JEFF WEDDLE – BITNIKU QË TANI FLET SHQIP

Meqë kjo përzgjedhje poetike është edhe prezantimi i parë i poetit Weddle (përkthyer nga Fadil Bajraj) përpara lexuesit shqiptar, kontakti me librin shumë natyrshëm mund të përcillet me një varg pyetjesh: Kush është Jeff Weddle?

Zyrafete SHALA

Kur flasim për një vepër letrare të përkthyer, kemi përpara vetes dy ndërmarrje serioze, të cilat, aq sa janë të pavarura nga njëra-tjetra, po aq janë edhe të lidhura me një marrëdhënie simbiotike. Në njërën anë kemi veprën si artefakt që e bën jetën e saj brenda kulturës në të cilën ka lindur dhe në tjetrën, veprën si përkthim, që shënon rilindjen e saj brenda një kulture të panjohur për të dhe me të cilën duhet të bashkëjetojë më tutje. Mirëpo, në mes të këtyre dy ndërmarrjeve, si urë lidhëse, qëndron akti i përkthimit, pa të cilin vepra nuk do të mund të niste ekskursionin apo rrugëtimin e saj transkulturor. Në njëfarë mënyre këto janë edhe tri linjat drejt të cilave do të orientohet ky vështrim i shkurtër mbi librin If You Have Balls Kill Me (Vritmë nëse ke koqe) të poetit amerikan Jeff Weddle, përkthyer në gjuhën shqipe nga Fadil Bajraj dhe botuar nga ShB Sabaiumbb (2023). Meqë kjo përzgjedhje poetike është edhe prezantimi i parë i poetit Weddle përpara lexuesit shqiptar, kontakti me librin shumë natyrshëm mund të përcillet me një varg pyetjesh: Kush është Jeff Weddle? Çfarë përfaqëson poezia e tij? Cilat janë shqetësimet që e karakterizojnë universin e tij poetik? Çfarë sjell poezia e tij në botën shqipfolëse? – e të ngjashme.

Jeff Weddle është profesor i asociuar në Universitetin e Alabama-s ku ligjëron Historinë e librit. Hapërimin e tij nëpër sistemin kaotik, siç është jeta, krahas poezisë, e shoqëron edhe me të shkruarit e tregimeve dhe eseve, të cilat i ka botuar në njëmbëdhjetë tituj, që paraqesin krijimtarinë e tij të deritanishme. Me librin e parë Bohemian New Orleans: The Storyof the Outsiderand Loujon Press (U Press of Mississippi, 2007) ka fituar çmimin Eudora Welty 2007. Si ndjekës i bitnikëve dhe përfaqësuesve të rrymave të përafërta me ta, Weddle në poezinë e tij i qaset realitetit nga një këndvështrim kritik, duke depërtuar në të gjitha plagët/devijimet e tij. Ngjashëm me pararendësit e tij, poeti ngrihet kundër konformizmit, kundër çdo trajte që njeriu ka shpikur për ta shfrytëzuar njeriun, kundër racizmit, supremacisë dhe propagandës së pushtetit. Me një fjalë, ai është kundër botës, të tillë si e njohim, botës që qeveriset nga të çmendurit, që u shkakton panik njerëzve që jetojnë në të, botës ku: Dhëmbët e përgjakur gërryejnë / kockat e të varfërve (Situata, f. 13).

Në gjuhën shqipe Jeff Weddle vjen me mbi 200 poezi, të përzgjedhura nga Fadil Bajraj nga dhjetë vëllime poetike. Në këto poezi, nuk është e vështirë të ndihet frymëzimi që vjen nga realiteti i pa censuruar, madje shpesh nga ai vulgar; përvojat e përditshmërisë dhe preokupimet jetësore reale, ashtu siç vijnë, pa u përpjekur të modelohen me mjete të estetikës elitare; dilemat e njeriut modern që i nënshtrohet presionit të një shoqërie që pareshtur promovon konformizmin dhe konsumin. Për më tepër, të gjitha këto preokupime arrijnë te lexuesi të shfaqura me një gjuhë të thjeshtë, të ngarkuar emocionalisht dhe mbi të gjitha me një sinqeritet të skajshëm. Poezia Manifesti, me të cilën jo rastësisht hapet libri,është poezi programatike dhe i përvijon kufijtë e poetikës së Jeff Weddle dhe në përgjithësi të brezit të krijuesve që ai përfaqëson. Aty përmblidhen të gjitha përplasjet e shpirtit të lirë, bitnikëve dhe ndjekësve të tyre, me profesorët/poetët e katedrave, me predikuesit e religjionit, me etërit e kapitalizmit dhe të tjerët që vihen në mbrojtje të këtij sistemi, për të përfunduar me domosdoshmërinë e çlirimit të poezisë nga vargonjtë e institucioneve për ta vënë atë në shërbim të shtresave më të ulëta të popullatës, mbi supet e të cilëve bie pesha e vërtetë e botës së uzurpuar nga mendësia e përfitimit. Kjo kredo poetike që shfaqet varg pas vargu dhe përshkon poezitë e këtij libri, formëson zërin e unit lirik që është zë i revoltës, zë i një subjekti të zhgënjyer me fytyrën e tanishme të botës, me degradimin e njeriut, dominimin e së keqes dhe tkurrjen e virtyteve. Zëri i Jeff Weddle është apel për njerëzimin që të ndryshojë sa më shpejt kursin e lëvizjes për t’u nisur drejt shpëtimit.

Për t’i qëndruar besnik mesazhit që Weddle përçon përmes vargjeve të tij, Fadil Bajraj i sjell ato me një gjuhë që i rrënon të gjitha barrierat eventuale mes poezisë dhe lexuesit shqiptar, duke i bërë ato të kapshme për të gjitha shtresat e lexuesve, përfshirë edhe ata që nuk e kuptojnë fort mirë atë (Manifesti, f. 8) siç thotë Weddle. Si nismëtar i përkthimit të bitnikëve në gjuhën shqipe, si mbështetës i ideve të tyre dhe si shpirt i lirë që nuk ndihet rehat në realitetin kaotik kosovar, ku ngarendja pas karremave të rendit të ri botëror është kthyer në sinonim të civilizimit, Fadili këmbëngul t’u sjellë bashkëvendësve të tij edhe një fytyrë tjetër të botës së qytetëruar, edhe një zë që buron nga shtresat më të çiltra të ndërgjegjes njerëzore, që u ofron edhe alternativa të tjera të të jetuarit: Dua të vallëzoj / Tmerrësisht dua të vallëzoj / në një botë ku vallëzimi është lutje / ndërsa dashuria e mund djallin / dhe ku revolucioni është më shumë se pluhur i hënës / e më pak se katastrofë. Gjithashtu, përmes zërit të shqipëruar të Weddle i fton bashkëvendësit që ta kujtojnë pamjen e dikurshme të botës: sall imagjinoni një botë me pemë / ose diçka të bukur / që pothuajse askush nuk e mban mend më / ama ashtu ishte (Është e vërtetë, f. 31); i fton ta shohin poezinë si një dëshmi të ekzistencës: E pra, lëri faqet si plumba të gatshëm, dhe nëse askush kurrë nuk i lexon ato, edhe kjo është mirë / Nuk është detyrë jotja t’i detyrosh njerëzit të lexojnë / por vetëm për t’u dhënë atyre, dhe vetes / një mundësi (Është lehtë, f. 38);por edhe të kërkojnë perspektiva të reja të vrojtimit të realitetit: Gjithçka që mund të jetë, është, sigurisht, / edhe pse loja ndryshon / moment pas momenti (Bëje këtë, f. 133).

Edhe këto pak vargje të cituara, lehtësisht bartin te lexuesi ndjeshmërinë e Jeff Weddle që vazhdon të mbajë gjallë revoltën e Brezit Bit dhe bashkë me të edhe gjakimin për çlirimin e njeriut nga prangat e globalizmit; ndjeshmërinë e këtij poeti të veçantë që e bëri të flas shqip mjeshtri Fadil Bajraj, i cili në përzgjedhjen e krijuesve që na i prezanton, gjithnjë i qëndron besnik shijes së tij, e jo tirazhit të kopjeve të botuara apo atyre të shitura të librave të tyre. Kjo sepse Fadili i përket atij lloji të intelektualit që përgjegjësinë për punën e vë mbi çdo shtytje tjetër të racës njerëzore, ashtu siç kanë qenë edhe ato mendje të ndritura që i afirmuan vlerat e kulturës së përbotshme. Duke qenë njohës i shkëlqyeshëm i letërsisë anglo-saksone dhe në të njëjtën kohë edhe vrojtues i vëmendshëm i transformimeve nëpër të cilat po kalonte populli i tij gjatë rrjedhës së viteve, Fadili pareshtur ka sjell në shqip ato krijime letrare, të cilat, përveç vlerave të dëshmuara estetike, do t’i ndihmonin lexuesit shqiptar për të bërë edhe një hap tutje drejt njohjes së kulturave të reja.

Një mision i tillë fisnik i ndërlidhjes së epokave dhe kulturave u është njohur me kohë përkthyesve, madje Kelly Louis thotë se: Evropa Perëndimore ia detyron qytetërimin e saj pikërisht përkthyesve, sepse janë përkthyesit ata që një letërsi kombëtare arrijnë ta kthejnë në letërsi universale duke i dhënë mundësi krijuesit të komunikojë me lexues të skajeve më të largëta të botës. Mirëpo, realizimi me sukses i një ndërmarrjeje të tillë, doemos, ka një kosto të lartë, ngase kërkon nga përkthyesi një investim jetësor në njohjen e mendësisë, të kaluarës dhe të tanishmes së grupeve etnike që e flasin atë gjuhë, ngase përkthimi, siç thotë Anthony Burgess, nuk është vetëm çështje fjalësh: është një çështje për ta bërë të kuptueshme një kulturë të tërë. Një investim të tillë jetësor, ndër të paktët përkthyes, për të mos thënë i vetmi, pa dyshim e ka bërë Fadil Bajraj, që saktësinë e kishte bërë kaherë moto të përkthimit, ngase e kishte kuptuar se: Dallimi midis fjalës së duhur /  dhe fjalës pothuajse të duhur / është goditje në koqe (A bën veç të dëgjoni ju lutem, f. 12). Ashtu siç e kishte kuptuar, po ashtu se kjo botë me kohë është futur në trajektoren e devijimit të së vërtetës dhe si e tillë mund të jetë e pëlqyeshme për tru-trumcakët, por jo edhe për ata që mëtojnë ta shohin atë si vend të sigurt për të gjitha krijesat që jetojnë në të.

Leave a Reply

Your email address will not be published.