Ndryshe nga të gjithë shkrimtarët e kohës në kulmet letrare shqiptare të viteve të ‘70-ta, T. Dërvishi i pari e futi eksperimentimin si metodë krijuese, që më vonë do të përçohet në gjithë krijimtarinë e tij letrare si mënyrë e veçantë drejt modernizmit “ekstrem”,
Nehas SOPAJ
Autori T. Dërvishi, më vete bart elementet e përbashkëta të një brezi shkrimtarësh të cilët u formuan dhe u dalluan kryesisht në vitet ’70 të shekullit të kaluar, në mesin e krijuesve letrarë të etapës së tretë të Kosovës e Maqedonisë, siç janë B. Musliu, M. Ramadani, J. Buxhovi, J. Gërvalla, Xh. Ahmeti, Y. Shkreli, N. Halimi, S. Hamiti, L. Lepaja, Z. Rrahmani, M. Kraja, Sh. Beqiri etj. Ky shkrimtar, sa është i veçantë dhe domethënës, është edhe autonom me mënyrën e tij të shkrimit, sepse shumë aspekte, elemente dhe kategori të ndryshme estetike të veprës së tij, siç janë natyra e shkrimit, kodet, nënkodet dhe lidhshmëritë e përgjithshme të gjuhës, autorin e bëjnë jo vetëm bashkëveprues dhe bashkëkrijues, por shpesh edhe mësues për shumicën e këtyre emrave të sipërpërmendur. Teki Dërvishi është një ndër shkrimtarët më produktivë dhe vepra e tij shënon shkollë shkrimi për krijuesit e rinj ku autorin e shohim shumë pjellor duke lëruar tri gjinitë letrare paralelisht: poezi, prozë dhe dramë. Sot është vështirë të kuptohet pesha dhe rëndësia e veprës së tij nëse lexohet parcialisht, pra nëse lexohet vetëm si poet, si prozator apo si dramaturg. Por, edhe të lexuarit në tërësi të veprës së tij është i rëndë dhe i vështirë, sepse problem paraqet njohja e domosdoshme e kodeve të shkrimit, që është një sferë e veçantë gnoseologjike e shumë stileve, shpesh të dendur dhe intertekstuale, e që na shtyn t’i kërkojmë vijat, tërthoret dhe reflekset e botës krijuese e cila qet krye si ironi përtallëse e gjithçkasë që merr ta trajtojë për t’u bërë më tej një veçori tipike për t’u kuptuar saktë mesazhet. Gjithë kjo flet për një nivel të lartë të stilit të shkrimtarit, dendurisë së shprehjes, e cila ndryshe nga të tjerët, ka një tjetër ndërtim që, sa të duket i kapshëm dhe i qartë, përsëri prapa ka abstragimin, duke i selektuar lexuesit në lexues që mund ta përqafojnë, dhe në lexues që nuk arrijnë ta kapin ironinë e asaj që e përflet autori, e që, jo se është e fshehtë në të folur, por që në të folur ka ironi, shpoti dhe sarkazëm që nuk kursen asgjë.
Vepra e botuar e autorit shënon vëllime me poezi: Nimfa 1, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1970, I varur me vargje për drurin e blertë, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1971, Shtëpia e Sëmurë (libër me poezi në gjirin e të cilit është Halveti, një mini-roman), bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1978, Thashë, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1981, Nimfa 2, bot. NGBG Rilindja, Prishtinë, 1986, përmbledhje me tregime: Etje dhe borë, tregime, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1974, romanet: Pirgu i lartë, roman, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1972, Padrona, roman, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1973, Skedarët, roman, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1974, Herezia e Dervish Mallutës, roman, bot. NGBG Rilindja, Prishtinë, 1981, Palimpsest Dush Kusarit, roman, bot. NB Blend, Prishtinë, 1993. Dramat: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, dramë, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1979, Bregu i pikëllimit, dramë, bot. NGBG Rilindja, Prishtinë, 1985, Pranvera e librave, 1990, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, 1990, Kufiri me atdhe, 1996, Vojceku, 1996, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Eshtrat që kthehen vonë, 2000,Ku është Populli?, 2003. Ese dhe kritikë mbi teatrin: Qan e qesh Talia, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1978. Në shtypin ditor të kohës, në gazetën Fakti dhe Bota Sot etj. pastaj në bibliotekën shtëpiake, bibliografia e veprimtarisë letrare të T. Dërvishit zgjerohet me një varg veprash tjera, kryesisht drama të pabotuara, që presin botimin e tyre. Edhe pse vepër letrare ndër më të rëndësishmet të letërsisë së sotme shqiptare, kapitale do të thoja unë, marrë në përgjithësi për këtë vepër është shkruar pak, shumë pak. Hiq ndonjë shkrim të A. Aliut, R. Musliut, S. Hamitit, N. Islamit, J. Papagjonit e të ndonjë tjetri, për veprën letrare të T. Dërvishit është shkruar pak, kaq sa ajo sot vazhdon të jetë në margjina të interesimit të kritikës letrare dhe të shkencës filologjike shqiptare. Mjerisht, pa merita.
Emri i T. Dërvishit, në këtë mes, pa mëdyshje shënon vlerën e vërtetë të epokës interkaluese prej modernizmit kah postmodernizmi shqiptar, me çka ai dëshmohet si një ndër krijuesit më këmbëngulës në kërkimet e tij në shkrime, si një nga stilistët, sprovuesit dhe eksploruesit më të zellshëm të mënyrave të reja të shkrimit, por edhe si një ndër eksperimentuesit më në zë, që për kohën ka mbetur i paarritshëm edhe sot, por mjerisht i pabotuar dhe pastudiuar akoma deri më sot. Siç do të shihet nga rruga e ngritjes së tij prej vepre në vepër, T. Dërvishi, në kuadër të “modernizmit kosovar”, do të veçohet si luftëtar i pakompromis i thyerjeve të tabuve dhe dogmave letrare, të stileve të ndryshme të shkrimit të kohës duke i lënë ato stile si një tradicionalizëm që nuk i sillnin gjë të re shkrimit shqip. Qysh atëherë, në vitin 1978, autori e shfaq një qëndrim negativ ndaj realizmit socialist, të cilin e përtall dhe stigmatizon si kiç politik të ditës, që për kohën ishte një lloj sfide dhe tundimi i veçantë për krijuesit, sepse të shkruarit në stilin soc-realist në atë kohë, për një pjesë të krijuesve “patriotë” të Kosovës, shitej si modernizëm (alias “novatorizëm”, siç e quanin në Shqipëri) dhe të deklaroheshe kundër ishte tradhti. Në librin Shtëpia e sëmurë, me anë të një shkrimi poezi, plus prozë, plus dramë, ai do ta ironizojë, parodizojë dhe deplasojë totalisht soc-realizmin me anë të një eksperimentimi inverziv, i cili mirëfilli do t’i shënjojë fillet e postmodernizmit tonë. Siç do ta shohim më tutje, autori do të jetë në frymë me kohën, sepse në mënyrën e shkrimit të tij ai i kishte absorbuar dhe absolutizuar të gjitha llojet e realizmave e të modernizmave nga më të ndryshmit, si shkrime demode, të tejkaluara përgjithmonë, për ta kultivuar një mënyrë të re shkrimi, eksperimental, që tundonte drejt shkrimeve të reja, për nga natyra hibride, siç është poezia plus prozë plus dramë brendapërbrenda strukturës narrative, duke paralajmëruar konceptet të tjera, fare të reja për artin e letërsisë, prej nga qe importuar.
Ndryshe nga të gjithë shkrimtarët e kohës në kulmet letrare shqiptare të viteve të ‘70-ta, T. Dërvishi i pari e futi eksperimentimin si metodë krijuese, që më vonë do të përçohet në gjithë krijimtarinë e tij letrare si mënyrë e veçantë drejt modernizmit “ekstrem”, me një gjuhë fare tjetër shkrimi drejt çarjes së censurës, hapjes së temave të ndaluara, drejt emancipimit estetik të gjuhës poetike. Lufta me gjuhën drejt emancipimit të saj, te T. Dërvishi reprodukon një varg veprash, të cilat lexuesit i sjellin në zanafillë të konceptit se çka në të vërtetë presupozon arti i letërsisë, cili realisht është misioni i tij, çka në të vërtetë mundet letërsia në konditat e epokës globale e çka jo. Që këtu, të gjitha veprat letrare të T. Dervishit mëtojnë t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje, e cila presupozon pikërisht emancipimin e gjuhës, fuqitë e saj të brendshme deri te ato më sakralet, që t’i thonë të gjitha kategoritë estetike të fjalës, duke përfshirë të gjitha aspektet e mundshme të kohës dhe të hapësirës (fundin e tyre), temat të cilat vetëm mund të ironizohen, pezhorohen ose eseizohen si finesa të postmodernizmit.
Në vitet e ’70-ta, në galerinë e krijuesve letrarë shqiptarë tashmë më të dalluar dhe të patundshëm në altarin e mbarë letërsisë sonë, siç janë M. Camaj, I. Kadare, A. Pashku, R. Qosja, A. Podrimja, F. Reshpja, B. Musliu, M. Zeqo etj., poeti Teki Dërvishi shkruante ndryshe nga të gjithë. Gjersa ata, në shkrimet e tyre, mund cilësohen si poetë modernë, Teki Dërvishi, si edhe B. Musliu e M. Ramadani, në shkrimet e tyre dallohen me një tip shkrimi ndryshe nga të tjerët, “më modern” se modernizmi i asaj vale krijuesish që sot i çmojmë për elitë të kohës e që sjellin një stil shkrimi “ekstremisht” të mbathur, me elemente të kulturave të ndryshme të botës, që për kohën dallohet sheshit me gjithanshmërinë, vibrimet dhe denduritë stilore të fjalisë prej nga ato edhe vijnë. Letërsia latino-amerikane dhe, sidomos, tregimet e H. L. Borgesit, që në letërsinë e përbotshme tashmë quhet thjesht borgesizëm, te ne do të kulmojë mbase më së miri me shkrimin e T. Dërvishit. Shumë studiues e konsiderojnë atë shkrim abstrakt, njëlloj variacioni i ri i lartpurlartizmit. Borgesizmi ose shkrimi me denduri formacionesh stilore brenda një stili të vetëm, në vitet e ’70-ta ka pasur një impakt dhe difuzion zgjerimi në të gjitha letërsitë kombëtare, në Ballkan, në Europë dhe në botë, që këtu edhe në Kosovë. Në letërsinë shqipe, T. Dërvishi është përfaqësuesi ynë më tipik pikërisht sepse ky shkrim është përzierje diskursesh: poezi, prozë e dramë – një koagulim eseizimi. Mbase kjo është arsyeja se pse kritika e kohës nuk e priti autorin tonë me ovacione sikundër i prisnin krijuesit që sillnin inovacione, pa atë entuziazmin e dalluar të atëhershëm.
Megjithatë, ndryshe nga të tjerët, Teki Dërvishi edhe sot është i papranuar në skenën letrare shqiptare, i palexuar dhe i pastudiuar, pra pikërisht për shkak të stilit të shkrimit të tij, “të rëndë”, i cili rri larg shtresave të gjera të lexuesve, studentëve dhe profesorëve, të cilët edhe sot vazhdojnë ta lexojnë klasiken tradicionale dhe klasiken moderne, por jo edhe shkrimtarët postmodernë, të cilët siç e thamë, shquhen me denduri stilistikore, me begati dhe thellësi gjuhësore, në “trend” me ndryshimet në çastin kur edhe ndodhin ato. Është një temë shumë e palavd të diskutohet për fillimet e letërsisë postmoderne shqiptare, që, sipas mendimit tim, lidhet pikërisht me emrin e T. Dërvishit, kur këtij formacioni stilistik sot mund t’i dalë zot kujt t’i teket. Jemi në një kohë kur të gjithë flasin për epokën postmoderne dhe kur me këtë drejtim të gjitha “participojnë” paralelisht shkencat dhe artet, por të flasësh për letërsinë postmoderne, kjo i bie sikur të flasësh për një kuptim nganjëherë edhe pa definicion.
Deri sot janë shfaqur mendime se për postmoderne mund të jetë poezia e fazës së fundit të M. Camajt (të ashtuquajturat poezi eksperimentale të librit Nën hijen e gjarprit), dikush e cilëson ashtu prozën e R. Qosjes, më saktë romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë, dikush romanet e I. Kadaresë, por ka edhe mendime të tjera, alternative, që lidhen me vepra të tjera dhe me autorë të tjerë. Meqë definicioni postmodernizëm është pafundësisht i gjerë dhe për të mund të flasësh e të thuash gjithçka, por kurrë të vërtetën e saktë, shkencërisht të argumentuar, sepse gjithmonë diçka do të mbetet e pa thënë deri në fund, e thënë gabimisht ose edhe e thënë me tendencë e cila, ec e dije se ku shpie. Këtu, më poshtë, po nxjerr në dritë tezën time se disa aspekte dhe prova të veprës letrare Shtëpia e sëmurë, na shpijnë në vitin 1978, kohën kur qe botuar ky libër, koha që shënoi fillimin e një shkrimi për të cilin themi se e nisi postmodernizmi në letërsinë shqipe. Teki Dërvishi, duke filluar me librin poetik Shtëpia e sëmurë, pastaj një vit më vonë me dramën Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi e këtej deri në fund të krijimtarisë së tij letrare, ka bërë që shkrimi i tij të jetë i veçantë që do të kërkojë nga lexuesi të jetë kategori aktive sa edhe vetë autori, diçka që me automatizëm e verifikon mendimin e W. Isser se aktanti i tretë, krahas autorit dhe veprës, kërkon që lexuesi të jetë aktanti relevant në aktin e interferimit vepër, autor dhe lexues. Lexuesi i veprës së tij duhet të jetë në nivel me kulturën e domosdoshme teorike sa edhe autori, parakusht dhe domosdo që të mund ta receptojë atë letërsi që i servohet, një nga kategoritë fundamentale që një vepër të jetë në korrent me kohën, të jetë postmoderne.
Më poshtë do ta kujtoj lexuesin për një deklaratë të Teki Dërvishit me rastin e vdekjes së Beqir Musliut, mikut të tij të ngushtë për nga vokacioni dhe shkrimtaria, në të cilën ai thotë: “Poeti, romansieri, dramaturgu, eseisti dhe publicisti Beqir Musliu është përfaqësuesi i parë i postmodernitetit në letrat shqipe…”. Them se po të ishte gjallë B. Musliu, ai do të deklaronte se T. Dërvishi është shkrimtari i parë postmodern shqiptar jo ai vetë. Kur e them këtë, për të mos u dukur kjo një kurtoazi e ndërsjellë mirësjelljeje, ne që kemi bashkëkrijuar mu në atë kohë kur ata i kanë ngritur kullat e tyre prej arti të veçantë, them se T. Dërvishi është borgesisti i parë, B. Musliu surrealisti i parë, të dytë tok me M. Camajn, janë postmodernistët fillestarë në letërsinë tonë. Në të vërtetë, emrat dhe veprat letrare të këtyre dy individualiteteve shumë të veçanta dhe ndër më të rëndësishmit, bashkë me veprën e M. Camajn, shënojnë fillimin e epokës së postmodernizmit të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
(Shkëputur nga libri “Trinomi postmodern shqiptar”, botuar nga Shtëpia botuese DRINI, Ferizaj, 2024)