FYELLI I NAIM FRASHËRIT SI ALUZION I NJERIUT TË PLOTË

Ngjashmëria e shprehjes së Naimit me klasikët e tesavvufit, siç është Mevlana Xhelaluddin Rumiu, është për shkak të ngjashmërisë së ndjenjave dhe emocioneve të larta dhe rrugës shpirtërore që e ndiqte Naimi si edhe Mevlana

Metin IZETI

Poezia Fyelli është pjesë e librit me poezi lirike Lulet e verës e Naimit, e cila ka tematikë të ngjashme me 18 vargjet e para të Mesnevi’së të Mevlana Xhelaluddin Rumiut. Në pjesën më të madhe të komenteve dhe trajtesave që i janë bërë kësaj poezie të Naimit, është diskutuar përmasa lëndore e fjalëve të përdorura në të dhe shumë pak është analizuar platforma shpirtërore e Naimit, e cila ka buçitur, me ndjenjën e dashurisë, ngjashëm si edhe ajo e Mevlana Xhelaluddin Rumiut. Në disa raste mund të haset të thuhet se Naimi e ka kopjuar Mevlanën në vargjet e kësaj poezie. Ky konstatim dhe komentet që janë të përqendruara vetëm në përmasën lëndore të poezisë, janë shumë larg prej kuptimit të realitetit me të cilin është djegur zemra naimiane.

Mes fjalës dhe realitetit

Hapësira poetike e Naimit, në pjesën më të madhe është e ndikuar nga konteksti sufik, i cili gjatë historisë, por edhe në qasjen e Naimit, bie në sferën e gjuhës dhe shndërrohet në “përmbajtje” vetëm si element përbërës i dikitomisë përmbajtje-shprehje. Poezia Fyelli, në realitet flet për të pashprehurën e përmbajtjes. Këtu fjala nuk është për marrëdhëniet e përmbajtjes dhe shprehjes, porse për pamundësinë e sferës së gjuhës me përmbajtjen dhe shprehjen e saj jashtë gjuhës, që i takon tejfizikes. Ngjashmëria e shprehjes së Naimit me klasikët e tesavvufit, siç është Mevlana Xhelaluddin Rumiu, është për shkak të ngjashmërisë së ndjenjave dhe emocioneve të larta dhe rrugës shpirtërore që e ndiqte Naimi si edhe Mevlana. Pra, në këtë poezi bëhet fjalë për prezantimin e idesë së lartë nëpërmjet konceptit të njeriut të plotë (insan kamil). Shembuj të këtillë kemi pa numër, mirëpo që të mos zgjerohemi tepër, do të përqendrohemi në prezantimin e këtyre vlerave të Idesë së Lartë në poezinë Fyelli të NaimFrashëri.

Të gjitha aspektet e jetës dhe veprës së Naimit në këtë ose atë mënyrë janë studiuar dhe analizuar, mirëpo njëra ndër karakteristikat më dalluese në aktivitetin jetësor dhe poetik të Naimit, në etikën dhe mendimin e tij – karakteri sufik Islam- gjithnjë është mbajtur në hije. Nuk ka asfarë arsye që kjo vetëdije e lartë e Naimit, e lartë po aq sa edhe e Xhelaluddin Rumiut, Hafizit, Shejh Sadiut, Goethes, Mjeshtër Eckhartit etj., të zvogëlohet ose zhvlerësohet qëllimisht. Naimi është njohës mjaft i mirë i tesavvufit islam, e posaçërisht i tarikatit bektashian. Ai shumë bukur e njeh poezinë klasike sufike, hollësitë e saja, e krahas saj edhe të gjitha detajet e retorikës. Në poezinë e tij, në formë tepër tërheqëse, janë të vendosura vargjet e larta shpirtërore, ku në formë simbolike e ku drejtpërdrejt.

Naimi në veprën e tij shpeshherë thekson fjalën dhe relacionin e saj me realitetin i cili qëndron fshehur pas saj. Ai njëkohësisht orvatet që këtë relacion mes fjalës dhe realitetit, ta zgjidhë dhe ta prezantojë sa më mirë. Nuk ka dyshim se Naimi këtë zgjidhje e ka gjetur, poezia e tij është tepër e logjikshme, për shkak se ai është një poet i cili i ka mbetur i sinqertë esencës, dashurisë dhe botëkuptimit të vet dhe të gjitha këto ngjarje i ka kahëzuar dhe formuluar sipas ligjit të tij të brendshëm.

Poezia Fyelli, nga vargu i parë e deri tek i fundit, e parashtron retorikën emocionale të njeriut të plotë (insankamil). Naimi në trajtë shumë të ngritur e ka përfaqësuar në poezinë e tij përmallimin e njeriut për origjinën dhe eternalitetin e tij. Ai e ka shfaqur idenë e njeriut që nuk e ka humbur fizionominë e vete. Ai flet për artin, shkencën dhe filozofinë që nuk e kanë harruar pajtimin e tyre me parimin e natyrshmërisë, respektivisht logosit. Edhe gjërat në poezinë e tij i rrëfejnë atyre që dinë ta përdorin senzoriumin e vet. Figura poetike në poezinë e Naimit na paraqitet si e llojllojshme dhe mimikë ekzistenciale. Figura e njeriut të përsosur në të na afrohet si peizazh, lojë e formave dhe ngjyrave, sikur pandërprerë ndryshojnë, që duken si akcidenca të tjerra mes vetes, por pa platformën e zezë. Një numër i madh i personazheve dhe përmasave reliefë gjeografike në këtë poezi të Naimit e kanë humbur kompetencën individuale të përkapjes ose aftësinë e vrojtimit autentik. Heideggeri këtë pozicion e konsideron si status specifik të artistit ose të pragmatizmit të së vërtetës. Kjo tërësi, thotë Heideggeri, është më se e qartë se është humbur në qytetërimin modern. Një paralele të njëjtë do të tërheq edhe Albert Camyja. Camyja do të thotë: “Nuk ka rrugë tjetër përveç asaj që të priten rrënjët që e lidhin njeriun vetëm me jetën dhe natyrën, gjegjësisht me lëndën. Nuk është e rastit që librat kryesore të ditëve të sodit, në vend që të merren me nuancat e zemrës dhe vërtetësinë e dashurisë, ata amullohen vetëm me gjykatësit, proceset dhe mekanizmat e akuzës dhe padisë. Në vend që të hapen dritaret metafizike para bukurisë botërore, ata me ngarkesë i mbyllin në brengën e të vetmuarit dhe të huajit. Vargjet e Fyellit flasin për paralelizmin e qenies dhe të vërtetës, ose më mirë thënë e shprehin antropologjinë reale të zbulesës dhe kontaktit hyjnor me dukshmërinë dhe përmasën e kthimit drejtë Tij. Naimi e fillon poezinë e tij me fjalën “Dëgjo”:

Pa dëgjo fyellin ç’thotë
Tregon mërgimet e shkreta,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalë të vërteta.

Sugjerimi “dëgjo” është ekuivalenti i urdhrit “lexo”. Do të thotë të dëgjosh atë që lexohet, të dëgjosh zërin e thellë të universit, të dëgjosh veten. Fyelli këndon, të gjithë dëgjojnë. Njeriu shikon gjithçka me një mësim. Dëgjimi është shumë i rëndësishëm. Ata që dëgjojnë, e vënë veshin dhe janë të vëmendshëm kanë sukses; Ata që dëgjojnë dhe binden, do të arrijnë shpëtimin. Ai që nuk dëgjon nuk mund të mësojë, nuk mund të dijë, dhe mendja e zemra e tij nuk mund të pasurohen. Ai që dëgjon është i respektueshëm ndaj universit, ndaj krijesave, ndaj njeriut dhe sigurisht ndaj vetvetes. Dëgjuesi ka krahë, ngrihet, fluturon dhe lundron. Ai që nuk dëgjon është i mjerë, zvarritet si gjarpër në plehra. Sa bukur është të dëgjosh gjithësinë, duke e parë para vetes. Sa e ëmbël është të dëgjosh ujin, në burime, përrenj dhe ujëvara. Sa bukur është të dëgjosh zhurmën e shiut, në ditët e nxehta të verës. Kudo ka zë, edhe bota kthehet me zë, edhe hëna e shikon botën me zë. Sa mirë që mund t’i dëgjojmë këto zëra, sa mirënjohës jemi, apo jo? Sa bukur është të dëgjosh të vërtetën, sa e ëmbël, sa e këndshme, sa emocionuese, sa djegëse, por edukative, sa harmonike, por kuptimplote, sa e këndshme dhe edukative të dëgjosh urtarët, të dëgjojmë miqtë tanë, të dëgjojmë fëmijët tanë, të dëgjojmë frymëmarrjen e foshnjave … Shkurt, të dëgjosh, të përqendrohesh në qenien… prandaj Fyelli fillon me fjalën “dëgjo”.

Dëgjo fyellin…

Edhe fyelli, gjithashtu, është një simbol; përfaqëson universin dhe mirëpret njeriun. Naim Frashëri shpreh interesimin dhe dashurinë e tij për atë që mendon duke thënë “çka është kjo rrëfenjë?” Pra, dëgjo fyellin se ai është miku yt, i afërmi yt; sepse ka ankesa, ka një histori, ka gjëra për të treguar. Mos dëgjo vetëm zërin e tij përvëlues, dëgjoje edhe vetë atë, por përpiqu ta kuptosh edhe atë histori të trishtë; sepse ka ankesa për ndarjet. Fyelli nga njëra anë është lapsi i cili shkruan dhe një mjet i shenjtë. Nga ana tjetër, fyelli është simbol i të ngriturve (evlia) dhe flet me gjuhën e tyre. Evliatë, në të vërtetë janë në afërsi me Zotin. Por, para këtij takimi kanë përjetuar shumë përmallime për shkak të largësisë dhe sa e sa tortura për shkak të ndarjes. Evliatë vajtojnë për dhimbjet e ndarjes me zë të djegur si edhe fyelli dhe me këtë ua tërheqin kujdesin të neglizhuarve. Të qenët në këtë botë dhe brenda kafazit të trupit, do të thotë të jesh në gjendje penguese për takim me Zotin. Për ata që e dinë sekretin e të qenët një me Zotin dhe që e kanë perceptuar lartësinë eterne të kësaj gjendjeje, një pengesë e këtillë është shkak për përmallim dhe vajtim të thellë. Prandaj kur fyelli thotë:

Që kur se më kanë ndarë
Nga shok’ e nga miqësija,
Gra e burra kanë qarë
Nga ngashërimet e mija!

rrëfen për bashkësinë tonë me Zotin në botën hyjnore dhe e përcakton gjendjen e të qenët një perlë në arkën e Krijuesit të lartë, i Cili thotë: “Unë isha një arkë e fshehtë, dëshirova të dihem”, gjegjësisht e të qenët substancë e njëjtë me Të. Krijesat janë paraqitur në ekzistencë me kërkesën e tyre për sy që do ta shohë dhe zemër që do ta dashurojë bukurinë e Krijuesit. Para etapës së dukshmërisë në qeniet nuk kishte “ti, unë”. Ishte vetëm “Ai”. Çdo gjë përbëhej prej Tij. Edhe njeriu që sot vajton si fyelli ishte në Të. Çdo shpirt i paraqitur në atë botë pyetjes “A nuk jam unë Zoti juaj?” i pati dhënë përgjigjen beli-po Ti je. Kjo thënie ishte hapi i parë i prezantimit të shpirtit si zjarr, ajër, ujë, dhe, bimë, kafshë dhe fillimi i aventurës njerëzore të tij. Shpirtrat pas tubimit të “Elestit” u ndanë dhe si burra e gra rrodhën drejtë kësaj bote. Nga njëra anë u bënë edhe sy e zemra me aftësi për të shikuar dhe dashuruar bukurinë e Zotit. Ndërsa në anën tjetër, filluan t’i përjetojnë dhimbjet e të qenët të ndarë dhe larg prej Tij.Tash:

Krahërore e kam çpuar
E kam bëre vrima vrima,
Dhe kam qar’ e kam rënkuar
Me mijëra psherëtima!

janë këto fjalë të fyellit, i cili ka zbritur prej botës së zotësisë në këtë botë kalimtare dhe në trupin e njeriut ka përjetuar vetë dhe ua ka përjetuar të tjerëve përmallimet dhe mallëngjimet më të mëdha. Njeriu sa më shumë të jetë larg prej origjinës dhe vatanit të vërtetë të tij, do të ndiej një thirrje për kthim dhe do të ndiej mallin e kohës dhe mundësisë për takim me Të.

Dhe me botën e gëzuar
Bëhem shok edhe marr pjesë,
Dhe me njerës të helmuar
Bënem mik me besa-besë.

Puna si do që të bjerë
Unë qanj me mallëngjime,
Më çdo vënt e kur-do-herë
Psherëtin zëmëra ime!

Gjithë bota më dëgjojnë
Po së jashtëmi më shohin,
Dëshirën s’m’akupëtojnë
Zjar’ e brendëshmës’m’a njohim.

Fyelli, respektivisht, njeriu i plotë (insan kamil) flet për sekretin e origjinës. Ai është i afërt me njerëzit e mirë dhe të ligë brenda popullatës së gjerë dhe sillet mirë me ta. Pasi njeriu në çdo gjendje të tij prezantohet në rrugën e arritjes deri te e Vërteta. Pikërisht për këtë, njerëzit në suaza të diturive dhe ndjesive të tyre, afrohen me këta njerëz të ngritur dhe përpiqen të përjetojnë gjendjet e tyre.

Njerëzit me mua rrinë,
Unë qanj’ e mallëngjehem,
Po dufn’ e pshehtës’m’a dinë
Andaj kurrë s’përdëllehem.

Gjith’ ata që janë ndarë
Fyellit shokë ju bënë,
Shkallët’ e tij disa farë,
Na shkalluan mëndjen tënë.

Deri te të vërtetat

Unë njerëzve të secilës shkallë ua tregova sekretet e realitetit, mirëpo ata m’u afruan në bazë të mendimeve të tyre. Nuk e kërkuan rrugën e arritjes deri te njohja dhe qëllimi i sekreteve të mia të brendshme. Por, për të ecur në rrugën e të ngriturve, duhet lëshuar rrugën e spekulimit. Shkurtë, e vërteta hyjnore nuk dihet me spekulim. Deri te të vërtetat arrihet vetëm nëpërmjet të dijes bindëse (jakin), duke lënë prapa çdo lloj të dyshimit dhe dy mendësisë. Vetëm nëpërmjet të kësaj rruge ka mundësi të shihet drita në arkat shpirtërore dhe kuptimi i varrosur në fjalët e evliave. 

Rrëmet i njerëzisë!
Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
Që i ra kallamit mjerë!

I ra qiellit e ndriti,
I ra zëmrësë e nxehu,
I ra verës e buçiti,
I ra shpirtit, dhe e dehu.

I dha erë trëndafilit
I dha dritë bukurisë,
I dha këngëtë bilbilit,
I dha shije gjithësisë.

Ayzjar i ra në qiej,
Edhe duke përvëluar,
U bënë kaq yj e diej,
Që i mba Zoti ndër duar,

Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
Që ka ngehur gjithësinë,
Hoth një shkëndijë në jetë,
Dhe bëri soje njerinë.

Njeriu pasi të kryejë udhëtimin gjysmëharkor të zbritjes së substancës hyjnore dhe të kalohen shkallët e zjarrit, ajrit, dheut, bimës, kafshës e fillon gjysmëharkun e ngritjes drejtë Zotit dhe në hapin e parë të kësaj ngritjeje e përjeton qenësinë. Njeriu është pasqyrimi substancës hyjnore në këtë pikë.

Kur të arrijë në këtë pikë, për t’u kthyer drejtë origjinës ka dy rrugë: Nëse e mbaron jetën dhe vdes pa u ngritur. Por, në këtë mënyrë ai nuk fiton asgjë prej kalimit të jetës. Ai gjatë jetës së tij në këtë botë nuk e ka ditur se kush është, prandaj edhe në botën tjetër do të jetë në gjendje të paditurisë.

Ndërsa nëse njeriu në këtë botë takohet me një njeri të ngritur, gjegjësisht nëse e dikton substancën e tij me kujdesine një udhërrëfyesi, ka mundësi të kuptojë se për ku dhe kë e ka përmallimin në brendinë e tij. Së pari e gjen Zotin në botën e tij të brendshme e më pas në atë të jashtmen. Të ndierit e ekzistencës së Zotit në brendinë njerëzore emërtohet si “texhelli” (pasqyrim). Njeriu që ka arritur të përjetojë pasqyrimin hyjnor, gjithësinë e vështron me vështrimin e Zotit dhe bëhet pronar i sekretit me të cilin e sheh Zotin në çdo vend. Kjo gjendje, është ripërtëritje e dijes me Zotin. Por, nuk është takim (visal) i plotë. Njeriu edhe kur të arrijë në shkallën e përsosmërisë ndien një përmallim të shijshëm për origjinën e tij.

Frymat e ngrohta dashurore kalojnënë brendinë e fyellit. Kjo frymë, lëvron dhe nxjerr çdo gjë përveç dashurisë prej tij, prej njeriut. Pastaj e sjell në pozitë buzë më buzë me të dashurin. Fillon të rënkojë dhe të vajtojë. Rënkimi dhe vaji që vinë prej brenda, njëkohësisht e shprehin edhe sekretin e njeriut, gjegjësisht këndojnë për realitetin dhe lumturinë që e përjeton ai në brendi.

Zhdukja

Shkurtë, sekretet e fyellit janë shndërruar në fjalë, në gjendje tingullore. Mirëpo, ata që i kanë sytë e mjegulluar dhe që nuk u dëgjojnë veshët, nuk kanë dritë për të pa dhe nuk kanë arritur gjendjen për të kuptuar realitet për të cilat flet fyelli.

Tingulli i fyellit është zjarr dhe i njëjti zjarr kalon edhe tek ata që e dëgjojnë, sodisin. Emocionet që ngjall janë djegëse dhe mbresëlënëse. A është e mundur të dëgjosh fyellin dhe të mos digjesh? A është e mundur të dëgjosh tingujt e tij të rrënjosura thellë dhe të mos lejosh kujtimet e dhimbshme të vijnë në tru dhe në zemër? A është e mundur të mos kujtojmë dhimbjen e lindjes, dhimbjen e frymës që nxiton në mushkëri? A është e mundur të mos e ndjeni përsëri mundimin në zhvillimin e eshtrave në çdo rritje të trupit? Si mund mos të dëgjojmë ndarjet, poshtërimet, dashuritë, mëkatet…Edhe ne kemi zjarr, zjarri nuk është vetëm tek fyelli. Por ai zjarr herë shuhet, herë bëhet hi. Kjo është zhdukja jonë, rënia jonë në mjerim.

Njeriu është krijuar nga brumi i dashurisë, në çdo grimcë të tij ka gjurmë dashurie dhe mëshire. Ka shenja të mëshirës dhe dashurisë së Krijuesit ndaj robërve të Tij. Njeriut i është dhënë dhurata të dashurojë dhe të dashurohet. Dashuria është uji i mbetur në të çarën e hollë të një shkëmbi që ngrin në dimër dhe e plas, e copëton, e lëshon nga shkëmbinjtë poshtë. Dashuria është një anije që lundron nëpër një uragan. Dashuria është rihapja e luleve çdo pranverë. Dashuria është historia mijëravjeçare e rrapit të madh. Dashuria është rrotullimi i botës. Dashuria digjet dhe nxeh si dielli. Dashuria është ana e bardhë e hënës. Tingulli në fyell, është gjithashtu dashuri; edhe dehja kuptimore po ashtu. Njeriu i dashuruar në Krijuesin e humb veten në bashkësinë me Të. Rrushi është i ëmbëlsuar me dashuri.

More zjar i bekuar!
Unë me ty jam përzjerë,
Pa jam tretur e kulluar,
Po të kam shpirt, mos më lerë.

Procesi i çlirimit nga iluzioni lëndor ia rrit aftësinë e njeriut për të ndjerë. I mundëson të ndjejë dashuri, mirësi dhe dhembshuri, por edhe poshtërim, keqardhje dhe pikëllim. Ai fillon të shohë dallimin midis së drejtës dhe së gabuarës, së mirës dhe së keqes dhe mes asaj që është e hijshme dhe ajo që është e turpshme. Ai e kupton se e mira dhe e keqja nuk mund të krahasohen. Ai zhvillon një shqetësim (ndjenjë detyrimi) për të tjerët. Ai e kupton nevojën për këshilla të mira dhe urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, me fjalë tjera e varros egoizmin  dhe egocentrizmin e tij.

Zjarri

Kërkimi i të vërtetës mbështetet nga dashuria për të vërtetën. Naimi na e kujton nevojën për të dashuruar të vërtetën (hakikatin). Dashuria për të vërtetën manifestohet jo vetëm në një kuptim subjektiv, por edhe në formë transcendentale, si e vërteta apo e Vërteta më e lartë. Dëshira për ta gjetur të vërtetën  tregon një kërkesë të konsiderueshme për zgjimin shpirtëror. Qëllimi i këtij “zgjimi” është që t’i mundësojë njeriut “të rikarikojë bateritë e tij shpirtërore”, për të rivendosur ekuilibrin e tij mendor dhe shpirtëror.

Këto iluminime në poezinë e Naimit na lejojnë të kuptojmë më mirë botën përreth nesh, të ndjejmë ndërlidhjen midis të brendshmes dhe të jashtmes. Dhe ato gjëra që deri atëherë na dukeshin si të pazakonshme gradualisht kthehen në të zakonshme. Nga njëra anë, bota bëhet më e thjeshtë, dhe nga ana tjetër, më e pashpjegueshme por e përjetueshme, sepse një pjesë e konsiderueshme e të kuptuarit të fituar është shumë e vështirë të shprehet me fjalë.

Në poezinë e Naimit, bukuria fizike konsiderohet si pasqyrim i bukurisë shpirtërore. Prandaj, ai, ngjashëm si edhe shumë poetë sufik, thekson rregullisht bukurinë e jashtëzakonshme të të Dashurit të tij dhe i kushton shumë vëmendje përshkrimit të tij. Ky ideal i bukurisë nuk është as subjektiv dhe as pasqyrim i personalitetit të poetit, shijes së tij, por është një model i vendosur me anë të të cilit poetët portretizojnë karakteristikat e të Dashurit absolut (Zotit). Karakteristikat fizike më së shpeshti krahasohen me motive nga bota bimore, veçanërisht me lule. Bimët janë një motiv shumë i rëndësishëm i kësaj poetike .Trëndafilat, tulipanët dhe zymbylët dhe të ngjashme paraqesin pasqyrime të koncepteve të ndryshme metafizike. Për shkak të përdorimit të shpeshtë të motiveve bimore, hapësira e dashurisë shpirtërore shpesh krahasohet me një kopsht plot me lule të ndryshme, gjë që thekson se fytyra e të Dashurit është plot me tipare të bukura fizike.

Ndër motivet tjera nga natyra, Naimi ka përdorur edhe erën, ajrin, ujin, dielli, hëna, zjarri, drita. Motivi i erës dhe i flladit të mëngjesit  më së shpeshti simbolizon frymën e Zotit, lajmëtarin e lajmit të mirë dhe frymën që jep jetë. Askush nuk troket në derën e të dashurit përveç erës së mëngjesit dhe nuk ka kush të djegë atë në zjarr apo vuajtje. Ai i këndon ndjenjës së mjerimit, duke pohuar se mungesa e të Dashurit (Zotit) sjell vetëm vetminë dhe trishtimin.

Zjarri është një motiv që Naimi e përdor për të përshkruar ndjenjat e dashurisë dhe djegien për Zotin. Ai flet  për zjarrin e dashurisë që ndezi zjarrin e shpirtit të tij. Ai zjarr i dashurisë është aq i fortë sa flaka e tij ngrihet deri në qiell. Kjo është një figurë ekzagjerimi, por edhe personifikimi, sepse zemra “digjet dhe rënkon”, dhe flaka “ngjitet në qiell”. Në këtë mënyrë Naimi ngjall një ndjenjë të fortë vuajtjeje për të rritur ekspresivitetin dhe për ta freskuar shpirtin e tij. Ai i këndon një zemre që digjet nga vetmia dhe malli për të Dashurin. Në vargjet e tij për dashurinë ka aq mall sa flaka e dashurisë ia djeg trupin. Ashiku beson se duke u djegur në zjarrin e dashurisë ai arrin unitetin me të dashurin e tij. Kjo djegie dhe bashkim shpirtëror përfaqësohej nga motivi i një fluture dhe një qiri, ku i dashuri është një qiri dhe ashiku një flutur që admiron bukurinë e Tij dhe, i tërhequr nga drita, rrotullohet përreth zjarrit. Momenti kur flutura digjet në flakën e një qiriri simbolizon bashkimin shpirtëror të poetit me Zotin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.