GJETJA E NJË “DIAMANTI” QË RREZATON FORCËRISHT SHQIP

(Mbi librin “Zjarri Arbëror i pashuar“ i prof. Bexhet Asani)

Nexhmije Hasani

Të ndodh një impakt ngazëllues, sapo merr në dorë këtë vepër dhe e shfleton për ta lexuar. Vë re, menjëherë, dashurinë dhe pasionin për ruajtjen e kulturës dhe traditës Arbëreshe. Titulli i librit më kujtoi veprën “Yjet e pashuar“, kur në ato vite e lexonim me një frymë jetën, aktet e dëshmorëve të atdheut dhe zemra rrihte me të shpejtë nga dashuria dhe dhimbja për ta. Ne krenoheshim me ta dhe e njëjta ndjenje krenarie po më ndodh dhe tani, teksa më shfaqen heronjtë e letërsisë, artit, kulturës për ruajtjen e gjuhës Arbërore, traditës e më gjerë.
Ndaj, në këtë kontekst, mund të shpreh se Prof. Bexheti, si studiues profesionist kërkon ta ruajë dhe kultivojë me fanatizëm këtë traditë, duke i nxitur vëllezërit tanë,kudo në Botë, të vazhdojnë të ruajnë gjuhën dhe zakonet se, vetëm në këtë mënyrë, duke e trashëguar gjuhën tonë në breza, mbahet gjallë, në të kundërtën ndodh procesi i shuarjes, apo i asimilimit të saj nga gjuhët e tjera.
Një shtet pa gjuhën e tij është në kuptimin figurativ si një “peshk” i lënë pa ujë. Në të tillë rast, shteti mbaron, asfiksohet, atrofizohet dhe humb emrin e tij në hartën gjeografike. Ne jemi sulmuar ndër shekuj nga shtetet fqinje, që kanë vepruar maksimalisht me dashakeqësi për të eliminuar gjuhën tonë, por nuk ia kanë dalë. U jemi përgjigjur dashakeqësive të tyre me sakrifica dhe sakrilegje për të ruajtur gjuhën tonë amtare.
“Të dashur motra dhe vëllezër, ju e keni ruajtur gjuhën e Skënderbeut, veshjet, zakonet, traditat, kulturën shpirtërore, folkloristikën, këngët dhe vallet për 550 vjet. Tani, e vetmja gjë që duhet të ruajmë me vetëdije e të mbrojmë është arbërishtja, është tendenca e hyrjes së gjuhës arbëreshe, si lëndë obliguese në shkollë“. A nuk tingëllon kjo si një lutje para Perëndisë? A nuk shohim një rilindës të kohës së sotme të spikatur në dashurinë dhe kujdesin e tij për ruajtjen e gjuhës?
Prof. Bexheti kurrë nuk ka hezituar t’i bëjë thirrje në formën e klithmës,qeverive shqiptare, që të veprojnë me seriozitet në këtë çështje. Ai vetë është një shqiptar i vërtetë, ku vitet e jetës së tij ia dedikoi mësimdhënies për rritjen dhe formimin e brezave, për t’i pasuruar me dije dhe kulturë. Sa më shumë njerëz intelektualë e të suksesshëm të ketë një vend dhe sa më shumë punohet e pasurohet gjuha e atij vendi, aq më i fortë është shteti, ku ata jetojnë e kontribuojnë.
Qëllimi i tij është gjuha, e shkruara dhe e folura, ruajtja e gjuhës. Edhe pse interesimi i shqiptarëve dhe arbëresheve është i gatshëm për bashkëpunim e veprim reciprok, në përkushtimin e organizimeve shkencore për gjuhën si seminare, konferenca e simpoziume ndërkombëtare për gjuhën, letërsinë, kulturën, përsëri brezi i ri nuk e flet arbërishten dhe ky është dëm i madh i pallogaritshëm i parikuperueshëm, nëse nuk punohet me seriozitet për mos humbur gjuhën. Profesor Bexheti është vizionar, projekton për të ardhmen, duke qëndruar me këmbë në tokë, por gjithmonë në kontakt me dimensionet kohore: e kaluara tashmja dhe e ardhmja.
Një nga synimet e tij madhore në këtë libër është pasqyrimi tipik e real i figurave të njerëzve të mëdhenj që kanë punuar e punojnë për gjuhën shqipe si studiuesi Aristidh Kolja, shkrimtari e studiuesi Dinos Koubatis, profesor Talo Elma – etnolog, regjisorja Luçia Martine e shumë e shumë të tjerë, në një “hartë” të madhe gjeografike, ku ka njerëz me prejardhje shqiptare. Gjatë leximit të librit “ndjen” të ecësh në gjurmë të arbërishtes, duke përshkruar fshatra e zonat, qytetet e shtetet, ku jetojnë arbëreshët dhe shqiptarët e emigruar.
Mbijetojat e gjuhës arbërore (arvanitase) i gjejmë të shtrira në të gjitha zonat e Greqisë, arbëreshen në jug të Italisë, ku flitet akoma, pavarësisht se në ato zona rinia ka kohë që ka emigruar dhe kanë ngelur vetëm moshat madhore dhe kjo gjendje lë për të dëshiruar. Po kështu, në qytetin e Zarës në Kroaci, në fshatin Mandricë në Bullgari, në fshatin Karakurt në Ukrainë etj. Ky libër, përveç informacioneve, është i pasuruar me një “mini-fjalor” të gjuhës arbëreshe, me tekste këngësh e poezish të vjetra arbëreshe.
Kënga arbëreshe vjen nga thellësia e Tokës, prandaj dhe përcjell dashuri të madhe për ta gjetur e studiuar sa më shumë atë. Gëzimi i prof. Bexheti, kur në duar pati librin “Qefti dhe folmja e tij“, ishte emocionuese. “Një ndjenjë rrëqethëse që më përshkoi trupin dhe shpirtin, – shprehet ai. Ishte një dhuratë e çmuar dhe vepër për shkencat albanologjike”. Prof. Mario në monografinë e tij “Chieuti e la parlata arbereshi“ ka përdorur edhe materialin shkencor bibliografik, që në këto raste, është mëse i domosdoshëm. Në atë libër janë të përfshira kostumet popullore, traditat e Qeftit. Në histori janë përfshirë, gjithashtu, ritet bizantine, ritet e pagëzimit, të cilat ilustrohen edhe me fotografi.
Arbëreshët gjatë 550 vitesh e kanë ruajtur me fanatizëm gjuhën e tyre. Është për t’u habitur nëse krahason kohët gjatë atyre shekujve, Ata, të izoluar në vetvete, nuk pranonin as krushqi të bënin me raca të huaja, edhe me vendasit, si arsye e vetme për të mos humbur gjuhën e zakonet, për të mos përzier gjakun dhe, në ato shekuj të izoluar nga sundimi turk, i cili kërkonte me insistim të madh të na vriste gjuhën, kulturën, traditën. Prof. Bexheti merr pamjen, me plot të drejtë, si një “arkeolog” i zbulimit të historisë arbërore. Ka punuar shumë për të mbledhur, sistemuar e seleksionuar informacionet nga të gjitha trevat shqipfolëse. Jo më kot e theksoj se ky libër të krijon bindje të forta, ka produkt gjuhësor, si dhe mbi të gjitha, vijueshmërinë e treguar mbi ngjarje dhe fakte të dokumentuara shkencërisht. Me një kurajë dhe nismë pasionante, ka mbledhur ngazëllimin jetësor, terminologjinë letrare arbëreshe dhe përdorimin origjinal të gjuhës, si një rit i përbashkët me traditën, kostumografinë dhe gjithë bukuritë e këtyre vendeve.
“Gjaku ynë i prishur“, është libër nga Mbuzati. San Giergo është fshat në provincën e Kozencës së Kalabrisë. Ai na tregon se në këtë fshat ka libra që flasin për historinë, folklorin dhe etnografinë e katundit, të cilat janë punuar me përgjegjësi shkencore. Të gjitha informacionet i gjen lexuesi në këtë vepër dimensionale, sepse prof. Bexheti ka ndjekur këtë rrugë njohurish, që në rininë e tij e më tutje në katedrat universitare. Duket sikur dëshira dhe pasioni e kanë ndjekur hap pas hapi, gjatë të gjithë rrugëtimit të tij jetësor e shkencor.
Në libër është një fotografi origjinale, mes shume e shumë të tjerash e zotit Bexhet me Atë Antonio Belushin, studiuesin e njohur arbëresh. Një rastësi e bukur i takon ata dhe i bashkon me një grup të rinjsh arbëreshë, të cilët udhëtonin drejt Prishtinës për të qenë prezent në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare. Në gjakun e tyre vlon dashuria ndaj gjuhës e traditës shqipe. Antonio Belushi, etnolog, diplomuar për filozofi e teologji; Konstandin Bellushi, studiues i letërsisë italiane si dhe mësues i gjuhës shqipe për shkollat e ulëta. Gjithashtu, master të mbrojtur për gjuhën arbëreshe; Prof. Xhuzepe Skiro Di Maxhio, udhëheqës i Katedrës se Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos; Prof. Zef Kjaramonte e shumë e shumë të tjerë, të cilët do t’i njihni me detaje në këtë libër me informacione dhe biografi të plota, duke plotësuar kështu njohuritë Tuaja për këta studiues të përkushtuar të etapës së sotme të kulturës dhe traditës arbëreshe.
Në këtë libër do të gjeni poezi arbëreshe, biografi të ndryshme, ngjarje, takime, gjurmë, fotografi dhe vepra të studiuesve të veçantë të profilizuar. Të gjitha këto me synimin e vetëm: shpalosje e veprimtarisë së madhe studiuese, analitike, shkencore në favor të ruajtjes së traditës së gjuhës arbëreshe.
Ja, si shprehet Francesso Rido për çështjen arbëreshe:”Asimilimi është problemi më i madh për ne arbëreshët. Unë dhe gjenerata ime, të cilët kemi ruajtur gluhën arbëreshe për 550 vjet, nuk e kemi të lehtë ta përcjellim atë në brezin e ri, kjo për arsye se nuk bëhen më martesa brenda njëri – tjetrit. Nuk mbahet tradita dhe emigracioni një faktor tjetër vrasës për gluhën e zakonet”.
*
A mos vallë vetëm kaq ishte ky udhëtim në formën e një ditari, nëpër këtë copëz të bukur parajsore, Arbërinë? Ai është i pranishëm kudo, me gjithë vitalitetin e tij të fuqishëm e këmbëngulës, duke e trajtuar me shumë inteligjencë këtë projekt të madh, i cili është botimi i parë që vjen në këtë mënyrë e përmasë për lexuesin dhe, sigurisht, po i veçantë për historinë dhe letërsinë shqiptare, duke u pajisur me fakte dhe informacion të ri. Do të jetë një vlerë e shtuar në fondin e librit shqiptar me këtë objekt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.