FORMA

Në studimin Historia e gjashtë nocioneve, studiuesi Wladyslav Tatarkiewicz, përcakton disa paradigma të formës estetike

Afrim REXHEPI

Historia e estetikës dallon disa paradigma të formës të cilat janë esenciale në definimin dhe të kuptuarit e veprës artistike. Në studimin Historia e gjashtë nocioneve, studiuesi Wladyslav Tatarkiewicz, përcakton disa paradigma të formës estetike. Në tekst i përcaktojmë edhe dy paradigma të tjera të formës estetike, siç janë: forma e hapur ose non finito forma dhe loja si formë estetike. Forma është sistem i elementeve në tërësinë e vet; Forma i është dhënë shqisave për t’u shijuar; Forma është kontura apo përkufizimi i objektit; Forma është formë substanciale; Forma është gjykim i arsyes së pastër ndaj objektit; Forma është shprehje e funksionit; Forma është shprehje e shpirtërores; Format e paradhënia dhe formëzimi i tyre; Format e përhershme; Forma dhe variantet e formës; Forma është element shpirtëror i veprës artistike; Forma është konvencionale; Forma është interpretim psikologjik; Forma e përshkallëzuar; Finito dhe nonfinito forma dhe Loja si formë estetike.Interpretimi psikologjik i formës estetike pikëfillimin e vet e ka në teoritë për metodat eksperimentale të studimit, të shfaqura kah fundi i shek. 19. Metodat eksperimentale të Viliem Fehner dhe V. Vunt, aludonin që fenomenet a objektet në kohë – hapësirë të studiohen jo nga e përgjithshmja apo abstraktja (sistemet teorike të Hegelit, Kantit, Shilerit), por nga gjërat konkrete me të cilat mund të eksperimentojmë. Në kontekst të kësaj, estetika si disiplinë humanistike, varësisht nga metodat e studimit: konkrete apo abstrakte, u nda në: estetikë “e lartë” që merrej me çështje metafizike dhe universale dhe estetikë “e ulët” që merrej me studimet e gjërave konkrete e reale. Duke e definuar estetikën e cila zhvillohej përmes eksperimentit, Fehner definoi tri metoda eksperimentale në interpretimin psikologjik të formës: metoda e selektimit të elementeve që e përbëjnë formën; metoda e konstruksionit apo e lidhjes së elementeve në tërësi dhe metoda e perceptimit psikik të formës. Pra, sipas geshtalt – teorisë, formën e interpretojmë në tërësinë e vet e jo përmes elementeve të veçuara. Organizimi perceptiv që ndodh në psikën tonë kur i vështrojmë elementet e lidhura njëra me tjetrën në tërësi, është thelbi i geshtalt – teorisë. Organizimi perceptiv realizohet përmes ngjashmërisë midis pikave (elementeve), selektimit të tyre, përsëritjes, afërsisë dhe lidhjes së tyre në një grup të vetëm. Organizimi perceptiv krijon formën, edhe pse mungojnë disa elemente të formës. Përmes psikës e perceptojmë formën edhe pse formës i mungojnë disa elemente. Geshtaltistët, më parë nuk i perceptojnë elementet e pastaj formën, ata më parë e perceptojnë formën, ngjashëm me melodinë të cilën e dëgjojmë si formë e nuk i dëgjojmë elementet e kompozimit. Një observim i tillë teorik, i shfaqur midis dy luftërave botërore, u bë pikë qendrore kaluese e formës teorike e definuar si “psikologji e formës” ose si “konfigurim” / geshtalt – teoria. Geshtalt – teoria ka gjetur zbatim të duhur në teorinë estetike nga Rudolf Arnhajm. Geshtalt – teorinë e tij, Rudolf Arnhajm e zbatoi në artet pamore. Sipas tij, “perceptimi nuk është përjetim mekanik i elementeve, por konceptualizim i strukturave kuptimore” (Arnhajm, 1962: 85).

Sipas Rudolf Arnhajm, perceptimi dinamik është thelbi i përvojës estetike. Arnhajm zhvilloi idenë që perceptimi vizual përbëhet nga përjetimi i forcave vizuale dhe se përjetimi nuk është vetëm përjetim direkt i elementeve të gjetura në fushën vizuale, por është vetëdije e disa kualiteteve dinamike që shprehen në vepër. Format e gatshme të cilat mund t’i definojmë e t’i perceptojmë, nuk ekzistojnë. Është i nevojshëm interpretimi konstruktiv, pra aktiv i formave që dalin nga realiteti fizik. Sipas Ernst Kasirer, nuk duhet pranuar fakti që format janë materie të vulosura në vetëdijen tonë, përkundrazi format duhet të prodhohen përmes procesit të semiozës, përmes interpretimit të kuptimeve që dalin nga realiteti fizik. Interpretimi i kuptimeve nga realiteti fizik mundëson krijimin e formave simbolike, siç janë: miti, religjioni dhe arti. Në këtë kontekst, Kasirer pohon që arti është një formë e tillë simbolike që na mundëson ta vizualizojmë realitetin fizik, ta ndjejmë më thellë atë duke depërtuar në strukturat formale të saj.

“Ashtu siç ekziston thellësia konceptuale, ashtu ekziston edhe thellësia vizuale. E para zbulon dijen, e dyta artin. Dija apo njohuritë ndihmojnë ta njohim larminë e gjërave, kurse arti na mundëson ta shohim, ta ndjejmë larminë e formave” (Kasirer, 1978: 217).

Leave a Reply

Your email address will not be published.