HISTERIA BASHKËSHORTORE

“Sonata e Krojcerit” Tolstoy-t është kryevepër klasike letrare, me intensitetin dramatik dhe depërtimin në thellësinë psikologjike, me stilin lakonik narrativ

Bujar MEHOLLI

A është premisë e krizës bashkëshortore “velja” e njërit partner më parë se tjetri? Leo Tolstoy shkruan se veç në romanet triviale, bajate-sentimentale e pa ndonjë vlerë, “ata duhen tërë jetën”. Zaten nisur nga ky konstatim realist merr trajtë e gjithë novela e tij psikologjike “Sonata e Krojcerit”, një depërtim i thellë në brendësinë njerëzore, një gjurmim i shkaqeve psikofizike që përmbysin rrjedhën jetësore, trandin rehatinë dhe përfundimisht pasohet kridhja në fiasko. “Unë ju them se dashuria është gënjeshtër, dhunë, skllavëri” (të gjitha citimet në vazhdim janë nga botimi i Argeta-LMG, Tiranë, 2002, me përkthim të Tajar Zavalanit nga origjinali), deklamon personazhi nevrik tolstoian. Pikëpamjet e Tolstoy-t për martesën janë të mbuluara me velin e një konservatorizmi-kristian, nisur nga fjalët e Ungjillit “ai që e shikon gruan me sy të lig, është sikur të ketë fjetur me të”; duke parë pasiguritë mes çifteve, divorcet, krizat nervore e instancat më të larta të disproporcioneve humane që jo rrallë herë çojnë në krim, ai propozon, si të thuash, shtypjen e instinktit seksual si predominant për shkarjet dhe çoroditjet martesore. Ngase martesa efektive, sipas autorit rus, u shkatërrua aherë kur të rinjtë nisën të martohen vetë, pa dakordin e prindërve, dhe kur baza e vjetër martesore, konsideruar akt i shenjtë, u tund; pikëpamjet e Tolstoy-t, veçanërisht për martesën, kanë shkaktuar jo pak debat e madje novela i është censuruar, konsideruar prishje e moralit dhe precedent i rrezikshëm shoqëror. (!)

“Sonata e Krojcerit” është kryevepër klasike letrare, me intensitetin dramatik dhe depërtimin në thellësinë psikologjike, me stilin lakonik narrativ. Në qendër është Pozdnishefi, vrasësi i së shoqes për shkaqe xhelozie, ky aristokrat nga derë e vjetër që mbaron drejtësinë. Ky është protagonisti dhe prototipi i vrasësit, pre e delireve (!), që i rrëfen një udhëtari në tren kalvarin e tij, historinë e llahtarshme, siç e quan. Xhelozia është primordiale për një akt të tillë kriminal, megjithatë po të lexohet me vëmendje odiseu i këtij njeriu, vërehen qartë luhatjet e humorit, sugjestibiliteti, karakteri ekspresiv, dalldia e lumturia tok, menjëherë pasuar nga ndjenja frike e pasigurie për humbjen e nderit, prishjen e folesë, trandjen e jetës familjare… familja një ëndërr e kamotshme e tij qysh nga rinia. Pra, s’është krejtësisht i reduktuar krimi, në një rrafsh operacional veprimi sall për mundje e dominim nga një mashkull tjetër, në domenin e instinktit seksual.

I rritur në një skemë familjeje ku morali është i shenjtë, në gji të prindërve që i janë besnikë njëri-tjetrit, Pozdnishefi krijon vizionet poetiko-utopike për familjen e tij dhe gruan si diademë rrëzëlluese, ideale, që rri sipër. Këto janë ndjenja puro fisnike. Por, çarjet nisin nga trajtimi i gruas në shoqëri. Dhe në krye të maskaradës mëkatare është burri. Ndaj gruaja bie pre e delireve të tij, i përshtatet dhe rend pas duke modifikuar sjelljet e performancën fizike (stolisjet e ndryshme) për t’u vlerësuar në sytë e tij. Kjo është kritikë e mprehtë e autorit për dekadencën evropiano-perëndimore, libertine, që“nxjerr vajzat në ankand” dhe nëpër sallone ftohen djemtë për “t’i blerë ato si plaçkat në pazar”. Gratë konsiderohen tunduese dhe mëkatare në këtë botë, pozicioni i tyre në kohën kur u shkrua novela, fundshekulli XIX, është komfor një patriarkalizmi institucional e shoqëror, gruaja e indoktrinuar në pozicion inferior karshi burrit dhe mjet i plotësimit të nevojave seksuale të tij. “Vajza vete nëpër sallone e nëpër ballo gjoja që të kërcejë, të zbavitet, kurse qëllimi i saj është të kërkojë burrë, t’i hedhë kanxhën ndonjë të riu…”

Kënaqësia intime, seksuale, është mekanizëm skllavërues. Format e skllavërisë së grave ndryshojnë me kohë, të themi sofistikohen, por substanca ngelet e njëjtë. Problemi është tejet i ndërlikuar, ka të bëjë me edukimin primar që rëndom dështon a s’është i plotë, aherë kur vajzat e reja trajtohen, pranueshëm kolektivisht, si skllave dhe të korruptuara. Për Tolstoy-n, emancipimi i gruas nuk bëhet nëpër universitete e parlamente, por në dhomat e shtëpisë, aty ku edukohet dhe lartësohet moralisht. Ai dënon poligaminë, prostitucionin, si forma të shtypjes së grave brenda dekadencës intelektuale-morale, histerisë, sëmundjeve e poshtërimeve q’i bëhen gruas, derisa ironikisht, shkruhet absurdum për lirinë dhe barazinë e saj sociale. Gjersa i lexon këto përsiatje të protagonistit, as të shkon mendja për fundin tragjik, për krimin e kryer me vetëdije. Megjithë grindjet e zakonshme të jetës bashkëshortore, pajtimet, dashurinë e luhatshme, nevojat seksuale që ngandonjëherë janë peri i hollë që mban lidhjen, ditët ecin, fëmijët rriten, familja mbahet. Por, pasazhet e fundit të novelës, kur në skenë futet violinisti Truhaçevski, miku i ri i familjes, janë “rrebeshi i tmerrshëm që po turrej”. Me pak fjalë, muzikanti që luan në violinë dhe gruaja që qëllon pianon nisin e luajnë bashkë, organizojnë ndejë të përbashkët ku mblidhen njerëz, luhet, pihet, vallëzohet. Luajnë “Sonatën e Krojcerit”. “Truhaçevski ishte në gjendje t’i pëlqente sime shoqeje, ta shtronte, ta mundonte dhe ta përdorte ashtu si të donte. Për këtë ai kishte si mjet elegancën në veshje, talentin si muzikant, afrimin që krijonte në mes tyre muzika dhe ndikimin e kësaj muzike mbi natyrën nervoze të gruas sime”, rrëfehet ai. Muzikantit, që s’duhej “t’ia kishte frikën”, i ofronte intimitet loja me të shoqen. Ah, ajo presto e parë e Sonatës! Përsiat Tolstoy mbi muzikën dhe efektin e saj. Ajo të humb personalitetin dhe të shkrinë në gjendjen shpirtërore të atij që e ka shkruar. Nuk është si një marsh ushtarak, praktik, apo një meshë ku kungohen njerëzit, muzika e tillë ngjallë senset, ndezë gjakrat, ndaj është“e rrezikshme dhe kundër shëndetit moral”. Vajtja fatale e Pozdnishefit në disa mbledhje të gjata kongresi është pika kulminante. Lufta dualiste psikologjike intensifikohet. Takimet dhe kontaktet seksualeintime të shoqes me violinistin ravijëzojnë mendjen e tij. Njëherë siguri e racionalitet, herën tjetër shtrëngim gjoksi, ndjellje të tradhtisë, mendime të tmerrshme të tipit “sa për shoqen time, ajo ishte dhe mbeti mister për mua, nuk e njoh fare; për mua ajo qe një hajvane dhe, kafshën, siç dihet, s’ka ç’ta ndalojë…” Kthimi i tij, i cytur nga padurimi dhe tashmë nga konstatimi i saktë se është tradhtuar, shënon kulmin, aktin e fundit, vrasjen. “I kam të gjalla përpara syve fytyrat e tyre kur çela derën. Nuk do ta harroj kurrë atë tmerr të dëshpëruar që s’patën kohë ta fshihnin, pse hyrja ime ishte aq e papritur si rrufeja që bie në një qiell të kthjelltë”. Me tërbim demoniak, nën afekt, kryhet krimi me britmat “mos gënje, shtrigë!”, duke e ngulur thikën nën brinjët e saj. “E ndjeja se po bëja një vepër të shëmtuar në thellësinë e ndërgjegjes sime”, shprehet ai, duke shtuar “sikur t’i kisha ditur me kohë tërë ato që mësova si e vrava, s’do të isha martuar kurrë, kurrë!” Përfundimi bëhet nën njëfarë skematizmi kur në grahmat e fundit të dy bashkëshortët bisedojnë, ai i kërkon “ndjesën”, ajo e “përgëzon për krimin” dhe s’e fsheh urrejtjen, fundi ngelet pezull, pa e marrë vesh nëse vërtet e shoqja kreu tradhti atë natë sensuale, tragjike, me muzikë e duke ngrënë, kur Pozdnishefi i zuri; konglomerati i përsiatjeve psikologjike-filozofike që pleksen te kjo novelë variojnë universalisht dhe skalitin shkaqet e mundshme të devijimeve njerëzore, krijimin e urrejtjes, histerisë, xhelozisë së sëmurë, paragjykimit e antipatisë që shtrojnë rrugën për krim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.