JETA PARAZITE E INTELEKTUALIT!

Fjalori i gjuhës shqipe fjalën INTELEKTUAL e shpjegon kështu: ai që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, të teknikës, të kulturës e një formim të gjerë arsimor dhe merret kryesisht me punë mendore, pra është njeri i punës mendore, ndërkaq fjalën INTELIGJENCIE: shtresë shoqërore që përbëhet nga intelektualët.

Sot, fatkeqësisht mbi intelektualët e paktë shqiptarë dominojnë të ashtuquajtur intelektualë, të cilët jo që bëjnë një jetë parazitësh, pro dhe janë sehirxhinjtë më të denjë të gjithë asaj që ndodh përreth tyre, duke mos u brengosur për mbirjen e farës së keqe gjithandej ku jetojnë shqiptarët.

Dikur intelektualët ishin hallka kryesore e të gjitha lëvizjeve për ndryshimin e gjendjes, ndërkaq sot ata janë në një gjumë të thellë. Kjo apriori nënkupton se ka pushuar edhe puna mendore e tyre. Pra, të paktë janë ata që merren me punën mendore, e cila tani është zëvendësuar me punën e barkut dhe të interesit.

Intelektualët tanë nuk reagojnë për asgjë. Nuk reagojnë as për zhbërjen e trashëgimisë kulturore, nuk reagojnë as për shpërthimin e hovshëm të anti-vlerave, për zbehjen e identitetit kombëtar, nuk reagojnë (nuk janë në gjendje të shkruajnë edhe një shkrim të vockël) për pengesat e shumta që e pamundësojnë bashkimin kulturor të shqiptarëve, nuk reagojnë për hiper-inflacionin e analfabetëve. Nuk reagojnë, sepse janë në “gjumë” dhe shohin ëndrra me sy hapur.

Janë edhe disa të ashtuquajtur intelektuale që “intelektualizmin” e tyre e manifestojnë vetëm në FB, duke klikuar pëlqime (like), duke marrë poza e duke u bërë lajka partive në pushtet. Janë pikërisht këta që dikur i quanim “patriotë” me bateria, kurse tani, me avancimin e teknologjisë, ata janë bërë “patriotë” me panel solar.

Heshtja e intelektualëve përballë të këqijave të rrezikshme që ditë për ditë shtresohen, është vetëm një dëshmi që paralajmëron se shoqëria shqiptare gjithnjë e më shumë po bëhet shoqëri amorfe, një shoqëri mediokre, e lënë vullnetarisht në duart e atyre që mendojnë vetëm për vete dhe që nuk ia kanë haberin se çfarë do të thotë puna mendore. Shoqëria shqiptare duket se e ka humbur edhe inteligjencien, atë shtresë shoqërore që i takon t’i lëvizë edhe gurët në mbrojtje të indit kombëtar…

/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.