IKJA DHE MOHIMI I SKAJSHËM

Për Kunderën pesha e të jetuarit qëndron të çdo formë detyrimi: te një rrjet i dendur detyrimesh publike dhe private, i cili arrin ta mbështjellë çdo ekzistencë me fije gjithnjë e më të shtrënguara

Nurie EMRULLAI

Realizmin socialist- thuhet në trajtesën e Flakerit- mund ta përcaktojmë si doktrinë normative letrare, e cila u konsistua në vitet tridhjetë në letërsinë sovjetike dhe përfshiu edhe letërsitë e tjera nacionale të Bashkimit Sovjetik, kurse, pas Luftës së Dytë Botërore, normat e tij themelore u përvetësuan edhe në letërsinë e vendeve të tjera që përqafuan modelin socialist që zhvillohej në BRSS. Si doktrinë, realizmi socialist ushtroi ndikim duke filluar nga vitet ’30 dhe në të majtën letrare në botë, para së gjithash në vendet ku vepronin partitë punëtore e komuniste dhe ku kjo lëvizje ishte e fortë. Shembulli më i spikatur i përvetësimit të doktrinës së realizmit socialist në Evropën Perëndimore është shkrimi i Aragonit me titull Pour un realismsociulialiste (Për realizmin socialist, 1935), por edhe diskutimi i gjallë rreth “realizmit të ri”, si quhej për shkak të censurës, që zhvillohej në vitet tridhjetë edhe në vende të tjera të Evropës dhe Ballkanit (Çeki, Poloni, Hungari, Jugosllavi, etj) . Çesllav Milloshi shtron pyetjen se si mund të jetohet e të mendohet në një shtet Stalinist? Ai pohon se njeriu është një qenie e cila e duron dhe e pranon përshtatjen në rrethana të ndryshme, për një brez të ri, të cilin e ushqejnë dhe ia mbjellin idetë e ndryshme në kokë, sidomos kjo ndodh me pushtimet e mëdha të cilat dhe sot e kësaj ditë kanë lënë gjurmë dhe kanë krijuar historinë e njerëzimit. “Komunizmi, në fund të fundit, donte vetëm të spastronte modelin fordist prej ndotjeve (apo më mirë defekteve) të tij aktuale – prej atij kaosi malinj të gjeneruar nga tregu që i zinte rrugën mposhtjes totale dhe përfundimtare të aksidenteve dhe pasigurisë, dhe që bënte planifikimin racional më pak se gjithëpërfshirës.” Në veprën e tij “Mendja e robëruar”, ai na njofton mbi disa dukuri të dala në sipërfaqe pikërisht gjatë pushtimit që pësoi fillimisht një pjesë e mirë e Evropës, e pastaj e mbarë bota. Shpjegimin e kësaj dukurie ai e paraqet me terme dhe situata të caktuara, duke na vënë përballë të vërtetave që tashmë janë të pashmangshme për t’u parë. Ai na njofton me termin e Murti-Bingut dhe me Ketmanin. Çfarë përmbajnë këta dy terme dhe kujt i referohen? Murti-Bingu na del nga një kohë e lashtë, siç e përshkruan Milloshi, një filozof mongol i cili ka gjetur mënyrë për të përçuar botëkuptimin e tij në rrugë biologjike, njerëzit dilnin rrugëve dhe blinin pilulat e tij duke dashur kështu të gjejnë qetësinë shpirtërore dhe lumturinë. Ata humbin çdo tundim që mund ta kenë pasur deri atëherë për metafizikën. Çdo vështirësi që kishin kaluar deri në atë kohë, tani u dukej e kotë. Këtë rrëfim e gjejmë në veprën Pangopësia të autorit Stanislav Ignaci Vitkieviç. Gjithsesi ai deri në fund përkrahu ideologjinë e tij, aq sa në fund kur mësoi se Ushtria e Kuqe kishte kaluar kufijtë Lindorë të Polonisë, ai piu veronal dhe preu damarët. Arti i tyre shndërrohet për t’i shërbyer kësisoj shtetit. Siç thotë Milloshi në një paragraf, “Fati i disa njerëzve që kanë pasur pasoja të rënda, jo dialektike, sikurse Vitkieviçi, është një paralajmërim për shumë e shumë intelektualë. Këta shohin rreth vetes shembuj të lemerishëm: nëpër rrugët e qytetit enden fantazmat e atyre që nuk pranojnë të pajtohen me gjendjen dhe që nuk duan të marrin pjesë në asgjë, të mërguar brenda atdheut të vet, të gërryer nga urrejtja sa nuk ndjejnë dot gjë tjetër veç saj, të zbrazur përfundimisht nga gjithçka.” I tillë është dhe Kundera, i cili duke dalë kundër pushtuesit dhe ideologjive komuniste, në një farë mënyre ai doli kundër çastit që jetonte, aq sa u detyrua të ikë nga vendi, në atë mllefosje për padrejtësitë që i shkaktoheshin njëra pas tjetrës nga pushteti i egër i vendit të tij, ai ndryshoi qëndrim ndaj atdheut të tij, me ikje e mohim të skajshëm.

Bota artistike e Kunderës përbëhet nga ndjenja të forta të cilat e çojnë drejt tokës së ëndrrave të tij, nga çaste dhe nga detyra të cilat përcaktojnë jetën e personazheve, por dhe japin reflektim mbi jetën tonë. Te Kundera e lehta është një rrugëdalje nga rëndesa e jetës së përditshme, të lehtën ata e gjenin në të bërit e dashurisë, e gjenin në ikje, dhe në mohimin e gjithçkaje që linin pas. E lehta për ata ishte të dilnin vullnetarë të atdheut të tyre, me të gjithë çmimin që do të duhej të paguanin për atë. Nëse do të doja të zgjidhja një urim simbolik për afrimin e mijëvjeçarit të ri, do të zgjidhja këtë: kërcimi i zhdërvjelltë dhe i papritur i filozofit-poet, i cili ngrihet mbi peshën e rëndë të botës, duke treguar se pesha e tij përmban sekretin e së lehtës , ndërsa ajo që në kohëra kujtojmë për vitalitet, është një gjë e zhurmshme , agresive dhe gjëmuese, që i përket mbretërisë së vdekjes, si një varrezë automobilash të ndryshkur. Një utopi e moçme revolucionare, fashiste, ose komuniste: jeta pa sekrete, ku jeta publike dhe jeta private, nuk përbëjnë veçse një të vetme. Ëndrra e dashur surrealiste e Bretonit: shtëpia me qelqe, shtëpia pa perde, ku njeriu jeton nën vështrimin e të gjithëve. Ah bukuri e tejdukshmërisë! I vetmi realizim që arrihet përmes kësaj ëndrre: një shoqëri e kontrolluar plotësisht nga policia. Unë flas për tek Lehtësia e papërballueshme e qenies: Jan Prochazka, personaliteti i madh i Pranverës në Pragë, pas pushtimit rus në 1968, u bë një njeri që përgjohej shumë. Një vajzë e re e cila ka pasion fotografimin, rrezikon jetën e saj duke fotografuar realitetin e Çekisë në atë kohë dhe një djalë, i cili përmes një miti të lashtë sa vetë njerëzimi Miti i Edipit, shkruan një artikull gazete, të cilin e ndjen si kërcënim, pushteti i asaj kohe. U detyruan të dy që të braktisnin pasionet e tyre dhe të bënin një jetë prej qytetarësh të thjeshtë. Sistemi kërkonte amnezinë historike. Është e vështirë për një romancier të paraqesë idenë e tij të së lehtës me shembuj nga jeta e ditëve tona, përveçse kur e bën atë objekt të paarritshëm të një koleksioni të pafund. Këtë e ka bërë qartë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë Milan Kundera. Romani i tij Lehtësia e padurueshme e qenies është në të vërtetë një konstatim i hidhur i rëndesës së Pashmangshme të të Jetuarit: jo vetëm i gjendjes së shtypjes së dëshpëruar dhe gjithëpërfshirëse ku fati e ka braktisur vendin e tij, por edhe i një gjendjeje njerëzore të njëjtë me tonën, edhe pse jemi më tepër me fat se ata. Për Kunderën pesha e të jetuarit qëndron të çdo formë detyrimi: te një rrjet i dendur detyrimesh publike dhe private, i cili arrin ta mbështjellë çdo ekzistencë me fije gjithnjë e më të shtrënguara. Romani i tij na tregon se si në jetë gjithçka zgjedhim dhe çmojmë si të lehtë nuk vonon të na shfaqi peshën e saj të papërballueshme. Ndoshta, vetëm gjallëria dhe paqëndrueshmëria e inteligjencës arrijnë t’i shpëtojnë këtij dënimi: cilësi me të cilat është shkruar romani e që i përkasin një bote ndryshe nga ajo ku jetojmë. Romani Lehtësia e padurueshme e qenies, botuar në vitin 1984, është një vepër e cila ka një jetë të tërë brenda, ka të shtjelluara të gjitha llojet e situatave, të gjitha hamendësimet e një njeriu të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm, të gjitha pyetjet e dhimbjet të një qenie njerëzore, dhe “një fund” që Kundera ia dhuron të tërë njerëzimit.

(Fragment nga vepra “Ekzili, nostalgjia dhe identiteti në veprat e Milan Kunderës”)

Leave a Reply

Your email address will not be published.