Librat e Adelinës janë të jetueshëm. Kjo pasuri e vlefshme është dhurata më e bukur dhe fisnike që shkrimtarja nëpër vite i ka bërë Bibliotekës së Letërsisë për fëmijë dhe të rinj, dhe Kulturës shqipe
Xhahid BUSHATI
Adelina R. Mamaqi, edhe sot e kësaj dite, mbetet ikonë e Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. E ndërtoi profilin e saj prej artisteje si rrallëkush në fushën e letrave shqipe. Është modeli i vetëm prej shkrimtareje, që me talent e konsekuencë, – siç thotë një poet “… të kesh gjëra për të thënë…”, ka rrezatuar fuqishëm me një “bum” botimesh, veçanërisht pas viteve ’90. Ndërkohë, kritika letrare, ajo pak kritikë që kemi, foli për librat e saj shumë pak ose heshti. Atë që se bëri kritika letrare e studimet, e bënë lexuesit e vegjël, por edhe prindërit, gjyshërit dhe gjyshet e atyre lexuesve, që si çdo herë i mirëpritën librat e saj, i rrethuan me dashuritë e zemrave dhe thanë pafund fjalë shpirti, e fjalë urimi…
Librat e Adelinës janë të jetueshëm. Kjo pasuri e vlefshme është dhurata më e bukur dhe fisnike që shkrimtarja nëpër vite i ka bërë Bibliotekës së Letërsisë për fëmijë dhe të rinj, dhe Kulturës shqipe. E gjej me vend të përsëris thënien e romancierit dhe akademikut francez DominiqueFernandez, i cili thotë: “Janë shkrimtarët ata që ndryshojnë botën.” Mendoj, që duke parë kontributin e saj, shkrimtarja Adelina R. Mamaqi i meriton këto fjalë. Dhe kjo e vërtetë, përkon në këtë fundviti (2017) kur Qeveria i akordoi pensionin special. Duhet thënë, që pas viteve ’90 është hera e parë që një shkrimtare e letrave shqipe për fëmijë e të rinj vlerësohet dhe nderohet kaq lavdishëm.
*
Emri i Adelina R. Mamaqit u shfaq në fushën e letrave shqipe aty nga fundi i viteve ’50. Në agimin e viteve ’60 botoi librin e parë poetik për të rritur me titull “Ëndrra vashërie”. Atëherë ishte 16 vjeçe, dhe… çuditërisht libri fliste për dashurinë. (Koha dhe realiteti nuk e favorizonte.) Brishtësia poetike dhe intimiteti i shpirtit sikur… nuk plotësonin kërkesat e letërsisë së realizmit socialist. Ishin në kontradiktë. Ky “duel”, më vonë, pati pasojat e veta tek udha e mëtejshme letrare e poetes.
Gjatë viteve të krijimtarisë, poezia për të rritur, papritur, do t’i shndërrohej në një ëndërr…, një ëndërr që do të përfundonte në sirtar. Ajo nuk do të rendte së kërkuari ‘Ëndrrën e vashërisë’. Gjithsesi libri në fjalë pati shumë jehonë në atë kohë. Më pas u botua edhe në Kosovë. Këtu pati dashamirësi, jetësim, mirënjohje, adhurim dhe jehonë. Aq sa, kur Adelina shkoi në “Mitingun e poezisë, në Gjakovë, më 1972, fjala e parë e mirëseardhjes ishte: “Na e mbushe Kosovën, me Adelina, moj burrneshë!” Si dëshmi e kësaj “Ëndrre…” Adelina R. Mamaqi u bë poetja e parë në letërsinë shqipe.
Vrojtimi im kësaj radhe fokusohet në kontributet e autores në fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj. Pasi, aktualisht dhe në perspektivë për këtë letërsi, kërkohen studime në njohjen e vlerave të vërteta të saj. Kërkohet optikë e re vështrimi, veçanërisht në përcaktimin e vlerave jetëgjata, si fond i asaj periudhe, që u mbyll në vitet ‘90. Pastaj është periudha e ndërrimit të sistemeve. Pastaj, sa është e pranishme fryma e metoda e realizmit socialit i asaj letërsie në krijimtarinë letrare pas viteve ’90 tek krijuesit e kësaj letërsie, është një ftesë për diskutim dhe kërkon studim më vete.
Qasja me objektivitet ndaj vlerave (të atyre që u krijuan para ’90-ës dhe të atyre që vazhdojnë të krijohen pas ’90-ës), na shpien në shumë dukuri, fenomene dhe tipologji të krijuara në marrëdhënie me kohërat e realitetet, të cilat na orientojnë për të parë sa më qartë udhën, mozaikun dhe zhvillimin e letërsisë për fëmijë e të rinj.
Shkrimtarja Adelina R. Mamaqi, i takon brezit të shkrimtarëve për fëmijë e të rinj të viteve ’60. I takon një brezi me kontribute të rëndësishme e me risi, si: në problematikë e tematikë, vështrim, pasurim gjinish e profilesh, ligjërim e rrëfim në letërsinë për fëmijë e të rinj. Ndaj me të drejtë Prof. as. Dr. Ramazan Cadri shprehet: “Vitet ’60, që përbëjnë një etapë të re në jetën ekonomike-shoqërore të vendit, shënojnë një stad të rëndësishëm për procesin e formimit të plotë të letërsisë shqiptare për fëmijë, si letërsi me tipare ideore dhe artistike të përcaktuara. Shkrimtarë të ndryshëm, që ia kushtuan energjitë e veta krijuese kësaj fushe të letërsisë, ishin të vetëdijshëm për rolin e rëndësishëm të veprave letrare në edukimin ideoestetik dhe në formimin e personalitetit të brezit të ri.” Më pas, dekadat e mëvonshme do të flasin se, kjo shkrimtare solli një krijimtari të pasur e të larmishme, krijimtari që vazhdon edhe sot. Kjo është arsyeja që për vlerat që bart e sjell (dhe në vazhdimësi…), shkrimtarja Adelina R. Mamaqi mbetet një ikonë e letërsisë për fëmijë e të rinj. I të njëjtit mendim është dhe studiuesi Prof. As. Dr. Astrit Bishqemi, i cili thotë: “Shkrimtarja dhe poetja e njohur Adelina Mamaqi, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të ruajë postin e një përfaqësueseje të denjë të poezisë shqipe për fëmijë.”
Lënda poetike që na ofron shkrimtarja është e gjerë dhe nga pikëpamja tipologjike: e larmishme. Ajo të fton për shumë këndvështrime. Shqyrtimi i një aspekti, i formuluar në krye të këtij studimi, dhe i selektuar nga krijimtaria e gjerë dhe e larmishme poetike e Adelina R. Mamaqit, u bë shkas se i besova dhe u udhëhoqa nga një formulë filozofike-letrare, të cilën e kisha lexuar kohë më parë, e cila thotë: “Ndër librat që të interesojnë, qëmto ata syresh që ia vlejnë të shqyrtohen e të konsiderohen dhe që ju rrëmbejnë në botën e tyre, në të vetmen botë të pacenueshme nga tirania e kohës.” (Bloom, Harold)
E kam ndjekur në proces krijimtarinë e Adelina R. Mamaqit. Ashtu siç kam ndjekur dhe ndjek në proces edhe mendimin kritik e studimor në lidhje me krijimtarinë e saj e të autorëve të tjerë të letërsisë për fëmijë e të rinj, të cilët edhe pse të pakët në numër, vazhdojnë të shkruajnë. Leximi i një vepre të një autori, aq më shumë disa vepra të tjera që janë të një gjinie a zhanri poetik, lexuesi, aq më shumë studiuesi, krahas përftesës së emocionit dhe kënaqësisë estetike, krijon marrëdhënie shumëplanëshe me të ose me to, e, po në këto rrafshe marrëdhëniesh bisedon e komunikon parreshtur… E kjo ndodh, sepse “është komunikim i ngritur në sistem: të përcjelljes e të dërgimit të mesazhit e të marrësit, receptuesit, dhe, ky sistem, sikur nënvizojnë njerëz të dijes që nga Barti e deri te Fuko; duhet të bëhet hallka kryesore e interpretimit, shpjegimit dhe komentimit të vlerave artistike.” (Bloom, Harold) Kështu, të lexosh korpusin e veprave të një krijuesi, siç është në rastin tonë të Adelina R. Mamaqit do të thotë: *‘t’ia dhurosh thelbin e përmbajtjen estetike’, *‘raporti në mes veprës dhe lexuesit përpunohet, përsoset dhe bëhet i ngushtë e i afërt’, *‘statusi i veprës letrare qëndron në varësi nga mënyra e receptimit të tij’, *‘kurse shumësia e leximit shtrin rrjetën e tij tutje, me kuptimet që zgjon teksti i lexuar. (Bloom, Harold).
Gjatë vështrimit tonë në lëmin shkrimor e historik, herë pas here në periudha të ndryshme kohore kemi gjetur në disa shkrime e studime të botuara në organe të ndryshme, mendime e interpretime shpesh kontradiktore në lidhje me fillimet e sakta të jetës letrare të kësaj autoreje, pra në atë që e quajmë ‘pikënisje’ a etapë brenda biografisë së krijuesit. Përgjigjen e saktë të këtij problemi, realisht, na e ofrojnë libri: “Ëndrra vashërie” dhe krijimet letrare të kësaj autoreje botuar në periodikët e gazetave e të faqeve letrare të tyre, para se të botohej ky libër me poezi për të rritur. Kështu që ky diskutim, mendoj të quhet i mbyllur e të mos variohet me interpretime të pabukët.
Libri i parë me poezi për të rritur për vlerat që mbarte, për shumë ‘tabu’ që thyente e sfidonte zëri femëror i poetes, që në fillin e prezantuan denjësisht si krijuese të talentuar Adelina R. Mamaqin. Ndonëse, rrezatimin dhe jehonën më të madhe e pati më shumë në Kosovë se sa në Shqipëri. Me këtë libër poetik ajo hyri e sigurt e me dinjitet në botën e letrave shqipe.
Në marrëdhënie me kohën kur u botua ky libër dhe me lexuesin, më mirë se kushdo flet ky fragment vlerësimi, të cilin po e citojmë: “Në vitin 1963 (Adelina Mamaqi, nënvizimi im, – Xh. B.) e botoi librin me poezi për të rritur “Ëndrra vashërie”, libri i parë i një poeteje shqiptare, i cili bëri jehonë te lexuesit dhe te kritika, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për faktin se e theu një tabu: Kjo poete e re merrte guximin t’i shprehte ndjenjat e dashurisë femërore, në një kohë kur fjala ‘dashuri’ ishte thuajse një mëkat.” (Gazeta “LAJM” (Kosovë), 26.10.2009, shkrimi: “Adelina Mamaqi në Kosovë, pas 40 vjetëve”).