FENOMENI KAZANXAKIS

Kazanxakis nuk “plaket” por rinohet vazhdimisht. Janë mesazhet e tij të së ardhmes, të cilat e kapërcenin së tepërmi kohën kur jetonte, që tani kanë gjetur vendin e tyre fiziologjik, tek të rinjtë e kohës sonë

Grigor JOVANI

Dhjetëvjeçarë të tërë pas vdekjes së tij, Nikos Kazanxakis nuk ka reshtur kurrë së udhëhequri “detashmentin e shkronjësve” në letërsinë greke, por edhe në atë botëroren. Të ngjan se edhe sot, tastjera e shkronjave e makinës së tij të shkrimit, kudo që të ndodhej, në shtëpitë e veta, në ishullin e Egjinës në Greqi, në Andip të Francës apo në Franburg të Gjermanisë, nuk ka reshtur së prodhuari shkronja dhe fjalë, nga prekjet e vazhdueshme të gishtave të shkrimtarit të palodhur. Ngaqë emri dhe vepra e tij vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes të gjithë atyre që merren apo ndjekin bëmat letrare nëpër botë. Simpoziume dhe tubime të ndryshme, studime dhe përkushtime të panumërta, vazhdojnë të kenë në fokusin e tyre “fenomenin Kazanxakis”, ndërkohë që përkthimet e veprës së tij janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit, qoftë në botën paksa konservatore dhe ksenofobe anglosaksone të Letrave, ashtu edhe në pjesën tjetër të “planetit letrar”, me shembullin më të freskët, përkthimet e librave të tij në gjuhët kineze dhe koreane. Globit nuk iu shua kurrë etja për shirat e “uraganit Kazanxakis”, tani së fundi ca më shumë.

50 e ca vjet pasi makina e dytë më e famshme e shkrimit, për shkak të fotografive të shumta të të zotit pranë saj (e para, pa dyshim, është ajo e Heminguejit), u transferua në shtëpinë e tij prindërore në Kretë, shndërruar tashmë në muze, Kazanxakis vazhdon “të shesë” çmendurisht në “tregjet ndërkombëtare letrare”, madje me ritme të shfrenuara. Dhe ndonëse në asnjë nga simpoziumet që përmendëm më lart nuk u dha një përgjigje e saktë, se ç’është ajo që shet më tepër nga ky shkrimtar (gjithë media letrare greke ka këto kohët e fundit në gojë pikërisht këtë pyetje), megjithatë një fakt është kuptimplotë: në dialogun e gjerë publik që hapi në blog-un e vetë elektronik periodiku serioz i Letrave, “Vivliothiki” (Biblioteka), pjesëmarrja e brezave të rinj të lexuesve ishte e jashtëzakonshme. Domethënë, Kazanxakis nuk “plaket” por rinohet vazhdimisht. Janë mesazhet e tij të së ardhmes, të cilat e kapërcenin së tepërmi kohën kur jetonte, që tani kanë gjetur vendin e tyre fiziologjik, tek të rinjtë e kohës sonë.

FENOMEN I PAMBARUAR

Kujt i dedikohet, në fund të fundit, kjo fitore prestigjioze e Kazanxakis në betejën e tij të vazhdueshme me kohën – mos mbase duhet shpjeguar me kushtet e një fenomeni të pambaruar letrar? Nuk ka një përgjigje konstante për këtë. Askush nuk e ka dhënë gjer më tani. Është konstatuar vetëm habia dhe admirimi i madh për këtë shkrimtar, që nuk rresht kurrë duke na surprizuar me “të rejat” e tij.

Dejvis Konolli, duke u munduar të shpjegojë prezantimin e suksesshëm të Kazanxakis në botën anglosaksone, vëren mënyrën se si u transplantua shkrimtari në këtë botë gjuhësore. Madhësia e kësaj figure në botën jo greke, kushtëzohet nga dy faktorë: i pari është krejt praktik, në përkthimet e tij anglisht mungojnë dialektizmat e shumta të origjinalit, të cilat mund të ndikonin negativisht tek lexuesit. Për të shpjeguar faktorin e dytë, që kushtëzon popullaritetin e Kazanxakit tek anglosaksonët, Konolli i referohet studiuesit Rodrik Biton, sipas të cilit, veprat e grekut të famshëm përmbajnë një fakt të fshehur, që përjashton a priori çdo zgjidhje të imponuar, duke krijuar ndjenjën e një mesazhi gjithmonë të hapur, që pret zhbirimin dhe qëndrimin e gjithsecilit prej lexuesve.

Po të shikosh me vëmendje të dy faktorët e sjellë, do të kuptosh fare mirë ç’thotë Konelli, për zbutjen gjuhësore të Kazanxakit, gjatë përkthimit në anglosaksonishten. Mbetet të shikojmë ç’bëhet me përkthimin e tij në gjuhët e tjera, por edhe në vetë greqishten, që me një mënyrë kaq të papërsëritshme, nuk ka reshtur së ndikuari masat e lexuesve. Si e ka bërë këtë? Me gjuhën e tij shumëngjyrëshe, njëkohësisht edhe kaq… të rëndë. Për sa i përket konkluzionit të Bitonit, i ka rënë plotësisht në të, kur i referohet “mesazhit të lirë të veprave të Kazanxakis”. Kjo e fundit mund të shpjegojë mrekullisht edhe fatin e popullaritetit të jashtëzakonshëm të shkrimtarit në atdheun e tij.

Njëkohësisht, kritika greke, konstaton edhe një fakt të përkundrejt: në të njëjtat libra ekzistojnë edhe disa mendime dhe zgjidhje “të padiskutueshme” nga ana e shkrimtarit. Ndryshe nga ç’e ka zakon, nuk pranon (çuditërisht) kompromise. As që hyn në debatin më të thjeshtë për këtë. Është e qartë se tek ai ekzistojnë disa tabu, që mbase rrjedhin nga atavizma të trashëguara. Si shpjegohet kjo, për një mendje kaq të lirë dhe të përparuar? Nuk mund të gjejmë përgjigje tani. Është çështje hulumtimesh të vazhdueshme. E thamë, nuk është zgjidhur akoma plotësisht “fenomeni Kazanxakis”. Tipar veçues ky për shkrimtarët e kalibrit të tij.

POETI, DRAMATURGU DHE KRITIKU -“AJSBERGU” ENDE I PAZBULUAR

Kur bëjmë fjalë për fenomenin e qarkullimit të jashtëzakonshëm të librave të Kazanxakis në Greqi dhe në botën jashtë saj, nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se fjala është ekskluzivisht për romanet e tij të pasluftës, që shfaqen më 1946, me botimin e “Jeta dhe Qytetaria e AleksisZorbas”. Megjithatë, edhe Kazanxakis poet, dramaturg dhe kritik, që, le ta pranojmë, shumë vështirë del përpara dhe kuptohet qartë prej publikut të gjerë (me përjashtim, ndoshta, të veprave të tipit “Asketizmi”), vazhdon, megjithatë, të preokupojë seriozisht një pjesë të shkencës filologjike, duke tërhequr studiues të vjetër dhe të rinj në këto monopate të vështira, që ngjajnë të pambaruara. Ka diçka këtu për t’u kthjelltësuar. Nuk është bërë kënaqshëm gjer tani, por kjo nuk do të thotë se është e pamundur të ndodhë në të ardhmen.

Nëse në të kaluarën, kritikët e kanë kryqëzuar sa herë Kazanxakin për veprën gjigande poetike “Odiseas” ose kanë hedhur dyshime për dramaturgjinë e tij, diskutimi për vlerat e këtyre gjineve në veprën kazanxakiane nuk ka mbaruar dhe nuk është thënë fjala e fundit. Ngjan se kjo pjesë e veprës së tij është si pjesa e zhytur e ajsbergut, sa më shumë del në dritë duke u kumtuar, aq më tepër zbulohen gjëra të reja, të pa diktuara më parë. Ritmet e këtyre zbulime përshpejtohen nga koha në kohë. Interesimi është i madh.

Tërheqja magnetike që ushtron Kazanxaki, e imponuar pashmangshëm tek një pjesë e madhe e botës së sotme filologjike, ka lënë pa shpjeguar ndërkohë edhe një pjesë të historisë së tij. Kolegu dhe miku i tij i afërt, J. N. Perantorakis, duke bërë fjalë për binomin Kazanxakis – kritikë, njëqind vjet pas botimeve të para dhe mbi gjysmë shekulli nga vdekja e tij, thotë: “Fakt është se shkrimtari lexohet dhe studiohet sistematikisht, pa u sanksionuar, ndërkaq, prej shumicës së kritikëve, një ikonë legjitime e pasaportës së tij letrare dhe e personalitetit të tij krijues.” Ajsbergët nuk shfaqen një mëngjes plotësisht, në të gjithë trajtën e tyre. Duhet kohë të ambientohesh me ta, pale t’i hulumtosh siç duhet.

MODERNIZMI -NJE “TREN I HUMBUR”

Gjatë diskutimit për Kazanxakin, që hapi tani së fundi periodiku “Pema”, dy nga përfaqësuesit e kritikës moderne greke, D. Dimbirulis dhe A. Bertis, theksojnë se një nga mangësitë më të dukshme të shkrimtarit është dobësia e tij për të bashkëbiseduar me modernizmin.

Kjo e vërtetë nuk mund të shmanget: midis atyre shkrimtarëve që hulumtuan botëkuptimin dhe mënyrat e shprehjes së modernizmit, Kazanxakis ngjan me një gjigand të pashpjegueshëm, që është i dënuar të kërkojë pa sukses qëllimet e vetekzistencës. Fakti është se nuk mundi të bëhet zot i këtij planeti të ri, të përmasave të mëdha, që i rrotullohej përsipër kokës.

Natyrisht, nuk kemi të drejtë ta dënojmë për këtë. Këtë tren e kanë humbur edhe të tjerë, para dhe pas tij. Nuk e arritën ose nuk e kuptuan ç’ishte dhe ku shkonte. Askush nuk doli në gjyq për këtë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.