Frymëzimi është mirëfilli dukuri e procesit krijues si i tillë, veti e ligjërimit në tërësi, mbase vetë shtysa nistore që e çon njeriun të krijojë në një realitet kontekstesh që lëvizin
DURIM TAÇI
Për frymëzimin mund të flitet si liri dhe më pëlqen gjithashtu qasja juaj për ta paraqitur si një çlirim nga koha reale, së cilës vetëm do t’i shtoja përpjekjen për të lënë gjurmën e një kohë tjetër, asaj të krijimit. Dhe në fakt, moti nuk e mendoj frymëzimin si një shpërthim të beftë, edhe pse i tillë na shfaqet, e mbase kjo dikur mendohej rëndom në raport me poezinë, me atë gjendje të krijuesit para se të ulet e të shkruajë, një si lloj aureole që e mbështjell dhe e magjeps atë, por jo doemos lexuesin, më shumë fatmirësisht.
Ndodh edhe nga fakti që unë shkruaj prozë përgjithësisht dhe mbase këtu frymëzimi natyrshëm bëhet më i kushtëzuar që në nisje, edhe pse frymëzimi është mirëfilli dukuri e procesit krijues si i tillë, veti e ligjërimit në tërësi, mbase vetë shtysa nistore që e çon njeriun të krijojë në një realitet kontekstesh që lëvizin.
Në çdo rast, i bie të flasim për diçka të mundshme: që nuk ka ndodhur ende, që pritet të ndodhë, apo që sapo ndodhi. I tillë është frymëzimi, të cilin do ta krahasoja edhe një herë me gjurmën. Se gjurma ka një raport të jashtëzakonshëm me kohën dhe me sensin, drejtimin në tërësi. E nëse e mendojmë frymëzimin si gjurmë që mban e largon kohën, ky akt lirie është i vetmi që bart të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen njëkohësisht. Në gjurmën që lë e fshin frymëzimi projektohet vetë letrariteti, motori i të cilit është narracioni. Frymëzimi kësisoj duket rrejshëm një dukuri e pandërprerë, që lëviz përpara paprà, por unë e përjetoj si proces thyerjesh të mëdha, proces elipsoid, sepse të jesh i frymëzuar do të thotë që je gati për të zgjedhur, për të marrë e për të lënë, për të ikur e për t’u kthyer, për të ndërprerë në mes diçka e për ta rimarrë e çuar pastaj në një cilësi të re.
Mirëpo, frymëzimi është zgjedhje jo vetëm në lidhje me element minorë, – si një temë, një situatë, një gjendje personazhi -, i tillë edhe për vetë veprat që do marrësh në konsideratë për t’i shkruar. Unë nuk mendoj se veprat që një krijues nxjerr në dritë janë e dalin një pas një si vezët e pulës. Mund të ndodhë që radhën ta zërë diçka e beftë, që rritet e del e para. Ja tani për shembull, unë po punoj për një roman, i cili është në fazë përgatitore që prej tre vjetësh, por ndërkohë do më ndodhë të shkruaj diçka tjetër, jam i sigurt, para se ai të realizohet. Se i tillë është frymëzimi, për mua, një liri për të zgjedhur që të vjen nga brenda e hyn pastaj në marrëdhënie me mikromjedisin tënd krijues. Këtë e ka vërtetuar edhe vepra ime e radhës në proces botimi, “Liqeni në mes të detit” roman i shkruar pas “Një prani në ikje”, kur në mes ishte e vazhdon të jetë romani i vjetër, ky gjësend të cilit ende nuk ia njoh titullin, por për të cilin po punoj intensivisht, i prirë për ta ndërprerë nuk e di edhe për sa kohë nga ‘shpërthime’ frymëzimi që mund të sjellin vepra të tjera