Në vitin 1949 Shqipëria nuk kishte ende një Ministër Kulture, por kjo figurë e lartë institucionale përfaqësohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Kulturës, detyrë me të cilën u ngarkua Frano Jakova. Pikërisht tim eti iu besua drejtimi i filmit “ Skënderbeu – Luftëtar i Madh i Shqipërisë”
Përgatiti: Valbona JAKOVA
Shumë herë kam dashur të kuptoj përse disa popuj janë më me fat se disa të tjerë. Në vija të përgjithshme, çdo individ, është në gjendje të japë një përgjigje mbi këtë argument pa hyrë në detaje filozofike. Është koha që zgjedh njeriun, është njeriu që zgjedh kohën apo është fati që i përmban këta faktorë?
Gjithashtu mund të themi se zgjedhjet, apo më mirë zgjedhja e çdo veprimi, si një akt vendimtar i pakthyeshëm në çdo moment të jetës, ka një rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin e cilësisë shpirtërore e morale të secilit, pasi, në thelb, mbart një peshë të rëndësishme ndërgjegjësore. Dihet, fati i njeriut varet nga koha, nga epoka ku ai u gjind bashkë me të tjerë për të krijuar historinë përkatëse të asaj periudhe, për të hyrë në kujtesën historike të pasardhësve të tij, për të lënë gjurmë me bëmat e tij të mira.
Këto gjurmë nuk humbasin kurrë pasi në çdo shoqëri ku mbizotëron një moral i shëndosh njerëzor, çdokush, përpara skandaleve dhe akteve me origjinë vëllavrasëse prej Kaini, nuk duhet dhe nuk mund t’i aprovojë ato në asnjë mënyrë. Këta trashëgimtarë të mbarsur me farën e Kainit, përgjatë historisë, janë mburrur më të shëmtuarën e ligësisë, kanë predominuar mbi masat me mënyrat më çnjerëzore të terrorit duke dashur të infektojnë dhe të influencojnë të lëkundurit, të dobëtit, të pangrënët, të paarsimuarit.
Sëmundja e diktatorëve, ka qenë dhe mbetet gjithmonë, egocentrizmi. Për ata, qendra e universit është gjithmonë uni, vetvetja, një bosht i tmerrshëm i rrotullimit marramendës, mjerues, pafundësisht i dhimbshëm për fatet e popujve. “Vrima e zezë e egocentrizmit është pa fund” (Philiph Roth). Pra në këtë greminë, në këtë humnerë, shtyhet të bjerë në një rënie gllabëruese me kthetra kafshërore, jeta njerëzore. Jetesa njerëzish sakrifikuar boshtit të pashmangshëm të një “Uni” të vetëm, hapësirë e zbrazur zemre pa rrahje dhe shpirt. Përcaktimet në këtë drejtim janë pafundësisht të ndryshme sipas natyrës së dhimbjes që provon çdo njeri kur përballet me konsekuencat e ligësisë së padrejtësisë. Këto marrin formën dhe substancën më kuptimplotë kur ndeshen me të mirën fisnike, medituese, qetësuese pasi fatmirësisht ekzistojnë dhe altruistët, bamirësit, mësuesit e vlerave të fjalës së bukur.
Më ka vrarë gjithmonë ndërgjegjja që nuk kam bërë asgjë për memorien e prindërve të mi, ndoshta nuk ishte faji jonë pasi kemi jetuar gjithë jetën me terrorin e mosekzistencës së një të nesërmeje apo të ardhmes së pashpresë, përndjekjes gllabëruese që hap vetëm varre në shpirtra të pafajshëm.
Gjatë kohës së rritjes, brenda vetes, më vërshonin papushim mendime mbi jetën dhe botën rrethuese. Ne, të persekutuarit e regjimit, nuk kishim të drejtë të shkruanim. Familja jonë përbëhej nga katër vajza dhe dy djem. Unë isha e katërta dhe ndieja në mendjen time, furinë e fjalëve që i drejtoheshin dikujt diku. Ishin biseda mbi drejtësinë dhe padrejtësinë. Ndodhesha në ndërtesa të papërcaktuara të imagjinatës adoleshente me njerëz të panjohur të njëfarë rangu. Akuzat ishin të përditshme, sikundërse të përditshme ishin edhe padrejtësitë. Njëra prej padrejtësive më të mëdha ishte fakti i internimeve pa fund, spostimeve nga njëri vend te tjetri me destinacion zonat më të egra dhe më të ftohta malore. Shtëpitë ku na sistemonin ishin të survejuara nga njerëz të posaçëm dhe nga aparate regjistrimi, gjë që ne të gjithë e dinim. Ishim të detyruar të mos jepnim mendim kudo që të ndodheshim dhe të mos flisnim. Prindërit kur kishin diçka për të komunikuar, dilnin jashtë dhe bënin një shëtitje.
Më kujtohet një ndodhi që tregonte xhaxhai im, Filip Jakova, që gjatë verës priste në shtëpinë e tij në Durrës, të gjithë nipërit dhe mbesat e tij me bujarinë e kryetarit të fisit. Në sjelljen e tij mbizotëronte një lloj fisnikërie e lindur, ndërsa fjalët e matura deri në përsosmëri, impononin respekt dhe autoritet. Kishte një lloj inteligjence matematike, por sikundërse ndodh me dhuntitë e pasura të mendjeve të ndritura, dispononte gjithashtu edhe aftësi shumë të mira letrare në fushën e përkthimit, të interpretimit analitik. Kishte prirje oratorie të spikatura me një sintezë gjykimi mjaft të drejtë dhe të paanshme.
Kështu, kur ishim mbledhur te ai, na tregoi një episod kur ishte sëmurur në burg dhe e kishin shtruar në spital. I kishin dhënë leje Arsinoit, gruas së tij, ta vizitonte. Poshtë shtratit i kishin vënë një regjistrues zëri. Duke e ditur një gjë të tillë, sapo hyn e shoqja, i bën me shenjë praninë e aparatit. Hyn në dhomë një infermiere që pasi lajmëroi mbarimin e afatit të takimit, ngriti nga shtrati xhaxhain dhe menjëherë rrëmben komplet dyshekun bashkë me aparatin regjistrues të asaj kohe. Kjo natyrisht, ishte një skenë tragjiko-komike, pasi infermierja e turnit që kuronte xhaxhin, nuk donte që pacienti të ndërronte shtrat, si përfundim nisi një grindje mes tyre dhe të dyja u përleshën në një mënyrë komike derisa me në fund, ajo që ishte aty me mision, ulëriu duke thënë: kam urdhër nga lart!
Njeri guximtar dhe siç ndodhë në përgjithësi me shkodranët, kur rrëfejnë një ngjarje, e bëjnë për dy arsye me të njëjtën peshë: e para për t’i dhënë kënaqësi dëgjuesit, e dyta, për t’i thënë kujdes, udhët e jetës janë të mbushura me kurthe.
Im at, Frano Jakova, pas luftës, punoi në detyra të ndryshme. Punonte në Kontrollin e Shtetit para se ta emëronin Sekretar i dytë i Ambasadës Shqiptare në Moskë. Në këtë periudhë, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, erdhi në Moskë vëllai i tij, Filipi, për të vazhduar studimet universitare të filluara në Universitetin e Zagrebit.
Në vitin 1951, ai u diplomua në Bashkimin Sovjetik, Moskë, për Ekonomi, dega plan, me rezultate të larta, duke u cilësuar njëri nga katër studentët më të mirë të kursit. Emërohet në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme në detyrën e zëvendësministrit, funksion që e mbajti deri në vitin 1955, kur ndodhi goditja e Tukut.
Vëllezërit nuk mundën të kalonin bashkë një kohë të gjatë pasi po atë vit, tim eti i erdhi urdhri të kthehej. Natyrisht, i përkisnin një rangu të lartë politik dhe pozicione të tilla pune, ofrojnë mundësi të bukura jetese.
Në Moskë, tre motrat e mia shkonin në kopshte javore. Unë nuk kisha lindur aso kohe. Prindërit kishin leje të shkonin dhe t’i takonin gjatë javës. Si diplomat i Ambasadës Shqiptare, ishte njohës i mirë i gjuhës ruse dhe në prani të kujdestareve ruse, duhej të flisnin rusisht. Ndodhte që motrat, me rusishten e tyre të vinin në një pozicion të vështirë veçanërisht mamanë, në raste të tilla ndërhynte im at duke gjetur formulën më të përshtatshme për ta nxjerrë nga situata. Në fakt, si fillim në Moskë shkoi im at pa familjen, pasi mamaja ishte në pritje të motrës së tretë. Pas lindjes, ajo dhe tre motrat, do të shkonin në Odesë me anije dhe prej aty në Moskë, me avion.
Im at qëndroi në Moskë katër vite, nga 1949 deri më 1951. Pikërisht në vitin 1949, një delegacion i Qeverisë Shqiptare me në krye Enver Hoxhën, do të shkonte në Moskë për t’i kërkuar Qeverisë së BRSS një bashkëpunim midis kinematografisë shqiptare dhe asaj ruse mbi Skënderbeun, heroin tonë legjendar!
Në atë kohë, Shqipëria nuk kishte ende një Ministër Kulture, por kjo figurë e lartë institucionale përfaqësohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Kulturës, detyrë me të cilën u ngarkua Frano Jakova. Pikërisht tim eti iu besua drejtimi i filmit “ Skënderbeu – Luftëtar i Madh i Shqipërisë”
…Filmi “Skënderbeu- Luftëtar i madh i Shqipërisë”, për herë të parë në vendin tonë, u shfaq në Qytetin “Stalin”, ku ekzistonte një lagje e tërë me specialistë sovjetikë, që punonin në fushën e naftës, në prodhim dhe në institute studimore. Thuhet se kanë qenë rreth 350 familje sovjetike… ₁
Fatkeqësisht sot nuk flitet më për këtë film që u shfaq, “më 3 prill 1954 në Kanë ku u zhvillua Festivali 7 Ndërkombëtar i filmit .“Filmi “Skënderbeu” në Festivalin e Kanës pati sukses dhe u shfaq më 26 mars. Vetëm delegacioni italian iku nga salla. Çmimi i madh iu dha filmit japonez “Porta e ferrit”. “Skënderbeu” dhe disa filma të tjerë morën çmimin Internacional. Ai mori çmimin e parë si regjisurë, Jutkeviçi, dhe çmimin e parë teknik nga komisioni i lartë teknik i kinemasë përsa i takon ngjyrave. Përpara fillimit të festivalit, ambasada turke në Paris kishte protestuar pranë jurisë që filmi mos të shfaqej. Jehona e tij ishte e madhe. Tri shoqëri franceze kanë kërkuar 40 ose 50 kopje që të shfaqet filmi në Francë, dublazh frëngjisht. Italia kërkon ta blejë me kusht që të bëhen disa shkurtime”.
Duke jetuar sot në Itali, mendoj se do të ishte diçka me vlerë të flisnim edhe për të kaluarën. Të tregosh për figurat e mëdha, është detyrë patriotike e çdo atdhetari. Një hero legjendar si Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka hyrë dhe mbetur në historinë e vendit tonë dhe jo vetëm, për vetitë e tij të rralla prej strategu me mendje dhe forcë thuajse mbinjerëzore. Në fakt nuk ka vdekur, e gjejmë jo vetëm si emër, por edhe si bust të vendosur me shumë krenari në të gjitha krahinat e Italisë ku jetojnë arbëreshë.
Filmi është mishërimi i kujtesës, i memorieve jetuese lehtësisht nga një brez te tjetri. Na tregojnë se nga vijmë për të kuptuar më mirë se në ç’drejtim duhet të shkojmë. Kinematografia ka avantazhin të tregojë shumë më tepër. Skenat e një filmi ngulisin në memorie fakte të pashlyera të popullit tonë, pasi filmi është autobiografik dhe si i tillë zhvillon ngjarjet e asaj kohe. Pra filmi ka si detyrë të përfaqësojë kohën dhe të ringjallë njeriun, vlerat, përmes personazhit.
Më 24 prill 1954, Presidiumi i Kuvendit Popullor dekretoi kolektivin që mori pjesë në realizimin e filmit “Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë”. Midis tyre me Urdhrin e Punës së Klasit II: Frano Mark Jakova.
Im at u nda nga ne në vitin 1994. Ai na la kujtimin e shumë dekoratave të tij, të cilat i ruante si një thesar të çmuar bashkë me fotografitë e filmit të cilin pati fatin ta drejtonte dhe të ishte i pranishëm gjatë zhvillimit të skenave të realizuara në Shqipëri, shpesh duka na treguar edhe episode dhe ngjarje rreth xhirimit...