I NDJEKUR NGA HIJA E NJË UNIFORME

Në fjalimin pas marrjes së çmimit Nobel, Neruda vuri në dukje: “Të gjitha rrugët të çojnë në të njëjtin qëllim: t’u përcjellim të tjerëve atë që jemi”

Fatbardh AMURSI

Babai i Pablo Nerudës ishte trenist. E merrte shpesh me vete ta shëtiste, si e si për ta larguar nga shkrimet. Udhëtimet e shumtë me tren bën efekt të kundërt: e frymëzonin djaloshin, i cili poezinë e parë e shkroi në moshë 10 vjeçare. Ky udhëtim i dytë do zgjaste për gjithë jetën. Fati ishte me poetin. Mësuesja Gabriela Mistral ia dalloi talentin, duke e inkurajuar edhe me libra. (Si mësuesja dhe nxënësi kohë më vonë do merrnin çmimin Nobel. Ajo në vitin 1945 dhe ai më 1971. Gabriela Mistral do e krijonte pseudonimin nga emri i Gabriele D’Annunzios dhe mbiemri i Frederic Mistral, ndërsa i mbiemri i Nerudës mendohet nga poeti çek Jan Neruda, por të tjera thonë se frymëzimi i vërtetë ishte violinistja Vilma Neruda.) Në vitin 1923, Neruda shiti ç`kishte për të financuar botimin e librit të parë, “Muzgu”. Nuk mund të thuhet se pati “rrugë të ndriçuara” më jetën e tij. Kili kishte një traditë të gjatë, si shumica e vendeve të Amerikës Latine, për të dërguar poetët e saj jashtë vendit si konsuj apo ambasadorë, ndër ta: Gabriela Mistral dhe Pablo Neruda. Nëse doni, hiqni një paralele tek ne. Dikur poetët dhe shkrimtarët i gjeje në parlament, tani ndonjë sa për të mos humbur fara. Poetë e shkrimtarë të njohur s`kanë pse bëjnë jetë emigranti, kur petkun e diplomatit e veshin nivele të ulëta përfaqësimi. Diktatura ushtarake e gjeneralit Pinochet e përvetësoi imazhin e Gabriela Mistralit, duke e portretizuar atë si një simbol të “nënshtrimit ndaj autoritetit” dhe “rendit shoqëror”, përkundër Nerudës, që i shkoi jeta duke u përndjekur nga hija e një uniforme ushtarake, duke u përballur me disa diktatorë, nisur me Gabriel Gonzalez Videla, vazhduar me Francon e Spanjës dhe në fund me Pinochetin. Në poezinë “Diktatorët”, ai shkruan: “Një erë ka mbetur midis kallamsheqerit /…Midis palmave të kokosit varret janë plot/ eshtrash të rrënuara, zhurmash vdekjeje pa fjalë./ Po flet diktatori i hijshëm/ me kapele si kreshtë, fushqeta dhe jakë të ngrirë.” Ka dhe diktatorë të tjerë si: Stalini të cilit i ka kushtuar një poezi, por më pas do ndryshonte mendim, sikurse Fidel Kastro, ndaj të cilëve nuk e fsheh simpatinë. Kur ishte ambasador në Spanjë u miqësua me Federico García Lorcën, ekzekutimi i të cilit e indinjoi aq shumë sa braktis detyrën e ambasadorit dhe i bashkohet luftës. “Ju do të pyesni: dhe ku janë jargavanët?/…Shtëpia ime u thirr/ shtëpia e luleve, sepse në çdo të çarë/ lulëzat buisin:/ ishte një shtëpi e bukur/ me qentë dhe fëmijët e saj./..shih shtëpinë time të vdekur,/ Shikoni Spanjën e thyer”. (Spanja do mbetej dhe si një vend akuze për poetin. Atje u njoh me idetë komuniste, duke braktisur gruan dhe vajzën, si dhe: i përfolur se i caktuar për largimin e luftëtarëve të Spanjës për në vendet e Amerikës Latine, kish ndihmuar vetëm komunistë dhe jo republikanë.) Neruda përfiton nga ngjashmëria e lehtë mes tij dhe nobelisit të ardhshëm Miguel Asturias, për të udhëtuar në Evropë duke përdorur pasaportën e tij. Pablo Picasso organizoi hyrjen e tij në Paris, ndërkohë një organizatë antikomuniste e themeluar dhe e financuar në mënyrë të fshehtë nga CIA, një nga objektivat kryesore kish dhe dëmtimin e reputacionit të Nerudës, duke ringjallur pretendimin e vjetër se ai kishte qenë bashkëpunëtor në sulmin ndaj Leon Trockit në Mexico City në vitin 1940. Fushata u bë më intensive kur ai u nominua për çmimin Nobel të vitit 1964, i cili përfundimisht iu dha Jean-Paul Sartre (i cili e refuzoi). Garbriela Mistral ka një varg: “Çfarë është një histori që nuk e tregojmë kurrë?” Sa e sa të tilla humbasin bashkë me të vërtetat, duke i dhënë të drejtë At Zef Pllumit të skruajë “Rrno për me tregue”. A ka histori të patreguara në jetën e Nerudës, që, s`ka guxuar t`i thotë? Në vitin 1940, pas atentatit të dështuar kundër Leon Trotskit, Neruda siguroi një vizë kiliane për piktorin meksikan Siqueiros, i akuzuar ky për përfshirje në komplotin për të vrarë Trockin. (Komunistit Neruda i qe ndaluar zyrtarisht hyrja në SHBA, por dramaturgu Arthur Miller, arriti ta ftojë, duke ia siguruar vizën.) Grushti ushtarak i Pinochet nuk kurseu as Nerudën. Teksa po bastisnin ndërtesën, mbetën proverbiale fjalët e poetit: “E vetmja gjë e rrezikshme për ju këtu-është poezia”.

Aktualisht jeta dhe vdekja e tij po i nënshtruar një shqyrtimi të ri, ku urët e zjarrit i shtyn politika. Po kërkohet çmitizimin e figurës së poetit nobelist. Nëse doni hiqni dhe një paralele tek ne. Njëra palë kërkon ta portretizojë si martir dhe tjetra si dhunues. “Po, unë besoj në një parajsë për të gjithë dogmat/ ku qeni im pret ardhjen time/ duke tundur bishtin e tij si përshëndetës në miqësi./ Ai nuk do të flas për trishtimin këtu në tokë,/ se ka humbur një shok/ i cili kurrë nuk ishte servil.” (Neruda ishte mik i presidentit Allende, i cili në oborrin e pallatit presidencial thirri helikopterin për ata që donin të largoheshin dhe vetë u vra në krye të detyrës nga gjeneralët e grishtit të shtetit). “Neruda bëhej gjithnjë e më shumë stalinist, ndërsa unë bëhesha gjithnjë e më pak i magjepsur me Stalinin”- do shkruante Octavio Paz, duke më kujtuar qëndrimet e Salvador Dalisë ndaj komunistit Pablo Picassos. Në këto dilema duhet ta ketë arsyen dhe ky varg: “Mendje e ndritur, djall i ndritur/…larg delirit të qytetit të egër.”

Nerudës i pëlqenin romanet detektivë, thotë një studiues i tij, duke ia ndjellë vetes të ishte në qendër të një misteri. Kur ishte në fund të njëzetave dhe shërbente si konsull në Colombo, rrëfen në jetëshkrimin e tij: “Beli i saj, kaq shumë i hollë, ijet e plota, kupat e mbushur me gjoksin e saj e bënë atë si një nga skulpturat mijëravjeçare nga jugu i Indisë. Ishte bashkimi i një njeriu dhe një statuje. Ajo i mbajti sytë hapur gjatë gjithë kohës, duke mos reaguar plotësisht. Ajo kishte të drejtë që më përbuzte. Përvoja nuk u përsërit kurrë.” Bahet fjalë për një shërbyese tamile në konsullatën ku ai shërbente. Ky pasazh i Nerudës me mbishkrimin: “Pranoj se kam përdhunuar”, postohet në internet nga një artiste e njohur dhe bëhet virale. Kaq u desh që projekti për të riemërtuar aeroportin e Santiagos me emrin e Nerudës të anulohet nga protestat e grave kiliane, të cilat marshuan me pankarta, ku shkruhej “Neruda, ti hesht!” Disi surrealiste t`ia drejtosh një të vdekuri këto fjalë?! Ato kërkonin, që, në vend të Nerudës, si poete e parë kombëtare të ishte mësuesja e tij, Garbrela Mistral. Në këtë kontest shihni se ç`vlerë merr vargu: “ku po pret vdekja, e veshur si admiral”, e cila mund të zëvendësohet me fjalën “gjeneralë”? Doemos do kujtosh poezinë “Krijesa të gjora”: “Çfarë duhet në këtë planet,/ për të bërë dashuri me njëri-tjetrin në paqe./ Të gjithë fusin hundët nën çarçafët tuaj,/ të gjithë përzihen në dashurinë tuaj./ Ata thonë gjëra të lemerishme për një burrë dhe një grua,/ i cili pas shumë brerjesh,/ të llojit pishmanllëku,/ bëjnë diçka tjetërsoj,/ të shtrirë me njëri-tjetrin në shtrat./ Pyes veten nëse bretkosat janë kaq dinake,/ e guasin sikur duan të luten./ Nëse ato i pëshpëritin njëra-tjetrës në këneta për bretkosat e paligjshme,/ ose gëzimet e jetës amfibe./ Pyes veten, nëse zogjtë i veçojnë zogjtë armik,/ ose demat bëjnë thashetheme me demat para se të dalin në arenë./ Edhe rrugët kanë sy dhe parqet policin e tyre./ Hotelet spiunojnë mysafirët e radhës,/ të diturit në listë janë të parët,/ fanatikë dhe skuadrone sulen për të likuiduar dashuritë sovrane.” Në poezinë “Fabula e Sirenës dhe të dehurve”, ku një sirenë humbet udhën dhe futet në tavernë duke marr gjithë pisllëkun e llumit të shoqërisë, sigurisht që ia dedikon edhe vetes, i cili u bë i njohur pikërisht nga lirikat e dashurisë dhe tani nga klithmat për çmitizim. “Unë të kam quajtur mbretëreshë./ Ka më të gjatë se ty, më të gjatë./ Ka më të pastër se ty, më të pastër./ Ka më të dashur se ty, më të dashur./ Pra, ju jeni mbretëresha./ Kur kaloni nëpër rrugë/ Askush nuk ju njeh.” Poezia e dashurisë e ka barazuar gruan me natyrën, duke dhënë asaj përmasa universale. “Nëse papritur/ ti më harron mua/ mos më kërko diku,/ do të të kem harruar dhe unë gjithashtu./…mbaje mend/ që atë ditë,/ në atë orë,/ Do të ngre krahët/ dhe rrënjët e mia do të nisin/ për të kërkuar një tjetër tokë.”-shkruan ai në poezinë “Nëse më harron”. “Mund të shkruaj rreshtat më të trishtuar sonte./ Tek mendoj se nuk e kam, se e humba./ Nata nxin edhe më shumë pa të se pa mua/…kush ka për të ikur më kot ia hedh vështrimin pas/…Që nga kohë e ikjes, ne s`jemi të njëjtë./ Unë s`e dua më, e sigurt kjo, por si e kam dashur atë/…Nuk e dua, kjo është e sigurt, por ndoshta e dua./ Dashuria e shkurtër: harresa zgjat edhe zgjat./ Qoftë dhimbja e fundit që të mos vuaj prapë,/ Qoftë për të i fundit edhe ky varg.” Ose: “por çfarë mund të bëj me pasionet e mia të dhimbshme,/ nëse nuk përdoren, në sipërfaqe/ të jetës së përditshme”, ose: “rrethojnë rezidencën time të vetmuar/ si armiq të rreshtuar kundër shpirtit tim” ose: “Të dua si bimë që nuk lulëzon kurrë/por mbart në vetvete dritën e luleve të fshehura” Jeta e Nerudës po shtrihet, si një fije e zezë krahas shkëlqimit të veprës së tij. Edhe shkrimtarja Isabel Allende, një e afërme e Presidentit të ndjerë, po ndjehet e neveritur nga disa aspekte të jetës dhe personalitetit të Nerudës, pa ia hedhur poshtë krijimtarinë. “Nëse e nxjerrim jashtë, na mbetet një zbrazëti më e madhe se pellgu i Paqësorit”, reagon një adhurues i Nerudës. Kolumbiani Gabriel García Márquez e ka quajtur: “poeti më i madh i shekullit të 20-të në çdo gjuhë”. Një studiues i njohur e përshkruan si “të vështirë për t’u kuptuar për shkak të imazheve të tij të errëta, pasurisë së tij hermetike”, duke vënë në dukje se i përkasin atij “disa nga poezitë më të bukura të shkruara ndonjëherë në spanjisht”. “Misteret e botës mund të zbulohen përmes metaforës, jo analizës dhe argumentimit racional” – i del krah vetes poeti. Vargjet e Nerudës zbukurojnë makinat e metrosë dhe posterë të rrugëve. Në fjalimin pas marrjes së çmimit Nobel, Neruda vuri në dukje: “Të gjitha rrugët të çojnë në të njëjtin qëllim: t’u përcjellim të tjerëve atë që jemi”. Në Suedi e mori Nobelin për atë që ishte, por këta që duan ta çmitizojnë në Kili, mos po e luftojnë për atë që duhej të ishte?

Leave a Reply

Your email address will not be published.