(Në 30 vjetorin e themelimit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës)
Nora HALIMI
“Edhe statujat vdesin, po nuk i vështrove;
kam parë shpesh të tilla,
për tokë, me sytë gjysmë të mbyllur;
ato presin të shohin dikë të ndalet, t’i vështrojë.
Atëherë statujat ngrihen sërish në këmbë.”
Këto vargje të poetit të madh Ricos na bëjnë të kujtojmë sesa e rëndësishme është kujtesa, sidomos në ditë të shënuara e në përvjetorë të rëndësishëm, siç është 30 vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës dhe rrjedhimisht edhe Fakultetit të Arteve. Përvjetorë të këtillë nuk janë thjesht vite jubilare dhe ditë feste për lirinë e fituar për të studiuar në gjuhën amë, janë ditë kur duhen kujtuar, vlerësuar dhe nderuar autorët e saj të vërtetë, themeluesit e tij, dëshmorët e kauzës së arsimit shqip dhe të gjithë ata që në një formë a tjetër kontribuuan për themelimin e Universitetit.
Duke i kujtuar dhe nderuar, “ata ngrihen sërish në këmbë” dhe qëndrojnë të gjallë në kujtesën tonë kolektive. Sakrifica e tyre sublime na ka lënë lakuriq para përgjegjësive personale dhe kolektive për t’u rritur dhe për të formësuar të ardhmen tonë. Rritja e shëndetshme vjen vetëm duke u kujdesur për rrënjët, duke respektuar historinë dhe kujtesën, sepse është ajo që i reziston kohës dhe fuqive të saj të shkatërrimit.
Arti përgjatë shekujve ka pasur gjithmonë lidhje komplekse me historinë dhe kujtesën. Artistët nuk mund ta shkëpusin veten nga determinimet historike dhe nga konteksti kohor ku kanë vendosur qenien e tyre. Falë dhuntisë së tyre krijuese, arrijnë që intimja të bëhet shenjë dhe shprehje e fatit kolektiv dhe anasjelltas, shoqërorja, ngjarjet e rëndësishme historike të përthyhen si identitet dhe koordinatë personale.
Megjithatë, historia, sakrifica dhe pengesat e ndryshme në rrugën e rritës tonë 30 vjeçare nuk janë të vetëmjaftueshme dhe përcaktues të suksesit. Ёshtë sistemi i vlerave që është kultivuar dhe prodhuar përgjatë këtij 30 vjeçari.
Koha në këto raste jo vetëm ka rolin e vet, por është gjykatës ekzakt i asaj çfarë është prodhuar në një kapitull të caktuar të historisë. Arti dhe artisti duhet të jetë dëshmitar i pakorruptueshëm i epokës së tij, duhet të ketë guximin të thotë të vërtetën dhe të ngrihet kundër çdo lloj sistemi që nëpërkëmb vlerat e njëmendta estetike, emancipuese, edukuese dhe që është kundër prirjes ekzistenciale njerëzore që është kërkimi.
Fakulteti i Arteve, ndër vite, është cilësuar si një qendër e rëndësishme e krijimtarisë dhe kulturës. Përvjetori jubilar mund të shërbejë për të nxjerrë në pah kontributet e tij në edukimin e brezave të rinj dhe për të theksuar ndikimin që ka pasur në jetën kulturore të vendit, por përtej ceremonive dhe aktiviteteve festive, të cilat rrezikojnë të bien në kurthin e formalitetit. Ky vit jubilar duhet trajtuar edhe si një moment i bërjes së bilancit, mbylljes së një kapitulli dhe hapjes së një kapitulli tjetër, të cilit duhet t’i paraprijë “llogaridhënia” dhe “llogaribërja”.
Duke jetuar në një kohë amullie të përgjithshme, në një kohë kur raporti me të vërtetën është shumë i varfër, është sfidë në vetvete perceptimi i situatës reale, analiza dhe artikulimi i saj dhe është shumë më e lehtë të qenit spektator në një shfaqje të kuruar nga të tjerët. Faza e analizës dhe artikulimit kërkon dije dhe kthjelltësi mendimi dhe mbi gjithçka kurajo qytetare dhe intelektuale për të thënë të vërtetën, për t’i diagnostifikuar gabimet, për të vlerësuar punën e mirë dhe për të ndarë qartë vlerat nga jovlerat.
Në një kohë kur kufiri mes tyre jo vetëm që nuk ekziston më, por të krijohet përshtypje se kultura dhe krijimtaria mediokre ka mbisunduar vlerat, kur relativizimi dhe rëndomësimi i jo vlerave është ulur këmbëkryq në jetën tonë shoqërore dhe mediokriteti është kthyer në standard, kur kemi lejuar që arti dhe kultura të bëhen pjesë e matematikave politike, kur padrejtësitë dhe të gjitha ndërvarësitë tjera të ngulfasin, ta heqin entuziazmin për të punuar, të shkurajojnë e të lodhin, kur i kemi humbur referencat e mirëfillta dhe jemi të prirë ta pranojmë formën pa obligime ndaj përmbajtjes, një pjesë e peshës së këtij dështimi dhe zhgënjimi bie rëndshëm edhe mbi punën e institucioneve të artit dhe kulturës.
Çfarë mundet dhe çfarë duhet të bëjë Fakulteti i Arteve dhe institucionet tjera përkatëse për të dalë nga kjo gjendje, cilat janë sfidat me të cilat duhet të përballen?! George Bernard Show, një figurë e rëndësishme për mënyrën se si e përdori teatrin për të sfiduar dhe ndryshuar shoqërinë mes tjerash, ka thënë: “I vetmi njeri që sillej në mënyrë të arsyeshme ishte rrobaqepësi im: ma merrte përsëri masën sa herë që më shihte, ndërsa të gjithë të tjerët vazhduan me matjet e vjetra dhe prisnin që ato të më përshtateshin.”
Fakulteti i Arteve bashkë me të gjitha institucionet tjera relevante të artit duhet të sillen në mënyrë të arsyeshme duke bërë matje të sakta të situatës aktuale dhe të përpiqen të qepin rroba që do t’i përshtaten nevojave të kohës.
Në raste të këtilla, arti dhe artisti duhet të kthehet në rezistencë kundër anomalive që mbizotërojnë realitetin tonë artistik dhe kulturor. Arti i vërtetë pa filtra të konvencioneve shoqërore duhet të na shkund për të na çliruar. Më e pakta, duhet të krijojë hapësirë për debat të hapur kritik, duhet të provokojë dhe stimulojë mendimin dhe veprimin e lirë kreativ publik, të bazuar në dije dhe punë sistematike.
Kur flitet për institucione, duhet thënë qartë se veprimi kolektiv është shumë i vështirë, sidomos kur bëhet fjalë për komunitete të vogla ku dashje pa dashje e gjejmë veten brenda vorbullës së hatërmbetjes, bërjeqejfit pa pasur mundësinë e kultivimit të një distance etike, të shëndetshme me njëri tjetrin, distancë e cila do të na kishte ndihmuar të çlirohemi nga kjo peshë e dëmshme për shoqërinë në raport me të vërtetën dhe do të kishte stimuluar ndjenjën e përgjegjësisë individuale dhe kolektive në ndërtimin e institucioneve funksionale dhe progresive.
Subjektiviteti në vlerësimin e produktit artistik sot është një sfidë serioze, sepse është vështirë të përcaktohen kritere të qarta për vlerësim ose për matjen e suksesit, veçanërisht kur mësimdhënësit dhe studentët angazhohen me veprimtari krijuese në kontekst arsimor në nivele të ndryshme komoditeti ose përvoje. Një gjë tjetër që e vështirëson funksionimin institucional, është mospasja e autonomisë së plotë në vendimmarrje për shkak të ndërvarësive të ndryshme nga instanca më të larta të sistemit arsimor. Buxhetet e kufizuara dhe mungesa e burimeve financiare ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin dhe zhvillimin e institucioneve të artit, duke vënë në rrezik përmbushjen e plotë të misionit të tyre, qoftë akademik apo krijues dhe duke e kufizuar kësisoj shtrirjen dhe ndikimin e tyre në shoqëri.
Arti duhet parë si një mjet transformues në arsim, duke eksploruar mënyrat se si mund t’i ridefinojë qëllimet arsimore, duke nxitur jo vetëm suksesin akademik, por edhe zhvillimin e plotë të studentëve si individë të ndërgjegjshëm dhe të angazhuar me botën në mënyra domethënëse. Ky ridefinim nënkupton nxitjen e mendimit kritik, integrimin e mësimit ndërdisiplinor, kultivimin e empatisë, inteligjencës emocionale dhe të kuptuarit e diversitetit kulturor që çon drejt një mendësie më gjithpërfshirëse, nxitjen e bashkëpunimit dhe angazhimit në komunitet, gjë që do t’i kishte ndihmuar studentët jo vetëm në përpjekjet e tyre artistike, por edhe në kontekste më të gjëra arsimore dhe shoqërore.
Arti duhet te krijojë mundësi për një edukim që nuk ka vetëm karakter didaktik, por që shtrihet përtej auditoreve, duke lidhur përmbajtjen akademike me sfidat dhe kontekstet reale të shoqërisë. Jo çdo student që studion dhe angazhohet me veprimtari krijuese mund të bëhet artist dhe jo çdo mësimdhënës i angazhuar në edukimin artistik të gjeneratave të reja jo detyrimisht është artist, prandaj duhen inkurajuar të dy palët që përpos përpjekjeve të vazhdueshme për të krijuar, së paku të jenë pjesëmarrës të ndërgjegjshëm dhe aktivë në ndërtimin e një shoqërie dhe bote më të mirë, pa dëmtuar integritetin artistik të përfaqësuesve të saj shpirtërorë.
Një tragjedi e pashbëshme për vendin dhe të ardhmen e tij, do të ishte epilogu i një shoqërie që fle kur duhet të ulërijë. Shkatërrimi kulturor ka implikime më të thella sesa thjesht një shije e keqe që i ofrohet një brezi të caktuar në raport me ndjeshmërinë dhe vlerat e vërteta artistike. Momentet e këtilla të reflektimit duhet të na ndihmojnë për të kuptuar më shumë se sa të sotmen, udhën e të nesërmes dhe vizionin tonë për të ardhmen.