GJUHA E KRIJIMIT DHE KULTURA E LEXIMIT

Krijuesit shqiptarë me gjasë nuk kanë nevojë që të jetojnë nga krijimet e tyre, u mjafton që t’i thërrasë dikush dhe t’i qerasë me ndonjë gotë raki dhe një grusht kikirikësh!

Nga Avni HALIMI

Dy dekada më parë, bota nisi “ta bluaj” idenë e industrisë krijuese, respektivisht, të mendojë rreth perspektivave ekonomike të bazuara në asociacionet dhe organizatat kulturore. Natyrisht, kjo nuk do të arrihej para se të formësohet koncepti mbi pronën intelektuale dhe t’i jepet kuptim esencial kësaj vlere. Strategji nacionale kineze tashmë nuk është “prodhuar në Kinë”, por ”krijuar në Kinë”!

Qebapët dhe industria krijuese

Në industrinë krijuese u futën veprimtari artistike si, filmi, muzika, botimi, dizajni, trashëgimia kulturore, punimet artizanale etj. Natyrisht, kjo ide, fillimisht, nuk do të hasë në mirëkuptim nga ana e krijuesve, të cilët po mendonin se dikush po mundohet që artin e tyre, pronën intelektuale ta vlerësojë si industri! Sot, ky koncept, shihet si kontribuues më i madh në prodhimin bruto të vendeve të zhvilluara, sesa industria e ushqimit, apo e industrive të tjera. Industria krijuese në SHBA tashmë ka arritur në masë mbi 10 % të BBV-së, duke gjeneruar me qindra miliardë dollarë. Në shtetet e BE-së industria krijuese në BBV ndikon mesatarisht 4-5 %! Edhe në Maqedoninë e Veriut ka filluar të pranohet se arti dhe kultura mund të ndikojnë ndjeshëm në ngritjen e nivelit ekonomik të vendit. Natyrisht që kur ka nisur zhvillimi i kësaj industrie, është shtuar edhe një lloj i veçantë i turizmit – përveç të turistëve të zakonshëm, tashmë kemi turistë kulturorë, të cilët, pa dyshim që po gjenerojnë shumë më tepër të ardhura se sa turizmi i zakonshëm! Kjo ndërlidhet kryesisht me festivalet kulturore glamuroze dhe që zgjasin për ditë e javë të tëra.

Rrugicat e Shkupit nga Qendra në drejtim të Çarshisë së Vjetër janë përplot me stenda librash, reliktesh kulturore, me vepra nga artizanati, aty-këtu ndonjë bend, ndonjë këngëtar, ndonjë galeri shitëse, relikte etnologjike etj. Në shumicë, këto “prodhime” janë pronë intelektuale e maqedonasve, ndërsa shqiptarët edhe më tej merren me papuçe, me argjendari, me çajtore, me qebapë e donerë! Pa dyshim, edhe këto “vlera” përfshihen në kulturën e përgjithshme të një etnosi, por që nuk i bëjnë gjithaq nderë. Në rrugën e “pllastikaxhive” kemi shumë dyqane që ofrojnë “vepra arti” që po shiten, madje që po përdoren edhe për pajë, për dhuratë, për zbukurim të dhomave, zyrave, nga të rinjtë! Të gjitha këto punime të huaja, të pavlera, pa invencion e shpirt krijues, të dala mbase edhe nga “makineritë” që reprodukojnë në miliona kopje një peizazh, një “natyrë të vdekur”, një kompozicion të pakuptimtë, të gjitha këto të futura brenda kornizave që vlejnë shumë më tepër se sa vetë “punimet artistike”!

Pse mos të shitet prona intelektuale e piktorëve tanë qoftë të vendit, qoftë nga bota shqiptare e artit! Pse prona e tyre intelektuale, sikundër edhe e krijuesve të tjerë, të mos konceptohet si vlerë që mund të gjenerojë të ardhura që e përmirësojnë ekonominë e komunës dhe të vendit! Pse komunat shqiptare edhe sot e kësaj dite nuk kanë festivale të tipit të “Verës së Ohrit”, “Mbrëmjet Operistike të Majit”, “Festivali i Filmit “Vëllezërit Manaki”! Deri kur do të vazhdojmë me organizime “kulturore” partiake sa për të përfituar ekskluzivisht partitë dhe organizatorët- militantët partiakë! Deri kur do të tolerohen dhe përkrahen “manifestime” të konceptuara në tezgë përfitimi për organizatorin! Një festival teatral duhet të organizohet sa për t’u përcjellë ekskluzivisht nga publiku prej aktorëve pjesëmarrës, apo duhet të vizitohet prej mijëra e mijëra qytetarë të vendit! Në buxhetin e komunave tona, në raportimin e llogarive përfundimtare, nuk mund të gjesh asnjë zë i të hyrave nga taksat e aktiviteteve kulture, nga prona e “tjetërsuar” intelektuale, nga industria krijuese! Një maskotë origjinale, karakteristikë e shqiptarëve të këtij vendi dhe më gjerë do të mund të gjeneronte të ardhura më shumë se çdo biznes tjetër manifakture! Është kohë e fundit që të mendohet për një strategji nacionale shqiptare në sferën e industrisë krijuese! Fatkeqësisht, në Maqedoninë e Veriut kemi më shumë të njohur kuzhinierë se sa intelektualë që me “mallin intelektual” të tyre kanë hedhur ndonjë hap foshnjarak në industrinë kulturore; kemi dhjetëra kioske gjevrekësh e simit-pogaçesh, ndërsa nuk kemi një galeri arti, një dyqan me vepra artizanati, kemi me dhjetëra shtëpi botuese dhe dy librari (në Tetovë), të cilat çdo ditë e mendojnë mbylljen e aktivitetit, sepse nuk blihen librat! Gastronominë e kemi “të zhvilluar” më tepër nga halli për ta mbushur barkun, ndërsa nuk kemi nevojë për ushqim të shpirtit. Ose, thjesht shqiptarët e Maqedonisë së Veriut akoma nuk kanë dëgjuar për industrinë krijuese e jo më të kenë ndonjë koncept të qartë mbi këtë fenomen që ka marrë aq hov të madh në botën e civilizuar.

Logjet e talljes me poezinë

Po flitet mbi organizimin e “orëve letrare” nga kruzhoqet e ngushtë të krijuesve të mëhallëve, të paverifikuar as nga kritika dhe as nga recensionistët e krijimeve letrare! Pikërisht ky fakt është motivi i këtyre organizimeve ku ftohen kryesisht “poetët e kombit” të cilët e arrijnë “verifikimin” me marrjen e duartrokitjeve frenetike që ia japin njëri-tjetrit. Të shoqëruar me ndonjë gotë raki e me ndonjë kokërr kikiriku, arrijnë në delir nga ajo që e dëgjojnë gjatë recitimeve! E çka dëgjojnë? Pallavra “krijuese”, prej të cilave në fakt ndjejnë një dozë turpi, por që nevoja për “verifkim” i tejkalon të gjitha kriteret e turpit! Ka edhe nga ata “poetë kombëtarë” që përfshihen nëpër kruzhoqe të tilla, sa për t’i dhënë vlerë dhe peshë anonimëve, të cilëve madje “krijimet” ua vlerësojnë si “raketë që shpojnë çdo pazmore”!

Nga ana tjetër, kemi edhe “organizatorë seriozë” të orëve letrare, madje edhe me karakter gjithëkombëtar, natyrisht, të përkrahur financiarisht nga institucionet përkatëse shtetërore! Që në start, nëpër ngjarje të tillë, si dhe nëpër “manifestime” kruzhqesh letrare, vërehet një përpjekje e matrapazëve për të përfituar si famë ashtu edhe ndonjë lek! Në të tilla ngjarje pa dyshim që nuk shprehet kurrfarë respekti as për krijuesin dhe as për krijimet letrare, sepse ato shfrytëzohen ekskluzivisht për përfitime materiale të organizatorëve.

A ndodhë në botë, gjatë organizimeve serioze letrare që të ftohen krijues pa i akomoduar si “mbretër”, pa ua paguar mëditjen si dhe pa bërë kontratë për të drejtat autoriale të krijuesit, i cili para të pranishmëve do të prezantojë një krijim origjinal?! Krijuesit shqiptarë me gjasë nuk kanë nevojë që të jetojnë nga krijimet e tyre, u mjafton që t’i thërrasë dikush dhe t’i qerasë me ndonjë gotë raki dhe një grusht kikirikësh! Kanë nevojë që pastaj të mburren e të jetojnë me “famën boshe” se kanë marrë pjesë në një ngjarje kombëtar të organizuar në një qytet apo fshat shqiptar, u duhet për përplotësimin e cv-së! Ftesa është respekt për të tillët! Ata as që kanë dëgjuar për të drejtat autoriale! Ata nuk kuptojnë se keqpërdoren nga organizatorët, të cilët, nën logjikën e “veprave publike”, ua tubojnë dhe i publikojnë si “përmbledhje poezish”, duke përfituar nga prona dhe mundi i huaj intelektual!

Vlerësimet e moçme thonë se poezia lidi si krijim që i dedikohej perëndive, lexohej para tyre, me shpresë se, kësisoj, krijuesi do ta arrinte bekimin e perëndive! Sot poezia lexohet për një duartrokitje të porositur! Një “bravo” e dalë nga goja e diletantit vlerësohet si “bekim perëndie”! Kënaqet organizatori, kënaqet “i verifikuari me duartrokitje”, kënaqet perceptuesi kukull! Të gjithë ndahen të kënaqur dhe, nuk harrojnë që të merren vesh se në cilën banesë, në cilin livadh, nën cilën dritare do të organizohet “ora letrare” e ardhshme!

Organizimet e këtilla natyrisht që duhet të vlerësohen si mjeshtri e matrapazëve për të organizuar maratonë vrapimi në drejtim të kundërt nga ligji për të drejtat autoriale! Kjo distancë kilometrike krijon mundësitë e botimeve të pseudovlerave, derisa krijuesit e mirëfilltë, duke këmbëngulur në të drejtën e tyre autoriale, ngelin nën hijen e “poetëve trima” të cilët para “auditoriumit” dalin të veshur me pancir para të cilëve bie coftë çdo kritikë objektive apo çdo shqetësim e brengë për fatkeqësinë e krijimtarisë letrare! Derisa do të ketë raki e kikirikë, djathë e qebapë, do të ketë edhe poezi dhe “orë letrare”; do të ketë “poetë të kombit” që do ta përligjin faktin që poezia, megjithatë, është frymëzim perëndie, diçka e shenjtë dhe se nuk është “vibrator” i tyre për vetëkënaqësi!

Letërsia dhe leximi

Letërsia është “stok” i krijimtarisë së përgjithshme letrare, është art i fjalës qoftë kjo si informacion mbi zhvillimin dramatik të veprimit, qoftë si materie e rrëfimit epik. Në kuptimin artistik, letërsia, krijimtaria letrare, është përpjekje e mbinatyrshme për ta okupuar estetikisht botën. Krijimtaria letrare është një proces i pandalshëm, por edhe sistem jashtëzakonisht i ndërlikuar shenjash dhe fjalësh. Fjala, si njësi e gjuhës, është material i amshueshëm ndërtimor i letërsisë. Varësisht si do të jetë ky material, sa do të jetë i pasur në strukturën e vet përbërëse, aq më të fuqishme do ta kemi letërsinë. Krijimtaria letrare me fjalë-material të dobët, nga një tërmet më i vogël, nga një fenomen sporadik natyror, do të shndërrohet në gërmadhë. Ngelin vetëm ato krijime fjalë-forta që u bëjnë ballë madje edhe fenomeneve apokaliptike duke marrë me të drejtë statusin e “mrekullive natyrore”! Hegeli thoshte se, fjala është material plastik që i përket shpirtit dhe vetëm shpirtit. Për fuqinë aktive të fjalës ekzistojnë shumë rrëfime antike. Orfeu përmes fjalëve që i këndonte arrinte që t’i zbusë dhe t’i vë në gjumë edhe bishat më të egra mitike. Amfioni përmes fjalëve që i këndonte arrinte që t’i lëvizë edhe drunjtë nga malet në fusha dhe anasjelltas; t’i lëvizte shkëmbinjtë dhe gurtë, madje t’i bënte që të paloseshin e të bëheshin mure gjigante përreth qyteteve.

Secila krijimtari artistike ka gjuhën e vet. Secili krijim flet në gjuhën e vet porse, të kuptuarit e këtyre gjuhëve varet ekskluzivisht nga kultura e leximit! Kur u shpik televizioni, thanë se mori fund teatri si dhe letërsia! Megjithatë, shumë shpejt u vërtetua se leximi është dhe do të mbetet fondamenti estetik e kulturor, çelës i vetëm që hap të kuptuarit edhe të llojeve të tjerë të komunikimi artistik. Pra, ana e fuqishme e leximi është se, lexuesi-njeriu përmes këtij lloji të artit shndërrohet në stabilizator që i qetëson të gjitha elementet trazues të jetës oqean.

Pa dyshim, leximi është i ndërlidhur edhe me karakterin nacional të gjuhës dhe kulturës. Sa më shumë që lexojmë aq më të fuqishëm e kemi këtë karakter dhe, anasjelltas, sa më pak që lexojmë, aq më të dobët do të jmi gjuhësisht dhe kulturalisht! Shenja komunikuese do të na bëhen ato karaktere gjuhësore që i dëgjojmë e që i receptojmë nga jashtë dhe, kjo, pa dyshim që do të ndikojë edhe në “disiplinimin kulturor” duke na bërë përjetues i elementeve estetike të një gjuhe dhe të një kulture të huaj. Përtej kësaj të keqe, mund të na mbërthejë një e keqe edhe më e madhe: gjuha “na pasurohet” me elemente të huaja gjuhësore, me neologjizma, me barbarizma, me sllavizma që i përdorim me shumë lezet e krenari gjatë komunikimit. Ekzistojnë edhe prej atyre tipave që mendojnë se ky “diversitet shenjash e fjalës” në komunikim i bën edhe më të kulturuar e të civilizuar! Asimilimi do të ishte kulturalisht më i pranueshëm se sa devijimet gjuhësore si pasojë e mos leximit!

Pra, jo letërsia si krijim më vete, por, leximi e arrin atë ndikim mbi gjuhën tonë të natyrshme, e zhvillon ndjeshmërinë për gjuhën, e pasuron dhe e aftëson për të krijuar dhe zhvilluar gjuhën. Prandaj nëpër shkollat e shoqërive të civilizuara pothuajse asnjë lënde nuk i jepet rëndësi më shumë sa analizimit të tekstit të lexuar. Ora mësimore është interaktive. Të gjithë debatojnë mbi atë që kanë lexuar. Pra, prezenca e tyre në orë, rrjedhimisht edhe në shkollë, varet nga ajo se sa lexojnë! Te ne, nuk e kemi këtë problem, analiza na duket si “lëndë mjekësore”, prandaj dhe nuk lexojmë. Prandaj dhe, që nga deputetë, ministra, studentë, gazetarë e opinionistë por dhe qytetarë të rëndomtë, kur i dëgjojmë tek flasin para kamerave, na e shpifin, në bëjnë të pikëllohemi për fatin e gjuhës sonë, për gjendje momentale kulturore që e kemi. Prandaj dhe, edhe krijuesit bashkëkohorë i kemi varfanjakë të skajshëm në gjuhë. Të gjithë ne, (ne që merremi me shkrime) e madhërojmë Kadarenë, veç të tjerash, edhe për fuqinë e tij krijuese dhe përdoruese të fjalëve të reja shqipe. Mund të bëhet një fjalor solid i fjalëve të reja shqipe që i ka përdorur Kadare në krijimtarinë e vet! Por ky fenomen nuk është e drejtë absolute e këtij shkrimtari me përmasa botërore. Kadare nuk e ka përvetësuar dhe me asgjë nuk ua ka ndaluar edhe të tjerëve ta gjejnë, të zbulojnë dhe ta pasurojnë me fjalë burimore gjuhën tonë shqipe. Të gjitha janë nëpër letra e nëpër epe. Vetëm duhet të lexojmë dhe t’i gjejmë. Në të kundërtën do t’i përdorim për komunikim ato që i dëgjojmë përditë. Na është bërë fjalori i neologjizmave, sllavizmave, barbarizmave e fjalëve të huaja që po i përdorim më voluminoz se sa fjalori i fjalëve të gjuhës shqipe. Jemi në prag të një mjerimi gjuhësor e kulturor. Vetëm leximi na shpëton. Në anën e leximit kemi fondin gjigant të vlerave kulturo-artistike të krijuara që nga Gilgameshi, Homeri, Dante, Buzuku, Shekspiri, Dostojevski, Xhojs, Kafka, Pamuki, Kadare e deri te më i miri krijues i kohës që akoma nuk e njohim (sepse nuk e kemi lexuar)!

Leave a Reply

Your email address will not be published.