IDETË E KULLUARA DHE IDETË E MISHËRUARA

Dallimet ndërmjet shpirtit dhe frymës së kulluar janë të njëjta me ato ndërmjet jetës dhe flijimit të jetës, ndërmjet mëkatit dhe virtytit, ndërmjet diabolikes dhe hyjnores

Ernesto SABATO

Sartrin total nuk e gjejmë tek esetë e tij të shndritshme, por te personazhet e fiksioneve të tij. Tolstoi më autentik nuk është ai që moralizon në libërthin e tij mbi artin, po ai njeri i përçudnuar e i përxhindshëm që gjejmë te Kujtimet e një të çmenduri. Mendimi i kulluar i një shkrimtari është ana e tij rreptësishtë e ditës, teksa fiksionet e tij i përkasin edhe botës së territ. Shpirti, ndërmjet mishit dhe frymës, ambig dhe i ankthshëm, i rrëmbyer shpesh nga emocionet e trupit dhe duke aspiruar përjetësinë e frymës së kulluar, duke u luhatur përherë midis relatives dhe absolutes, është fusha e fiksionit për antonomazi. Dallimet ndërmjet shpirtit dhe frymës së kulluar janë të njëjta me ato ndërmjet jetës dhe flijimit të jetës, ndërmjet mëkatit dhe virtytit, ndërmjet diabolikes dhe hyjnores. Dhe kjo është humnera që ndan shkrimtarin nga filozofi.

Çka nuk do të thotë se idetë nuk mund dhe as duhet të shfaqen në fiksione, sepse qeniet njerëzore që u japin jetë, si qenie prej mishi e gjaku, nuk mund të mos mendojnë, tek qajnë, qeshin apo emocionohen, përsiaten dhe grinden. Veçse këto ide që shfaqen kësodore nuk janë idetë e kulluara të të menduarit apriori, po janë shfaqjet jo të kulluara mendore të qenies ekzistuese. Këta personazhe nuk flasin për filozofinë, porse e jetojnë atë. Dhe, ndërmjet një personazhi të mirëfilltë romani e një marionete që thjesht përsërit mendime të kulluara ekziston i njëjti dallim po aq i madh sa ai ndërmjet njeriut Imanuel Kant (me sëmundjet dhe veset e tij, me brishtësinë e tij fizike dhe me ndjenjat e tij) dhe ideve të veprës Kritika e arsyes së kulluar.

Nga ana tjetër, nuk duhet të supozojmë se, ngaqë janë personazhe fiksioni, thjesht nga fakti se ekzistojnë në letër dhe janë krijuar nga një artist, personazheve u mungon liria dhe, rrjedhimisht, idetë e tyre s’mund të jenë veçse idetë (e menduara qysh më parë) të vetë autorit. Gjithsesi, jo doemos. Duke ardhur, siç vijnë, nga tërësia shpirtërore e krijuesit të tyre, është e natyrshme që në disa prej tyre të shfaqen ide që, në një mënyrë apo në tjetrën, të përkryera ose të papërkryera, kanë lindur ndonjëherë në mendjen e vetë artistit, po edhe në të tilla raste, këto ide, duke qenë të mishëruara në personazhe që nuk janë saktësisht autori, tek shfaqen të përzier me të tjera rrethana, me tjetër armaturë trupore, me të tjera pasione, me të tjera mani, tashmë nuk janë të atilla që autori do të mund t’i kishte shprehur ndonjëherë nga pozicioni i vet, dhe, të përçudnuara nga trysnitë e reja (trysni që, në fiksion, janë të tmerrshme dhe demoniake) marrin një shkëlqim që nuk e kishin pasur më parë, u përftohen thepa dhe nuanca të reja, fitojnë një fuqi depërtuese të pazakontë. Janë, tekefundit, ide të tjetërllojta. Nga anët e tjera, qeniet reale janë të lira dhe, nëse personazhet e fiksionit nuk janë të lirë, nuk janë të vërtetë dhe romani shndërrohet në një simulakër pa vlerë. Artisti ulet kundruall personazhit të vet ashtu si shikuesi i pafuqishëm kundruall një qenieje prej mishi e gjaku: mund ta shohë veprimin, madje mund ta parashohë, por nuk mund ta shmangë (çka, me që ra fjala, tregon se gjer në çfarë pike mund të jetë i lirë njeriu dhe se kjo liri nuk bie kontradiktë me gjithëditurinë e Zotit). Nga thellësitë e një qenieje të huaj, nga liria e saj, buron diçka e papërballueshme që as shikuesi, as autori nuk e ndal dot. Çka është e çuditshme, çka është ontologjikisht për t’u habitur, është se kjo krijesë përbën një zgjatim të artistit, dhe çdo gjë ndodh sikur një pjesë e qenies së tij të ishte skizofrenikisht dëshmitare e pjesës tjetër, e asaj çka pjesa tjetër bën ose vendos të bëjë: po dëshmitar i pafuqishëm Pra, nëse jeta është liri brenda një situate, jeta e një personazh romanesk është dyfish e lirë, sepse i jep mundësi autori që të provojë (në mënyrë të mistershme) fate të tjera. Është njëherësh përpjekje për të ikur nga kufizimi i pashmangshëm i mundësive tona dhe arratisje nga e përditshmja. Dallimi ekziston, për shembull, ndërmjet paranojakut që krijon një artist dhe një paranojaku prej mishi e gjaku, është se shkrimtari që e krijon mund të kthehet mbrapsht nga marrëzia, ndërsa i çmenduri mbetet në çmendinë. Është naivitet të pandehësh, pandehin disa nga lexuesit, se Dostojevski është një personazh i Dostojevskit. Sigurisht, një pjesë e mirë e tij gjallon tek Ivani Dimitri, tek Aljosha, te Smerdiakovi; po vështirë që Aljosha mund ta shkruante romanin Vellezërit Karamazov. Po kështu, duhet supozuar se idetë e Dimitri Karamazovit janë rreptës idetë tërësore të Dostojevskit: ato janë gjithsesi disa nga i që, në delir apo në ëndërr, në gjysmëzhgjëndërr apo në eks apo në gjendje epileptike, janë organizuar në mendjen e krijuar të tyre, të përziera me ide të tjera të kundërta, të ngjyrosur- ndjenja fajësie ose mllefi, të bashkuara me dëshira vetëvra ose vrasjeje.

Falë kësaj dialektike ekzistenciale që shpaloset nga shpirti i shkrimtarit duke u mishëruar te personazhet që luftojnë dhunshëm mes veti dhe ndonjëherë madje edhe brenda vetes, përftohet një tjetër dallim i theksuar ndërmjet romanit dhe filozofisë, sepse, ndërsa një sistem mendimi duhet të ndërtohet në mënyrë koherente dhe pa asnjë kontradiktë, mendimi i romancierit paraqitet në mënyrë të përdredhur, kontradiktore dhe ambigue. Cili është saktësisht botëkuptimi i Servantesit? Ai që jepet nëpërmjet Don Kishotit, apo në ato që llomotit Sançoja? Cilat janë idetë që shpreh Servantesi për qeverisjen, për dashurinë, për miqësinë, për pushtetin dhe për grykësinë? Mund të jemi të sigurt se edhe të parat, edhe të dytat, dhe se herë mendonte si shqytari materialist dhe mosbesues, herë e linte veten të rrëmbehej nga idealizmi i marrëzishëm i të çmendurit të tij, në mos po i gjendeshin njëkohësisht që të dy sistemet e mendimit në vetë zemrën e e tij, në një luftë sfilitëse dhe melankolike, në atë zemër prej krijuesi të madh që duket se përmbledh të këqijat dhe virtytet e tërë njerëzimit, madhështinë dhe mjerimin e njeriut në përgjithësi.

Sidoqoftë, pavarësisht nga kjo polivalencë e personazheve, kur mbarojmë se lexuari një roman të madh, kemi ndjesinë se ndodhemi përballë një vizioni të veçantë për botën dhe ekzistencën, i cili nuk buron dhe aq nga idetë e shkëputura që kanë shprehur këmbyerazi personazhet e tij sesa nga njëfarë atmosfere e përgjithshme, nga njëfarë tonaliteti që duket se i ngjyros objektet dhe figurat e universit romanesk. Kjo dukuri, ndonëse del më qartë në rastin e një romancieri si Kafka (për arsyen e vetëkuptueshme se tek ai pothuaj nuk ka personazhe, po vetëm atmosferë), shfaqet edhe në romane aq të populluara e të larmishme sikurse Vëllezërit Karamazov apo Dritë gushti. Ndoshta duhet të pranojmë, së bashku me Moravinë [Moravia], se kjo “ideologji” e romancierit shfaqet përherë në trajtë aluzioni ose parandjenje, me një proces që duket se konsiston në krijimin e një metafizike të saktë dhe pastaj në heqjen e pjesës ideologjike të saj, duke lënë vetëm pjesën faktike. Së paku kjo është përshtypja që të lë dikush si Kafka. (Pika pa sipërfaqe)

Leave a Reply

Your email address will not be published.