GJUHA SHQIPE DHE TË KONCEPTUARIT KULTUROR

Antropologët a etnologët e huaj, vështrimin dhe interesimin e kishin të përqendruar jo vetëm te të mësuarit e frazave të thjeshta gjuhësore, por edhe te të kuptuarit dhe domethënies së vërtetë të fjalëve

Bukurie MUSTAFA

Fjalët në gjuhën shqipe përveç kuptimit themelor, bartin edhe ngarkesa kuptimore, të cilat plotësohen kur vendosen brenda konteksti kulturor, që është e rëndësishme për konkretizimin dhe përdorimin e drejtë në të folme. Kjo gjë është e dukshme te të huajt, të cilët bëjnë përpjekje që përveç fjalëve dhe shprehjeve të reja që mësojnë, të kuptojnë dhe kontekstin kulturor. Pjesa më e madhe e tyre janë antropologë, etnologë a gjuhëtarë të huaj, që vijnë nga mjedise tjera kulturore dhe kërkojnë të kuptojnë gjuhën shqipe brenda kontekstit kulturor, gjë që u ndihmon atyre që lehtë ta mësojnë shqipen dhe ta flasin drejtë gjuhën. Shumë prej tyre, të vendosur nëpër familje shqiptare për një periudhë të gjatë kohore, kanë pasur mundësinë që të jenë të përfshirë në jetën e tyre reale dhe drejtpërdrejt t’i vërejnë vlerat e kulturës dhe mentalitetit vendas. Ata nuk kanë qenë vetëm vrojtues pasiv, por kanë qenë bashkëbisedues aktiv edhe atë me cilindo pjesëtar të kësaj shoqërie, duke respektuar normat e sjelljes dhe të komunikimit, si dhe duke u përshtatur në mjedisin e ri kulturor.

Në rrethana të këtilla, antropologët a etnologët e huaj, vështrimin dhe interesimin e kishin të përqendruar jo vetëm te të mësuarit e frazave të thjeshta gjuhësore, por edhe te të kuptuarit dhe domethënies së vërtetë të fjalëve. Që në fillim, ata ishin të vetëdijshëm që gjuha do të jetë e pakuptimtë dhe e vështirë për ta, po qe se nuk e kuptojnë të konceptuarit mendor e kulturor të një kolektivi të tërë, siç janë shqiptarët. Të huajt qartas i perceptojnë konceptet kulturore, të cilat ne si folës të lindur të gjuhës amtare, sikur nuk i vërejmë. Për antropologen e etnologen norvegjeze Berit Bacer, e cila ka qëndruar në Isniq të Kosovës, diku nga vitet e 70-ta, të mësuarit e “kodeve kuptimore” brenda një kolektivi, si i quan ajo, është proces i ngadalshëm, dhe është një mjeshtri apo është “arti i interpretimit të të folurit verbal dhe joverbale i mësuar nga i huaji që t’i vëresh dhe t’i kuptosh ato”. Në librin e saj “Behind stone walls”, Baceri thotë: “Shpesh kjo bëhet përmes cenimit të vlerave të shoqërisë. Pas një kohe kuptimi i saktë i një “shumë mirë” të rezervuar u kuptua. Do të thotë po aq shpesh “shumë keq“. Për të thyer kodinnuk është e lehtë, pasi ata që e njohin dhe atë nuk e shohin atë si kod por si gjuhë të drejtpërdrejtë, që e kanë trajnuar atë që nga fëmijëria”.

Një antropologe tjetër amerikane Janet Reineck në librin me titull  ”Një amerikane në Kosovë 1981-1997”, po ashtu në hollësi përshkruan kontaktin me shqiptarët e Kosovës dhe thotë: Pavarësisht këtyre sfidave, më pëlqente të mësoja shqip! Më dukej gjuhë tejet magjepsëse dhe melodike, me shprehje të bukura që zbukuronin gjuhën e përditshme, si p.sh. Ju bëftë mirë; Zoti ju dhashtë bereqet; Ju lumshin duart; Ju lumshin këmbët; Tungjatjeta! Reineck arrin ta kuptoj kontekstin e përdorimit dhe kuptimin e shprehjes “Shnosh”, që e mendon si një shprehje e mrekullueshme që meriton të përmendet: “Kur dikujt i ndodh diçka e keqe, përgjigja është “Shnosh”, që do të thotë: të ka ndodhur një gjë e keqe, por të paktën ke shëndetin! Kur ju vjedhin pasaportën, kur e humbni një telefonatë nga shtëpia, kur dikujt i ikën treni, kur diçka shkon keq…Shnosh! Nuk ka shprehje të tillë në anglisht dhe e kam vërejtur që është shprehje shumë e dobishme në shumë situata. Unë ende e përdorë atë gjatë gjithë kohës. Dikush më pat thënë se një gjuhë e njihni vërtetë atëherë kur mund të luteni, të bëni dashuri, të shani dhe të tregoni një shaka të mirë në atë gjuhë. E gjithë kjo erdhi gradualisht”. Por duhet pasur parasysh që në komunikimin e përditshëm të folësve shqiptarë, një shprehje e tillë mund të përdoret edhe me kuptim të ndryshuar, si formë shakaje.

Edhe Edit Durhami, e cila ka hulumtuar Shqipërinë e Epërme, si e quan ajo, vëren shprehje që përdoren në të folur, e që kanë të bëjnë me veprime të caktuara dhe që i bëjnë përshtypje asaj. Ajo thotë: “Në Shqipëri, kur nisesh për udhë të përcjellin të gjithë ato urime shumë të ndërlikuara, si p.sh.: Të qoftë rruga e mbarë! Të ruajt zoti! Arrifsh shëndoshë e mirë! etj. etj”. Dhe vazhdon: “Dikush më tha se asnjë gjuhë tjetër s’ka aq shumë fjalë të bukura sa shqipja për t’i thënë udhën e mbarë dikujt”. Edhe pse shkon e shoqëruar me përkthyes, arrin mjaft mirë të kuptojë aspektin kulturor dhe mental të shqiptarëve. Kur flet për sistemin fisnor të jetës së shqiptarëve e ilustron me shembull konkret dhe thotë: “Kur pyet dikë se i e ka emrin, ai të përgjigjet se është akëcili nga Hoti apo Shala”. Po ashtu, Durhami vlerëson kuptimin jo të drejtpërdrejtë në gjuhën shqipe dhe thotë: “Shqiptarët përdorin shumë rrotulla në të folur, si p.sh. “Shkoi me kalë, u kthye me gomar” (d.m.th. doli me duar zbrazur për atë që vajti)”.

Robert Elsie, si studiues i folklorit dhe i kulturës shqiptare, po ashtu e merr kontekstin kulturor për të shpjeguar disa çështje më intime. Elsi lidhur me fjalën “dashuri” te shqiptarët,  thotë: “Në shumë martesa, me kalimin e kohës, ishte e natyrshme që të lindnin afritë dhe lidhjet emocionale e seksuale”, por dashuria dhe ngrohtësia e ndjenjave nuk kanë qenë ato elemente që i bënin dhe i mbanin më këmbë martesat. Ka udhëtarë të huaj që nganjëherë kanë shtruar pyetjen nëse shqiptarët e kanë konceptin e dashurisë apo jo. Gjatë udhëtimit të tij në Malësinë e Veriut, Karl Steinmetz-i erdhi në përfundim se “shqiptarët nuk e njohin dashurinë në kuptimin që ne kemi për këtë fjalë. Madje as gjuha e tyre nuk e ka fjalën e duhur për dashuri dhe dashuroj – për këtë të dytën ata përdorin me dasht, me kuptimin ”kam nevojë, ‘më duhet’ (1904). Baroni Franc Nopça (1877-1933) nënkuptonte të njëjtën gjë: “Duke u nisur nga fakti se nusja dhe dhëndri as nuk e njohin njëri-tjetrin kur martohen. Madje, dashuria praktikisht nuk njihet në malësitë e Shqipërisë dhe, për këtë arsye, në shqip nuk ekziston folja “të dashuroj”. Ajo perifrazohet me foljen me dasht ‘pëlqej’ ose me lyp, ‘kërkoj’ “.

Lidhja e gjuhës dhe kulturës nuk mund të mohohet në vendosjen a përcaktimin e kuptimit të një shprehjeje dhe kjo është mënyra e të mësuarit e një gjuhe të huaje, në këtë rast edhe njohjes së gjuhës shqipe, e cila ka edhe dallime të caktuara nëpër rajone të ndryshme edhe pse baza e trashëgimisë kulturore, asaj shpirtërore e materiale, botëkuptimi e të tjera janë të njëjta. Vënia në dukje nga të huajt, rreth asaj që Baceri e quan “kod”, e që ne e trajtojmë si gjuhë që tërthorazi e thotë kuptimin, tregon për shprehjet kundërthënëse në mes formës dhe përmbajtjes dhe vetëm këta që e njohin këtë gjuhë dhe rrethanat, e kuptojnë shprehjen se a është afirmative apo kundërshtuese, a është përçmuese a ironike etj., e që janë të rëndësishme në komunikim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.