FILLIMI

Në fillim librin e lexojmë ngadalë e me hezitim. Ekzistojnë shumë informacione të reja që duhet t’i pranojmë e t’i mbajmë në mend, si emrat e personazheve, marrëdhëniet e afërsisë dhe lidhjes, hollësitë kontekstuale të kohës dhe të vendit, pa të cilat nuk mund të ndiqet rrëfimi

David LODGE

E pashme, e zgjuar dhe e pasur, me një shtëpi të rehatshme e me natyrë të hareshme, Ema Udhaus gëzonte bekimet më të mira të jetës. Kishte ardhur në këtë botë njëzet e një vjet më parë dhe vështirë se e kishte njohur ligështimin a brengën. Ajo ishte më e vogla e dy bijave të një babai shumë të dhembshur e zemërbutë. Pas martesës të së motrës, ishte bërë zonjë e shtëpisë atërore në një moshë shumë të re. Meqenëse e ëma i kishte vdekur prej kohësh, ajo ruante një kujtim të vagullt të përkëdheljeve të saj. Vendin e nënës e kishte zënë një guvernante, grua e shkëlqyer, dashuria e së cilës kishte qenë thuajse si ajo e një nëne.

Për gjashtëmbëdhjetë vjet zonjusha Tejlor kishte qenë pjesë e familjes Udhaus më tepër si mike sesa si guvenante, shumë e dashur me të dyja vajzat, por më së shumti me Emën. Afërsia midis tyre ngjante më tepër si lidhje motrash. Edhe përpara se zonjusha Tejlor ta linte zyrtarisht detyrën e guvernantes, butësia e karakterit të saj nuk e kishte lejuar t’u vinte asnjë rregull. Kur edhe gjurma e fundit e autoritetit ishte zhdukur prej kohësh, ato kishin jetuar si mikesha, madje me një dashuri të ndërsjellë. Por Ema bënte ç’i donte qejfi; respektonte mendimin e zonjushës Tejlor, por, para së gjithash, vepronte me kokën e vet.

Në të vërtetë, ana negative e Emës ishte se vepronte më shumë sesa duhej me kokën e vet, si dhe prirej ta lartësonte veten pak së tepërmi; këto ishin të metat që kërcënonin t’i turbullonin gëzimet e saj të shumta. Megjithatë, tani për tani rreziku ishte i papërfillshëm dhe këto të meta nuk mund të shiheshin kurrsesi si fatkeqësi për të.Por, ia behu brenga, një brengë e lehtë, por jo në trajtën e një brejtjeje të pakëndshme ndërgjegjeje. Zonjusha Tejlor u martua. (JANE AUSTEN, Ema – 1816)

KUR FILLON ROMANI? Kjo pyetje, pothuajse, është po aq e vështirë për t’iu përgjigjur sa edhe pyetja se kur embrioni i njeriut bëhet person? Natyrisht, krijimi i romanit rrallë fillon me shkrimin ose shtypjen e fjalëve të para. Shumica e shkrimtarëve bëjnë disa punë preliminare edhe nëse kjo është vetëm në kokat e tyre. Shumë prej tyre e përgatitin terrenin me kujdes me javë ose muaj. Ata krijojnë diagrame të intrigës, hartojnë CV-të e personazheve, mbushin fletoret me ide, mjedise, situata e shaka për t’i nxjerrë më pas në procesin e krijimit. Çdo shkrimtar e ka mënyrën e vet të punës. Henry Jamesi, për romanin Plaçkat e Poyntonit, mbante shënime aq të gjata dhe po aq interesante sa edhe romani përfundimtar. Me sa e di unë, MurielSpark e mendonte konceptin e romanit të ri dhe nuk shkruante asnjë shkronjë në letër derisa ta gjente titullin e pranueshëm dhe fjalinë hyrëse.

Megjithatë, për lexuesin romani gjithmonë fillon me fjalinë hyrëse (që, natyrisht, mund të mos jetë fjalia e parë e shkruar nga romancieri). Dhe pastaj fjalinë tjetër dhe fjalinë pas saj… kur përfundon fillimi i një romani është, gjithashtu, një pyetje tjetër e vështirë për t’u përgjigjur. A është paragrafi i parë, faqet e para apo kapitulli i parë? Sido që të përcaktohemi, fillimi i një romani është pragu që ndan botën reale ku jetojmë nga bota imagjinare e romancierit. Prandaj, siç thotë një frazë, ai duhet të “na tërheqë”.

Kjo nuk është detyrë e lehtë, sepse ne ende nuk jemi mësuar me tonin e zërit të autorit, gamën e fjalorit, shprehitë sintaksore. Në fillim librin e lexojmë ngadalë e me hezitim. Ekzistojnë shumë informacione të reja që duhet t’i pranojmë e t’i mbajmë në mend, si emrat e personazheve, marrëdhëniet e afërsisë dhe lidhjes, hollësitë kontekstuale të kohës dhe të vendit, pa të cilat nuk mund të ndiqet rrëfimi. A do t’ia vlejë gjithë kjo përpjekje? Shumica e lexuesve lexojnë disa faqe para se ta kapërcejnë pragun. Megjithatë, në dy shembujt e paraqitur këtu, hezitimi është i vogël ose inekzistent. “Pushtohemi” me fjalinë e parë të secilës pjesë. Hyrja e JaneAustenit është klasike: e qartë, e matur, objektive, me implikime ironike të stilit të fshehur nën dorashkën elegante kadife. Me sa delikatesë fjalia e parë e ndërton heroinën në tatëpjetë. Kjo do të duhej të ishte në kundërvënie me rrëfimin e Hirushes, triumfin e heroinës së nënvlerësuar, që dikur ngacmonte imagjinatën e JaneAustenit nga Krenaria dhe paragjykimi te Parku i Mansfieldit. Ema është princeshë që, përpara se ta gjejë lumturinë e vërtetë, duhet të përulet. “E pashme” (në vend të fjalës së zakonshme atraktive apo bukuroshe – aludon vullnetin mashkullor për pushtet, mbase, epitet androgjen), “e zgjuar” (term ambig për inteligjencë që, nganjëherë, përdoret në mënyrë nënçmuese, “shumë e zgjuar për të mirën e vet”) dhe “e pasur”, me gjithë asociacionet biblike dhe proverbiale mbi rreziqet morale të pasurisë: këta tre mbiemra, të kombinuar kaq hollë (në theks dhe fonologji – përpiquni t’i rirenditni) përmbledhin mashtrimin e, “gjoja”, kënaqësisë së Emës. Pasi ka jetuar për “gati njëzet e një vjet në një botë me shumë pak për t’u shqetësuar apo mërzitur”, ajo është e gatshme të zgjohet. Ema, pothuajse njëzet e njëvjeçare, moshë tradicionale e pjekurisë, tani duhet të marrë përgjegjësi për jetën e saj dhe, për një grua në shoqërinë borgjeze të fillimshekullit nëntëmbëdhjetë, kjo do të thoshte të vendoste nëse dhe me kë do të martohej. Ema është e lirë në këtë aspekt sepse ajo tashmë është “zonjë” shtëpie, rrethanë që ka ushqyer arrogancë, meqë është rritur nga një guvernate që i ka dhënë dashurinë e nënës, por (sipas nënkuptimit) jo disiplinën e nënës.

Kjo vërehet edhe më prerë në paragrafin e tretë por, në të njëjtën kohë, mjaft interesant, në diskurs fillojmë ta dëgjojmë zërin e Emës si dhe zërin e matur e objektiv të narratorit. “Afërsia midis tyre ngjante më tepër si lidhje motrash”. “Ato kishin jetuar si mikesha.”.. Në këto fraza duket se e dëgjojmë përshkrimin e vetëkënaqur të Emës për marrëdhënien së saj me guvenantën, përshkrim që e lejonte të bënte “ç’i donte qejfi”. Struktura ironike e përfundimit të paragrafit, “respektonte mendimin e zonjushës Tejlor, por, para së gjithash, vepronte me kokën e vet”, balancon simetrikisht dy deklarime logjikisht të papajtueshme dhe kështu tregohet e meta e karakterit të Emës që shprehet në mënyrë eksplicite nga narratori në paragrafin e katërt. Pas martesës së zonjushës Taylor, fillon rrëfimii vërtetë: e privuar nga shoqëria dhe nga këshillat e pjekura të zonjushës Taylor, Ema merr një ndihmëse të re, Harrietën, e cila inkurajon kotësinë e saj dhe në emër të saj jepet pas një intrige mblesërie me rezultat katastrofik.

Fjalia e famshme hyrëse e Ford Madox Fordit është marifet i pastër që kap vëmendjen e lexuesit. Ai, praktikisht, na tërheq mbi prag për jake. Rrëfimi pothuajse menjëherë përqafon karakteristikat moderne: është i paqartë, indirekt dhe shpreh ankth për zbulimin e së vërtetës. Kush na drejtohet? Ai shkruan anglisht, por nuk është anglez. Ai njeh çiftin anglez që është subjekt i “rrëfimit më të dhembshme” për nëntë vjet, megjithatë pretendon se “nuk di asgjë” për anglezët deri në çastin e rrëfimit. Fjalia e parë “që e kam dëgjuar” sugjeron se ai do ta rrëfejë rrëfimin e dikujt tjetër, por menjëherë nënkuptohet se narratori dhe, mbase, gruaja e tij, ishin edhe vetë pjesë e saj. Narratori i njeh Ashburnhamët nga afër – dhe aspak. Këto kundërvënie racionalizohen si efekt i anglicitetit, pabarazisë midis pamjes dhe realitetit në sjelljen e klasës së mesme angleze; kështu, ky fillim ka një notë ngjashmërie tematike me atë të Emës, ndonëse është më tragjik sesa argëtues në nën-tonet paralajmëruese. Fjala “e dhembshme” përsëritet në fund të paragrafit dhe fjala tjetër kyçe “zemër” (dy nga personazhet supozohet se kanë probleme me zemër, të gjithë kanë jetë të çrregullt emocionale), futet në fjalinë e parafundit.

E kam përdorur metaforën e dorashkës për ta përshkruar stilin e JaneAustenit, stil që pjesërisht shtiret autoritativ duke iu shmangur metaforës (metafora është figurë poetike e fjalës, në kundërvënie me arsyen dhe e kuptimin e përgjithshëm). Në fakt, e njëjta metaforë e dorashkës gjendet në paragrafin hyrës të Ushtarit të mirë, megjithëse me një kuptim tjetër. Këtu ajo shënjon sjelljen e njerëzishme shoqërore, sjelljen e lirshme, por të përmbajtur, që shkon me begatinë dhe shijen e hollë (dorashka “e butë” specifikohet), por aludon fshehje mashtruese ose “mbulim”. Disa enigma që ngrihen në paragrafin e parë shpjegohen shpejt – për shembull, informacioni se narratori është amerikan që jeton në Evropë. Mirëpo në këtë rrëfim shumë të dhembshme, çështje vendimtare do të jenë: besueshmëria e dëshmisë së tij dhe shtirja e vazhdueshme e personazheve të tjerë.

Sigurisht ekzistojnë pafund mënyra të tjera për ta nisur romanin. Duke e shfletuar këtë libër, lexuesi do të ketë mundësi të shohë disa sosh, sepse shpesh kam zgjedhur paragrafin hyrës të romanit ose të tregimit të ilustroj aspekte të tjera të artit fiksional (hyrja më kursen nga detyrimi ta përmbledh intrigën). Por, ndoshta, ia vlen të përmendim edhe vargun e mundë­sive. Romani mund të fillojë me një përshkrim të sfondit të peizazhit ose pamjes së qytetit si ambient kryesor i rrëfimit, siç e quan kritika e filmit, miseen-scène(mizenskena): për shembull, përshkrimi i zymtë i Egdon Heathit në hyrje të romanit të Thomas Hardyit Kthimi i vendësit, ose rrëfimi i E. M. Forsterit për Chandraporein në prozën elegante, udhërrëfyese, urbane, në hapje te Një udhëtim në Indi. Romani mund të fillojë në mes të bisedës, si në Një grusht pluhur të Evelyn Waughit, apo në veprat idiosinkratike të Ivy Compton Burnettit. Mund të fillojë me një vetëprezantim të narratorit, Më quaj Ishmael (MobiDik i Herman Melvilleit), ose duke mos respektuar traditën letrare të autobiografisë: “…gjëja e parë që, ndoshta, dëshironi ta dini, është se ku kam lindur, si ka qenë fëmijëria ime e djallosur, si ishin zënë prindërit e mi dhe gjithçka para se të vija unë, gjithë ajo broçkull e DavidCoperfildit, por nuk dëshiroj të hyj andej” (J. D. Salinger’s, Rojë në thekërishte). Romancieri mund të fillojë me një reflektim filozofik – “E kaluara është vend i huaj: atje bëhen gjërat ndryshe” (L. P. Hartley, Ndërhyrësi), ose personazhi vihet në rrezik ekstrem që në fjalinë e parë: “Hale e dinte se dëshironin ta vrisnin tri orë para se të mbërrinte në Brighton” (GrahamGreene, Shkëmbi i Brightonit). Shumë romane fillojnë me një “rrëfim kornizë” që shpjegon se si u zbulua rrëfimi kryesor ose e përshkruan atë duke ia rrëfyer një audience fiksionale. Në veprën Zemra e errësirës të Conradit narratori anonim e paraqet Marlowin duke ia rrëfyer përvojat e Kongos një rrethi miqsh të ulur në kuvertën e gomones në grykëderdhjen e Temzës (“Dhe edhe ky”, fillon Marlow, “ishte një nga vendet më të errëta të tokës”). Shtrëngimi i vidhës i HanryJamesit përbëhet nga kujtimet e një gruaje të ndjerë, e cila u lexohet me zë të ftuarve në një festë në fshat, që argëtohen me rrëfime fantazmash dhe përballen me pasoja të padëshiruara. KingsleyAmis e fillon rrëfimin e fantazmave, Njeriu i gjelbër, me një pastish argëtues të Udhëzuesit për ushqim të mirë: “Posa të kaptohet habia e gjetjes së një bujtine në më pak se 40 milje nga Londra – dhe 8 nga M1 – do të mahniteni me vlerën e tarifës së barabartë angleze.”.. Italo Calvino te Nëse një natë dimri një udhëtar, nis kështu: “Jeni gati ta filloni leximin e romanit të Italo Calvinos, Nëse një natë dimri një udhëtar. Zgjimi i Fineganit i James Joyceit nis në mes të fjalisë: “rrjedhës së lumit, përtej Evës dhe Adamit, nga devijimi i bregut në lakoren e gjirit, kthen ciklin vicioz përsëri në Kështjellën Howth dhe Environ”. Fragmenti i munguar e mbyll librin: “Rruga e vetme e fundit e dashur e gjatë e” – duke na kthyer kështu sërish në fillim, si cikli i ujit në natyrë, nga lumi në det në re, në shi në lumë dhe si produkt i pafund i kuptimit të leximit të fiksionit.

(Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi)

Leave a Reply

Your email address will not be published.