Fehmi AJVAZI
Nuk ka jetë të jetuar pa gjurmët dhe përvojat e saj! Dija, dhe para saj kujtesa, nëse nuk respektohen apo braktisen, nuk janë vetëm një koncept që e deformojnë dhe e shterin mendjen, trupin dhe shpirtin, madje deri në thelb të metafizikës sonë, por është edhe diçka tjetër: harrimi – shemra zhbërës e kujtesës! Pra, e kundërta e “kujtesës”, harresa e përbën atë që Kundera e përkufizon s’i “humbja” e së shkuarës! Prandaj, “metafizika e njeriut”, është e njëjtë si në sferën private, ashtu edhe në atë publike. Gjykimi ynë individual dhe e drejta nuk parashkruhen nga elementet e forcës dhe krimit dhe as nuk duhet që ta lejojmë këtë, ashtu sikurse ato as nuk përfundojnë përballë një mëngjesi plotë dritë, apo përballë të madhërishmes me kurorë hyjnore! Jeta jonë më shumë është e rrëmujshme, pakrahasimisht e lëndueshme, por edhe katandisur ama, ajo nuk duhet lënë në “tregun e plaçkave” apo në një lëndinë meraje! Duhet farkuar ajo minutë për minutë, hap pas hapi, qoftë edhe me sagën e sizifit. Por, nën këmbët tona ndodhet formula e prodhimit të lirisë së domosdoshme, pa të cilën thjeshtë nuk ekzistojmë!
Antiliria vjen kryesisht nga njeriu: s’i doktrinë e atij që e mohon, e dhunon dhe e pushton-sundon tjetrin, dhe s’i formë e përmbajtje e nënshtrimit tonë. Nuk e urrejë atë, lirinë as si “mungesë të robërisë”, dhe as si peng të “origjinës” së mugët, kontradiktore dhe ndoshta kaotike për shkak të “gjumit me mullingjinë” ose, pse s’vinte guximi, mujshia natyrore dhe drita e humbur kushedi se kur n’heartland! Gjykimi se edhe një njeri i vetëm në shkretëtirë “ka të drejtë ta shohë një tjetër njeri nga lartë poshtë, vetëm kur e ndihmon të ngritët” (Markezi), mund të përligjet me një çast vetëmohimi, por ta kundrosh “dritën” në këmbim të “gjumit” polar, do të thotë të mbetesh gjithmonë duke parë poshtë lart: pa arritur të mbetesh në këmbë, drejtë, vetëmohues, i lirë, zotërues i jetës tënde…
Le të marrim temën – kategorinë tjetër: harresën! Ky është problem i madh privat i njeriut: vdekja si humbje e vetvetes! Por, çfarë është vetvetja? Shuma e gjithçkaje që ne mbajmë mend. Pra, ajo që na tmerron te vdekja nuk është humbja e së shkuarës. Të harrosh, është një formë vdekjeje përherë e pranishme në brendinë e jetës”, thotë Kundera. E cili është helmi i harresës? Shkrimi, padyshim shkrimi përmes kujtesës dhe aktualitetit në gjallim e sipër. Prandaj, shpresoj të mos më kundërshtoni edhe kur gjykoni se keni të drejtë në mënyrat që gjykoni, sepse, në fund të fundit, jeta është vetëm ajo që na kujtohet! Në këtë kontekst, sipas Kundrës kujtesa nuk është vetëm pjesë strukturore metafizike e jetës që kalojmë, por është edhe politike. Po, politike sidomos kur elementi psikofizik, harresa, instrumentalizohet në shkallë të organizuar dhe, mbi objektiva. Ja si e zbërthen Milan Kundera (shkrimtar) përmes një shembulli konkret mënyrën e imponuar të shtetit, në fakt metodologjinë e defaktorizimit nacional përmes ‘harresës’ nga ideologjia ekspansioniste komuniste dhe shteti komunist i Çekosllovakisë në kohën e tij:
“Të harrosh, është edhe problem i madh i politikës. Kur një fuqi e madhe do t’ia heqë një vendi të vogël ndërgjegjen kombëtare, ajo përdor harresën e organizuar. Pikërisht kjo po ndodh në Bohemi. Letërsia bashkëkohore çeke, deri në masën kur ka njëfarë vlere, nuk është botuar për 12 vjet; 200 shkrimtarë çekë janë ndaluar, përfshirë edhe Franc Kafkën që ka vdekur; 145 historianë çekë janë shkarkuar nga postet, historia është rishkruar, përmendoret janë shkatërruar. Një komb i cili humb vetëdijen për të shkuarën, dalëngadalë humb vetveten. Dhe kështu, gjendja politike ka ndriçuar brutalisht problemin e rëndomtë metafizik të harresës, me të cilin përballemi gjithë kohës, dita-ditës, pa i kushtuar fare vëmendje. Politika i heq maskën metafizikave të jetës private; jeta private i heq maskën metafizikave të politikës.” (1980)
Në këtë kontekst, që të mos na rri deri në fund mendja e varfër, e plakur dhe inerte, t’mos na zhduket e kaluara, gjurmët, t’mos na fshihet e deformohet nga trupi ynë dhuntia e quajtur ‘mendje’, është plotësisht logjike që ne t’i vardisemi kujtesës, dijes dhe shkrimit. Kështu duhet të ngadhënjejmë me çdo kusht ndaj harresës përmes mjeteve dhe teknikave të caktuara, ndërsa rrjedhat e jetës sonë le të jenë në vijimësi “piramidë” e gjurmëve tona! Sepse, gama universale e quajtur “jetë” nuk është rastësi, kurtuazi, imoralitet, manipulim me ne i ligjeve të natyrës apo i ligjeve metafizike – hyjnore. Gjithnjë, është e kundërta: humbja e së shkuarës, domethënë është “jetëshkrimi ynë” trashëgim – e madhërishmja e dhënë…!
Epo, unë nuk e kam gjithë mendjen vetëm te dija dhe kujtesa, te efektet, ndikimi etj., sepse këto janë gjithnjë çështje komplekse por, ne s’mund ta fajësojmë botën për mungesa të këtilla, mendjen e kam më shumë te natyra jonë neglizhente, te organizimi, te përkushtimi dhe te sfidat e tjera që, i kthejmë në norma jetësore! Markezi thotë se, “vdekja nuk vjen me moshën, por me harresën” prandaj, harresës, kësaj mortjejeshëmtuese e varfëruese duhet mbajtur mbyllë portat vazhdimisht…