Tek impresionistët, ekzistencialistët, ekspresionistët gjurmët vërehen qartësisht, thuajse tredimensionalisht
(Hamdi) Erjon MUÇA
Hermetizmi, mund të quhet edhe arti i fshehjes, ose është, arti i fshehjes së gjurmëve; vetë Ungaretti shkruante: poezia është aty ku fsheh diçka. Gjurmëve të leximeve, influencimeve, për të mbërritur në një formë arti që të jep ndjesinë e të gjithësishmes, por pa kaluar në veçanti, as artistike, as psikologjike, as filozofike, as metafizike, e as legjendare. I ndjen të gjitha këto që sapo përmenda, por qartësisht asgjë nuk perceptohet.
Tek impresionistët, ekzistencialistët, ekspresionistët gjurmët vërehen qartësisht, thuajse tredimensionalisht. Për shembull, në poezitë e Jorge Lusi Borgez-it, vërehen qartësisht jo vetëm gjurmët e poetëve mbi të cilët ka reflektuar, por edhe besëtytnitë e të gjitha etnive të cilave ai u përkiste, nga atë anglosaksone, tek ato latine dhe të banorëve autoktonë të Amerikës Latine, me të cilat etnitë e shumta europiane përzjenë gjakun dhe gjenetikën e tyre, madje te Borges-i vërehen qartë edhe gjurmët e filozofive me të cilat ai u mor gjatë. Kjo tek ai nuk përbën një çudi, arti poetik i Borges-it mund të cilësohet shumë mirë si ekspresionizëm, përpos se realizëm magjik. Përbën çudi tek Quasimodo, që është i vetmi hermetik që nuk i fsheh aspak gjurmët, nuk ka kundërshtim me Ungaretti-n apo me të paarritshmin Montale. Mirëpo, edhe kjo e ka një shpjegim thuajse logjik. Borges-i, për shembull, nuk i përkiste një etnie të pastër, autoktone, aq sa për të humbur edhe gjurmët e prejardhjes së vet; ai ishte një përzierje etnish të përcaktuara në kohë dhe rrethana dhe kjo ndikoi në gjithë formën artistike të tijën; madje edhe jetesa e tij në një vend me një konglomerat marramendës etnish ka ndikuar thellësisht në artin e tij. Montale, i cili është fshehësi më i madh, ishte nga Liguria, dhe rrënjët i tij, humbnin në errësirën e kohës, po në rajonin e Liguriës, ndaj ai ndihej i pacenuar nga mëdyshjet, apo hamendësimet e përkatësisë. Quasimodo ishte i ngucur nga hamendësimi se mos ishte pasardhës i atyre që krijuan manjagreçën dhe duke përzier gjakun e tyre me latinët i dhanë jetë një etnie të ndryshme si nga të parët ashtu dhe nga të dytët. Ose një etnie që të mund t’i përmbante të dyja filozofitë. Ndaj edhe tek Quasimodo vërehen gjurmët, ndihen mëdyshjet dhe përzihen filozofitë. Ndërsa tek Ungaretti, një rol të madh luajti vendlindja e tij; ai prindërit i kishte nga Toskana, me rrënjë që humbasin në të, por lindja e tij në një ambient multidimensionalisht të kundërt me atë italian, përballja e tij me kulturën frënge në mes të ambientit arab, bënë që hera herës ai të lejonte perceptimin e ndonjë gjurme.
Tani le të shohim me vëmendje se si, gjurmët, është thuajse e pamundur t’i vëresh. Poezinë “Jam një krijesë” Ungaretti e krijoi gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërsa ndodhej në llogore. Dhe e nis me “Si ky gur- i S Mikeles”. Pra jam një krijesë si ky gur. A nuk thuhet në bibël që në fillim Perëndia krijoi qiellin edhe tokën. Pra mbi këtë planet, të krijuar, asnjë nga krijesat nuk është më pak ose më tepër e vlefshme se të tjerat. Nëse pretendojmë që ne kemi një shpirt, si krijesë e perëndisë duhet që edhe ky gur të ketë një shpirt. Më pas ai nis dhe na përshkruan vetitë e këtij guri: “kaq i ftohtë – kaq i fortë – kaq i tharë – kaq refraktar”. E bukura është se kur i lexon të duken të gjitha veti njerëzore. Mos ndoshta ne, duke u bazuar te vetitë njerëzore kemi përcaktuar vetitë e sendeve dhe aspak e kundërta? Mirëpo, e vetmja veti që më ngacmonte, deri në çastin që e zbulova, ishte fjala refraktar. Refraktare është cilësi krejtësisht lëndore, do të thotë përthithës i nxehtësisë, durues i temperaturave të larta që nuk pëson ndryshime të dukshme. Mirëpo në artin poetik kjo nuk aspak kuptim. Duke hapur fjalorin u përballa me madhështinë e kësaj fjale. Në italisht kjo fjalë ka më tepër se dhjetë sinonime. Disa nga këto janë:i distancuar, i qëndrueshëm, indiferent, i pandjeshëm, i shurdhër, i palëkundshëm dhe deri tek më modernia e shprehjeve, aliene…
E megjithëse gjeta të gjitha këto sinonime të fuqishme, sërish nuk isha i bindur, sepse Ungaretti e mbyll strofën me frazën “kaq përgjithësisht-i ç’shpirtëruar”. Domethënë që as guri dhe as njeriu nuk kanë shpirt, meqë edhe njeriu ashtu si guri është një krijesë. Gjurmën e gjeta tek një poezi e Giosue Carducci-t me titull Sprinacë Poetëve dhe është një poezi satirike, e cila ve në lojë poetucët patriotik, e cila pati mjaft kritika për frymën e sajë franceziste. Në të është pikërisht fjala refraktare që inkriminohet më tepër.“Dhe refraktarët- do të jenë të detyruar të krijojnë hënorë.”
Pas gjetjes e gjithë panorama mori kuptim. Dhimbja e poetit në llogoret e luftës është e shkëputur nga retorikat patriotike. Ajo që ka para syve është një gur, refraktar ndaj ndodhive të marra njerëzore, i njëjtë me njeriun, refraktar ndaj ndodhive misterioze universale. Vajtimi i tij, që nuk shikohet, është indiferent ndaj të gjitha bindjeve; poeti reflekton mbi të vërtetat e padukshme për vështrimet, dëgjimet dhe ndijimet e njerëzorëve. Realiteti ka të bëjë me jetën dhe me vdekjen. Ose: ka të bëjë me vdekjen, e cila nuk vjen njëherësh, por dalë e ngadalë përgjatë jetës. Të gjitha krijesat, edhe të ngurtësuarat, madje edhe fosilet që ruajnë akoma formën e tyre fillestare, në thelb nuk kanë vdekur, por po jetojnë një lloj vdekje të përditshme. Ose një jetë të vdekur. Ja se si del tabloja e përgjithshme pa kaluar në asnjë gjurmë të veçantë, ose thuajse. Një lloj Epikureizi që kundërshton e Epikurin. Jam edhe unë, edhe vdekja. Jemi të dy ngërthyer në një vallëzim marramendës. Të ç’shpirtëzuar të shpirtëshëm.
SONO UNA CREATURA
Come questa pietra
del S. Michele
cosi freda
cosi dura
cosi prosciugata
cosi refrattaria
cosi totalmente
disanimata
Come questa pietra
è il mio pianto
che non si vede
la morte
si sconta
vivendo
JAM NJË KRIJESË
Si ky gur
i S. Mikeles
kaq i ftohtë
kaq i fortë
kaq i tharë
kaq refraktar
kaq përgjithësisht
i ç’shpirtëruar
Si ky gur
është vaji im
që nuk shihet
Vdekja
shpaguhet
duke jetuar