FRANZ KAFKA, NJË BRUMBULL SUI GENERIS

Njerëzit për Kafkën, njëlloj si dhe sendet, janë forma dhe jo substanca e kjo vihet re sidomos tek Metamorfoza, Fqinji, Ura etj

Dr. Iris HALILI

Thonë se me Kafkën, letërsia rresht se qeni roman me histori. Ai krijoi një univers më vete, me apo pa të në qendër, s’ka rëndësi. Qysh atëherë, edhe universi ynë punon ndryshe. Ai ishte hebre me origjinë, por kultura e tij mbetet ajo çeko – gjermane. Mbahet të jetë një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XX-të. Njihet si përfaqësues i modernizmit, një ndër eksperimentalistët më të mëdhenj, përfaqësues i avant-garde-ës, profeti i të sotmes dhe i të ardhmes. Në mes gjithë “izmave”, mbeti sui generis. Kuptohet që, si të gjithë gjenitë, edhe Kafka nuk lindi ex-nihilo. Rrënjët e tij të ndërthurura e të koklavitura, mund t’i gjejmë tek dy klasikët e mëdhenj rusë, Gogol’ dhe Dostoevskij. Këtu le të kujtojmë studiuesin Maurice Blanchot (1907-2003), i cili përcakton Gogol’-in si pikën mbështetëse “të levës” së Dostoevskij-t. Sipas kësaj lidhjeje zinxhir, eci modernizimi duke ardhur nga shekulli i XIX-të tek ai i XX-të. Në gjysmën e parë të shekullit, trekëndëshi mund të formohej sipas skemës: Kafka, Proust dhe Joyce. Ndoshta, është momenti të shënojmë se format më origjinale të shekullit XX-të, si dhe më tipiket për të, i gjejmë në katër dekadat e para. Këtu kemi, pothuaj të formësuar, gjithçka që do të vinte më pas.

Si ndër përfaqësuesit më të shquar të botës letrare të shekullit, Kafkën e kanë studiuar dhe s’e kanë kuptuar deri në fund, e kanë kuptuar dhe sërish janë befasuar. Atë e kanë cilësuar si strukturalist, nisur nga ideja e shpallur në veprën e tij sipas së cilës rëndësi nuk ka qenia, por relacioni, jo subjekti, por struktura. Njerëzit për Kafkën, njëlloj si dhe sendet, janë forma dhe jo substanca e kjo vihet re sidomos tek Metamorfoza, Fqinji, Ura etj.

Kafka si religjionist

Njëkohësisht, është cilësuar si religjionist. Parimi kafkian është: nuk ka Zot, por duhet të ketë. Në disa fiction të tij, Kafka duket se ka qenë jo pak i lidhur me teorinë e Z. Freud-it. Kështu, tek pjesëzat: Qeni, Urithi gjigand, Strofka etj, vihet re, pak a shumë, një përpjekje mekanike për të bërë një formulë letrare, me tendencën e lidhjes së psikoanalizës me fenë. Kafka është etiketuar nga kritika edhe si ekspresionist. Kjo, ndoshta, sepse vepra e tij shfaqet si një shprehje e plotë e botës subjektive të shkrimtarit. Të krijohet përshtypja se shkrimtari imiton ëndrrat e këqija, në të cilat njeriu gjendet para situatave më absurde.

Pothuaj të gjithë studiuesit i bashkon mendimi se Kafka është natyralist dhe mban të gjitha tiparet e këtij drejtimi. Vepra kafkiane mbron parimin darvinian, sipas të cilit tek njeriu, ana fiziologjike është më e rëndësishme se ndikimi social, tipar që e gjejmë të plotë tek natyralisti më i madh i të gjitha kohërave, Émil Zola. E gjitha kjo, e gjen veten brenda një arti, ku pasqyrohet bota e brendshme, intime dhe fiziologjike e njeriut. Tipik këtu paraqitet Shartimi. Të lexosh Kafkën dhe të mos e njohësh atë si paraekzistencialist, do të qe e pamundur. Kjo bindje rritet, po të kihet parasysh se shkrimtarin e madh mendohet ta ketë tërhequr vepra e paraekzistencialistit Kierkegaard. Shembull tipik, janë: Një relacion akademik, Ura, Porta e ligjit, Hiq dorë etj. Gjithsesi, akoma sot, studiuesit nuk kanë mundur të japin përfundimet e plota për modernistin – avant-garde-istin Kafka, sikurse mbeten të pashpjegueshme deri në fund analizat për Proust-in dhe Joyce-in. Duke marrë shkas nga terminologjia e semiologut të madh Roland Barthes (1915-1980), kujtojmë se pikërisht, me këta modernistë të mëdhenj lind letërsia “e shkrueshme”, që i zë vendin traditës së letërsisë “të lexueshme”. Zbërthimi i kësaj teze, do të thotë se letërsia që kemi në dorë është një letërsi, e cila jo gjithmonë kuptohet njësoj nga receptues të ndryshëm. Pikërisht, për këtë ajo quhet “e shkrueshme”. Rrjedhimisht, kjo të çon tek ideja e tekstit të hapur, ku receptuesi vihet në rolin e rikrijuesit.

Një krahasim midis Metamorfozës dhe një relacion akademik

Metamorfoza e F. Kafkës u botua, për herë të parë shqip në revistën Bota Letrare. Receptuesit shqiptarë kur e lexuan, u habitën e nuk kuptuan asgjë nga kjo letërsi. Ata shkuan më tej: menduan se përkthimi ishte i dobët . Tentuan të injoronin vlerat e shkrimtarit. Të gjithë i kishin sytë nga klasikja, në fund të fundit, letërsi e mirë është ajo që njihet dhe kapërdihet nga shumica. Pse ndodhi kështu?! T’i përgjigjesh kësaj pyetjeje do të thotë t’i jesh përgjigjur një tjetre më parë: “Përse Kafka mbetet enigmatik për receptuesin hipotetik të të gjitha kohërave? Përgjigja, sidomos sot, është e thjeshtë. Kafka u shfaq dhe do të shfaqet për shumë kohë e breza, si shkrimtar avant-garde. I tillë, u paraqit që me botimet e para, i tillë vazhdoi të mbetej edhe më vonë, kur studiuesit filluan ta qëmtonin seriozisht veprën e tij. Ndoshta, Kafka e kishte parandjerë një gjë të tillë, ndaj dhe i që lutur mikut te tij Max Brod-i, t’i digjte veprën. Por Brodi e tradhtoi dhe bota kështu fitoi një gjeni dhe një letërsi më shumë. Jo gjithmonë tradhtitë vijnë për të na bërë keq. Me sa duket paska edhe tradhti që na shërbekan. Receptuesi shqiptar, i sapodalë nga një traditë censure, do ta kishte të vështirë të përshtatej. Në studimet receptive kjo duket se ka një vend të veçantë, pasi në mënyrë “biologjike” lidhet me pritjen që i bën publiku një vepre. Kuptohet që pritja ka lidhje me një shije të caktuar, që gjithsesi, publiku e ka. “Biologjikisht” publiku është thirrur të gjykojë veprën, sipas përshtatjes me këtë shije. Duke hequr paralele, le të kujtojmë se, kur Kafka iu prezantua publikut europian, ai ishte përshtatur me shijen e klasikëve të mëdhenj si: Tolstoj, Balzac, Dickens, por edhe me Gogol’-in dhe Dostoevskij-n. Kafka sigurisht, kishte shkelur normat, kishte shpërfillur pritjen e publikut, kishte injoruar tregun, domethënë, kishte shmangur plotësisht, horizontin e pritjes, duke na ofruar një letërsi kryevepër dhe largpamëse. Paralelja me receptuesin shqiptar të 1991-shit dhe atë hipotetik, le të themi, të 1926-ës, është afërsisht e pranueshme. Kjo pasi edhe censura komuniste kishte lejuar tregun e romaneve klasike, gjë që kishte sjellë kultivimin dhe, rrjedhimisht, përshtatjen me një shije pak a shumë të përcaktuar. Por të mos harrojmë se pak më parë thamë që paralelen mund ta heqim vetëm përafërsisht dhe kjo pasi lexuesi hipotetik i ‘26-ës vërtet u habit nga Kafka, por ai ishte i përshtatur me këto habi, po të kujtojmë se ai njihte Baudelair-in dhe, bashkë me të gjithë, simbolizmin e famshëm të shekullit të shkuar, si dhe jetonte në një kohë të çuditshme, domethënë në një kohë kur shumë drejtime letrare skandalizonin publikun. Ndërsa lexuesi shqiptar, megjithëse jetonte në 1991-shin, nuk i njihte këto rryma që dehnin turmat me modernizëm. Fatkeqësisht, ai nuk njihte as klasikët e përmasave të Dostoevskij-t etj. Kjo na çon në mendimin se edhe kultivimi i shijes letrare të receptuesve shqiptarë, lë shumë më tepër për të dëshiruar, se ai i lexuesit hipotetik të ’26-ës në Evropë. Rrjedhimisht, horizonti i zymtë i pritjes së lexuesit të 1991-shit në Shqipëri, do të qe më i ngushtë se sa i lexuesit të hamendësuar të 1926-ës në Evropë. Mund ta heqim këtë paralele të thjeshtë, në të dyja rastet është mëse e kuptueshme. Kafka mbetet i vështirë në receptim, i pakapshëm në përfundime dhe paraprijës në pritje, cilado qoftë koha dhe receptuesi i çfarëdoshëm që njihet me të. A do ta kemi këtë fenomen më 2026?! Le të guxojmë të sygjerojmë se ndoshta po. Sipas gjasave të deritanishme, mund të themi se Kafka rri e pret aty, në vendin e vet, i qetë si asnjëherë në jetë.

Metamorfoza dhe metamorfozat

“Kur një mëngjes Gregor Zamza u zgjua pas ëndrrash të trazuara, vuri re se në krevat qe shndërruar në një kandërr të përbindshme” . Kështu fillon Metamorfoza, një ndër kryeveprat e letërsisë së shekullit të XX-të. Protagonisti është kthyer në kandërr. Çdo receptues e kupton se ai nuk ka më pamje njerëzore. Përpiqemi t’i vendosim një emër të përafërt kafshe, por ndiejmë neveri se e dimë që s’është kafshë e bukur. Kjo mund të të çojë tek ideja se autori na ofron një tekst të mbyllur, ku, rrjedhimisht, ne si receptues, vihemi në pozicionin e një bashkëpunëtori. Qenia e pështirë ngacmon trurin e receptuesit, pasi autori, megjithëse s’e përcakton përfundimisht ç’lloj qenieje është, shënjon hollësira të mjaftueshme të na bindë për tiparet e saj të çuditshme. Ne njohim, rresht pas rreshti, reagimet dhe arsyetimet e saj, rresht pas rreshti ne bindemi se brenda qenies është njeriu. Hap pas hapi, shikojmë se, më shumë se Gregori – qenie, të tjerët kanë filluar të pësojnë shndërrime. Dhe ata, fatkeqësisht, janë pjesëtarët e familjes. Ata në fillim e trajtojnë si një kafshë shtëpie, që ekziston, ndërsa më vonë e braktisin. E konsiderojnë si kafshë vrimash, që sjell papastërti, pisllëk. Dhomën ku jeton, e kthejnë në kosh plehrash, ndërsa ushqimin fillojnë t’ia pakësojnë. Rresht pas rreshti, receptuesi shikon si çnatyrohen me rradhë: motra, babai, nëna e Gregorit. Mëshira e fillimit kthehet përfundimisht në bezdi. Ndërkohë, receptuesi, kupton qartë se metamorfoza e shëmtuar fizike e Grigorit, ka shërbyer për të formësuar metamorfozat e tmerrshme të familjes së tij prej gjaku. Përpëlitemi me dhembje se ata janë më të shëmtuar se vetë Zamza. Sipas një niveli të parë leximi, përfundimet mund të jenë sa filozofike, aq edhe moralizuese. Duket sikur filozofia kafkiane, kërkon të prekë gjenetikën e marrëdhënieve njerëzore. Ai e sheh njeriun si një qenie të ndërvarur interesash. E sheh si një ekzistencë që s’mund të jetojë pa pjesëmarrjen aktive të frymëve të tjera njerëzore. Ndryshe, ai do të jetë një kafshë apo një vegjetim i pashpresë. Mes një pesimizmi karakteristik, Kafka e mbyll tekstin me një formë optimiste të vetvetishme. Kjo të çon tek ideja se, nëpërmjet një konstatimi pesimist për ekzistencën, ai të ofron rrugët e lumtura të një ekzistence optimiste. Këtë e gjen tek marrëdhëniet reciproke e të pashmangshme midis qenieve njerëzore. “Dhe si për të përforcuar ëndrrat e tyre të reja dhe synimet e tyre të mira, në fund të udhëtimit e bija u ngrit e para duke shtrirë trupin e sa të ri” . Motra, dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, rijetojnë jetën edhe pas vdekjes së Grigorit. Të tre së bashku, ata shpresojnë. Sipas këtij niveli të parë të leximit, ne rendim drejt idesë, se të gjitha marrëdhëniet njerëzore, janë marrëdhënie interesash. Kjo nuk duhet kuptuar vetëm me ngjyrimet negative, por me të gjitha emocionet që mbart si fjalë. Tjetri vlen për mua, për aq kohë sa më shërben mua. Kjo do të thotë se unë dua praninë e një njeriu, për aq kohë sa ai më jep mundësinë ta dua si djalë, vëlla, partner, vartës etj. Pikërisht në momentin që ai nuk i shërben shpirtit tim, punës time, domethënë, interesave të mia, ai pushon së ekzistuari. Duke dashur ta lexojmë ndryshe Metamorfozën, le t’i rikthehemi paksa kritikës marksiste. Përse ajo e censuroi Kafkën edhe këtë libër? Sipas një interpretimi tjetër, kjo vepër mund të karakterizohej si deformimi i personalitetit njerëzor në kapitalizëm, pasi kemi kthimin e njeriut në kafshë dhe jetën e tij si mjet fitimi. Druajmë se vetë kritika marksiste e kuptonte se, edhe nëse një nivel leximi do të na shpinte tek kjo ide, disa nivele të tjera, shumë shpejt, do ta përmbysnin këtë arsyetim dhe do të shpinin ujë atje ku marksizmi s’do të kishte dashur. Së pari, vepra nuk jep shpjegime në ç’rend shoqëror jemi. Aq më tepër aludimet që bën Kafka për problemet e lirisë, do t’i bënte teoricienët marksistë të ndjeheshin ngushtë, pasi teza e tij për lirinë e njeriut (me fitoren e komunizmit), përjashtohet nga koncepti që ka Kafka, i cili lirinë e sheh si mallkim gjenetik i racës njerëzore. Një tjetër argument, që do t’i frenonte marksistët, do të ishte fakti se Kafka nuk jep qoftë edhe një shënues të vetëm, që të na bind se Gregorin e ktheu në kandërr një arsye e jashtme, që do të ishte më e pranueshme për marksistët. Na çudit fakti se më rehat se kudo, kritikët marksistë ndiheshin kur e kritikonin dhe shtrembëronin veprën e gjeniut. Por më mirë le t’i lëmë ata në mllefet e tyre, dhe të kthehemi tek letërsia e madhe, tek Kafka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.