FILOZOFI QË NUK ËSHTË NJOHUR MË PARË

Aretesi kishte arritur në përfundimin se bota kalon nëpër cikle të rregullta ndriçimi dhe degradimi apo shkatërrimi (cataclysmos), të cilat ndodhin çdo 5552 vite

Dorian HATIBI

Qyteti i Durrësit përgjatë historisë është shquar për arkitekturën e spikatur, artin, portin dhe veprat e mëdha inxhinierie, por pak jemi njohur me filozofët e qytetit. “Aretesi i Durrësit” ishte një filozof dhe astronom që mendohet se jetoi në periudhën e antikitetit dhe sipas burimeve historike të zbuluara së fundmi qëndronte përkrah kolosëve të filozofisë, si Aristoteli dhe Herakliti.

Në vitin 238 të Erës Sonë (e.s.), një autor latin me emrin Censorinus, ka shkruar një vepër të titulluar De Die Natali. Në këtë përmbledhje ai i referohet edhe një personazhi që ai e quan Aretes Dyrrachinus (Aretesi i Durrësit). Deri më sot nuk kemi asnjë referim tjetër në lidhje me Aretesin dhe çdo informacion në lidhje me të na vjen nga Censorinusi. Por, ndoshta kaq na mjafton për të vizatuar siluetën e këtij mjeshtri të antikitetit.

Më tej në veprën e tij, Censorinus, është orvatur të bëj një përmbledhje të dijes së deri atëhershme dhe historisë së njerëzimit, duke pasur si pikë referimi atë që greket, duke filluar me Esiodin, e quanin Magnus Annus (Viti i Madh), ndërsa romakët si Ovidi e quanin Aurea Aetas (Viti i Artë). Ky ishte një konceptim filozofik që e shihte jetën dhe historinë si një cikël i cili përsëritet vazhdimisht, ku një “periudhë e artë” pasohet nga një “periudhë e argjendtë”, pra më pak e shkëlqyeshme.

Aretes gëzonte një reputacion shumë pozitiv ndër intelektualët e kohës, përderisa citohet në mesin e figurave të tilla si Aristarku i Samos, Aristotelit dhe Heraklitit. Ai ka qenë një kronograf, pra një historian i cili e mbështeste punën e tij historiografike mbi idenë filozofike greke të Magnus Annus.

Pikë së pari, pavarësisht se ne nuk e dimë periudhën e saktë kur Aretesi ka jetuar, mund të deduktojmë nga disa të dhëna të tërthorta që jep vetë Censurino. Për shembull, ai shprehet se vepra e tij është një “ripunim” i veprave të humbura tashmë të historianëve dhe filozofëve Marcus Terentius Varro (116 Para Erës Sonë [p.e.s] – 27 p.e.s) dhe Gaius Suetonius Tranquillus (69 e.s – 122 e.s). Pra, nga këtu mund të mendojmë se edhe Aretesi ka qenë pjesë e veprave të ndryshme historike dhe filozofike të paktën që nga shekulli I p.e.s.

Diçka tjetër mund të na thotë edhe vetë emri Aretes, qartësisht me origjinë helene dhe mbiemri Dyrrachinus, qartësisht romak. Nga këtu mund të dalim në përfundimin se bëhet fjalë për një personazh që ka jetuar pasi Roma nisi sundimin mbi qytetin e Dyrrahut, por kur ky ishte ende nën influencën e fortë kulturore helene.

Kështu mund të ngushtojmë periudhën e ekzistencës së tij në qytet nga gjysma e dytë e shekullit II p.e.s deri aty nga fillimi i gjysmës së parë të shekullit I p.e.s, pra midis viteve 150 p.e.s. – 50 p.e.s. Diçka më tepër dhe më të sigurt ne nuk dimë në lidhje me veprën dhe mendimin e tij, i cili na përcillet nga Censurino më me detaje.

Aretesi kishte arritur në përfundimin se bota kalon nëpër cikle të rregullta ndriçimi dhe degradimi apo shkatërrimi (cataclysmos), të cilat ndodhin çdo 5552 vite. Ky vit (ose “Viti më i Madh”, siç e quante Aristoteli) niste kur dielli, hëna dhe të gjitha planetat përfundonin kursin e tyre dhe riktheheshin në pikën e origjinës. Dimri i atij viti ishte tmerrësisht i ftohtë dhe i gjatë, ndërsa vera jashtëzakonisht e nxehtë dhe e zjarrtë. Aretesi pra ishte edhe një njohës shumë i mirë i astronomisë.

Me siguri ai ka qenë autor i ndonjë vepre të njohur për kohën, e cila fatkeqësisht nuk ka arritur të vij deri në ditët tona, vepër e cila me sa kuptohet duhet të ketë mbijetuar deri në kohën e Censorinos, pra deri në mesin e shekullit III. Tërmeti i dhunshëm i vitit 345 të Erës Sonë, i cili me siguri shkatërroi bibliotekën e qytetit, dyndja e popujve dhe plaçkitjet që pasuan i dhanë goditjen tjetër. Dyrrahu i rraskapitur mes gjëmash natyrore e rrokopujash politike për pak e harroi filozofin e vet, i cili për nga referimi i qëndronte në krah më të mëdhenjve të kohës së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.