Fatos Arapi

DETI

I vogël, me pantallona të, shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë humaije, që e qepte vetë gjyshja…
Ashtu darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gíshtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra.

Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjëra te natës
ngríheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.
Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhë – aradhë.

Turfullonin.
Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.

Mbi ta fluturonin të tjerë.
Jelet e hakërruara dallgë – dallgë fushën e diellit fshihnin.
Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.
Gjokset e mëdhenj e të bardhë
kreshpëronin përpjetë;
këmbët e para rrihnin në erë…
Sytë u flakëronin.
Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më copëtonin.
Kur ja me poterë
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin
te këmbët e mia. Nga flegrat gjigante
miliarda grimcëza të krístalta shfrynin
për të fundit herë.

Të tjerë
hingëllinin nëpër fushën e gjerë të natës.
Me gëzim e frikë, orë të tëra unë, shihja
kuajt bardhë
të suleshin nëpër furtunë.
Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njëri mbi tjetrin…

Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…

Leave a Reply

Your email address will not be published.