musineja ishte haveliane; nuk rreshtte së reflektuari dhe analizuari logjikisht rendin dhe sistemin e ri totalitar.
Tekstet e zhdukura, të sekuestruara dhe djegura dhe sidomos memuaret e pakta të mbetura, formësojnë një substancë sui generis të dijes dhe reflektimit eseistik intelektual dhe prej shkrimtareje me klas. Kjo shkaktonte dridhje tek njohësit e saj sundonjës, apo siç preferonte t’i vetëquante, “Të ngjitur për t’u varur”, por që ishin tek pala tjetër, ajo e sundonjësve. Dija e saj “atje poshtë” i drithte ata “atje lart”. Ata e kishin kompleksin e dijes së saj, pasi e njihnin fort mirë se ç’brumi intelektual dhe çfarë kapaciteti shkrimor mbartte në vetvete shkrimtarja e privuar. Privimi, shkrimtares disidente, iu shndërrua në një masë radikale, absolute nga sistemi dhe sidomos shërbestarët fanatikë të monokulturizmit ideologjik. Kjo ndoshta ishte dhe arsyeja bazë që mes saj dhe të mbeturit “Aty lart” u instalua moskomunikimi dhe distancimi, harresa e shpërfillja vrastare, lënia në kthetrat e ferrit dhe mospërmendja e cila u shtri në tri dekada, përjashto atë moment fatlum të rikujtimit në një hapësirë tjetër, në rrethana dhe frymë tjetër, siç ishte Kosova.
E kam fjalën për vitin 1983, kur filologu, studiuesi ndër më të cilësishmit e thellësisë në kohë, të letërsisë shqipe, në numrin 2 të mars-prillit të atij viti, botonte në revistën “Jeta e re” katër tregimet e saj. “Mos qofshin vjehrrat e zeza”, “Kulloi odaja”,”Për mustaqet e Çelos”,”Ulurima e qenit” , të cilat i shoqëroi me një shënim për këtë autore, e cila ishte e panjohur në Kosovë. Ishte pikërisht viti kur pasi e kishin sulmuar kurmin e saj gjithëfarë vuajtjesh e lëngatash, po e mësynte edhe e fundit më e papërballueshme, ajo e së keqes në Rrëshen. Mirëpo censurës së trashëguar të Musinesë iu shtua edhe ajo e këtij publikimi në Kosovë. Kurrkush nuk e përmendi këtë fakt në Shqipërinë e asaj kohe. Por se çfarë e shtyu Doktor Rugovën, se kush e bëri me dije atë, se si u gjend në kontakt me letërsinë e Musinesë?
Këto janë dilema të cilat ish Presidenti i Kosovës i mori me vete në amshim. Nëse do të kishim mundësi ta dinim dhe njihnim rrethanën, ndoshta do të kishim informacion për një perimetër më të gjerë kontaktesh dhe qarkullimi të letërsisë së Musinesë në atë kohë. Doktor Rugova sipas fondit arkivor që zotërojmë për shkrime jo vetëm memorialistike, por më së shumti studimore për shkrimtarinë e Musine Kokalarit, është i pari që i referohet pasurisë dhe vlerave etnotekstuale të Musinesë. Në shënimin shoqërues të botimit në Prishtinë, tek numri 2 i “Jetës së re”, Doktor Rugova shprehet: ” Është mirë të dihet se Kokalari i shkroi tregimet e saj në të folurit çam, pra, të krahinës së Çamërisë dhe njëherësh është njëra ndër shkrimtaret e rrallë shqiptarë që shkroi thjesht në këtë të folme, madje me qëllim artistik, sepse siç e dimë në historinë e letërsisë shqiptare shumë shkrimtarë tanë kanë shkruar në dialektin e tyre, meqë e ndienin si gjuhë të përgjithshme, e po të vepronte kështu, atëherë M. Kokalari do të shkruante në toskërishten letrare”. Më tej Doktor Rugova vazhdon: ” Për librin e saj, më 1940, në gazetën “Bota e re”, nr 1 të 30 korrikut, poeti ynë i njohur Lasgush Poradeci, bëri një kritikë mjaft interesante. Ja si e vlerëson Poradeci, esencialisht prozën e Kokalarit: ”Krijim original. Zënia e jetës, kapja e menjëhershme e saj në fond dhe formë dhe faqja imediate pa asnjë ndërmjetësim, me anën e artit, kjo është origjinalitet-origjinalitet letrar. Kurse stilin e saj e quan stil substancial, që u përshtatet subjekteve”. Doktor Rugova zbulon në tekstin e vet dhe një njohës tjetër të rëndësishëm të letërsisë së Musinesë, e ka fjalën për albanologun e famshëm Maximilian Lamberc i cili në vitin 1949, në librin “Albanaiches esebuxh”, Lajpcig, prej nga ka marrë edhe tregimet e botuara në Prishtinë.
Por, është me rëndësi të vijojmë citimin e Doktor Rugovës, i cili sugjeron se këto tregime, pra të Musinesë, “janë me interes edhe për gjuhëtarët tanë, madje edhe për elemente për gjuhësinë historike, sepse dialekti që përdor autorja përmban shumë trajta gjuhësore që i ndeshim në veprat e autorëve të njohur arbëresh, si te De Rada, Gavril Dara, Serembe, Santori e të tjerë, sepse shumë prej tyre ishin me origjinë nga këto vise dhe e kishin marrë gjuhën e atëhershme me vete…”.
Tekstet autoriale të Musine Kokalarit për t’u shqyrtuar drejt, sidomos në vlerat dhe pasurinë e tyre etnotekstuale, nevojitet të shqyrtohen duke i mbajtur në rrafshe krahasimtare dhe rivlerësuese edhe me shkrimtarë të tjerë bashkëkohës, matanë kohës dhe pas kohës së Musinesë. Pasuria leksikore e librave të Musine Kokalarit përkon dhe takohet me pasurinë që trashëgon letërsia jonë kombëtare qysh nga autorët e famshëm zanafillorë si Budi dhe Bardhi. Pjetër Budi në poezinë e vet thotë: ”O i pafat njeri” dhe vijon “ndo plak jo a ndo i ri”, apo te “Ku janë ata djelm të ri”…. dhe natyrshëm rishfaqet proza e shkurtër e Musinesë me atë vlerë të papërsëdytshme të nëndialektit tosk të Gjirokastrës apo që përfshin edhe nga fondi leksikor i Çamërisë.
Studiues të ndryshëm të vënë në punën e tyre shqyrtuese mbi tekstet e Musine Kokalarit kanë evidentuar kujdesshëm këtë pasuri që la shkrimtarja e privuar deri në pengimin fatal. Prej letërsisë së saj rezulton një fjalor i leksemave, i cili përbën ndoshta pasurinë më atipike etnotekstuale të një autoreje e cila i përket origjinës së këtij qyteti, pra Gjirokastrës, por që dimensionet dhe valencën për cilësinë e vet shkrimore dhe gjuhësore i ka të krahasueshme me autorë të rëndësishëm të letërsisë europiane të shekullit XIX.