Vargjet noliane duket sikur u ngjajnë tingujve të Wagnerit. Dridhjet dhe tonet janë origjinale dhe të veçanta karshi poetëve bashkëkohës që kanë praninë e këtij tipari nëpër poezitë e tyre. Poezia e Nolit është lirike, por nuk është e butë, ajo buçet, është e fortë
Bujar MEHOLLI
Shumë simbolistë e mbështesnin idenë se i gjithë arti duhet të aspirojë me gjendjen muzikore, e cila konsiderohej si mediumi emocional më i drejtpërdrejtë estetik. Ky muzikalitet u arrit përmes poezive simbolike me ritëm, aliteracion, asonancë dhe zbukurime retorike. Kur flasim për simbolizmin vlen të përmendet kompozitori francez Claude Debussy i cili ishte shumë i lidhur me këtë drejtim. Ai kompozoi disa poezi dhe poema të Bodlerit dhe Mallarmesë. Poema “Pasditja e një fauni” e këtij të fundit u kompozua nga Debussy që arriti të bëhet figurë qendrore e muzikës përmes simbolizmit, sikurse kompozitori gjerman Richard Wagner për të cilin u interesuan shumë poetët simbolistë. Fan S. Noli i dëgjonte me pasion këta kompozitorë dhe vihet nën ndikimin e simbolizmit kur bën art. Për këtë ndikim, Rexhep Qosja te Panteoni i rralluar shprehet: “Intonimi muzikor i vargjeve të tij flet qartë sesa shumë ishte nën ndikimin e simbolistëve. Kjo vërehet edhe në futjen e ideve të tij politike brenda kornizës së simboleve të Biblës. Prej këtyre dy fakteve mund të shihet, gjithashtu, sesa bukur e ka ditur ai kahun e zhvillimit të poezisë bashkëkohore dhe sesa i ri është treguar me ndjeshmërinë e vet poetike”.
Simbolistët e shihnin poezinë të lidhur fort me muzikën. Ata ishin të mendimit se poezia është superiore te muzika dhe se aty ajo merr kuptim diskursiv. Mallarme kishte bindjen se letërsia është art suprem dhe se muzika ka premisa të jetë kulti i fundit plenar i njeriut. Ky poet simbolist ëndërronte ta krijonte një religjion të ri, ritet e së cilit do ta kishin burimin te ndërthurja e vallëzimit, poezisë dhe muzikës. Vargjet noliane duket sikur u ngjajnë tingujve të Wagnerit. Dridhjet dhe tonet janë origjinale dhe të veçanta karshi poetëve bashkëkohës që kanë praninë e këtij tipari nëpër poezitë e tyre. Poezia e Nolit është lirike, por nuk është e butë, ajo buçet, është e fortë. Përmes këtij stili, Noli harmonizon përmbajtjen dhe formën. Përveç muzikalitetit, tipare tjera kryesore të artit poetik nolian janë, siç i përmendëm, simbolet me domethëniet e tyre dhe forma (rima, ritmi, toni, struktura sintaksore).
Me përsëritjet e ndryshme në fjalë, tinguj e shprehje, Noli mund ta ndërtojë atmosferën e vargut me “temperamentin poetik vullkanik” siç shprehet studiuesi dhe kritiku Mensur Raifi, i cili thotë se Noli shkroi poezi me tone apolegjetiko-retorike: “Fan S. Noli ka shkruar vjersha patriotike, satirike dhe elegjiake me tone apolegjetiko-retorike. Temperamenti i tij poetik “vullkanik” trajtoi në poezi “kazuistikën personale” të kryeministrit të qeverisë që doli nga revolucioni demokratik borgjez i qershorit të vitit 1924 në Shqipëri”. Duke qenë se Fan S. Noli ishte i lidhur me muzikën qysh në fëmijëri, ky formim nuk është i rastësishëm, andaj ai i kushtoi rëndësi të madhe ritmit në ato pak poezi që shkroi. Gjurmimi në poezinë popullore shqipe po ashtu ishte ndikues në poetikën noliane, sepse poezia popullore siç dihet është mjaft e pasur me ritëm dhe formë të brendshme. Këtë e vë në pah edhe profesori dhe albanologu Eqrem Çabej kur thotë: “Është një influencë e madhe e poezisë popullore mbi shkrimtarin. Kjo shpjegohet me lidhjen e ngushtë që ka poezia popullore me jetën shpirtërore të këtyre popujve. Poezia popullore është ndër këta e gjallë e produktive, prandaj komponentja e këngës popullore është kudo e dukshme. Kjo influencë shprehet në lëndë, në formën e përbrendshme, në ritëm, metrikë si dhe në veçantira”. Dhe kjo influencë popullore vërehet në vargun nolian, i cili përputhet me brendinë dhe me ndjenjat e mendimet që shfaqen duke arritur melodinë ritmike. Vargu merr kadenca ritmike të ndryshme, nganjëherë ngjitëse, nganjëherë zbritëse, herë me ashpërsi herë me butësi, duke kumbuar herë si varg epik, herë si lirik. Për ta organizuar vargun, Noli e vë theksin te ritmi i vargjeve, duke i mbushur me larmi që i bën ato të gjalla artistikisht. Për ta arritur këtë ritëm përdor rimën në mënyrë që t’i shpreh mendimet. Po ashtu përsëritja është një veçanti për organizimin e vargut. Noli përsërit nganjëherë të njëjtën zanore dhe bashkëtingëllore duke krijuar ngjyrim të veçantë muzikor dhe përçim të ndjenjave, si në këto raste:
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe (Marshi i Barabbajt)
Kryetrim, që lëfton, triumfon për atdhe (Marshi i Krishtit)
Simbolisti Stefan Mallarme, botën e shihte si simbol dhe gjuhën si shenjë të saj. Religjioni pati një reflektim të veçantë në veprën e tij poetike. Sikurse Noli, Mallarme interesohej për liturgjinë meshtare dhe lidhjet e njeriut me hyjnoren. Duke qenë një botë e tërë mistike e mbushur me sekretet spirituale, ajo ka si drejtues poetin i cili e gjen frymëzimin te religjioni dhe këtë tërheqje përpiqet që ta transmetojë përmes vargjeve te lexuesi. Në këtë rol, Fan S. Noli zgjodhi figurat më të spikatura të letërsisë gojore e popullore dhe i përdori në mënyrë që më lehtë t’i tërheq lexuesit drejt botës së tij, me figura si aliteracioni e anafora ai i bëri vargjet melodioze dhe si të tilla ato ishin të përshtatshme edhe për t’u mbajtur në mend edhe për t’u transmetuar nëpër popull. E shohim se këto përsëritje paraqiten shpesh, madje ato fitojnë mëvetësi dhe pavarësi për t’u bërë karakteristika të poezisë së Nolit. Përsëritja e thjeshtë brenda një vargu është mjaft e përdorur, nuancat e së cilës ndryshohen varësisht si në këto vargje:
Pres një shenj’ e pres një dritë… (Anës lumenjve)
Pranë vatrës, pranë punës… (Anës lumenjve)
Ky ilaç e ky kushtrim, më bën djal’ e më bën trim… (Anës lumenjve)
Dhe pastaj anafora në vargjet si:
Na e vran’ e na e shanë… (Syrgjyn-vdekur)
Edhe përdorimi i zanores “o” e rrit ndjeshëm muzikalitetin kur Noli e përdor varësisht, herë në fillim herë në mes, herë në fund. Nëse shohim letërsinë popullore hasim mjaft përdorime të tilla nga të cilat Noli u ndikua dhe i përdori që përveç muzikalitetit t’i përforcojë ndjenjat dhe mesazhet:
O vënd e vatr’ o nën’ e babë… (Hymni i flamurit)
Thirr e zbraz, o gurmas: Hosanna, hossana! (Marshi i Krishtit)
O i fort’ o i urt’ o i ëmbël Jesu… (Marshi i Krishtit)
Poezia del e përsosur për sa i përket strukturës formale të saj ndërsa përmes muzikalitetit lidhet me simbolizmin, i cili në thelb kishte kundërvënien ndaj artit tradicional. Është ky tipari kryesor që poezinë e Nolit e lidh me simbolizmin, kur fjala shfrytëzohet për t’i arritur efektet muzikale e kuptimore. Fan S. Noli, si intelektual i angazhuar në jetën politike dhe sociale, bëhet përfaqësues tipik i idealeve që janë në kundërshtim me klasën politike që ishte në pushtet. I pajisur me dituri të gjerë, ai e bëri poezinë qëllim të përhapjes së ideve, shfaqi përjetimet personale dhe përmes sarkazmit goditi klerin reaksionar dhe anakronizmin. Lirikat e tij u ndërtuan duke u shfrytëzuar simbolet biblike dhe alegoria që ngjizen me realitetin shqiptar të atyre viteve kur jetoi dhe krijoi Fan S. Noli.