Midis prirjes për t’i ikur botës e jetës reale dhe për t’u hedhur në botën e përfytyrimeve dhe ushtrimit konkret të letërsisë, shtrihet një humnerë, që shumica e qenieve njerëzore nuk arrijnë ta kapërcejnë kurrë
Mario Vargas LLOSA
1.
Në rast se nuk gabohem në hamendësimin tim (ndonëse edhe mund të ndodhë të gabohem), një burrë apo një grua zhvillon para kohe qysh në fëmijëri apo herët në vitet e adoleshencës, prirjen për të ëndërruar njerëz, situata, histori, botë të ndryshme nga bota ku jeton dhe kjo lloj prirjeje është shenja e parë e asaj që, më pas, mund të quhet prirje letrare. Natyrisht, midis prirjes për t’i ikur botës e jetës reale dhe për t’u hedhur në botën e përfytyrimeve dhe ushtrimit konkret të letërsisë, shtrihet një humnerë, që shumica e qenieve njerëzore nuk arrijnë ta kapërcejnë kurrë. Ata që e kapërcejnë këtë humnerë dhe që, përmes fjalës së shkruar, bëhen krijues botësh, janë shkrimtarë, pra, ajo pakicë që ka mundur t’i përforcojë prirjet apo tendencat në saje të ushtrimit të vullnetit, të cilin Sartre e quante zgjedhje. Në një çast të caktuar, këta njerëz vendosën të bëhen shkrimtarë. Ata zgjodhën vetë të bëjnë një gjë të tillë. Ata u përpoqën të ndërtonin një jetë, ku fjala e shkruar të kthehej në qendër të shtysës së tyre të brendshme, të mbajtur deri atëherë nën frè, me anë të së cilës ata do të përpunonin më pas jetë dhe botë të tjera në hapësirat mjegullore të mendjeve të tyre.
2.
Cila është zanafilla e kësaj prirjeje të kahershme, e burimit të prirjes letrare për të shpikur qenie dhe rrëfenja? Përgjigja, mendoj, gjendet te rebelimi. Jam i bindur se ata që zhyten në hulumtimin e jetëve, të ndryshme nga e tyrja, tërthorazi vënë në dukje mospranimin dhe kritikën e jetës ashtu siç është, të botës së vërtetë, duke shfaqur dëshirën për ta zëvendësuar atë me krijimet e përfytyrimeve dhe të ëndrrave të tyre. Ndryshe, përse dikush që është mjaft i kënaqur me realitetin, me jetën e vërtetë, ashtu siç e jetojmë, do t’i përkushtohej diçkaje aq të palëndshme dhe fantastike, siç është të krijuarit e realiteteve imagjinare?!
3.
Natyrisht, ata që rebelohen kundër jetës kështu siç është, duke përdorur aftësinë e tyre për të sajuar jetë dhe njerëz të ndryshëm, mund ta bëjnë këtë për një mori arsyesh, të ndershme apo të pandershme, bujare apo egoiste, komplekse apo banale. Natyra e vënies në diskutim të thelbit të realitetit, që për mendimin tim qëndron në themel të çdo thirrjeje të brendshme letrare, nuk ka aspak rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se mospranimi i realitetit duhet të jetë aq i fortë, sa të nxisë entuziazmin për një detyrë kaq donkishoteske sa vënia në lëvizje e mullinjve të erës – zëvendësimin e kollajtë të botës së jetës konkrete, objektive ashtu siç e jetojmë, me botën e hollë dhe eterike të letërsisë. Gjithsesi, pavarësisht nga karakteri jetëshkurtër i letërsisë dhe nga natyra subjektive, figurative dhe jashtë-historike e produktit të saj në praktikë, ajo arrin të ketë efekte afatgjata në botën e vërtetë, me fjalë të tjera, në jetën e njerëzve prej mishi dhe gjaku. Vënia në pikëpyetje e jetës reale, që përbën arsyen e fshehtë të ekzistencës së letërsisë, të profesionit letrar, bën që letërsia të na japë një vizion të veçantë të një periudhe të caktuar. Jeta që përshkruhet në letërsi (veçanërisht në letërsinë e nivelit të lartë), nuk është asnjëherë thjesht jeta që kanë përfytyruar, shkruar, lexuar apo përjetuar ata që e kanë shkruar; ajo është një barasvlerës letrar që ata kanë qenë të detyruar të krijojnë, duke qenë se nuk kanë mundur ta jetojnë në të vërtetë dhe, si rrjedhojë, kanë pranuar ta jetojnë atë në mënyrën më subjektive dhe më të tërthortë që mund të jetohet: me ëndrra dhe letërsi.
4.
Letërsia është një gënjeshtër që fsheh një të vërtetë të thellë: është jeta ashtu siç nuk ka qenë, jeta siç donin ta jetonin burrat dhe gratë e një epoke të caktuar, por që nuk e jetuan dot, kështu që u është dashur ta shpikin nga mendja. Ajo nuk është fytyra e Historisë, përkundrazi, është ana e kundërt ose ana tjetër e saj: është ajo që nuk ka ndodhur dhe, si pasojë, duhej të fabrikohej me mendje dhe fjalë, për të realizuar ambiciet që jeta e vërtetë nuk mundi t’i plotësonte, për të mbushur boshllëqet që gratë dhe burrat shihnin përreth tyre, të cilat ata u përpoqën t’i mbushnin me fantazma të vetëkrijuara. Natyrisht, ky rebelim është relativ. Shumë shkrimtarë nuk janë aspak të vetëdijshëm për këtë dhe, në rast se do të ndërgjegjësoheshin për rrënjët kryengritëse të thirrjes së tyre të brendshme për të shkruar, ka të ngjarë të habiteshin dhe të frikësoheshin, pasi në jetën e tyre publike, sigurisht, nuk u ka shkuar ndonjëherë ndër mend se po komplotojnë fshehurazi për të hedhur në erë botën ku jetojnë. Nga ana tjetër, rebelimi i tyre është mjaft paqësor. Fundja, ç’të keqe ka t’i kundërvësh jetën imagjinare jetës reale? Ku qëndron rreziku në një garë të tillë? Në vështrim të parë, nuk ka asnjë rrezik. Është thjesht një lojë, apo jo? Dhe lojërat nuk mendohen se janë të rrezikshme për sa kohë që nuk kanë të ngjarë t’i kapërcejnë kufijtë për t’u përzier me jetën e vërtetë. Natyrisht, kur dikush, Don Kishoti apo Zonja Bovari, këmbëngul të përziejë letërsinë me jetën dhe rreket ta bëjë jetën të ngjashme me letërsinë, pasojat mund të jenë shkatërrimtare. Kësisoj, loja e letërsisë nuk është e pafajshme. Fryt i pakënaqësisë së thellë me jetën e vërtetë, letërsia është vetë burim pakënaqësish dhe shqetësimesh. Ata që me anë të leximit jetojnë një histori të madhe – si dy historitë që përmenda më sipër, të shkruara nga Cervantes-i dhe Flaubert-i – vijnë në jetën e vërtetë me një ndjeshmëri më të madhe ndaj kufizimeve dhe papërsosmërive të saj, të ndërgjegjësuar prej krijimeve të mrekullueshme të fantazisë së tyre për faktin se bota e vërtetë dhe jeta siç e jetojmë, janë mjaft më mediokre se jeta e shpikur prej romancierëve. Kur lexuesi përballet me jetën e vërtetë, turbullimi i ngjizur nga një letërsi e mirë, në rrethana të caktuar, mund të kthehet në akte rebelimi kundër autoriteteve, institucioneve apo bindjeve të rrënjosura.
5.
Kjo është edhe arsyeja se përse Inkuizicioni spanjoll u druhej veprave letrare dhe ia nënshtronte ato censurës së fortë, duke shkuar deri aty sa t’i ndalonte ato, për treqind vjet radhazi, në kolonitë amerikane. Preteksti ishte se këto rrëfime çmendurake mund t’ua hiqnin mendjen indianëve nga adhurimi i Zotit, që ishte shqetësimi i vetëm serioz në një shoqëri teokrate. Ashtu si Inkuizicioni, të gjitha qeveritë dhe regjimet që aspirojnë të kontrollojnë jetën e qytetarëve të tyre, kanë shfaqur të njëjtin mosbesim ndaj letërsisë dhe ia kanë nënshtruar atë kontrollit të fortë dhe qethjes së quajtur censurë. Asnjëri prej këtyre autoriteteve nuk është gabuar: i pafajshëm, për sa mund të duket, të shkruarit e historive letrare është një mënyrë e të ushtruarit të lirisë dhe të kundërvënies së njerëzve. atyre të fesë apo njerëzve laikë, që dëshirojnë ta zhdukin atë. Kjo është arsyeja përse të gjitha diktaturat, fashiste, komuniste apo regjimet fundamentaliste islamike, tiranitë afrikane apo latino-amerikane, janë përpjekur ta kontrollojnë letërsinë, duke e futur atë më pahir në xhaketën mbytëse të censurës.