HETEROTOPIA E ROMANIT SHQIPTAR

Heterotopitë janë vende reale, që gjenden brenda një kulture ekzistuese a një shoqërie të caktuar, dhe duke qenë hapësira tjera, vende jashtë të gjitha vendeve, janë të destinuara për të ndryshuar sisteme kulturore dhe shoqërore

Afrim REXHEPI

Në tekst shqyrtojmë mundësinë e letërsisë si fiksion dhe impaktin e saj në hapësirat e një shoqërie të caktuar. Problematika qëndron në integrimin e letërsisë si hapësirë fiksionale, në hapësirën faktike, sepse hapësira letrare është pjesë e realitetit, por edhe është e distancuar nga vetë realiteti. Kjo shpjegohet me faktin që letërsia është fiksion dhe ndikon fuqishëm në proceset politike e kulturore, dhe jo vetëm, është edhe hapësirë fiksionale, një hapësirë tjetër që pasqyron e potencializon, me tendencë të transformojë shoqëritë e caktuara. Gjithmonë, në esencën e teksteve letrare, qëndron kategoria e gjasës dhe e mundësisë për ndryshim. Mendojmë që një roman, është heterotopi, është hapësirë tjetër, dhe e ka impaktin e duhur politik dhe kulturor, për ta shfaqur të vërtetën në shoqëritë e caktuara. Në librin Universi i fiksionit (1988), Thomas Pavel, duke e lidhur përdorimin e ligjërimit logjik për qëllimin e diskursit imagjinar me tipologjinë e botës imagjinare, thekson faktin që në vend të një semantike të unifikuar, fiksioni ka nevojë për një tipologji botësh për të përfaqësuar shumëllojshmërinë. “Nëse, nga njëra anë, botërat e gjasave, janë të përcaktuara për të siguruar një model në teorinë e fiksionit, nga ana tjetër, nocioni i botës si një metaforë ontologjike për fiksionin, mbetet tepër tërheqës…duket e pamundur të identifikohen Ana Karenina, Sherlock Holmes dhe të tjerët, ndryshe nga vetitë që iu atribuohen atyre nga teksti letrar…botërat fiksionale posedojnë realitetin e vet, personazhet fiktive mund të ekzistojnë edhe në ndonjë realitet tjetër”. (Pavel,194: 37) Kontakti me filozofinë analitike dhe me semantikën e botës së gjasave, ndryshoi përcaktimet teorike në epokën poststrukturaliste të Ljubomir Dolezel – it. Ishte pasardhës i njërës nga shkollat teorike – letrare më me ndikim në shek. 20, Shkolla e Pragës, e që pati ndikim të theksuar në zhvillimin e strukturalizmit dhe poststrukturalizmit francez. “Nuk dua të pretendoj se Dolezel-i miratoi të gjitha sugjerimet vendimtare të Shkollës së Pragës (për shembull, ai la mënjanë nocionin thelbësor – funksionin estetik). Megjithatë, pjesa intensive e botës së tij fiktive, është fort e lidhur me metodën e kërkimit stilistik të Shkollës së Pragës”. (Bohumil, 2016: 45)

Fiksioni

Në fakt, termi i tij heterokosmika, i shënuar në studimin Heterokosmika. Fiksioni dhe botërat e gjasave (1988), është rezultat i studimeve që ka bërë në stilistikë, teori letrare dhe naratologji, është sintezë e studimeve për semantikën e narrativës fiksionale. Ajo që intrigon, është fakti i teorisë së tij të fiksionit e që përcaktohet përmes poststrukturalizmit dhe interdisciplinaritetit. Edhe pse, pjesërisht pranon mendimin e Tomas Pavelit që fiksioni, njëkohësisht është edhe nocion pragmatik, edhe nocion semantik, Dolezel, semantikën e fiksionit, e vë në baza të tjera në raport me pragmën interpretative mimetike, ku semantika e realitetit fizik, kalon në semantikën e botës së gjasës. “Semantika bazohet në përcaktimin ontologjik si vijon: të ekzistosh vërtet, do të thotë të ekzistosh i pavarur nga paraqitja semiotike, të ekzistosh fiksionalisht do të thotë të ekzistosh si projeksion semiotik. Në ndonjërën nga sistemet semiotike, si për shembull, letërsia, entitetet fiksionale ekzistojnë për shkak të teksteve fiksionale”. (Dolezel, 1998: 45)

Për të qenë më bindës në interpretimin e teorisë së fiksionit të Dolezelit, më poshtë, po shënojmë elementet distinktive të fiksionit: Botërat Fiksionale janë artefakte (poiesis); Botërat Fiksionale janë botëra autonome dhe jo imitime (mimesis); Botërat Fiksionale mund të jenë analoge me realitetin fizik por edhe po aq fantastike sa të jenë kundër realitetit fizik; Botërat Fiksionale letrare janë heterogjene për nga makrostruktura, me semantikë paradigmatike; Botërat Fiksionale, ontologjikisht janë të ndryshëm ndaj realitetit fizik, karakterizohen përmes zbrazëtirave ontologjike; Botërat Fiksionale janë objekte semiotike, ku teksti është medium semiotik që ndërmjetëson midis konstruksionit të autorit dhe rekonstruksionit të lexuesit; Botërat Fiksionale, janë kategori të veçanta të teksteve konstruktive, dallojnë nga tekstet deskriptive a përshkruese, ku realiteti fizik është ose i vërtetë ose jo i vërtetë. Tekstet fiksionale karakterizohen nga një realitet për të cilin nuk mund të thuash që është apo nuk është i vërtetë; gjuha e fiksionit është referenciale dhe jashtë lidhjeve mimetike me realitetin fizik. Umberto Eko mendon që: “Në realitet, botërat e trilluara, janë parazitë të botës aktuale, por ato në  fakt, janë “botë të vogla” që kapin pjesën më të madhe të kompetencës sonë për botën aktuale dhe na lejojnë të përqendrohemi në një botë të kufizuar, të mbyllur, shumë të ngjashme me tonën, por ontologjikisht më të varfër” (Dolezel, 1998: 2).

Sipas teorisë dekonstruktiviste të Fukosë, në secilën kulturë a civilizim, ekzistojnë edhe vende reale dhe efektive, që në përkufizimet e ndryshme përcaktohen si të thuash, si vende të përthyera, vende të margjinalizuara brenda një shoqërie a kulture të caktuar, vende antiutopike këto, hapësira tjera, që Fuko i definon si heterotopi. Në fakt, sipas Fukosë, ç’janë heterotopitë? “Pasqyra është një utopi, pasi është një vend pa vend. Në pasqyrë, e shoh veten atje ku nuk jam, në një hapësirë ireale, që virtualisht hapet pas sipërfaqes. Unë jam atje, ku nuk jam, jam një lloj hije që më mundëson ta shoh veten aty ku nuk jam, aty ku unë mungoj. E tillë është utopia e pasqyrës. Por është gjithashtu një heterotopi, për aq sa pasqyra ekziston në realitet, me efekte të kundërveprimit, ndaj pozicionit që unë kam. Nga këndvështrimi i pasqyrës, unë zbuloj mungesën time, pasi e shoh veten atje. Duke u nisur nga ky vështrim që është, si të thuash, i drejtuar kah unë, nga hapësira virtuale që është në anën tjetër të xhamit, kthehem drejt vetes. Filloj përsëri të rishikoj veten dhe të plotësohem aty ku jam. Në fakt, pasqyra funksionon si një heterotopi derisa e bën këtë vend që unë zë në momentin e caktur, absolutisht real, i lidhur me të gjithë hapësirën që më rrethon dhe absolutisht joreal, pasi që për tu perceptuar, duhet të kalohet përmes kësaj pike virtuale që ndodhet atje”. (M. Foucoult) Pra, heterotopitë, janë vende reale, që gjenden brenda një kulture ekzistuese a një shoqërie të caktuar, dhe duke qenë hapësira tjera, vende jashtë të gjitha vendeve, janë të destinuara për të ndryshuar sisteme kulturore dhe shoqërore. Kjo tregon edhe kuptimin e dyfishtë të heterotopive – hapësirave tjera, mundësinë e të kuptuarit të hapësirës së letërsisë si hapësirë tjetër, por edhe si një institucion kundërthënës, me potencial alternativ. Nga një perspektivë e tillë, sipas konceptit dekonstruktiv të Fukosë, heterotopitë janë hapësira polisemike, dhe në raport me hapësirat tjera në sistemet shoqërore, janë hapësira paralele. Në diskursin tonë teorik, hapësirën e letërsisë, e kuptojmë si hapësirë me potencë alternative, si hapësirë e mundësive, kurse hapësira letrare / fiksionale, është përcaktimi i hapësirës së njejtë, në formën e një romani.

Hapësira e diskursit fiksional

Në fokusin e interpretimit tonë janë Murat Isaku dhe Kim Mehmeti, romanet e të cilëve, për nga kuptimi artistik, për nga dimensioni dhe specifika dominuese e strukturës poetike dhe estetike, janë forma dominuese në letërsinë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Në fakt, po të shënohet a përcaktohet trajektorja e evoluimit të romanit të romansierëve në fjalë, theksohet një evoluim i poetikës, nga projektimi mimetik (Murat Isaku), deri tek format mitike – simbolike dhe alegorike (Kim Mehmeti). Pra, hapësira e diskursit fiksional, “hapësira tjetër”, është fiksioni – hapësira e gjasës, është mundësia alternative e rendit shoqëror. Në fakt, përcaktojmë fiksionin (hapësirën letrare) si heterotopi, por edhe si institucion që pasqyron deformimet, tragjizmat dhe potencialet e mundshëm shoqëror.

Në diskursin tonë teorik, romanet e Murat Isakut, i përcaktojmë si  hapësira fiksionale, si heterotopi që shënojnë ekzistencën e tyre përkufizuese a kundërshtuese nga qendra, janë hapësira fiksionale kundërshtuese ndaj gjithçkaje nga qendra. Struktura e hapësirës fiksionale, përbëhet nga elementet e mëposhtme: autori i gjithdijshëm fokusohet në hapësirë: Sharri, malet e Sharrit, është hapësirë,  ku prehen fatet dhe luhen tragjeditë më të thella njerëzore. Personazhet e romaneve Plagët, Fatprerët, Rreckajt, Shtjella si për shembull, Kelmend Gajria, Lekë Gajria, Kushtrim Rreckaj, Nikë Rreckaj, Përoska, Gjata, Abo Xhabiri, Sheh Alabini, etj, shprehin fatet tragjike kolektive të popujve, janë figura që shënojnë qëndresë dhe rezistencë. Njëri nga personazhet emblematik të romanit Rreckajt, Kushtrim Rreckaj, i drejtohet të birit me fjalët: e madhe është bigorina kur këndohet, por më e madhe bëhet kur i dilet zot. Hapësira fiksionale, njëherit, është edhe heterotopi, hapësirë tjetër, hapësirë në margjina dhe gjithnjë në kundërshtim tragjik me qendrën. Arkitektura e hapësirës, përbëhet nga leksemat si: burgjet, zandanet, kulla, shtëpia, djepi, kasolla, guri, konaqet e familjeve të mëdha, ara, rrugët e fshatit, varrezat, fshati në thellësitë e maleve etj. Gjeografia e fshatrave në thellësitë e maleve, shënon binomin dallues dhe kundërshtues qendër – periferi. Gjeografia imagjinare, shënon mitet, legjendat, rrëfimet, ëndrrat që kaherë paralajmërojnë fatet e njerëzve dhe popujve. “Duke harmonizuar kohën dhe hapësirën, nëpërmjet studimit të poetikës së Murat Isakut, rigjejmë një univers të gjerë letrar, e artistik, Universin e vendlindjes, gjejmë Murat Isakun vetë, duke interkomunikuar me botën e artit, me botën shqiptare, duke harmonizuar eksperiencat e jashtme (kujtesën, që reflektohet si kujtesë teksti)”. (K. Shala). Në fakt, Malësia e Sharrit, në konceptin tonë teorik, është hapësirë tjetër, është hapësirë periferike, që përmes njëfarë sistemi (auto) rregullativ, kundërshton dominimin e qendrës, kundërshton sistemet politike e kulturore të shoqërive të caktuara. Në aspektin e leximit dekonstruktiv e poststrukturalist, Universi i vendlindjes, është hapësirë e kufizuar, është në kontrast me utopinë, është antiutopike, është heterotopi që nuk e kundërshton realitetin fizik, e rrëfen realitetin fizik me të gjitha tragjizmat funksionale në të. Përmes hapësirës së kufizuar – heterotopisë (vendlindja), jo vetëm që përmes rrëfimit tradicional realist, rrëfen për fatin tragjik të një populli i ngujuar në një hapësirë të mbyllur, por dhe përmes një hapësire të tillë të margjinalizuar, pra një hapësire tjetër – heterotopike, që nxit zgjimin e vetëdijes kolektive, nxit mendimin funksional kritik, për proceset ekzistenciale, shoqërore dhe politike. Në fakt, principi i dytë i heterotopisë, shënon faktin që heterotopitë janë hapësira të destinuara për ndryshim.

Një tjetër shkrimtar, diskursi fiksional i të cilit mund të interpretohet si heterotopi, si hapësirë tjetër, hapësirë periferike, me një sistem autorregullativ e potencial kundrejt dominimit të frikshëm e tragjik të qendrës, është edhe Kim Mehmeti, padyshim njëri nga romansierët më të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqipe. Kritiku Ali Aliu, për veprën e tij shprehet,“Vepra letrare e Kim Mehmetit, ngjizet në ngasje që reflekton bota përreth tij, realiteti i përditshëm, njëkohësisht, ushqyer e përplotësuar nga bota tjetër, ajo e imagjinatës krijuese. Këto dy botë, sikur janë në një përballje, në një përplasje dhe sfidë të përhershme, sidomos në romanet e tij. Njëra, ajo përreth, duke përkufizuar kufijtë e realitetit konkret, përditshmërinë, njëkohësisht e nxit imagjinatën për atë tjetrën, botën ndryshe dhe të ndryshme, pjesërisht atë të ëndërruarën…Kjo, e imagjinuara, vjen për ta universalizuar, për ta bërë të kudo e kurdohershme, të mundshme atë, botën konkrete”. (A. Aliu) Në fakt, hapësira fiksionale e romaneve të Kim Mehmetit, sendërtohet përmes vetëdijes së autorit të gjithdijshëm e omniprezent. Janë këto heterotopi – hapësira tjera, gjithmonë të margjinalizuara e të pozicionuara në periferi, gjithmonë në konflikt të përhershëm  me qendrën.  Struktura e hapësirës fiksionale, përbëhet nga elementet relacioniste të mëposhtme: autori i gjithdijshëm e ekstradiegjetik, fokusohet në hapësirë: Shkupi që zhvendoset në periferi (Lypsiqarët e Shkupit), fshati Suk (Vitet e urithit, Kulla dykatëshe), Reka e Epërme (Ngjyrat e këtij dheu) etj., i lexojmë si heterotopi fiksionale, janë hapësira tjera këto që pasqyrojnë dramat dhe fatet më tragjike të një populli në mbijetesë. Njëherit janë hapësira tjera këto, të margjinalizuara, gjithmonë në periferi, që potencializojnë qëndresën e rezistencën për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën e të parëve. “A shuhet malli për kullën…braktisja e kullës është mallkim i përjetshëm” – shkruan autori në fjalë. Arkitektura e hapësirës përbëhet nga leksemat si: kulla, oda e burrave, çardakët, frëngjitë, gjarpri i shtëpisë, varrezat, fshatrat thellë në male etj. Gjeografia e fshatrave thellë në male, shënon hapësirën periferike, heterotopinë – hapësirën tjetër, të margjinalizuar nga dominimi i qendrës. Gjeografia imagjinare e hapësirës, shënon mitet, rrëfimet fantastike dhe fanitjet e Vashëz gjysme zanë, e gjysmë imazh, legjendat e rrëfimet, magjitë dhe fallxhoret, hijet e shpirtrave, zëri i të parëve etj. Karakteristikat a veçoritë e hapësirës letrare të shënuara më lartë, dhe të definuara si heterotopi – hapësirë tjetër, shënojnë mundësinë dhe potencialitetin e rizbulimit të asaj që ka qenë në periferi, e margjinalizuar.

“Thjeshtë, nga do që ta ktheje dhe cilindo operacion matematikor ta  përdorje, çdo gjë  kishte kuptimin e njëshit apo nëntës e që zbërthyesit e domethënieve të numrave qëmoti e kishin shpjeguar si paralajmërim se në  këto hapësira ishin mbyllur nëntë rrathët e një kohe kur njerëzit ishin rrotulluar rreth boshtit të  pamundësisë për të dalë nga ngushtica ku jetonin dhe se do të fillonte numërimi i një kohe të re. Në të vërtetë, pas përfundimit të luftërave ballkanike, Shkupi kishte filluar të ikën nga vetvetja, ishte nisur në jug drejt rrëzës së Malit të Krojeve dhe thuajse donte të shkojë sa më larg lagjeve të lashta, sa më përtej themeleve të para nga të cilat kishin lindur të gjitha rrugicat tjera, sa më tej ngrehinave të ngritura aty poshtë mureve të Kalasë, që e kishte ndërtuar Justiniani”. (Mehmeti, 2015: 5)

Letërsia si hapësirë tjetër

Në romanet e Kim Mehmetit, lidhen realitete që në aspektin kohor e hapësinor janë të largëta. Shkupi Dardan, Shkupi 1990, Shkupi i 1912, Lypsiqarët e Bagdatit, Lypsiqarët e Kosovës, Lypsiqarët e Tetovës, të Dibrës e të Çamërisë, kuptimi i shenjave në gurët e Urës së Gurit dhe të Kalasë, interpretimi i shenjave në hartat e ndryshme për strukturën urbanistike të Shkupit, Burmali Xhamia e Çarshia e madhe etj. Në fakt, në strukturën e tekstit romanesk, koha dhe hapësira nuk janë entitete të ndara, por funksionojnë brenda një kontinumi hapësinor – kohor. Lidhja e kohërave dhe vendeve të largëta përmes sagave të Lypsiqarëve, shënon hapësirën e një bote të humbur, përmes legjendave, miteve dhe imagjinatës. Pra, heterotopia fiksionale, zbulon të vërtetën e sistemeve shoqërore, e njëkohësisht, e plotëson realitetin. Kemi bindjen që romanin Lypsiqarët, duke e definuar edhe si heterotopi, edhe si institucion, mbërthen në vete impulse politike, duke mos e dobësuar edhe impulsin ideologjik. Prinicipi i dytë i heterotopisë, shënon faktin që heterotopitë janë të destinuara për ndryshime.

Romanet paradigmatike Rrengu dhe Lypsiqarët, vendosen në një pozicion specifik në raport me realitetin faktik. Brenda diskursit dhe hapësirës, zhvillojnë atë tezë potenciale, që në hapësirën e realitetit faktik nuk ka qenë e mundur të krijohet. Pra, ky është roli institucional i romaneve paradigmatike, romanet si heterotopi, që përjashtojnë heterogjinitetin e shoqërisë, në funksion të homogjinitetit të saj. Romanet paradigmatike, shënojmë edhe një fakt, faktin që natyra e letërsisë është e dyfishtë, është edhe fiksionale, që përdor materialin faktik, e njëkohësisht, në hapësirën shoqërore, funksionon si institucion, si një lloj mekanizmi (auto) rregulativ i deformimeve shoqërore dhe politike.

Duke u bazuar në paradigmat teorike të fiksionit (Th. Pavel dhe L. Dolezel), tekstet fiksionale (romanet e Murat Isakut dhe të Kim Mehmetit), i kemi vlerësuar jashtë kriterit të së vërtetës, në fakt i kemi përcaktuar si fiksione, shprehjet e të cilave, nuk janë as të vërteta e as jo të vërteta. Por, është edhe një fakt i pamohueshëm që nuk mund të ketë letërsi jashtë realitetit fizik, ajo (pra, letërsia), është pjesë e hapësirës kulturore të shoqërive të caktuar. Një përcaktim i tillë teorik, shënon faktin që letërsia është heterotopike, është një hapësirë tjetër që ngërthen në vete mekanizmat e sistemeve (auto) rregullative, të favorshme edhe për shoqëritë e caktuara. Përcaktimi i letërsisë si heterotopi, është e njohur në paradigmat teorike, ajo funksionon si institucion në rizbulimin e antagonizmave të shoqërive. Veprat e romansierëve më të mirë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, siç janë Murat Isaku dhe Kim Mehmeti, i kemi analizuar në mënyrë që natyra e tyre letrare është bifunksionale, në kuptimin që përdor jo vetëm materialin faktik a parafiguracionin për ta shndërruar në fiksion, por edhe funksionalizimin e potencialit të tyre institucional, në kthimin e rendit dhe vlerave të një botë të degraduar dhe skajshmërisht të margjinalizuar. Fiksionet romaneske të shkrimtarëve shqiptar, në diskursin tonë interpretativ, janë hapësira fiksionale, janë heterotopi që rizbulojnë a pasqyrojnë hapësira tjera “të rregullta e të përkryera, si kanuni” (Kim Mehmeti), por gjithmonë në antagonizëm tragjik me hapësirën keq të organizuar, kaotike dhe dominuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published.