INSTRUMENTALIZIMI

SONY DSC

Instrumentalizimi është dukuri politike që zhvillohet posaçërisht në sferën e kulturës. Zakonisht iniciohet nga një pushtet që ia mësynë autoritarizmit, por dhe diktaturës nacionale. Fushat e krijimtarisë, të artit, kulturës, shfrytëzohen si resurse që e fuqizojnë strategjinë politike nacionale dhe që e ngulfasin vigjilencën e të tjerëve që përpiqet t’i dedikohen zhvillimit kulturor që dallon nga kultura e shtetëzuar.

Nëse analizojmë planet vjetore për kulturë si dhe strategjitë nacionale për kulturë të Maqedonisë së Veriut, sakaq do të konstatojmë se kemi të bëjmë me një strategji nacionale që zhvillohet në dy kahe e që kanë një pikëtakim!

Politikat kulturore të hartuara nga qeveritë e drejtuar nga LSDM-ja gjithnjë kanë qenë të ngurta. Duke manifestuar me kryeneçësi egoizmin politik nacional buxhetet e tyre për kulturë gjithnjë janë të ngurta, të vogla dhe direkt dëmtojnë angazhimet politike shqiptare për zhvillimin dhe avancimin e identitetit kulturor të shqiptarëve të RMV-së. Një shtet, një komb i dalë nga ASNOM-i i 1945 dhe, gjithçka ka përfunduar, prandaj të gjithë jemi “maqedonasë”!

Ndërkaq politikat kulturore të hartuara nga qeveritë e VMRO-së shënojnë dy momente mjaft interesante: e Lubço Georgievskit që angazhohej për një identitet kulturor me prejardhje bullgare dhe, ajo e Nikolla Gruevskit që, duke e emituar si sharlatan strategjinë nacionale për kulturë të anglezëve, nisi ta kërkojë identitetin kulturor nacional në antikitet. Në të dyja rastet “nuk dëmtohej” identiteti kulturor shqiptar, por në mungesë të ekspertëve të mirëfilltë as nuk u zhvillua dhe as nuk u institucionalizua. Që të dyja strategjitë nacionale për kulture, të VMRO-së, parashihnin buxhet më të madh, pasi që institucionet nacionale ekzistuese (kryesisht maqedonase) duhej të zhvilloheshin, por edhe të themeloheshin të rejat! Nuk ishte koha për institucionalizim të kulturës shqiptare! Maqedonasit u instrumentalizuan tërësisht, artistët, krijuesit, intelektualët maqedonas u shndërruar në aleatë kryesorë të politikave përjashtuese nacionale, duke siguruar lloj-lloj përfitimesh, projektesh, pensionesh nacionale etj. Shqiptarëve veç sa iu shtua lakmia për përfitime të tilla instrumentalizuese. Vetëm Arbër Xhaferi ia doli të shtyhet dhëmbë për dhëmbë me strategjitë nacionale për kulturë të VMRO-së – për pak kohë (18 muaj) sa ishte në pushtet me këtë parti, ia doli të themelojë 5 institucione nacionale shqiptare, gjë që nuk kishte ndodhur që nga ASNOM-i i 1945-tës!

Si ndodhi kjo? Nikolla Gruevski, duke ndërtuar një strategji nacionale të kompiluar pak nga politikat konservatore pak nga ato laburiste angleze, sidomos në sferën “partneritet publik-privat”, do ta fillojë me reindustrializimin e vendit, duke filluar nga Shkupi, e që këtë proces do ta quajë “politikë urbane”, strategji kjo e njohur që nga vitet 1970 kur anglezët do të ngrenë iniciativën e njohur “Politikë për pjesët e qytetit të lëna pas dore”! Kësaj politike Gruevski do t’i qaset përmes politizimit dhe instrumentalizimit të politikave kulturore. Qindra artistë të instrumentalizuar, përmes konkurseve qeveritare, do të përfshihen në “reindustrializimin” e Maqedonisë së Veriut, duke u bërë pjesëmarrës në realizimin e “përmendores” së budallallëkut nacional – Shkupi 2014!

Edhe në Britaninë e Madhe, në prag të rrënimit të komunizmit, Këshilli Artistik kishte kumtuar një nismë nacionale që e kishin titulluar “Renesanca urbane: roli i artit në rindërtimet urbane, 1989”. Duke i dhënë rol jetik artit dhe krijuesve në rindërtimin e Britanisë në kontekst të sfidave post-komuniste evropiane dhe botërore, politikat angleze ndërtonin kontekst ekonomik – arti tërheq turistë, rritet punësimi, përfshihen komunitetet në një gamë të gjerë aktivitetesh kulturore dhe tërë kjo kontribuon në përforcimin e identitetit dhe në shtimin e krenarisë kombëtare!

Në rastin e “Shkupit 2014” u shpenzuan mbi 500 milion dollarë nga buxheti i shtetit që shkuan pak te artistët dhe krijuesit maqedonas, pak te kuazi-arkitektët dhe pak te korporatat e ndërtimin urban, siç i kishte propozuar dikur kryeministrja e Anglisë, gjeniu i politikave të shekullit XX, Zonja Margaret Theçer, por që “korporatat maqedonase” punonin ekskluzivisht për të mirën e partisë dhe hierarkisë së ngushtë partiake! Një fushatë e hatashme në ringjalljen e qytetit e me këtë edhe të identitetit nacional e kulturor, që shkonte përtej identitetit me themele në ASNOM, përtej identitetit me prejardhje bullgare, diku thellë në antikitet, atje ku nuk ka pasur shqiptarë! Ndryshe, superioriteti maqedonas mbi shqiptarët do të dilte vetëm një naivitet kombëtar që të bënë sa qesharak aq edhe të mjerë.

Kjo është pozita reale e maqedonasve përpara shqiptarëve, ndërsa në politikë – si në kulturë! Kemi të angazhuar plotë shqiptarë “profesionistë”, porse asnjë kulturolog, prej të cilit, pa dyshim, strategjitë kulturore të partive tona do të notoheshin si hartimet shkollore të nxënësve të ciklit të ulët! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.