“FINDLEJ” DHE DASHURIA TOKËSORE TE ROBERT BËRNS

Robert Bërns është një indicie kuptimplote e lëvizjes romantike dhe poezia “Findlej” përbën pikërisht një nga shtyllat e ndjenjës së vrullshme dhe dashurisë së pastër tokësore, duke paraqitur heronj lirikë të një formati të veçantë

Majlinda Nana RAMA

“Kush troket kaq vonë në derë?” – ky është vargu hyrës i bardit skocez, Robert Bërns në poezinë me titull “Findlej”. Nuk është një pyetje retorike. Ajo që të bën përshtypje në pamje të parë, është pikërisht nocioni kohë: “kaq vonë”. Kush mund të trokas netëve vonë? Ndonjë shtegtar i vonuar, ndonjë kalorës që ka humbur rrugën, ndonjë bujtës i rastësishëm apo…? Është dikush që lëshon një sinjal pakëz të lehtëshquar dhe pakëz dyshimtar, ndaj dhe pyetja është: “Kush troket kaq vonë në derë?”, një pyetje me një zëth femëror. Dhe përgjigjja: “Jam unë!” që vjen përtej trokëllitjes së lehtë të derës. Është një përgjigje pa përmendur emër dhe ajo as që vazhdon më tej me një tjetër pyetje: “Kush ti?”. Pikërisht kjo heshtje dhe kjo mungesë e pyetjes së dytë, e tradhton vajzën, e gjen atë disi të papërgatitur ndaj asaj që ndjen dhe asaj që përpiqet të shprehë. Pra, ky qenka zë i njohur për të, domethënë, nuk është hera e parë që trokitet në këtë derë, nuk është hera e parë që ai vjen në dritën e hënës dhe vëzhgimin e yjeve për të trokitur në këtë derë.Por trandja e vajzës flladitet edhe më tej. Ajo i kujton vetvetes se ndihet e sigurt në atë që ka arritur, një dashnor i krisur që rrezikon orë e çast për të mbërritur te zemra, rrahjet e së cilës duhet të ruajnë qetësinë, por s’mund; duhet të ruajnë fshehtësinë, por që prapë s’mund.

Po si guxove të më vish?

“Guxova!”- tha Findlej…

Guxim kalorësiak? Ndonëse nuk është një poezi e damave mesjetare… Mjafton t’u referohesh këtyre vargjeve dhe sheh se Ajo kuturiset llastueshëm, kërkon të dëgjojë dhe bindet nga Ai se është i gatshëm për sfida si kjo e kësaj nate verbuese.

Bërns nuk do të ndalet thjesht dhe vetëm te njëra anë e medaljes, ajo e sakrificës së të rinjve, por vargu i tij merr përmasa më shumë se dimensionale. Autori parasheh në krijimin e tij dashurinë si nocion dhe këndvështrim gjithpërfshirës, duke tingulluar deri në thekje “alarmin” e idilit.

Ajo parashtron, Ai pohon; Ajo thërret, Ai përgjigjet; Ajo lëshon klithmën e parë të parantezës së dashurisë, Ai prapë bëhet pohues deri në vetëmohim: “Do të vij përsëri!”… Autori jo më kot e ka bërë këtë zgjedhje, duke i besuar në rastin konkret detajit, çastit, fjalës – buruar të gjitha këto nga thellësia e ndjenjës.

Ja, do provoj të të fus brenda.

“Provoje!” tha Findlej

Te rrimë tok, siç na ka ënda

“Do rrimë!” tha Findlej.

Të dy mezi presin. Të dy rendin. Të dy gulçojnë e gufmojnë në poezinë e Bërnsit. Ky i fundit, nëpërmjet fjalës së thjeshtë dhe një vargu që vjen natyrshëm, ka arritur të na servirë një tablo të qartë të asaj që duket para derës dhe të asaj që shfaqet underground. Duke iu referuar këtyre vargjeve, shihet qartë një flakë, prushi i ndezur dashuror. Nuk na jepet limitim, as kornizë e asaj që do të ndodhë, por na jepet shumë më shumë e aspak më pak:

   “Të rrimë tok siç na ka ënda”

E si mund t’ua ketë ënda të rrijnë bashkë dy të rinjve? A munden ata t’u bëjnë ballë krizave që kap çdo ind pranë njeriut që do? Çfarë mund të ndodhë më tej? Autori në asnjë rast nuk na tregon se aty bëhet fjalë për një vajzë dhe një djalë që duhen dhe as na jep momente ku ai i thotë dikund: “Të dua!”.

Por gjithçka flet, rrëfehet, ndërthuhet nga ky minidialog para dhe pas derës, mbi dheun e kaftë, nëpër trokëllimat e kuajve pa frè dhe nën vallen e saponisur të yjeve. Robert Bërns është një indicie kuptimplote e lëvizjes romantike dhe poezia “Findlej” përbën pikërisht një nga shtyllat e ndjenjës së vrullshme dhe dashurisë së pastër tokësore, duke paraqitur heronj lirikë të një formati të veçantë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.