HERMETIZMI I ÇDO FJALE

Arti i vërtetë nuk është ai që shpreh, tregon, por ai që jep mundësinë e një shumësie shpjegimesh

(Hamdi) Erjon MUÇA

Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte dhe shekulli i revolucioneve dhe prehermetizmi ishte në fazat e veta më të përparuar, në mos, te disa poetë ndeshemi me hermetizëm të vërtetë. Dhe njëri prej këtyre është edhe Stefan Malarme.

Me emrin Malarme jam përballur për herë të parë në një libër me kujtime të Giuseppe Ungaretti-t; ishte i mrekulluar prej tij ndoshta edhe i influencuar nga ky lloj prehermetizmi i mugët, kaotik, jo i rrëmujshëm, por kaotik, pjellë e asaj perëndie prepagane, Kaosit, që kontrollonte gjithçka përpara se të shfaqej Kronosi, dhe që në vargjet e Malarmes duket sikur rijeton. Pa u ringjallur; jeton si të mos ketë rënë kurrë.

Malarme, përpos çdo lloj sfumature të mundshme, është babai i hermetizmit të vërtetë. Të paktën mua më është dashur ta lexoj në dy mënyra, pak a shumë siç thotë edhe studiuesja italiane, Luciana Frezza; Malarme duhet lexuar edhe me gjaknxehtësi edhe me gjakftohtësi, larg çdo lloj paragjykimi të mundshëm. Në të dyja mënyrat e leximit përfton diçka nga Malarme, dhe duke ia mbivendosur ndjesinë e gjakftohtësisë asaj të gjaknxehtësisë, mund të arrihet një lloj ndërveprimi me tekstin Malarme-jan. E, ndokush mund edhe të thotë: eh sa kohë paske mor njeri, ne nuk kemi kohë ta lexojmë një herë dhe jo më dy herë?! Nejse! Për të gjithë ata që nuk kanë kohë dhe që kanë dëshirë të vëzhgojnë përtej kuptimit tradicional të fjalës, punën e rëndë e bëra unë dhe kjo është ajo që unë kam vëzhguar.

Ah, edhe një gjë tjetër: mjaft nga miqtë e mi, kur kemi dialoguar për poezinë italiane, më kanë thënë se arrijnë të perceptojnë më mirë hermetizmin e Quasimodo-s se sa atë të Montale-s. Kjo ka dy arsye, e para ka të bëjë me gjuhën në të cilën lexohen këta autorë. Në gjuhën italiane, hemetizmi i Montale-s është shumë me hermetik se sa ai i Quasimodo-s, kjo ngaqë hermetizmi i Quasimodo-s nuk është hermetizëm i pastër, por i kontaminuar. Kjo gjë ndodh edhe me Malarme-n. Për shumë kohë ai është etiketuar si poet i zymtë, i pak kuptuar, i pakuptuar, kjo ngaqë në atë periudhë, askush nuk mund të hamendësonte në lindjen një stil të ri. Ndoshta, pikërisht, duke zbërthyer artin Malarme-jan, Ungaretti-it i lindi maksima e tij e famshme: Poezia është aty ku fsheh diçka. Për projektin tim, përpos se më duhet të merrem me ata poet që janë të drejtpërdrejtë, paraprirës të hermetizmit, më duhet të gjej edhe poezi të shkurtra apo sonetet dhe kjo nuk është punë e lehtë, ngaqë në shekullin XIX poetët shkruanin tmerrësisht gjatë; edhe ata kishin më tepër kohë për t’ia përkushtuar shkrimit poezisë, edhe lexuesit për t’i lexuar këto krijime të gjata.

Poeti e nis poezinë me vargun: Po të sjell të birin e një nate të Edomit!

Edomi ka qenë një mbretëri në jug të Izraelit dhe, sipas shkrimeve në librat e shenjtë, duhet të ishin pasardhës të Davidi-t dhe Esae-s. Po pse të mos thoshte të birin e një nate të Izraelit, apo të Galilesë. Jo, ai shkon pak më përpara në kohë, dhe kur thotë të birin, kërkon të thotë pjellën e një nate, dhe si themi ne, që të tregoj këtë histori duhet një natë dimri. Pra, poeti na thotë tërthorazi që po na sjell një përrallë apo histori, e lindur në një natë të Edomit; periudhë e pandriçuar mirë e njerëzimit; me pak fakte dhe ato pak janë shumë të dyshimta, kundërshtuese, më tepër të denja për botën e përrallave se sa të fakteve.

I zi, me flatrën e mpirë, gjakosur, ç’pendëzuar,

nga qelqi i përfakur prej esence erëzash dhe ari,

nga dritaret e ngrira, mjerisht! të errëta sërish,

agimi u zhyt përmbi kandilin engjëllor.

Më pas është kjo fjali e gjatë, i njëjti mendim, në formën e një strofe virtuale. Dhe, kur më sipër përdora fjalën kaotike si një veti e veprës Malarme-jane, pikërisht këto lloje vargjesh kisha në mendje. Ngaqë poeti si fillim na paraqet të gjitha vetitë tija vizive ashtu edhe fizike dhe më pas na thotë se kujt i përkasin, dhe më pas akoma se çfarë ushtron, dhe në fund fare kundër kujt. Pra, agimi i njerëzimit nuk është aspak i ndriçuar, ashtu siç u munduan të na e paraqisnin utopistët dhe soc-realizmi i shekullit XX.Jo, ai është i errët dhe antikapat dhe me këtë mangësi të vetën, këtë cungësi, u mundua të futej në jetët e njerëzve, nga dritaret shekullore të ngrira dhe nga i ftohti dhe tymi i kandilave të besëtytnisë. Falë mugëtirës së mungesës së fakteve të pamohueshme, po lindet një histori moderne me ekstreme, kundërshtues të palëvizshëm dhe pranues të palëvizshëm.

Palma! dhe kur ia tregoj reliken

këtij ati orvatës i një buzëqeshje armiqësore,

vetmia e kaltër dhe shterpë ka ngjethur.

Palma, në numrin shumës dhe jo si përcaktuese. Kjo fjalë më dërgon në oazat e pakta mes shkretëtirave, ku një dorë me palma mundohen të mbijetojnë dhe i bëjnë hije një pellgu me ujë; vetmi që rrethon pranë një pike shprese dhe kjo shpresë edhe vetë është e pashpresë, sepse nuk ka as prurje e as derdhje. Kjo është krijesa njerëzore, një grumbull palmash mes shkretëtirës. Dhe kur poeti, intelektuali, mundohet t’ia zbulojë këtë relike të së shkuarës njeriut, ky sepse armiqësohet, sikur ngjethet nga një frikë e pakuptueshme. Sa bukur e mbyll këtë mendim. Vetmia e kaltër dhe shterpë ka ngjethur. Vetmia e qiellores me engjëj pa seks e tremb, por krahun e atyre që kundërshtojnë, mospranuesve të patundshëm kjo i nervozon, irriton, në një farë mënyre i ngjeth edhe ata. Ja pra se si poeti, i klasifikon të njëjtë si pranuesit pa kushte si kundërshtuesit e patutshëm. Janë të gjithë ca palma vetmitare, që i bëjnë hije pellgjeve të tyre të pashpresa.

O përkundës, me tët bij dhe pafajësinë

e këmbëve tuaja të ftohta, prit një krijesë krupëse:

dhe zëri yt që ndjell klaviçembalë dhe viola,

të shtypësh do të duash me gisht të shqyer gjirin tënd

derisa të lindë gruaja në të këllptën bardhësi

për buzë nga ajri i të virgjërës kaltërsi të uritura?

Në mbyllje, Malarme bëhet edhe më hermetik, kaotik, aq sa edhe ato dy mënyra leximi, që përmenda më lart, nuk janë të mjaftueshme. Madje, edhe këtu ku shumë herë lexim më kanë çuar, nuk më kanë qartësuar plotësisht. Mirëpo, arti i vërtetë nuk është ai që shpreh, tregon, por ai që jep mundësinë e një shumësie shpjegimesh. Duhet t’i përngjasë krijesës njerëzore; të ngjashëm, por jo të njëjtë. Çdo individ me pretendimet dhe me dyshimet e veta, me këndvështrimin e vet dhe me ndjesitë e veta, në bazë të të cilave edhe e bukura, edhe e shëmtuara marrin subjektivitetin e pranuar. Në këtë mbyllje, duket sikur Malarme i drejtohet edhe vetes, pra atij që po ia tregon këtë përrallë fëmijës së vet, por edhe atyre përralla treguesve, përkundësve, që shekull pas shekulli janë munduar të përgjumin krijesën njerëzore. Me tët bijë, thotë poeti; kjo ka të bëjë edhe me të presonalisht, pasi i vetmi fëmijë që i mbeti në jetë poetit ishte vajza, sepse djali i vdiq në moshë fare të vogël nga një sëmundje e gjakut. Ndërsa në dualizmin e vet, kjo përbën një lloj provokimi, për të gjithë liturgjinë Hebraike që është mëma e besimeve monoteiste europiane dhe jo ku spikat pushteti i patriarkatit. Kjo botë, fajtore në mendime, në besime, në bindje, është e pafajshme fizikisht, materialisht; sado të shpresojë apo jo në lartësi, këmbët i ka të mbështetura mbi tokën ku varroset, pra të ftohta, më pranë vdekjes nga ç’pandehim. Vetes, përkundësve, por edhe dëgjuesve, të përkundurve, poeti u thotë të dëgjojnë edhe këtë krijesë, krupëndjellëse; siç thoshte më vonë edhe poeti unë i madh, Migjeni: Far, e idhtë… far’ e idhë…- O njerz të bimë nga far’ e ambël! Një të vërtetë, apo një të vërtetë të mundshme, por që për njerëzit, si rëndomtë ndodh, e vërteta, jo pak herë u ndjell krupën. Zëri prej tregimtari, i rëndë, as me tonalitet të lartë dhe as me tonalitet të ulët, pra klaviçembal ose violë; kush studion muzikë e di mjaft mirë që viola për më tepër është ai zëri ndërmjetës, mes violinës dhe violonçelit. Ky tregimtar do stepet, pasi të ketë përthithur këtë histori vërtetësie, me gishtin e vet të shqyer, si vizion i gishtit të perëndisë që dhuron jetë, do mundohet, do shpresojë të krijojë një tjetër vërtetësi, por me një panjollësi të lëkundur, gjithnjë të etur, uritur, për apoteoza qiellore. Mirëpo, madhështia e poetit qëndron pikërisht te shenja e pikësimit. Ajo pikëpyetje në fund e bën më të rëndësishme krijesën e tij. Ia le në dorë lexuesit mënyrën se si dëshiron të sillet; do vijojë kacafytjet, pranimet dhe mos pranimet mbi disa histori të pafaktueshme apo do nisnin të kërkojnë shpjegime të reja.

Poeti i titullon këtë krijesë: “Dhunti e poemë”. E duhet të kesh pikërisht këtë dhunti për të krijuar diçka që shkon përtej të gjitha pritshmërive. Hermetike në çdo fjalë, duke bërë, që edhe vetë gjuha, si formë shkencore, të mos ketë më atë saktësinë me të cilën jemi mësuar ta paragjykojmë.

DHUNTI E POEMËS

Po të sjell të birin e një nate të Edomit!

I zi, me flatrën e mpirë, gjakosur, ç’pendëzuar,

nga qelqi i përfakur prej erëzash dhe ari,

nga dritaret e ngrira, mjerisht! të errëta sërish,

agimi u zhyt përmbi kandilin engjëllor.

Palma! dhe kur ia tregoj reliken

këtij ati orvatës i një buzëqeshje armiqësore,

vetmia e kaltër dhe shterpë ka ngjethur.

O përkundës, me tët bij dhe pafajësinë

e këmbëve tuaja të ftohta, prit një krijesë krupëse:

dhe zëri yt që ndjell klaviçembalë dhe viola,

të shtypësh do të duash me gisht të shqyer gjirin tënd

derisa të lindë gruaja në të këllptën bardhësi

për buzë nga ajri i të virgjërës kaltërsi të uritura?

Leave a Reply

Your email address will not be published.