JETA DHE VEPRA E NEHAT ISLAMIT

(Mbi librin “Jeta me laps” të Xheladin Rexhepit, botoi Shtëpia botuese DRINI, Ferizaj, 2024)

Zyrafete SHALA

Libri “Jeta me laps” i autorit Xheladin Rexhepi, botuar para disa javësh nga Shtëpia Botuese “Drini”, rikthen në vëmendje Nehat Islamin, një prej figurave më ikonike të gazetarisë shqiptare, karriera e të cilit mbetet ende një nga më të pasurat e kësaj fushe në mjedisin tonë. Libri është një eksplorim gjithëpërfshirës mbi jetën që vihet në shërbim të profesionit, mbi pasionin e dashurinë për punën që sfidojnë çdo barrierë, mbi të vërtetat e një kohe të vështirë, që i vinte në sprova intelektualët shqiptarë dhe mbi të gjitha, mbi rëndësinë e të qenit njeri, bazament ky i domosdoshëm për arritjet kulmore në çdo profesion, e doemos edhe në atë të gazetarisë. Përmes një rrëfimi biografik, libri reflekton thellë mbi historinë e trazuar të popullit shqiptar nën pushtimin serb, e shikuar gjithnjë nga thjerrëza e një njeriu që ia kushtoi jetën dokumentimit të këtyre betejave.

I strukturuar në trajtë të bashkëbisedimit miqësor, me gjithsejtë 462 pyetje dhe po aq përgjigje, libri nis me dramën e rëndë të familjes Islami, ngjarë në vitin 1912. Në fakt, ishte kjo vetëm njëra nga tërë ato skenat e shumta ngjethëse të tragjedisë sonë kombëtare, që përsëriteshin nëpër kohë e vise të ndryshme deri në fund të shekullit XX. Rrëfimi i Nehat Islamit për babanë e tij, Sahitin, që si foshnjë tremuajshe, rastësisht, i shpëtoi masakrës së egër serbe mbi popullatën e fshatit Grackë të Lipjanit, mbetet jo vetëm referencë thelbësore e kujtesës së tij familjare, por edhe pikë orientuese në trajektoren jetësore. Duke ardhur nga një familje që e kishte ndjerë deri në palcë egërsinë e pushtetit serb, Nehat Islami e kuptoi herët se çfarë do të thotë t’i përkasësh një populli të vogël dhe të përndjekur, ndaj i ngarkoi vetes misionin e tejkalimit të kufijve të kohës në të cilën u formua si personalitet njerëzor dhe intelektual. Ky ndërgjegjësim u bë forcë shtytëse e karrierës së tij prej gazetari, një karrierë e karakterizuar fund e krye nga kërkimi i pakompromis për të vërtetën dhe drejtësinë, qoftë edhe në rrethanat më të rrezikshme për jetën.

Libri ndahet në gjithsejtë shtatëmbëdhjetë kapituj, të cilët në përgjithësi ndjekin rendin kronologjik të jetës së Nehat Islamit. Mirëpo, kapitulli i parë, Gazetaria fillon aty ku fshihet lajmi, bën përjashtim nga rregulli, ngase më tepër është një tablo prezantuese, një pasaportë e parimeve profesionale, pikëpamjeve intelektuale dhe kulturës së gjerë të Islamit. Ndërsa kapitujt në vazhdim si Fëmijëria në sokakun e vajit, Studimet në Zagreb, Rënia e Rankoviqit, Shqiptarët në botën arabe, Çlirimi i Kosovës etj. siç shihet edhe nga vetë titujt, përveç që përkojnë me faza të ndryshme të jetës së tij, janë gjithashtu në sinkroni me periudha të ndryshme të historisë kombëtare e më gjerë. Dita e parë e punës si gazetar për Nehat Islamin, 1 korriku i vitit 1966 përkon me përmbylljen e një epoke të errët për popullin shqiptar në Kosovë, me rënien e Rankoviqit. Këtë rastësi ai nuk e lëshoi nga dora, përkundrazi, tërë potencialin e tij profesional e vuri në shërbim të grumbullimit të fakteve dhe rikonstruktimit të klimës politike që përcaktoi vitet 1950 dhe 1960, për t’i lënë në faqet e së përditshmes Rilindja si gjurmë të një kohe.

Do ta shohim më tej Nehat Islamin në situata të ndryshme kritike të historisë, qoftë brenda apo jashtë kufijve kombëtar, gjithnjë të përkushtuar maksimalisht në profesionin e tij dhe në shërbim të gjetjes dhe përhapjes së lajmit, gjegjësisht të vërtetës, ose lajmit të vërtetë. E shohim në programin shqip të TV Beogradit, pastaj në RTP, e shohim si korrespondent në Liban gjatë luftës së ashpër civile, në kampet e refugjatëve palestinezë të Tal Al Zatar dhe Sabra e Shatila, në ndjekjen e gjurmëve shqiptare nëpër shtetet e lindjes, në afirmimin e intelektualëve tanë që kontribuuan në vise të huaja, e shohim të papunë, pastaj të angazhuar në KMDLNJ duke i mbledhur dhe shpërndarë në mediat e botës informacionet për dhunën serbe në Kosovë, e shohim si dëshmitar të luftës dhe çlirimit, për të arritur së fundi te përpjekjet e tij për vënien e themeleve të një gazetarie moderne e profesionale në Kosovën e dalë nga errësira. 

Karriera e Islamit nuk është thjesht karrierë e një gazetari që sigurinë dhe rehatinë personale e ka synim parësor, tërë ato dekada të punës së tij përbëjnë një ngrehinë të çmueshme të gazetarisë investiguese, shtyllat e së cilës mbeten etika, guximi dhe humanizmi. Ndërsa, gjithë ato intervista me personalitete të çmuara të artit, politikës, shkencës e kulturës, kombëtare e ndërkombëtare, mbeten një pasuri e veçantë që ruhet në arkivat e gazetarisë sonë, pa u ndalur te ndikimi që patën për kohën kur u botuan  e u transmetuan, si modele të shëndosha identifikimi për të rinjtë.

Për këto dhe shumë arsye të tjera, duhet lexuar patjetër libri i Xheladin Rexhepit “Jeta me laps”, duhet dhe mund të lexohet nga të gjitha kategoritë e lexuesve, por në veçanti duhet lexuar nga gazetarët. Në fakt, nga ata persona që e mbajnë veten si gazetarë, por që e kanë katandisur gazetarinë në një veprimtari pa identitet, në një profesion fitimprurës dhe në një arenë ku bastardët garojnë se kush mund t’i bëj më shumë dëme kombit e atdheut. Shikuar nga ky këndvështrim “Jeta me laps” e Xheladin Rexhepit është edhe eksplorim i etikës gazetareske, një dëshmi e fuqishme e ndikimit që mund të ketë te të tjerët përkushtimi i një njeriu ndaj zanatit të tij. Jeta e Nehat Islamit, e përshkruar nga Xheladin Rexhepi, shërben si një frymëzim për të gjithë ne, duke na kujtuar rëndësinë e vendosmërisë, këmbënguljes dhe qëndrimit në kërkim të asaj që është e drejtë, qoftë edhe kur duhet të vihemi përballë sprovave dërrmuese, në mbrojtje të saj. Një libër i domosdoshëm për këdo që është i interesuar për gazetarinë, historinë shqiptare, luftërat e popujve të shtypur, dhe së fundi edhe për ata që kanë pasion artin e formësimit të opinionit publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.