GJUHA ËSHTË TERRENI I POETIT

Me Olimbi Velaj, poete

Agron Tufa e Luljeta Lleshanaku qenë poetë të cilët më mbështetën shumë në fillimet e mia, ndërsa Lazër Stani, Ramadan Musliu, Myftar Gjana, Moikom Zeqo qenë ata që më këshilluan dhe më ndihmuan mjaft në promovimin dhe rritjen time

Intervistoi: Zyrafete SHALA

Bisedat me Olimbi Velajn nuk mund të jenë ndryshe, përveçse të natyrshme, sepse vetë personaliteti i saj reflekton modesti, thjeshtësi e natyrshmëri. Që nga paraqitja e saj në skenën letrare shqipe e deri më tani kanë kaluar tri dekada. Olimbia, nuk është më ajo studentja njëzetvjeçare që sapo e kishte zbuluar se për të, vargjet do të ishin trajta më e përshtatshme e komunikimit me kohën dhe njerëzit. Krahas poezisë, që vazhdon të mbetet vokacioni kryesor i saj, Olimbi Velaj është edhe studiuese e letërsisë dhe pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Poezia e saj është përkthyer në mbi 15 gjuhë të huaja dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në festivale të shumta ndërkombëtare të poezisë. Gjatë kësaj bisede u kthyem në vitet ’90, për të ndjekur rrugëtimin e Olimbisë nëpër botën e letërsisë dhe evoluimin e saj si krijuese.

HEJZA: A mund të na thoni fillimisht kush është Olimbi Velaj?

O. VELAJ: Jam një shtetase shqiptare me kombësi shqiptare dhe me një ndjesi shumë të fortë të përkatësisë sime si pjesë e këtij kombi dhe e gjuhës shqipe. Kam pasur fat që në fëmijërinë time shkolla ishte shumë serioze dhe merrej shumë seriozisht. Falë arsimit dhe disa modeleve të mësuesve e pedagogëve të mi me integritet të padiskutueshëm, arrita të bëhem edhe vetë pedagoge në moshën e mesme. Më parë punova si reportere e gazetare për dy dekada dhe kjo eksperiencë qe shumë e vyer, sepse më mundësoi të takoja e të njihja dhjetëra njerëz që lanë gjurmë në jetën time si njeri dhe në punën time në aspektin profesional. Fillimisht takimi im me shtypin ishte për shkak të poezisë, kur nisa të botoja si një poete e re. Pak më vonë nisa punën si reportere, duke qenë ende studente. Interesin për studimet nuk e braktisa, edhe pse nuk pata mundësi të punoja në universitet kur u diplomova për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Histori-Filologjisë. Pata rastin të shkoja për pak kohë në Sofje për një specializim pasuniversitar dhe që atëherë krijova një ide të qartë për interesat e mia studimore, që u përqendruan më së shumti te folklori dhe te raporti i tij me letërsinë autoriale. Kam udhëtuar e udhëtoj shumë, sidomos nëpër Ballkan dhe kjo më ka bërë të kuptoj më shumë shqiptarin, identitetin e tij. E konsideroj veten me fat për shumë gjëra, po sidomos ndjehem me fat sepse bëj gjithmonë punë që i kam për zemër.

HEJZA:Ju filluat karrierën letrare në një kohë kur Shqipëria po kalonte përmes ndryshimeve rrënjësore. Përmbysja e pushtetit diktatorial nuk ishte thjesht një ndryshim politik, ajo u reflektua në çdo sferë të jetës, duke tronditur kështu edhe themelet e mendimit njerëzor dhe intelektual. Ju bashkë me poetë të tjerë të rinj, u bëtë përfaqësues të ideve dhe tendencave të reja që po e orientonin letërsinë shqipe të krijuar në Shqipëri, nga realizmi socialist drejt përafrimit me rrjedhat e krijimtarisë letrare evropiane. Si e vlerësoni nga perspektiva e tanishme, ishte fat të jesh pjesë e këtij brezi krijuesish, apo ishte më tepër përgjegjësi?

O. VELAJ: Nga perspektiva e sotme, vetja ime e asaj kohe më duket e çuditshme. Është shumë e vështirë për një njeri në të njëzetat, që është rritur në një vend të mbyllur, me kufizime të jashtëzakonshme, që përnjëherësh të përjetojë ndryshime kolosale, në të gjitha kuptimet. Mua më kishte ndodhur të përjetoja ndryshime të zakonshme si zhvendosja nga një qytet i vogël në një pak më të madh dhe pastaj zhvendosja në kryeqytet. Ndryshimet deri në atë kohë për mua kishin qenë pjesë e një rritjeje normale, por menjëherë, sapo regjimi monist ra, gjithçka u bë e paqartë. Ne ishim shumë të gëzuar që sistemi ndryshoi dhe në muajt e parë ndjeheshim si mbi re, por pastaj kjo liri e shumëpritur na gjeti të paqartë. Nuk dinim si ta administronim, sepse ishim krejtësisht të papërgatitur, së pari për ta perceptuar. Ishte vërtet një kohë tronditjeje. Kjo ishte ajo që përjetoja si njeri. Si poete besoj se gjithçka ndodhi pavetëdijshëm. Siç ishim të pakënaqur me jetën e izoluar dhe të varfër në vitet para rënies së sistemit, ashtu ishim të pakënaqur edhe me artin e realizmit socialist, me estetikën e asaj rryme, që në disa raste na vinte ta refuzonim natyrshëm. Në letërsinë shqipe poezia ka një traditë më të gjatë e më të konsoliduar sesa proza. Çdonjëri nga ata që nisi të shkruante në vitet ’90 u mbështet mbi këtë traditë, në prurjet më të mira dhe më të palëkundura që nuk mund të zhbëheshin, pavarësisht koniukturave. Nga ana tjetër, mendoj se kemi pasur fat që në vitet ’60 erdhën në skenën e letërsisë sonë disa nga poetët më të mirë të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Shija e soc-realizmit, letërsia skematike dhe e dobët ishte lënë pas në një masë të madhe në atë kohë. Poetët e dekadave të mëvonshme nuk e patën fuqinë e atyre të viteve ’60, megjithatë ata patën meritën që me krijimet e tyre më të mira të siguronin një vijimësi që nuk mund të injorohej. Poetët e viteve ’90 ishin të rinj që në një masë të konsiderueshme njihnin gjuhët e huaja, filluan të zbulonin letërsinë e ndaluar dhe filluan të bënin eksperimente, ndonjëherë edhe si formë refuzimi ndaj gjithçkaje që ishte shkruar më parë. Në rastin tim, mënyra si fillova të shkruaja mund të them se qe punë e fatit. Kur jeton në kapërcyell të kohëve, të rrymave, të mentaliteteve, të përjetimeve, është e kuptueshme që do të reflektohet kjo gjë edhe në letërsinë që bën. Qëlloi që unë të isha bashkëstudente me një grup të rinjsh që asokohe po spikatnin si poetë me një frymë dhe gjuhë krejtësisht të re. Ata nuk i lidhte thjesht vetëm letërsia, por mbi të gjitha ishin miq me njëri-tjetrin dhe për pak kohë botuan disa numra të një gazete interesante “E për7shme”. Asokohe gazeta “Zëri i rinisë” vazhdonte të ishte agoraja dhe forumi i poezisë dhe ishte duke luajtur një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e të rinjve të talentuar. Edhe pse nuk bëja pjesë në ndonjë grupim, unë pata të njëjtin reagim me ata ndaj poezisë paraardhëse. Nuk e bëra me vetëdije të plotë këtë gjë. Mendoj se në një farë mënyre u ndikova nga gjithçka e asaj kohe dhe intuitivisht e kuptova se duhet të gjeja një mënyrë timen për t’u shprehur. Në letërsi nuk mund të caktosh qëllime dhe pastaj t’i realizosh pikë për pikë. Sidomos në poezi kjo më duket shumë e vështirë për t’u bërë. Dhe të mos harrojmë se asnjë rrymë e re nuk lind nga hiçi. Të gjithë mbështeten te paraardhësit. Puna është si i tejkalon ata; duke i mohuar, apo duke i lënë pas konkretisht me tekstin që shkruan, duke lënë mënjanë format e tjera të kundërshtimit. Kujtoj se në një masë të madhe ndryshimi ndodhi përmes tekstit vetë. Në vitet e mëvonshme e kam parë shpesh emrin tim të përmendet në gjykimin për poezinë pas ’90 dhe vazhdimisht e shoh veten të renditur në këtë grupim. Unë jetova në atë kohë, debutova në atë kohë, i njoha këta poetë, disa prej të cilëve edhe sot e kësaj dite i kam miq dhe kur shoh pas, e çmoj gjithçka të asaj periudhe. Çmoj sidomos faktin që ata ishin shumë të hapur dhe pranues ndaj çdokujt që ishte i talentuar. Kjo ishte një gjë që e kujtoj me shumë mirënjohje nga ajo kohë. Dhe kam bindjen se poetët e viteve ’90 ishin në masë njerëz më me integritet dhe shumë larg meskinitetit të paraardhësve. Unë nuk i përkisja asnjë grupi, por e ndieja veten të afërt me ta. Agron Tufa e Luljeta Lleshanaku qenë poetë të cilët më mbështetën shumë në fillimet e mia, ndërsa Lazër Stani, Ramadan Musliu, Myftar Gjana, Moikom Zeqo qenë ata që më këshilluan dhe më ndihmuan mjaft në promovimin dhe rritjen time. U jam mirënjohëse të gjithëve dhe mendoj se debutimi si poete në ato vite ishte po aq fat sa edhe përgjegjësi. Të gjithë së bashku, sidomos me tekstet që lamë pas, mbetëm pjesë e një kohe që shënoi ndryshimin.

HEJZA:Në atë periudhë kohore në Shqipëri krijonin disa grupe poetësh, duke filluar nga ata që ende i qëndronin besnikë soc-realizmit, e deri te poetët ish të burgosur politikë që po shfaqeshin me krijimet e tyre në realitetin e ri. Ku e shihni veten në relacion me këto grupime? A ishte krijimtaria juaj më pranë avangardës apo thjesht zhvillohej drejt një fryme moderniste pa u rreshtuar në asnjë grup?

O. VELAJ: Në përgjigjen e mësipërme e kam treguar se lidhjet e mia ishin qartësisht më të afërta me grupimin që u quajt avangardë. Siç e thashë, as nuk kërkova të isha pjesë e ndonjë grupimi dhe as nuk e ndjeva të nevojshme t’i përkisja patjetër diçkaje. Thjesht, vijova të shkruaja duke ndjekur prirjen time. Në kohën kur nisa të botoja ishin poetët e viteve ’80 ata që dominonin nga pikëpamja burokratike skenën. Ishte fakt që poetët pas ’90 po hynin në skenë me një diferencë shumë të dukshme në të gjitha kuptimet. Të gjithë lexuesit e shijes së mirë po e vinin re këtë dhe nuk qe shumë e vështirë për poetët pas ’90 që ta zinin me dinjitet vendin e tyre. Sigurisht, edhe sot e kësaj dite ka raste kur duan ta minimizojnë ose ta injorojnë vlerën edhe praninë e disa poetëve të viteve ’90. Por, ky nuk është problemi i poetëve, por i njerëzve mediokër që kujtojnë se letërsia bëhet me lista e jarani. Tek e fundit teksti është ai që mbetet dhe secili duhet të kujdeset bash për këtë e jo për lista konfirmimesh e çmimesh që kanë qenë e do jenë të ndikuara gjithmonë nga subjektivizmi i hartuesve të tyre. Për fat, në letërsi as nuk hyn dot me hatër dhe as nuk qëndron dot me hatër. Këtë gjë e kam kuptuar në këto 30 vjet.

HEJZA:Keni punuar si gazetare vite me radhë, a ka lidhshmëri mes gazetarisë dhe poezisë dhe a mendoni se në rastin tuaj ato i kanë dhënë dhe kanë marrë shumë nga njëra-tjetra?

O. VELAJ: Letërsia dhe gazetaria duket sikur shkojnë krah për krah, por për mua ky është vetëm një iluzion. Mund të jetë mirë të punosh pak vite si reportere dhe pastaj përvojat me njerëzit e ngjarjet t’i përdorësh në punën si shkrimtare ose si poete. Por, të punosh gjatë si reportere dhe të jesh njëherësh edhe poete, kjo është shumë e vështirë. E them këtë, sepse të shkruarit e poezisë më kthehej në pamundësi varësisht ngjarjeve të përditshme që më ndodhnin në punën si reportere e gazetare. Janë dy regjistra të ndryshëm, pavarësisht se i bashkon fjala. Si reportere të duhet të transmetosh me shpejtësi dhe paanshmëri atë që ndodh, kurse si poete të duhet të meditosh dhe të kesh kohë të lirë e qetësi për të përtypur ngjarjet e pastaj, nëse vërtet diçka të ka mbetur për të thënë, ulesh e shkruan. Në periudhat më intensive të punës si gazetare e kam lënë mënjanë poezinë dhe kjo duket edhe nga sasia e të shkruarit. Megjithatë, unë prapë e konsideroj si fat eksperiencën time 20-vjeçare në gazetari. Në asnjë rast tjetër nuk do kisha mundur të përjetoja aq shumë gjëra dhe aq thellësisht sa në atë kohë. Edhe vitet në të cilat punova ishin shumë domethënëse e të papërsëritshme. Më qëlloi të punoja si gazetare për dy dekada, fill pas rënies së sistemit. Përjetova nga afër shumë ngjarje e njoha nga afër shumë njerëz. Eksodet, hapja me botën, transformimi i pabesueshëm që ndodhi e po ndodh për shkak të lëvizjeve demografike kaotike, firmat piramidale, transformimet e mëdha politike, sociale, kulturore, lufta e Kosovës…  Ishte kohë shumë e çmuar dhe besoj se po ndikon ende tek unë edhe tani.

HEJZA:Aktualisht jeni pedagoge në universitet, studiuese e letërsisë dhe vazhdoni të shkruani, si arrini t’i ekuilibroni këto angazhime?

O. VELAJ: Mund të them se kam arritur të gjej një ekuilibër më të shëndetshëm, sapo u largova nga puna e përditshme në gazetari. Sigurisht mësimdhënia kërkon shumë angazhim, sepse që t’u mësosh diçka të tjerëve, duhet të mësosh vetë së pari çdo ditë dhe të jesh në kontakt me çdo të re që ndodh në fushën tënde. Paralel me mësimdhënien puna me kërkimin shkencor kërkon shumë mund, po sidomos kohë të gjatë e përkushtim. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe kam pasur më shumë qetësi e mundësi për t’i lënë hapësirën e duhur të shkruarit të poezisë dhe angazhimit me të. Nuk i kam neglizhuar më ftesat që më janë bërë dhe kam marrë pjesë rregullisht nëpër festivale, koloni letrare, kam organizuar mjaft lexime dhe leksione të hapura me poetë të njohur sot në botë dhe këtë përvojë si poete e kam ndarë edhe me studentët në auditor. Mirë do ishte një njeri të merret vetëm me një gjë tërë jetën, po jo të gjithë e kanë shansin ta realizojnë këtë. Mund të them se në rastin tim, diversiteti i punëve që kam bërë e bëj, në fund më ka ndihmuar. Mbi të gjitha, me rëndësi është të bësh punë që të pëlqejnë dhe mua kështu më ka ndodhur.

HEJZA:Duke qenë studiuese e letërsisë kur lexoni një poezi deshët apo jo, i qaseni asaj nga një këndvështrim tjetër, nga ai i lexuesit të zakonshëm. Sipas jush, çfarë duhet të ketë një poezi në mënyrë që ta vlerësoni si të realizuar?

O. VELAJ: Vërtet, dua apo s’dua, nuk jam më ajo lexuesja e 30 vjetëve më parë, apo as ajo lexuesja e 20 vjetëve më parë. Të lexuarit e teorisë, pjesëmarrja në shumë diskutime, shkrimi i shumë artikujve dhe leximet që zgjerohen me kalimin e kohës, të bëjnë të receptosh ndryshe. Megjithatë, të gjitha poezitë e mira kanë një gjë të përbashkët, ato receptohen menjëherë si të tilla si nga lexuesit që merren me letërsi, si nga ata që nuk merren me letërsi. Një poezi është e realizuar kur përçon ndjesi te lexuesi, kur ia ndryshon gjendjen atij. Për mua është një test i pagabueshëm ndjesia që ke si lexues para dhe pas leximit të poezisë. Nëse leximi i një poezie ta ndryshon gjendjen, atëherë ajo poezi nuk ka si të anashkalohet. Unë di të dalloj kur dikush shkruan vetëm bazuar te frymëzimi, ose vetëm bazuar te leximet. Një poezi e mirë nuk të lë shijen e reminishencës dhe të bën ta kuptosh se autori është i kulturuar, edhe pse ai mund të mos shfaqë asgjë të drejtpërdrejtë që të të kujtojë ndonjë autor të mëparshëm. Gjithashtu një poezi e mirë nuk është kurrë e papërpunuar. Poeti serioz nuk e nxjerr nga dora një tekst pa e shestuar mirë edhe punën me gjuhën. Në fund të gjitha teoritë bien, nëse një poezi nuk të fut në mendime, nëse nuk të prek në një farë mënyre. Poezia e vërtetë është si dashuria e vërtetë, në të nuk mund të gënjesh dhe nuk mund të shtiresh, sado aktor i mirë qofsh.

HEJZA:Në letërsi, është e pashmangshme të evitohen ndikimet nga njëri krijues tek tjetri; madje pikërisht këto ndikime e sigurojnë atë vazhdimësinë nga njëra epokë në tjetrën, por gjithnjë duke u pasuruar me elemente të reja. Cilët janë autorët që kanë ndikuar më shumë në formimin tuaj si poete?

O. VELAJ: Unë kam “kopjuar” në fillimet e mia, si çdo i ri që sapo e nis këtë rrugë. Por, ajo ishte vetëm periudha fillestare. Në moshën 20-vjeçare isha shumë e vendosur që të mos ndikohesha dhe pasi u përpoqa shumë, besoj se arrita të gjeja një rrugë timen. Atëherë edhe fillova të botoja. Mënyra se si më pritën vendosi në një farë mase edhe vazhdimin tim si poete. Poetë që kanë lënë gjurmë tek unë ishin së pari arbëreshët, sidomos disa botime që qarkullonin edhe arbërisht, edhe shqip. De Rada, Gavril Dara i Riu, Serembe… Kam pëlqyer shumë disa poezi të Naimit, Çajupit e Mjedës dhe në tërësi poezinë e Poradecit e të Migjenit. Nga poezia shqipe e gjysmës së dytë të shekullit të XX kam pëlqyer së tepërmi Fatos Arapin. Tek unë ndikoi shumë edhe poezia ruse, angleze, greke. Qe një poezi që e receptova vetëm nga përkthimet. Mbaj mend që lexoja e rilexoja poezi franceze e spanjolle. Disa poetë që në vitet ’80 erdhën përmes antologjive e përkthimeve shumë mjeshtërore në shqip. Jam ndikuar mjaft edhe nga disa poetë të Kosovës, që i lexoja e i rilexoja, sepse po në atë kohë pati një kolanë të poezisë që ne e pritëm me shumë gëzim. Nga ata besoj se kam marrë shumë, sidomos në pikëpamje të ekonomizimit gjuhësor. Por, edhe nga bashkëkohësit e mi që sapo kishin nisur të debutonin them se u ndikova. Më shkaktonte çudi poezia e Rudian Zekthit dhe lexoja me ëndje Ervin Hatibin. Pothuajse të gjithë poetët që debutuan pas ’90 i lexoja me vëmendje dhe rrallë ka ndodhur të më befasojnë për keq. Më pas kam lexuar poezi bullgare dhe kam përkthyer nga kjo gjuhë. Mendoj se edhe kjo periudhë pati një farë vlere për mua. Ndërkohë që nëpër festivale e aktivitete të tjera ndërkombëtare kam njohur disa poetë bashkëkohorë shumë cilësorë, që edhe ata kanë lënë gjurmë në mënyrën se si shkruaj sot. 

HEJZA:Gjatë këtyre tri dekadave sa jeni duke u marrë me krijimin e poezisë, si çdo krijues edhe ju keni evoluuar; me kalimin e viteve ndryshon pikëvështrimi ndaj botës dhe dukurive të saj, por ndryshon edhe ndjeshmëria me të cilën u përgjigjemi ngacmimeve që vijnë nga realiteti. Si i shihni nga perspektiva e tanishme poezitë e para që keni botuar, a i ndjeni ende afër botës suaj emotive, apo ju duken të largëta?

O. VELAJ: Ndonjëherë i rilexoj poezitë që kam botuar në fillimet e mia dhe ndryshimi vërehet qartë. Kam qenë më naive, por edhe më spontane. Disa prej atyre poezive mbeten cilësore edhe pse koha kalon. Për këtë më vjen mirë. Ndjeshmëria mbetet një parametër i pandryshueshëm te poetët, po me kohë ajo nuk përthyhet njëlloj edhe në tekst. Në fillimet e mia më pëlqente gjuha e errët dhe asosacionet gati të papranueshme. Isha pothuajse në kufijtë e shkrimit automatik. Për periudha të tëra e kam lënë veten t’i bindesha kësaj mënyre të shkruari dhe mendoj se më ka vlejtur. Por, më vonë arrita në një pikë që kërkoja të isha e receptueshme nga të gjithë dhe besoj se tani jam pikërisht në këtë fazë, pra që poezia është bërë e receptueshme krejtësisht dhe nuk mbetet më në mëshirën e interpretimit. Aq shumë e qartë dhe e thjeshtë është bërë poezia që shkruaj, saqë edhe gjatë komunikimit me përkthyesit kujdesem vetëm që ta përkthejnë besnikërisht, sepse kam punuar shterueshëm për të arritur në këtë stad. Nuk qe e lehtë të vija deri këtu dhe nuk mendoj se ky është stacioni i fundit. Fillimet e mia ishin të përqendruara te lirika, pastaj tek-tuk filloi të më shqetësonte realiteti jashtë meje, fillova të shkruaja ndonjë poezi me referencë sociale, megjithëse nuk e pozoja kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë ngjarjen. Gjithmonë jam përpjekur të shkruaj vetëm kur kam pasur diçka për të thënë. Në thelb mendoj se jam e njëjta, por kam ndryshuar në shprehje. Jo aq shumë sa të mos njihem, por kam ndryshuar.

HEJZA:Një poet i mirë, a mendoni se është rezultat i perceptimit të veçantë të botës, njohjes së poezisë (letërsisë), njohjes së vetes apo duhet të gërshetohen të gjitha këto?

O. VELAJ: Mendoj se janë të gjitha këto së bashku. Po si fillim është ndjeshmëria dhe mënyra se si e sheh botën, sa kureshtar je si njeri. Gjuha është terreni i poetit dhe sidomos njohja e thellë e gjuhës amtare mbetet një kusht për poezinë. Një poet i mirë është së pari një njeri i mirë. Kuptohet atypëraty kur poezia shfaqet si formë ekzibicioni dhe kur shfaqet si mënyrë për të thënë të vërteta të qenësishme. Talenti pa humanitet është diçka e papranueshme. Njohja e vetes varet gjithashtu nga niveli i humanitetit. Në pjesën më të madhe të rasteve poetët zbulojnë veten përmes shkrimit të poezisë. Edhe kultura është e rëndësishme, leximi i vazhdueshëm i poezive të të tjerëve në epoka dhe gjuhë të tjera. Edhe pse ajo nuk është më e rëndësishme se talenti, prapë luan një rol të padiskutueshëm. Puna e madhe dhe të shkruarit e vazhdueshëm, pa hequr dorë për periudha shumë të gjata, mendoj se kanë mjaft rëndësi. Në fund, ajo që të bën poet të mirë është besnikëria ndaj vetes dhe sinqeriteti në të shkruar.

HEJZA:Në vëllimin e fundit poetik që keni botuar “Lumturia e të tjerëve” (“The othershappiness”) vëllim dy gjuhësh, keni përfshirë poezi nga të gjitha periudhat e krijimtarisë tuaj. Çfarë ju motivoi që të bëni një sintezë të tillë pikërisht tani?

O. VELAJ: Kisha shumë, shumë kohë që nuk isha e pranishme me një libër. Edhe pse nuk punoja në gazetë, një pjesë e madhe e kohës në universitet më kalonte duke bërë detyra administrative, si zëvendës-dekane dhe përgjegjëse departamenti. Kjo periudhë zgjati për 8 vjet. Gjithashtu pata një periudhë 5-vjeçare angazhimi në Universitetin e Beogradit dhe më herët një periudhë 2-vjeçare në Kolegjin AAB në Prishtinë. Së fundi, për arsye objektive, hoqa dorë nga pozicionet administrative dhe nga punët e tjera e iu përkushtova tërësisht vetëm punës si lektore (vetëm në një universitet) dhe poezisë. Kështu erdhi edhe ky libër. Kishte vite që rrinte në sirtar, bashkë me përkthimin e bërë nga Ukë Zenel Buçpapaj. M’u desh vetëm të shtoja një cikël me poezi të viteve të fundit dhe e dërgova për botim. Të gjitha poezitë e këtij vëllimi kanë qenë të botuara nëpër rubrikat letrare të gazetave ose në revistat letrare në qarkullim. Erdhi si një borxh që ia kisha vetes. Nuk kishte pse të mos i mblidhja në një libër ciklet poetike që i kisha botuar më parë në kohë të ndryshme. Kështu është edhe më e lehtë për ata që do të duan ta lexojnë poezinë time. Shumë nga poezitë e këtij vëllimi edhe janë botuar në disa gjuhë dhe unë pata marrë pjesë në festivale e antologji të ndryshme, duke u përfaqësuar me ato. Gjithashtu paralel kisha nisur të bashkëpunoja për përkthimin e librit në italisht dhe për këtë falënderoj shumë Valbona Jakovën, Beppe Costa-n dhe Claudio Moica-n. QKL e shpalli fitues librin në konkursin për botimin e veprave shqip në gjuhë të huaja dhe ndodhi që edhe botimi shqip-italisht të bëhej brenda të njëjtit vit.

HEJZA:Botimi i radhës do të jetë nga fusha e studimeve letrare apo ndonjë vëllim tjetër me poezi?

O. VELAJ: Kam punuar për një vëllim të ri me poezi dhe besoj se vitin e ardhshëm do arrij ta botoj. Gjithashtu kam nisur të punoj për një monografi që përqendrohet te mënyra si e mësojmë dhe si e studiojmë folklorin. Besoj se për dy vjet këtë punë do ta kryej, nëse gjithçka do të shkojë normalisht.

HEJZA:Për fund, çfarë do t’u thoshit krijuesve të rinj apo atyre që e duan poezinë, por që ende nuk e kanë marrë guximin të shkruajnë?

O. VELAJ: Do t’u thosha që poezia nuk duhet ngatërruar me asnjë formë ekzibicioni dhe që duhet të përballen me publikun, nëse janë të bindur për artin e tyre. Unë kam këtu parasysh njerëz që janë shumë të qartë dhe që nuk i kanë hyrë kësaj rruge për asnjë interes tjetër, përpos atij artistik. Mendoj se përballja është domosdoshmëri në çdo rast. Cilado qoftë pasoja, është më mirë kur përballesh, sesa kur i shmangesh përballjes. Nëse shkruani mirë, herët apo vonë, do ta keni lexuesin tuaj dhe do ta merrni shpërblimin. Unë uroj që në letërsinë shqipe të kemi më shumë autorë që do t’i kalojnë kufijtë nacionalë, realisht, vetëm për shkak të cilësisë së shkrimit.

Foto Rromir Imami

Leave a Reply

Your email address will not be published.