Që nga fillimi, letërsia për mua s’ishte autobiografi, por udhëtim për në jetë të tjera, mundësi të tjera
Elif SHAFAK
Fillova të shkruaj letërsi në moshën tetëvjeçare. Një ditë nëna solli në shtëpi një fletore dhe më pyeti nëse më dukej ide tërheqëse të mbaja një ditar personal. Kur hedh vështrimin prapa, mendoj se ajo ishte pak e shqetësuar për gjendjen time mendore. Vazhdimisht tregoja histori në shtëpi, diçka e mirë, por ua tregoja edhe miqve imagjinarë përreth meje, diçka jo edhe aq e mirë. Isha fëmijë i mbyllur deri në atë pikë, sa komunikoja me lapsat me ngjyra dhe u kërkoja falje objekteve kur përplasesha me to. Kështu nëna mendoi se ishte gjë e mirë nëse shkruaja për përvojat dhe emocionet e përditshme. Ajo s’e dinte se mendoja që jeta ime ishte jashtëzakonisht e mërzitshme dhe gjëja e fundit që doja të bëja ishte të shkruaja për veten. Përkundrazi, fillova të shkruaj për njerëz të ndryshëm nga unë dhe gjëra që s’më kishin ndodhur kurrë. Kështu filloi pasioni për të shkruar letërsi, i cili vazhdoi gjatë gjithë jetës. Që nga fillimi, letërsia për mua s’ishte autobiografi, por udhëtim për në jetë të tjera, mundësi të tjera. Dhe ju lutem, kini durim, do të vizatoj një rreth dhe do të kthehem në këtë pikë. Por diçka tjetër ka ndodhur gjatë kësaj kohe. Nëna u bë diplomate. Kështu që nga kjo lagje e vogël, paragjykuese, e klasës së mesme të gjyshes, u ngjita vertikalisht në shtresë shoqërore, shkova në një shkollë ndërkombëtare, ku isha e vetmja turke. Aty pata takimin tim të parë me atë që e quaj “përfaqësuese e së huajës”. Në klasën tonë kishte fëmijë nga të gjitha kombësitë. Sidoqoftë, kjo shumëllojshmëri nuk çonte domosdoshmërish në një demokraci kozmopolite, egalitare. Përkundrazi, krijoi një atmosferë në të cilën secili s’shihej si individ, por si përfaqësuesi i diçkaje më të madhe. Ishim si një miniaturë e Kombeve të Bashkuara, argëtuese kjo, por sa herë që ndodhte diçka negative në një komb ose fe, fëmija që e përfaqësonte qesëndisej dhe tallej pa fund. Epo, duhej ta kisha ditur, sepse gjatë kohës që isha në atë shkollë në vendin tim ndodhi një grusht shteti, një person me armë i kombësisë sime gati vrau Papën dhe Turqia mori zero pikë në Festivalin Europian të Këngëve. Herë pas here s’shkoja në shkollë dhe gjatë atyre ditëve ëndërroja të bëhesha marinare. Përjetova për herë të parë domethënien e stereotipave kulturorë. Fëmijët më pyetën për filmin “Ekspresi i mesnatës”, të cilin s’e kisha parë. Më pyesnin se sa cigare në ditë pija, sepse mendonin se të gjithë turqit ishin duhanpirës të mëdhenj. Dhe vrisnin mendjen se në cilën moshë do t’i mbuloja flokët. Kam arritur të mësoj se këto ishin tre stereotipat kryesorë për vendin tim: politika, cigarja dhe perçja. Pas Spanjës shkuam në Jordani, Gjermani dhe sërish në Ankara. Kudo ku shkoja, ndieja sikur imagjinata ishte e vetmja valixhe që mund të merrja me vete. Historitë më krijuan ndjenjën e vatrës dhe vijimësisë të cilat më mungonin. Në të njëzetat u shpërngula në Stamboll, në qytetin që adhuroj. Kam jetuar në një lagje shumë të gjallë, të larmishme, vendi ku kam shkruar disa nga romanet. Isha në Stamboll kur u godit nga tërmeti në vitin 1999. Kur vrapova për të dalë jashtë ndërtesës në tre të mëngjesit, pashë diçka që m’u ngulit në kujtesë. Kishim një plak të sertë vendas në lagje, i cili s’shiste alkool dhe s’u fliste pjesëtarëve të grupeve të tjera. Ishte ulur pranë një tranvestiti me parukë të gjatë të zezë dhe bojën e vetullave që i rridhte në faqe. Pashë burrin që hapi një paketë cigaresh me duart që i dridheshin dhe i dha një cigare. Ky ishte imazhi i natës së tërmetit që më ka mbetur në mendje: një shitës dyqani, konservator, dhe një tranvestit që qante, të dy pinin cigare në trotuar. Përballë vdekjes dhe shkatërrimit, dallimet mes tyre u zhdukën dhe të gjithë u bëmë një, për disa orë. Por gjithmonë kam besuar se edhe historitë e rrëfyera kanë efekt të ngjashëm. S’po them që letërsia ka magnitudën e një tërmeti. Por kur po lexojmë një roman të mirë, i lëmë pas apartamentet tona të vogla, të rehatshme, dalim jashtë natën sapo të fillojmë leximin dhe fillojmë të njohim njerëz që s’i kemi takuar kurrë më parë dhe mbase, madje, i kishim paragjykuar.