IDENTITETI KULTUROR, SHPIRTI I NJË ETNIE

Ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut sot lëndë debati përbën gjuha shqipe! Akoma nuk është e qartë nëse gjuha shqipe është zyrtare apo jo, të kujt janë meritat për zyrtarizimin apo të kujt janë mëkatet për devalvimin e gjuhës shqipe deri në përmasat e “gjuhës barbare”

Nga Avn HALIMI

Në Maqedoninë e Veriut, denbabaden është folur shqip, në këtë shtet, pas Kongresit të Manastirit, pas Pavarësimit të Shtetit Shqiptar, sidomos pas Luftës II Botërore, është mësuar shqip, ka pasur organ shtypi në gjuhën shqipe, më vonë, televizione, radio, këngë, ansamble, revista, libra, tekste shkollore – të gjitha në gjuhën shqipe. Fatkeqësisht, në administratë nuk është folur shqip, por askush nuk ka guxuar ta pengojë apo ta mohojë shqipen me ligje e me forcë! Në kulturën shqiptare, nevoja jetike e shqiptarëve për t’u përfshirë në administratë shtetërore e publike është ndjerë shumë vonë, dhe kjo u bë e mundshme jo se sistemi politik kaloi në sistem plural, jo se luftuam (më 2001), porse, thjesht, sepse populli (pra, jo partitë politike shqiptare) e ngriti në fe, në religjion, nevojën imediate për t’u shkolluar dhe arsimuar në shqip nëpër universitetet shqiptare në RMV! U bë kuadri shqiptar, ky kuadër u përfshi në administratë dhe ky proces, sidomos pas “Marrëveshjes së Ohrit” u bë kusht për bashkëqeverisje të qetë shqiptaro-maqedonase.

Identiteti kulturor përtej gjuhës

Përfundimisht, gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut jo që nuk është gjuhë zyrtare, jo që uk është gjuhë e dytë, e tretë etj. por është shndërruar në një poligon ku joshqiptarët po e ushtrojnë nacionalizmin e vet frustrues dhe ku zyrtarisht e publikisht e manifestojnë urrejtjen dhe pështirosjen nga kjo gjuhë! Kjo, mbi të gjitha, sepse faktori shqiptar edhe sot e kësaj dite nuk është i vetëdijshëm se pa një strategji për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kulturor nuk ka as gjuhë e as identitet të shëndoshë kombëtar.
Në botën moderne, ruajtja e identitetit kulturor është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen kombet. Përpjekjet për të mbrojtur gjuhën shqipe kanë qenë të përhershme dhe të lavdërueshme, por pyetja që ngrihet është: a është e mjaftueshme mbrojtja e gjuhës për të siguruar zhvillimin e plotë të identitetit tonë kombëtar dhe kulturor? Pa dyshim, shqiptarët përgjatë historisë së tyre kanë kaluar nëpër periudha shekullore robërie, të pushtuar e të sunduar, të ekspozuar në kushte e presione antinjerëzore asimiluese. Për shqiptarët, gjuha ka luajtur një rol historik të jashtëzakonshëm. Ajo ka qenë një shtyllë themelore në ndërtimin dhe ruajtjen e ndjenjës sonë të përkatësisë kombëtare. Që nga Rilindja Kombëtare e deri më sot, gjuha shqipe ka qenë një armë e fuqishme në përballimin e sfidave të brendshme dhe të jashtme që kanë kërcënuar identitetin tonë si komb. Por, ndërsa gjuha është një element themelor, ajo nuk mund të jetë e vetmja mburojë kundër asimilimit kulturor.
Gjuha shqipe, veç tjerash ka qenë edhe një mjet për të përcjellë kujtesën kolektive, historinë dhe vlerat. Shqiptarët si komb, janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj vlere të gjuhës. Megjithatë, a mund të themi se jemi komb i madh meqë ia dolëm ta ruajmë gjuhën tonë, ndërkohë që nuk shprehim kurrfarë kujdesi për trashëgiminë më të gjerë kulturore – përfshirë artin, muzikën, traditat dhe zakonet – identiteti ynë rrezikon të bëhet i mangët. Një kulturë nuk mund të mbijetojë vetëm përmes një mjeti komunikimi, sado i rëndësishëm qoftë ai. Identiteti kulturor është një thurje e ndërlikuar përvojash, besimesh dhe krijimtarie që shkon përtej fjalëve.

Pa identitet kulturor humbet besnikëria ndaj përkatësisë kombëtare

Nëse pajtohemi se identiteti kombëtar është përkatësia që ndjejmë ndaj kombi, atëherë identiteti kulturor është shpirti i kombit, është pasuria e përvojave, vlerave dhe simboleve që formësojnë atë përkatësi. A mund të ekzistojë një identitet kombëtar pa një identitet të fortë kulturor? Në teori, është e mundur të ruhet një ndjenjë përkatësie përmes ideologjive politike apo ekonomike, por një komb pa rrënjë të forta kulturore është një komb i brishtë dhe i prirë për të humbur në vorbullën e ndikimeve të huaja. Kjo ka ndodhur me shqiptarët e Turqisë, me ata të Italisë, të Sirisë, të Amerikës, të Argjentinës etj.
Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se identiteti kulturor është ai që i jep një kombi karakterin e tij unik, atë që e bën të dallueshëm nga të tjerët. Një komb mund të ketë një identitet kombëtar të mbështetur në politikë ose ekonomi, por pa një kulturë të zhvilluar, ai identitet bëhet më i prekshëm ndaj rrymave të ndryshme dhe globaliste. Pra, çka po ndodhë me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Në mungesë të një zhvillimi institucional të identitetit kulturor, një përpjekje për të siguruar një shtyllë ku do ta mbështesin sado pak këtë identitet (në fe), shqiptarët e Maqedonisë së Veriut problemeve nacionale i janë qasur nga një përkatësi e mjegullt identitare! Assesi nuk guxojmë që angazhimin tonë për ruajtjen e identitetit kombëtar ta kufizojmë vetëm në “zyrtarizimin” e gjuhës shqipe. Sepse, ja u zyrtarizua, ndërsa nuk dëshirojmë të pranojmë se një 70-80 % e popullatës jo që nuk dinë ta flasin gjuhën tonë zyrtare, por për më keq, madje as që e kuptojnë. Shqiptari sot, në një qetësi absolute i përcjell tv-lajmet dhe në fund pyet: çka tha bre!
Pa një lidhje të fortë me traditat, gjuhën, historinë, dhe vlerat kulturore, qytetarët mund të humbasin ndjenjën e përkatësisë, dhe rrjedhimisht edhe besnikërinë ndaj kombit të tyre. Prandaj sot, ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ke individë (dhe këta janë në shtim e sipër e po përbëjnë komunitet!) që me shpirt parapëlqejnë të transformohen në pamje të popujve të tjerë (afgan, arab, iranian, indian, pakistan, në italian, gjerman, amerikan etj.). Nëse sot rrugëve të Bit Pazarit do të dilte një vajzë e veshur me xhubletë, e mbuluar me veshje tradicionale, e mbi kokë një shami të bardhë, të gjithë do ta shihnin si të çmendur, si qesharake, si palaço, ndërsa nëse del me burkë të gjithë do ta shikojnë si vajzë me vlera të larta morale! Këto janë pasojat e politikanëve tanë diletantë që patriotizmin e tyre snobist e demonstrojnë nëpër tabela rrugësh, nëpër tabela komunikacioni, nëpër mbishkrime dygjuhësore me njëqind mijë gabime që i vënë në derë të kabineteve, të zyreve të tyre etj.
Përfundimisht, kultura dhe identiteti kombëtar janë të rëndësishme për bashkimin e një shoqërie. Traditat kulturore, historia e përbashkët dhe vlerat morale krijojnë një ndjenjë bashkësie, që e mban një shoqëri të fortë dhe të qëndrueshme. Një pushtet që nuk promovon kulturën e tij kombëtare rrezikon të dëmtojë unitetin e shoqërisë, duke lënë hapësirë për përçarje dhe ndarje të brendshme. Kur nuk ekziston një angazhim i qartë ndaj ruajtjes së identitetit kulturor, forcat brenda dhe jashtë mund të krijojnë ndarje të thella, duke e dobësuar besnikërinë dhe përkushtimin ndaj etnisë përkatëse dhe duke kontribuar në konflikte të brendshme. Prandaj sot shqiptarët e Maqedonisë së Veriut më lehtë bashkohen me maqedonasit për ta luftuar atë komunitet politik shqiptar që mundohet t’ua rrezikojë pushtetin, se sa të bashkohen në mes vete shqiptarët për ta mbrojtur identitetin kulturor që u cenohet dhe mohohet nga komuniteti maqedonas.

“Projektet praktike” mbi identitetin kulturor

Ky injorim i identitetit kulturor nuk është vetëm karakteristikë e pushtetit qendror. Edhe pushteti lokal është po aq injorant sa ai qendror. Injoranca e pushtetarëve lokalë në raport me kulturën, me traditat, me personalitetet e krijuesve dhe artistëve kombëtar është goxha i theksuar, i etabluar, i kaluar në normalitet aq sa sot për askënd nuk paraqet problem kjo dukuri anti-identitet. Kjo injorancë, fatkeqësisht, reflekton një mungesë të thellë vlerësimi për trashëgiminë kulturore dhe historinë tonë krijuese. Pushtetarët e zgjedhur janë “kopje e zbehtë” e drejtuesve politikë te të cilët kultura mbetet e anashkaluar në përparësitë e tyre politike dhe administrative.
Një pushtet lokal që nuk i kushton vëmendje kulturës është një pushtet që dëmton të ardhmen e qytetarëve të vet. Të kuptuarit dhe mbështetja e kulturës, artit dhe letërsisë kombëtare nuk është thjesht një çështje estetike, por një përparësi e domosdoshme për një shoqëri të shëndetshme, me identitet të fortë. Si pasojë e injorancës në këtë drejtim, pushtetarët lokalë nisin dhe i njohin emrat e pseudo-krijuesve të njohur më tepër për militantizëm partiak se sa për ndonjë vlerë krijuese, ndërsa nëse i pyet në paraqesin diçka për ata emrat si: Abdylaziz Islami, Murat Isaku, Mehmedali Hoxha, Adem Gajani, Myrteza Peza, Nexhat Pustina, Mustafa Laçi, Sefedin Nuredini, Adem Kastrati etj., do të ndalen e do të të shikojnë si buaj të trembur!
Kur është në pyetje kjo injorancë në sferën e kulturës, pushtetarët lokal çuditërisht ia dalin ta kamuflojnë atë analfabetizmin funksional të tyre, duke u arsyetuar se janë të përqendruar në projekte praktike dhe infrastrukturore, sepse, sipas tyre, ato janë më të prekshme dhe të dukshme për publikun. Investimet në kulturë nga ana e tyre nuk perceptohen si të nevojshme për qëndrueshmërinë e pushtetit të tyre, pasi përfitimet kulturore janë më pak të prekshme politikisht. Për këta drejtues lokal kultura, arti dhe letërsia nuk janë një përparësi, sepse tek ata mungon ai vizion që e sheh zhvillimin kulturor si një motor për përparimin shoqëror.
Nga ana tjetër, asnjë nga pushtetet lokale që drejtohen nga shqiptarët në RMV nuk mund të lavdërohen se kanë formuar ndonjë këshill kombëtar për kulturë si një trupë këshillues, apo se kanë përfshirë personalitete kulturore, artistike e krijuese në procese vendimmarrëse që prekin kulturën. Këshilla kulturorë dhe artistikë duhet të kenë zë në vendosjen e prioriteteve të komunave. Vetëm kjo mënyrë do të ndikonte që pushteti lokal të mos ngatërrohet në përzierjen e vlerave me antivlerat, në përfshirjen në një sofër të krijuesve me kuazi-krijuesit, në përuljen para emrave kombëtare me përuljen si butakë para militantëve politikë që na shiten si krijues të pakontestueshëm kombëtar!
Të dalë një kryetar komune dhe të deklarohet për një gjysmë-krijues entuziast si për një krijues kombëtar, është jo vetëm injorancë, por edhe kontribut zyrtar në devalvimin e vlerave të shëndosha kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.