FANTAZMA E PARAARDHËSIT

Në letërsinë e shkruar në Kosovë, por edhe në Tiranë ndikimi i shkrimtarit Ismail Kadare u bë shkatërrues për disa autorë që u futën në këtë qorrsokak, pa mundur të dalin prej andej as sot


Lazër STANI



1.
Mund të thuhet me plot gojën se shkenca e Einstein-it është një shkencë e ardhur nga shkenca, një dije e ardhur nga dija. U deshën dekada të tëra që shkencëtarë të tjerë pasardhës të provonin eksperimentalisht, si dhe prej fakteve të mbledhura nëpërmjet vrojtimeve, vërtetësinë e teorisë së Einstein-it. E kështu pra, edhe Letërsia e Borges-it duket si e ardhur nga letërsia, çka në një farë mënyre e ka pohuar edhe vetë. Në librin e tij El oro de los tigres, Borges-i shkruan: “Sa janë ndikimet që mund të dallohen në këtë vëllim… Në vend të parë shkrimtarët që pëlqej, kam veçuar tashmë Robert Browning-un; pastaj ata që kam lexuar e rilexuar; pastaj ata që nuk i kam lexuar kurrë, por që janë brenda meje.” Pavarësisht kësaj deklarate fisnike, Borges-i nuk është as Sokrat, as Robert Browning as William Blake e as Franz Kafka. Ai është Jorge Luis Borges! Të njëjtën gjë mund ta thuash edhe për Gabriel Garcia Marquez-in. Në njërën prej intervistave të tij, ai thotë: “më ka bërë shkrimtar Metamorfoza e Kafkës.” Pasi ka lexuar këtë libër, që ia pati dhuruar një miku i tij nga rrethet intelektuale të Bogotasë, Marquez-i kuptoi se mund të shkruhej edhe ndryshe, nga sa ishin shkruar të gjithë librat që kishte lexuar deri atëherë. Kontakti me letërsinë e Kafka-s qe një shtysë aq e fuqishme për shkrimtarin e ri, sa e ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Efekti ishte çlirues. “Unë i thashë vetes se s’kam njohur askënd që i ka lejuar vetes të shkruajë gjëra si këto. Nëse do ta kisha ditur, do të kisha filluar të shkruaja shumë kohë më parë”, do të pohonte ai. Nga shkrimet joserioze të botuar në media e nga rrëfimet që i shkruante vetëm për t’ua lexuar miqve të tij intelektualë, Marquez-i kalon shumë shpejt te letërsia e tij e madhe që njohim sot, duke filluar më romanin Gjethurinat, botuar në vitin 1955. Edhe Nikos Kazantzakis-i flet me krenari për paraardhësit e tij, për gurutë e tij shpirtërorë, pavarësisht se mirëbërës të tij të mëdhenj ai cilëson udhëtimet dhe ëndrrat. “Ndër njerëzit, të gjallë e të vdekur, shumë pak më ndihmuan në luftë e në përpjekjet e mia. Por nëse do kërkoja se cili prej tyre la gjurmë të thella në shpirtin tim, do të veçoja ndoshta tre-katër: Homerin, Bergson-in, Nietzsche-n e Zorba-n”, ka shkruar autori. Nga këto referenca, duket sikur arrijmë në një përfundim pak a shumë të trishtuar që e zbeh dhe e çshenjtëron aktin e krijimit, që e paraqet atë si një cikël zinxhir, ku secili ndez nga një zjarr të vogël, herë të dallueshëm e herë të padukshëm në pafundësinë e ciklit që ripërsërit vetveten në një qerthull të mbyllur. Termi ‘origjinalitet’ në këtë rast bëhet i pakuptimtë dhe e gjithë letërsia botërore të ngjan me një kështjellë të vjetër, me shumë labirinte e kthina të panumërta, ku ndodh një trafikim i vazhdueshëm emocionesh, ndjesish, imazhesh, historish, nga një kthinë te tjetra, që në fund të fundit nuk sjell asgjë që është “herë e parë”. Çështja që shtrohet këtu është shumë tronditëse: nëse vërtet janë shkruar të gjithë librat, nëse vërtet tashmë asgjë nuk është “hera e parë”, atëherë përse vazhdohet të shkruhet? Është e qartë se letërsia jonë nuk vjen nga hiçi, është e qartë se kjo letërsi ka paraardhësit e vet të ndryshëm te secili shkrimtar, herë të padukshëm e të heshtur, herë sfidues e shkatërrues. Dhe duke mos ardhur nga hiçi, është e kotë të flitet për një origjinalitet të plotë e rrënjësor në letërsi. Origjinaliteti, sikurse shkruan Ernesto Sabato, “nuk ekziston as në art dhe as në ndonjë vepër tjetër të njeriut: gjithçka ngrihet mbi diçka të mëparshme”.
2.
Çështja e origjinalitetit, çështja e identitetit të veprës letrare, ka qenë një nga çështjet që më ka shqetësuar gjithmonë, qysh në rininë time të hershme. Nga librat që lexonim në rini, me gjithë kufizimet në informacion që kishim për shkak të mbylljes e izolimit, herë pas herë më ndodhte të gjeja një shkrimtar tjetër, një shkrimtar paraardhës te libri që po lexoja. Ndikimi i Majakovskit dhe i poetëve të tjerë rusë në poezinë shqipe të viteve ’60 të shekullit që shkoi, ishte aq i dukshëm, sa kjo poezi shpesh më dukej pa identitet e dalëngadalë filloi te krijohej brenda meje ndjenja e refuzimit. Fantazma e shkrimtarit paraardhës, ose e shkrimtarëve paraardhës, zuri të më shfaqej si prani e shkrimtarit paraardhës te një shkrimtar tjetër pasardhës në një interferencë, që në rastin më të mirë nuk ish as plagjiaturë, por as nuk mund të quhej origjinalitet në kuptimin tim të parë. Për shembull, kur lexoja, romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, atëherë nxënës shkolle, ndjeja herë-herë praninë e Ernest Hemingway-it, sidomos të romanit Lamtumirë armë, ashtu sikurse ndjeva shumë vite më vonë praninë e hermetistëve italianë, në veçanti atë të Giuseppe Ungaretti-t, në poezinë e Martin Camajt. Edhe te shkrimtarët e tjerë më të mirë e më të lexuar, origjinaliteti i tekstit më vihej vazhdimisht në dyshim, edhe pse kur e kur ishte e vështirë të gjeje shkrimtarin paraardhës, me ato mundësi të kufizuara që kisha për të lexuar. Çështja kryesore, që më mundoi për shumë kohë, ishte se a shkruhej letërsi origjinale, letërsi që shfaqej e ekzistonte si një krijesë e re, si krijesë e ardhur në këtë tokë për herë të parë. Shumë vite më vonë, duke lexuar Ernesto Sabato-n hasa në të njëjtin shqetësim e në një shpjegim pak a shumë bindës. Për Sabato-n, “origjinaliteti nuk qëndron te mungesa e paraardhësve, por në tonin e në shtytjen që shfaq kjo trashëgimi te pasardhësit”. Kjo tezë me nxiti të rilexoja sërish Camajn, duke e rizbuluar poetin dhe duke e rivlerësuar pikërisht për ato cilësi që në njohjen time të parë e pata refuzuar në një farë mënyre, edhe pse vepra e tij kishte shijen e “mollës së ndalueme” për lexuesin shqiptar. Nuk ka dyshim se në poezinë e Camajt ndihet shkolla e hermetizmit italian, e në veçanti poeti i tij i dashur Ungaretti. Por, megjithatë, ai është një poet i shpëtuar. Në poezitë e tij ndihet fort edhe poeti, që Camaj nuk e kishte lexuar kurrë më parë e që ishte brenda tij, siç shprehet Borges-i. Ky poet me imazhet, arketipin, ndjeshmërinë dhe sistemin e vet konceptual, e ka shpëtuar poezinë e Camajt, pavarësisht pranisë së paraardhësve, të cilët shkrimtarët shqiptarë nuk e kanë për zemër t’i përmendin. Nëse e shmangim diskutimin për plagjiaturën, që është një kopjim i rëndomtë, çështja e raportit të shkrimtarëve tanë me paraardhësit është një nga çështjet më delikate jo vetëm për atë letërsi të dështuar që njihet si “e realizmit socialist”, por edhe për letërsinë që është shkruar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit e vazhdon të shkruhet sot e kësaj dite. Krijuesit që hynë në letërsi pas viteve ’90, u gjendën në një situatë entuziazmi grotesk midis refuzimit të gjithçkaje që ishte shkruar në letërsinë shqipe dhe në veçanti refuzimit total të letërsisë së realizmit socialist dhe kontaktit me autorë e letërsi të mëdha të kulturave të tjera. Midis autorëve në proces gjatë këtyre viteve paraardhësit shfaqën aq fuqishëm, sa në letërsinë tonë mund të gjeje Borges në Durrës e në Prishtinë, Joseph Brodsky, Wallace Stevens e Allen Ginsberg në Tiranë e Gjirokastër, Franz Kafka në Shkodër e Lushnjë. Hapja, kontakti me letërsitë e tjera, botimi i librave të përkthyer dhe etja e marrë për të shkruar poezi e prozë gjeniale, zbuloi brishtësinë e autorëve tanë dhe mungesën e identitetit në letërsinë e tyre. Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me prani të ndikimeve të paraardhësve, por me një trafikim të pastër të emocioneve, të imazheve, të arkitekturës e herë-herë edhe të strukturës së tekstit. Kjo letërsi mund të quhet fare mirë referenciale, pasi në shumicën e rasteve, poezive, romaneve apo tregimeve të botuara në këto vite mund t’ua gjesh referencat në autorë të mëparshëm ose bashkëkohës. Në shumicën e autorëve të këtyre viteve gjen shkrimtarët më të pëlqyer prej tyre, gjen shkrimtarët e lexuar më parë po prej tyre. Ajo që nuk gjen te një pjesë e këtyre autorëve është shkrimtari i pa takuar e i pa lexuar më parë, shkrimtari që duhej të ishte brenda tyre, sikurse e cilëson këtë Borges-i.
3.
Në shkencë, referencialiteti është një kriter i pashmangshëm, kusht sine qua non për një punim apo studim të mirëfilltë shkencor. Kjo përcaktohet në metodologjinë e shkencës. Le të marrim si shembull librin Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, të Abaz Ermenjit. Në vetvete ky libër është shkruar bukur e lexohet me ëndje. Por ka një të metë fatale: nuk ka asnjë referencë shkencore, asnjë dokument a libër tjetër të cituar. Shkurt ky libër ka karakter propagandistik, sepse historia pa dokumente nuk është histori, por propagandë. Librit të Ermenjit nuk mund t’i referohesh në asnjë punim shkencor, pikërisht për shkak të mungesës së referencave e dokumenteve. Por ai që është kusht në shkencë, është fatal në letërsi. Nëse një libri me poezi ia gjen referencat në shumicën e poezive të tij, atëherë ai nuk është më libër poetik, po thjesht një viktimë e referencialitetit, një viktimë e trafikimit të emocioneve, të imazheve, të ndijimeve të tjetërkujt. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prozën. Shembujt nga letërsia shqipe nuk janë të paktë. Në letërsinë e shkruar në Kosovë, por edhe në Tiranë ndikimi i shkrimtarit Ismail Kadare u bë shkatërrues për disa autorë që u futën në këtë qorrsokak, pa mundur të dalin prej andej as sot. Pasardhësit shkrimtarë të Kadaresë mbetën përgjithësisht shkrimtarë të dështuar, proza e të cilëve në asnjë rast nuk u ngjit në nivelin e prozës së Kadaresë. Edhe shkrimtarë të tjerë si Borges-i, Kafka, Buzzati, Sartre-i kanë krijuar pas vetes modele të dështuara, jo vetëm në letrat shqipe, po edhe në letërsitë e tjera. Është kjo arsyeja që e bën shumë të ndërlikuar raportin e shkrimtarit me shkrimtarët paraardhës, me shkrimtarët e pëlqyer ose të lexuar e të rilexuar, raport që herë-herë është armiqësor, idhnak, aq sa pasardhësi kërkon të mos ia zërë emrin në gojë paraardhësit, kërkon ta asgjësojë, jo thjesht te publiku, por së pari e kryesisht të vetvetja. Duket sikur procesi i shkrimit është një dyluftim midis shkrimtarit paraardhës të pëlqyer, shkrimtarit të lexuar e rilexuar dhe shkrimtarit të patakuar e të palexuar më parë. Te shumë prej autorëve të botuar gjatë këtyre viteve, ky shkrimtar i tretë ose nuk ekziston, ose është aq i dobët dhe i trembur, sa nuk guxon të hyjë në fushëbetejë gjatë procesit krijues. Mungesa në proces e shkrimtarit “të patakuar e të palexuar” më parë, apo prania shumë e dobët e tij, vetëm me disa pëshpërima, sa për të prishur punë, u krijon hapësirë paraardhësve, aq sa teksti letrar i dalë nga ky proces krijues është një tekst referencial, pra nuk është tekst i mirëfilltë letrar. Librat me tekst referencial, qoftë në poezi, qoftë në prozë, janë të pranishëm te një pjesë e mirë e autorëve tanë “të kulturuar”. Kjo ka bërë që të kemi shumë autorë, shumë libra, lista të gjata me emra prozatorësh e poetësh, madje të shpallur edhe “elitë” e që në vetvete nuk janë kurrgjë tjetër veçse elita preferenciale. Dhe natyrisht, disa poetë e prozatorë, që gjithsesi kanë sjellë një standard të ri në letrat shqipe me ngjyrimin e vet origjinal e të papërsëritshëm. Trauma e realizmit socialist është duke u tejkaluar me vështirësi, ndërkohë që liria ka mbushur tregun me shkrimtarë që nuk janë. Në këtë kaos mbretërues, në këtë botë të zhvillimit të lartë teknologjik e të komunikimit të shpejtë, krijimi i identiteteve të ndryshme nga modelet nuk është i lehtë. Aq me tepër që edhe qenia njerëzore është një qenie komunikuese, një qenie e brishtë dhe e ndikueshme. Në përgjithësi, globalizimi i shoqërisë njerëzore dikton modën e modelet e suksesshme, jo vetëm në veshje e kuzhinë, por edhe në pikturë, letërsi, muzikë, filmografi, duke krijuar një standard të ngurtësuar për qenie standarde. Pozicioni antishkollë, antistandard, ndoshta është i vetmi pozicion real për shkrimtarin, edhe pse një pozicion i tillë rebel e kërkues, mbart me vete rrezikun e vazhdueshëm të dështimit, të asgjësimit, të mospërfilljes e përbuzjes nga bashkëkohësit, që në fund të fundit është e njëjta gjë. Në këtë pozicion është gjendur vazhdimisht Franz Kafka në të gjallë të tij, por edhe poetë e shkrimtarë të tjerë që pasvdekja i ka bërë të mëdhenj. Nga biologjia dimë se çdo qenie njerëzore është gjenetikisht e papërsëritshme, është një histori që ndodh vetëm një herë, pavarësisht se vjen prej paraardhësish të ngjashëm njerëzorë e trashëgohet te pasardhës po të ngjashëm njerëzorë. Pra, biologjikisht nuk jemi të pandotur, përderisa mbajmë në trup gjenet e paraardhësve. E megjithatë jemi origjinalë, të përveçëm, të papërsëritshëm, jemi secili nga një histori unike. E tillë është edhe letërsia, kur ajo është letërsi, i tillë është edhe shkrimtari, kur ai është shkrimtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.