JETONTE PËR MUZIKËN DHE JO NGA MUZIKA

Duke lexuar monografinë “Bilbili i Çarshisë së Shkupit”, kushtuar këngëtarit Gani Grubit, të autorit Bajram Çupi, gjejmë shumë fakte e argumente të identifikimit, por edhe identitetit që ky solist i mbruan me xhelozi

Sami PIRAJ

Doajeni i këngës popullore, Gani Grubi, me interpretimet e tija bëri që të jetë i pranishëm në shqisat e dëgjuesve përmes valëve të Radio Shkupit, Prishtinës dhe radiove të tjera, por edhe në koncerte e manifestime të ndryshme tek ne e më gjerë. Pra, nuk është fjala vetëm për një solist i cili ka një pasion, por thjesht, ai ia “kushtëzon” frymës së vet, edhe atë që quhet vazhdimësi e një traditë të kultivuar në vendlindje, dhe e bartur në ambiente që nuk ishte gjithaq e lehtë të ruhet dhe të zhvillohet nga faktorët politik. Kjo ishte e vështirë, sepse faktorët e tillë nuk ishin paqësor me pretendimet kombëtare dhe artistike të shqiptarëve të këtij nënqielli.

Autori Bajram Çupi, jo pa arsye e titullon këtë monografi “Bilbili i Çarshisë së Shkupit”, duke dhënë argumente të bollshme se fjala është për një solist që ka lënë gjurmë, dhe ka krijuar një mëvetësi të reprodukimit muzikorë shqip. Këngët e reprodukuara kanë ngjallur kënaqësi, sepse nuk ka qenë e lehtë të ndjehet kjo frymë. Ambienti i krijimit të këngëve në rrethana të caktuara, kur gogolët vepronin me të gjitha forcat për të shuar çdo iniciativë kombëtare në këto hapësira, ishte sa i vështirë, aq edhe me pasoja. Prandaj, veprimet e tilla edhe sanksionoheshin duke bartur rreziqe deri në burgosje. Për këtë më mirë e dinë ata që vepronin në këto hapësira.

Duke lexuar mbresat për solistin në fjalë, që me aq përkushtim e këndon këngën e traditës qytetare shqiptare, ndalem tek një mendim i zonjës Shpresa, vajzës së këngëtarit Gani Grubi. Ajo e cilëson tërë veprimtarinë e tij duke krijuar një imazh koherent, kur thekson se: Jetonte për muzikën dhe jo nga muzika.

Duke iu referuar sintagmës se: tradita nuk është statike dhe ajo dinamizohet në etapa të ndryshme, merr formë dhe përmbajtje nga më të ndryshmet, varësisht nga qasja dhe mënyra e shtjellimit, gjithnjë duke pasur parasysh profesionalizmin në formë dhe përmbajtje, mund të konkludojmë se ruajtja e kësaj trashëgimie është një akt që kalon përmasat profesionale dhe ngarendet në ato patriotike dhe kombëtare. Pse e themi këtë: sot është vështirë të gjendet kalibri i tillë i solistëve që i mbetet besnik maksimës për të jetuar për muzikën, kur jetojmë në periudhën që muzika na shërben për biznes. Kohët kanë ndryshuar, e më këtë ka ndryshuar edhe mentaliteti, ka ndryshuar edhe arti, ka ndryshuar edhe qasja për artin. Ata solistë që i mbetën besnik për të jetuar me muzikën, sot janë në margjina. Ata që herët e nuhatën sintagmën për të jetuar me muzikën, si produkt komercial, iu qasën tregut, vepruan shpejt, duke mos zgjedhur mjete në emër të patriotizmit, por edhe në emër të asaj se po e “kërkon koha”. Shembuj të tillë kemi shumë në të gjitha hapësirat te ne. Shikoni ceremonitë e dasmave, çfarë ndodh me to. Glamurë luksi e shkëlqim i paparë. Ndërkohë primitivizëm i skajshëm në veshje me xhingla e lakuriqësi ekstreme dhe gjera të tjera përcjellëse. Mos të flasim për muzikën. Orkestra e përbërë: rëndom një sintisajzer, një klarinet dhe aty këtu ndonjë saksafon apo edhe ndonjë instrument ritmik. Repertori i njëjtë: dasmat i përngjajnë njëra tjetrës nga aspekti muzikorë, sepse shumë prej pikave në repertorë rrjedhin nga disqet e incizuara më parë dhe u atribuohen dasmorëve sipas një skeme tashmë të njohur. Pas çdo pesë, gjashtë takteve, në këngë futet logjika e gazelit dhe krijohet mentaliteti i frymës orientale, duke përdhunuar me çdo kusht frymën shqip që e mbruajtën dhe e trasuan këngëtarë e orkestra jo shumë pretencioze me instrumentistë brilant, ama me timbër shqip dosido, siç u ndjenë edhe në këtë CD të solistit Gani Grubi. Ne sot ballafaqohemi me një atak të rëndë ndaj parregullsive e që me aq pompozitet pretendojnë të zënë vendin në hierarkinë e vlerave tona. Ngjyrimet e zbehta të këtyre anti-vlerave i hasim në formacionet orkestrale, i hasim në kostumet kombëtare, i hasim ne zhvillimin e linjave muzikore, i hasim në mungesën e kreativitetit si formë definitive artistike. Të atakuar nga këto parregullsi, na duhet një vetëdije dhe emancipim, por edhe kreativitet për të shenjëzuar ato vlera që na bëjnë të ndjehemi mirë para auditorit tonë, para fëmijëve tanë që së pari t’u ofrojmë atyre atë vlerë, që të ndjehet në embrion si dëshmi e gjuhës, muzikës, riteve dhe të tjera burime identifikuese.

Duket kjo pak si demagogji në këtë kohë të një avarie kulturore në masa kombëtare, por mosruatja e identitetit tonë do të ketë pasoja aq të mëdha sa pas një kohe relativisht të shkurtër do ta ndjejmë në kockë këtë atakim antikulturor dhe antikombëtar. Më pas do të behet shumë vonë. Nuk kemi më nevojë të derdhim lot kur fëmijët tanë as nuk do të flasin gjuhën e nënës, e as nuk do të mësojnë këngën e vet. Një kohë kjo ishte e atakuar nga personat dhe regjimet e njohura, sot atakohemi nga mosveprimi ynë dhe vrapimi pas asaj që quhet biznes me kulturë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.